TIRANE, 30 Prill/- Parku Rinia për herë të parë po shndërrohet në një skenë vallëzimi, ku kërcimtarë të 16 shkollave dhe studiove të ndryshme të kërcimit kanë nisur performancat e tyre që në orët e para të mëngjesit.
E konceptuar si një një ditë ndryshe, të pasur me tinguj muzike, maratona e vallezimit në Park ka nisur që në orët e para të mëngjesit, si një mënyrë më shumë për të nxitur qytetarët, sidomos fëmijët dhe të rinjtë, për jetë aktive dhe aktivitete rekreative në natyrë.
Profesionistë, amatorë, të pasionuar, të gjithë nen të njëjtën moto: “Vallëzim non-stop”, janë të pranishëm për të shijuar atmosferen festive në park.
Nën kujdesin e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Promovimit të Qytetit, deri në mesnatë valltarë nga 16 shkolla dhe studio
kërcimi, koreografë dhe balerinë profesionistë, do të përpiqen të përfshijnë sa më shumë njerëz në botën e tyre; duke qenë se kërcimi është jo vetëm talent, impuls natyral dhe përçues, por edhe një aktivitet sportiv.

Aktiviteti zhvillohet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Kërcimit. Po ashtu, nuk mungojnë artistët e ftuar dhe surprizat që përmban një festë e vërtetë. Qytetarët e pranishëm po shijojnë artin e vallëzimit dhe atmosferen festive të krijuar në Parkun Rinia.ATSH/