Agustin Mirakaj, Kryetari i degës së “Vatra Manhattan Branch”, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, projektin patriotik të degës me të re të Vatrës krijuar në New York, Amerikë.
Sokol PAJA – DIELLI
“VATRA MANHATTAN BRANCH” NJË MUNDESI PËR ÇDO PATRIOT SHQIPTAR
“Vatra Manhattan Branch” është dega më e re e krijuar në Amerikë, synimi i sëciles do të jetë përfshirja e intelektualëve shqiptarë patriotë të djathtë me histori suksesi të formuar në New York e më gjërë. Kjo degë e re është vazhdimi i projektit të Vatrës qëndrore nën përkujdesin e veçantë të Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra z.Elmi Berisha. Qëllimi i projektit “Vatra Manhattan Branch” është hapja e degëve të Vatarës në çdo shtet të Amerikës. Synimi dhe qellimi kryesor i Vatrës është themelimi i degëve të reja, forcimi i strukturave, konsolidimi i vlerave, mbajtja gjallë e atdhedashurisë, ruajtja e identitetit kombëtar dhe ndërtimi i një raporti të ngrohtë me gjithë diasporën në Amerikë, ku Vatra të shihet si shtëpia e ngrohtë e çdo patrioti shqiptar që jeton e vepron në Amerikë. Ideja e krijimit të degës “Vatra Manhattan Branch” erdhi si nevojë për përfaqësimin e shumë të rinjve e të rejave atdhetar që e duan Shqiperine.Rinia është domosdoshmëri në çdo grupim shoqëror, politik e atdhetar për energjinë e pashterrshme, frymën e re dhe mbi të gjitha shëmbullin e mirë, Vatra po rritet çdo ditë ashtu si edhe sfidat në rritje të përfaqësimit dinjitoz të kombit tonë.
RISITË E FORMACIONIT PATRIOTIK VATRAN “VATRA MANHATTAN BRANCH”
Vatra Manhattan Branch, si formacion i ri patriotik dhe atdhetar nën çatinë e Vatrës qëndrore, synon afirmimin e djemve dhe vajzave të reja që jetojnë e veprojnë në New York, rritjen e përfaqësimit gjinor, përditësimet me çështjet delikate që kalojmë si komb, promovimin e vlerave atdhetare nëpërmjet takimeve, rrjeteve sociale, platformave të ndryshme mediatike, qëndrimeve publike dhe reagimeve në lidhje me tema dhe ngjarje sensitive në historinë tonë. “Vatra Manhattan Branch” si formacion atdhetar, kulturor dhe shoqëror do të mbështesë Vatrën qëndrore dhe të gjitha degët e Vatrës në çdo shtet të Amerikës, do kordinojë qasjen ndaj çështjeve të diplomacisë, historisë dhe veprimit demokratik e patriotik, dhe do të ndihmojë kordinimin e Vatrës me organizatat e tjera shqiptare ne Amerike, per te ofruar kapacitete dhe vlera në përgjigje të sfidave që kalojmë si Vatranë në SHBA dhe si shqiptarë në shtetin amë.
VATRA DHE DIELLI SI INSTITUCIONE ATDHEDASHURIE
Diaspora shqiptare në Amerikë nëpërmjet Vatrës e Diellit ka qenë gjithmonë model për organizimin dhe rolin e tyre patriotik në dobi të çështjes kombëtare. Uroj që si vatran të frymëzohemi me modelin e Nolit dhe Konicës e shumë patriotëve të tjerë, për një Shqipëri të bukur, të fortë, të zhvilluar, dinjitoze në sytë e botës dhe që diaspora nuk e harron asnjeherë. Kjo diasporë prej 1 shekulli ka qenë shembull i shkëlqyer dhe ka ndihmuar shumë në shtetformim dhe lobim për çështjen kombëtare. Mendoj se karakteri diplomatik dhe patriotik i bëjnë Vatrën dhe Diellin institucione të përjetshme atdhedashurie. Vatra në çdo moment të vështirë ekzistencial të kombit tonë ka qenë aty në mbrojtje të interesit kombëtar duke lobuar fuqishëm në kancelaritë perëndimore. Kontributi patriotik dhe serioziteti si Federatë ka bërë që dyert në Washington të jenë çdo herë të hapura për perfaqesuesit shqiptar. Vatra nepermjet perfaqesueseve te saj me te larte ka lobuar me perfaqesuesit e organeve me te larta te shtetit Amerikan per ceshtje te rendesishme kombetare shqiptare.
VATRA NË GARË ME SFIDAT E SHEKULLIT 21
Ashtu si atëdheu ynë i bekuar Shqipëria, edhe shteti ku verojmë e punojmë SHBA përditë ballafaqohen me sfida kombëtare dhe globale. Vatra do të jetë kurdoherë e angazhuar në veprim të çështjes kombëtare shqiptare. Veprimtaria e Vatrës do të fokusohet në modelin e suksesit diplomatik, procesit të lobimit në Wahsington dhe Perëndim, afrimin me shqiptarët patriotë dhe të suksesshëm, promovimin e çdo shqiptari që ka lënë gjurmë në suksesin e shtetit ku jetojmë, dhe në forcimin e institucioneve dhe demokratizimin e jetës në Shqipëri dhe Kosovë. Federata Vatra do të përkrahë shqiptarët dhe ato forca politike apo shoqata patriotike që kanë programe demokratike, zhvilluese dhe që i shërbejnë interesit të bashkëatdhetarëve tanë kudo në botë.
AGUSTIN MIRAKAJ – KRYETARI I VATRA MANHATTAN BRANCH
Agustin Mirakaj ka lindur më 13/11/1976 në kampin e përqëndrimit Gradishtë, Lushnjë ku ka qëndruar dhe jetuar deri në moshën 13 vjeçare. Ato vite kanë pasur një ndikim të thellë në karakterin dhe formimin e tij. Gjate persekutimit nga rregjimi komunist, nëna, vëllai dhe Agustini shikoheshin si armiq të popullit për arsye se babai i tij ishte i dënuar për agjitacion e propagandë nga rregjimi. Gjatë qëndrimit në kamp, Agustini perjetoi persekutim, përbuzje dhe mohimin e të drejtës me elementare për tu shkolluar. Për Agustinin koha kishte ngelur në vend por shpresën për një ditë lirie nuk e humbi kurrë. Ajo erdhi. Mbas rrëzimit të diktaturës në vitin 1991 familja e Agustinit u zhvendos në Tiranë. Aty i jepet mundësia të shkollohet dhe ndërkohë të mbështesë Partinë Demokratike në të gjitha kauzat e saj. Në vitin 1999, mbasi mbaroi shkollën teknike ekonomike, rrethanat politike në të cilat ndodhej vendi e detyruan të largohet nga Shqipëria. Që prej asaj periudhe e në vazhdim, Agustini jeton dhe punon në New York, SHBA. Në NY ka zhvilluar bisnese private në fushën e ndërtimit, perceptimit strukturor, modelimit, rinovimit, dhe konceptimit të hapsirave të brëndshme dhe të jashtme të banimit. Që nga ardhja në Amerikë, Agustini familjarisht është ndër kontribuesit dhe veprimtarët më të mëdhenj në Vatrën qëndrore. Prejardhja e familjes se tij është nga Iballa e Pukës. Gjyshi i tij Kol Bib Mirakaj ka dhënë një kontribut historik për çështjen kombëtare, duke organizuar dhe drejtuar rezistencën anti-komuniste gjatë periudhës së Luftës se Dyte Botërore në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe si Ministër i Brendshëm, me guximin dhe mençurinë e tij, patrioti i madh Kol Bib Mirakaj (gjyshi i Agustinit) arriti të bëjë një gjest humanitar për shpëtimin e hebrenjve të rrezikuar në Shqipëri prej pushtuesve nazistë. Me ardhjen e forcave komuniste/terroriste në vitin 1944, familja Mirakaj masakrohet, burgoset dhe interrnohet në kampet më famkeqë të Shqipërisë. Babai i tij, Mojsi Mirakaj, e kaloi jetën nga mosha 5 vjeç e deri në moshën 52 vjeç në dhjetëra kampe përqëndrimi nga Tepelena e deri në Gradishtë të Lushnjës. Mojsi Mirakaj shihej nga sistemi si reaksionar që vinte nga një familje e lartë patriotike dhe i rrezikshëm për regjimin si djali i Kol Bib Mirakaj, duke u dënuar me 10 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Në vitin 1990, mbas rënies së komunizmit, babai dhe familja e Agustinit fituan lirinë. Në vitin 1991, babai i Agustinit Mojsi Mirakaj si dhe vëllai e familjarët e tij u bashkuan me Partinë Demokratike duke e mbështetur në ditët të mira dhe të vështira pa kompromis. Agustin Mirakaj vjen nga një prej familjeve më të nderuara dhe më patriotike në Shqipëri. Emri i kësaj famlije shkruhet me gërma të arta në panteonin e familjeve të mëdha patriotike shqiptare.