• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Arti hyn në shpirt ashtu siç hyn shpirti në parajsë

November 26, 2013 by dgreca

(Shënime nga një ekspozitë pikture)/

Nga Vaso Pata/

Autorët, në ekspozita, paraqesin punime të gjinive të ndryshme, të punuara me teknika, po ashtu, të ndryshme. Motivet lidhen me njeriun apo me natyrën. Tablotë kanë përmasa të mëdha apo të vogla. Vizatimi realizohet me vija të prera apo linja të buta. Ngjyrat janë të gjithëfarëllojshme. Të gjitha këto ndikojnë për të vlerësuar një punë, në të dyja kahet, për ta bërë më të bukur ose thjesht të rëndomtë. Duke gjetur “prerjen e artë” të raporteve të mësipërme artisti arrin të nxjerrë nga duart diçka të bukur, të cilën e pëlqen shumica. Vetëm disa pak prej këtyre “bukurive” kthehen në vepra arti.

Ekspozita e çelur nga Edi Kojani pati punë të bukura që do të zbukurojnë mjediset e do të gëzojnë të zotët e tyre. Aty pamë edhe vepra arti të denja për të rritur vlerat e galerive e të muzeve.

Në punën e tij, Edi interesohet për gjithçka që sheh, përjeton e mediton. Sheh njeriun dhe botën shpirtërore të tij, me ndjenjat e emocionet por dhe shqetësimet e ndërlikimet e jetës, sheh natyrën në të gjitha shfaqjet e në të gjithë përbërësit e saj. Sheh pyllin, pemët e pyllit, degët dhe gjethet e pemëve por gjithnjë pa humbur nga sytë pyllin. Ka mjaft ide për të arritur aty ku kërkon, motivet nuk mungojnë, teknikat e punës i njeh mirë, vizatimi nuk përbën problem për të, ngjyrat janë aty dhe ai di t’i përzgjedhë sipas qëllimit e t’i kombinojë ato për të arritur efektin maksimal. E njeh mirë thelbin e punës së vet dhe ka njohuri të gjera nga fushat e tjera të artit, nga letërsia e më gjerë.

Nuk është aspak e thjeshtë të analizosh gjithë “këtë pyll”. Madje, edhe të japësh mendime për “pemët” është ndërmarrje e vështirë. Gjithësesi do të përpiqemi të vlerësojmë disa prej “pemëve të pyllit”

Një motiv, që e ngacmon artistin, lidhet me “Qytetin e Jugut” tepër i dashur për të.

“Ky ishte një qytet i çuditshëm, që dukej sikur kishte dalë në luginë papritur një natë dimri si një qënie prehistorike dhe duke u kacavjerrur me mundime të mëdha, i ishte qepur faqes së malit. Gjithçka në këtë qytet ishte e vjetër dhe e gurtë, duke filluar nga rrugët dhe çesmat e gjer te çatitë e shtëpive të tij të mëdha, shekullore, që ishin të mbuluara me pllaka guri ngjyrë gri të cilat u ngjanin luspave gjigante. Ishte e vështirë të besoje se nën ato korraca të forta gjëllonte dhe përtërihej mishi i butë i jetës.”

Tabloja tregon se Kojani piktor e sheh Gjirokastrën si Kadareja ynë i madh. Megjithatë, pamjen e gurtë të qytetit dhe ashpërsinë e maleve përballë, artisti e zbut me një tis të hollë e magjik mjegulle.

Deti nuk mund të mungonte në ekspozitën e një piktori vlonjat. Ai paraqitet i egërsuar dhe mësyn shkëmbin, ashtu siç ka bërë gjatë gjithë historisë së tij. I kreshpëruar e shikon shkëmbin nga lart si për t’i treguar se është mbi të gjithë. Po ai det, në një tablo tjetër, di të tërhiqet me dinjtet e butësi, duke ftuar pulëbardhat të marrin ushqimin e tyre të përditshëm, vogëlushët të mbledhin guacka dhe peshkatarët të kërkojnë krimba për grepat e tyre. Artisti luan me kontrastin e ideve, ndjenjave, emocioneve, linjave, ngjyrave, dhe e shfrytëzon atë, shpesh, si mjet artistik.

Tabloja “Perëndim” që fare mirë mund të titullohet “Dashuria që lind dhe dielli që perëndon” të kujton që je njeri dhe duhet të dashurosh (gjithçka të bukur e të mirë) por edhe të meditosh. Dielli ka perënduar por do të lindë përsëri, ashtu siç ka bërë mijëra e mijëra vjet dhe do të vazhdojë të bëjë mijëra e mijëra vjet më pas. Po ashtu njerëzit janë dashuruar për mijëra e mijëra vjet e do të vazhdojnë të dashurohen deri në pafundësi.

Ky punim ku ndihet një frymë romantike përçon ndjenja të holla lirike. Ngjyrat e përdorura, jo të kursyera por, të përzgjedhura me kujdes, i theksojnë edhe më shumë ndjenjat aq të pastra dhe emocionet aq të thella.

Kalimthi vërejmë se artisti parapëlqen arin, ngrohtësinë, afërsinë, ndriçimin e fortë e plot ngjyra të diellit më shumë se argjendin, ftohtësinë, largësinë, ndriçimin e zbehtë e monoton të yjeve.

Tablotë e Kojanit janë piktura që flasin. Shikuesit nuk e kanë të vështirë të dëgjojnë personazhet, të përjetojnë botën e tyre shpirtërore.

Ja një tablo ku personazhet plotësojnë njëri-tjetrin. Shohim dy mullarë, nuhasim aromën e kashtës së thatë dhe ndiejmë ngrohtësinë që lëshojnë në atë vjeshtë të vonë. Një peizazh pastoral e idilik që flet për paqë e fton për prehje. Ngjyrat e buta, të ëmbla e të ngrohta i janë përshtatur më së miri subjektit duke plotësuar vizatimin tepër shprehës.

Në një tablo tjetër shohim një rrugicë fshati dhe dy plaka që po bisedojnë. Aty në kënd duken disa rrënoja. Duke admiruar tablonë “dëgjojmë” bisedën e tyre. Ato qajnë hallet për shëndetin në muzgun e jetës por më shumë për mungesën e djemve të tyre që janë larg. Njëra nga plakat është me fytyrë nga shikuesi, tjetra me shpinë. Eshtë pikërisht kjo e fundit që “flet” më shumë. Një gjetje shumë e goditur. Ngjyrat e kursyera janë përshtatur më së miri për personazhet dhe mjedisin që i rrethon ato.

Portreti i djaloshit me ngjyrë është punuar me ndjeshmëri të hollë. Qëndrimi i djaloshit, fytyra e, sidomos sytë shprehës, pasqyrojnë botën e tij shpirtërore. Ai nuk shikon vrëngër por i shqetësuar dhe paksa i brengosur. Gjithë pamja e tij pyet: Pse më shikoni shtrëmbër?

“Personazhet” (në thonjëza ose jo), në punët e Edit, ndërveprojnë, kundërshtojnë ose plotësojnë njëri-tjetrin. Kompozimi “No coment” paraqet trotuarin e një rruge pak të ndriçuar. Lart, në mur, duken tre foto të mëdha të “Statujës së Lirisë”. Poshtë, në trotuar një vajzë me kokën ulur mbështetur në gjunjë. Megjithëse titulli nuk e kërkon, ose pikërisht për këtë arsye, tundohemi të bëjmë ndonjë koment. Janë vendosur përballë, simboli dhe njeriu. që e ka krijuar atë simbol. Tek vajza me pamje të përhumbur mungojnë liria, dinjiteti, krenaria që aq shumë i rrezaton simboli. Njeriu është i ndërgjegjshëm për forcën por dhe dobësitë e tij, për përsosmërinë e botës por dhe pamundësinë për ta shijuar plotësisht atë. Jeta e tij është e kufizuar nga ligjet e natyrës por dhe nga veprimet, nganjëherë kundër arsyes, të shoqërisë. Për të kapërcyer dobësitë, pamundësitë, kufizimet etj. njeriu krijon simbolin. Njeriu jeton të sotmen ndërsa njerëzimi mbijeton me të ardhmen (simbolin).

Kompozimet “Ardhja e çamëve”, “Komisioni i festës” “Oborri i Ali Pashës” etj., me tema kryesisht historike, do të kërkonin një analizë më të thelluar.

Diskutimi mbi punët e ekspozuara nuk mund të quhet aspak i shterrur. Dashamirës të tjerë të artit mund të thonë më shumë, për më tepër, të kenë këndvështrime të tjera, të parashtrojnë interpretime të ndryshme nga ato që u shjelluan në këtë shkrim, madje edhe të kundërta.

Artdashësit kanë parapëlqime të ndryshme për gjinitë, teknikat, motivet, për realizimin e tyre, për vizatimin dhe ngjyrat. Është mëse e natyrshme. Kojani ka edhe ai qëndrimin e këndvështrimin e vet, por vetëm buzëqesh, duke shpjeguar e interpretuar kur ja kërkojnë, duke mos mbajtur anë. E ka vënë re tashmë se të gjithë bashkohen në një pikë. Eshtë kënaqësia që ndien e përjeton secili duke shijuar artin e tij. Artisti ofron dhe shpërndan bujarisht kënaqësi të tilla dhe Edi di ta bëjë mirë këtë.

Filed Under: Kulture Tagged With: arti, parajsa, shpirti, Vasp Pata

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT