Shkruan: Ilia S. KARANXHA/
Veprimtari editoriale dhe tipografike e vëllezërve de Vitali në kontekstin e zanafillave të editorisë veneciane nuk është më një argumet i pa njohur për publikun shqiptar edhe pse shkencës albanollogjike vazhdon t’i mungojë akoma një studim monografik serioz mbi këtë argumet. Një informacion të menjëhershëm, kuptohet jo të plotë, e gjejmë në rrjetin social që përfshin regjistrimet e gjithë veprave italiane të botuara gjatë shekullit të XVI të realizuara nga Instituti Qëndror për Katalogun Unik (EDIT 16 ICCU) në harkun e shumë viteve. Megjithëatë mbeten jashtë këtij katalogu incunabolat (botimet e shk.XV), një sërë botimesh të tjera të cilat shpesh edhe si ksombla të vetme kanë përfunduar në biblioteka të ndryshme jashtë Italisë apo vepra të cilat edhe pse nuk kanë të shënuar në kolofon (të dhënat përmbyllse të një vepre) emrin e editorit janë konsideruar nga biblioteka apo studiues seriozë si vepra të Bernardino de Vitalit.
Sidoqoftë duke ju referuar informacionit që trasmeton katalogu i mësipër gjejmë 196 vepra të cilat shënojnë si editor vetëm emrin e Bernardino de Vitalit, 9 vepra që përmbajnë emrat e të dy vëllezërve pra Bernardino e Matteo de Vitali; një vepër të cilën Bernardino de Vitali e ka botuar në shoqëri me një Francesco Consorti nga Lucca kanonik në katedralen e Shën Markut, ndërsa dy vepra kanë dalë vetëm me emrin e vëllajt të tij Matteo de Vitalit. Po në këtë katalog mund të shikojmë në një seksion të veçantë disa nga markat tipografike që ka përdorur De Vitali. Nga çfletimi i librave të ndryshme kmi konstatura se ata fillimisht kanë dashur të përdorin si simbol shqiponjën duke bërë edhe stilizime të ndryshme dhe njëri prej këtyre varianteve ka dalë në disa botime si marka zyrtre e tyre.
Në lidhje me botimet e vëllezërve De Vitali në enciklopedia Trecani na është dhënë një shifër e përafërt që i vlerëson ato në rreth 150 vepra; katalogu i mësipërm (EDIT 16 ICCU) ka mundur të regjistrojë në total 208 vepra, të njëjtën shifër (209) na ka dhënë edhe studiusia L. Nadin. Në një shkrim që kemi botuar më 2011 kemi referuar se vëllezërit De Vitali për periudhën prej 1493 deri më 1539 kishin botuar e ribotuar 265 vepra të ndryshme. Tani këtë shifër në bazë të studimeve më të thella mund ta korigjojmë në favor të këtyre editoreve me origjinë shqiptare duke regjistruar për ta mbi 300 botime dhe njëkohësisht duke përcaktuar si viti të fillimit të veprimtarisë së tyre muajt e parë të vitit 1491 kur botojnë veprën e Nicolaus de Boffeleo : “Indulgentia” (një libër mbi çfajësimet nga mëkatet për lebrozët e spitalit të Shën Lazarit në Jeruzalem) dhe jo më vitin 1494 siç referohet në katalogun e mësipërm dhe në mënyrë hipotetike edhe nga ndonjë studiues. Sidoqoftë krijimi i një repertori sa më të plotë të veprave të botuar nga vëllezërit De Vitali krijon mundësinë për studime me vlerë për shkencën albanollogjike.
Për vëllezërit De Vitali kemi bërë edhe disa publikime të tjera ku veç jetës dhe vprimtarisë së tyre editoriale- tipografike i kemi dhënë përparësi edhe aspekteve ikonografike në botimet e tyre. Në këtë kontekst krahas ballinave dekorative një vend të rëndësishëm në botimet e tyre fillon të zerë edhe portreti i gdhëndur në dru (ksilografia) apo në bakër i cili ndryshe nga kopertina është gjithmonë një pjesë organike dhe e pandarë e veprës.
Veç portretit të Skënderbeut(1405-1468) të mirënjohur prej të gjithëve gjejmë gjithashtu në veprat e botuara nga Vitali edhe portretet e Ludovigo Ariosto-s(1474-1533), të Virgjilit (Vergilius Maro, Publius 70-19 para K), dy portrete të muzikantit fiorentin Pietro Aron(rreth 1480- 1545), të shënjtorit Marko(dikush e cilëson Shën Luka) në aktin e shkrimit të ungjillit por edhe disa të tjera në përmasa të zvogëluara e të futura brenda gërmash të ksilografuara. Me përjashtim të veprës së Barletit, për të cilën siç dihet është pa datën e botimit, të gjitha portretet e mëdha dokumentohen pas viteve 20 të shek XVI. I vetmi portret, mes këtyre që përmëndëm, që riqarkullohet nga publikime të editorve të tjerë është ai i Ludovigo Ariosto-s ndërsa të tjerët u publikuan për herë të parë nga Bernardino de Vitali.
Portreti i Skënderbeut, që bën përshtypje edhe për madhësinë e tij(256x173mm), jo vetëm mes veprave të Vitalit por në gjithë botimet e kohës, duke thyer skajet e brëndëshme të kornizës së
sipërme, veçohet gjithashtu për forcën e madhështinë e imazhit që trasmetohet nga një profil disi i ngurosur. Ky është portreti i parë që ka publikuar De Vitali për të cilin në studime të tjera kemi përcaktuar datën 1522 dhe si një vepër arti ai ka zënë vend në një sërë botimesh që trajtojnë grafikën në fillim të shek XVI.
Më 1523 Bernardino dë Vitali boton veprën “Toscanello in musica…” ku gjejmë të skalitur në ballinë portretin e muzikantit fiorentin Pietro Aron që ishte njëkohësisht edhe autori i librit i cili më 1516 kishte çelur në Romë një shkollë kantoje dhe në Imola ishte maestro i korit. Ky autor portretizohet në figurë të plotë i ulur në katedër. Krahun e djathtë e mbështet mbi mbajtësen e poltronës ndërsa në dorën e majtë mban një libër. Nxënsit janë vendosur rreth tij në të dy anët. Përpara kemi një tavolinë me instrumenta muzikore e dy libra. Korniza që përmbledh këtë skenë të një ore mësimi në muzikë me ornamentet e elementët e saj kthehet pjesë e pandarë e ngjarjes. Kjo grafikë në bazë të monogrameve që ndodhen në pjesën e fundit majtas L.A. i është atribuar gdhëndësit fiorentin Lukantonio degli Uberti(Lucantonio degli Uberti aktiv në vitet 1503-1557) dhe e gjejmë të ribotohet nga de Vitali edhe dy herë të tjera më 1525 (“Trattato della natura…”) e më 1529.
Nuk është për të përjashtuar mundësia që Lucantonio degli Uberti të ketë kontribuar edhe në zbukurimin e veprës “Historia de Vita et gestis Scanderbegi…” kur ndërkohë jemi më të sigurtë që blloku i sipëm dhe i poshtëm i katërkëndëshit në ballinën e kësaj vepre janë realizuar për herë të parë nga Zuan Andrea qysh më 1520.
Editorë të tjerë Melkior Sessa e Domeniko Nikolini duke ribotuar veprën “Toscanello in musica…” (1539,1562) ribotojnë gjithashtu të njëjtën ksilografi me portretin e Pietro Aron që kishte botuar De Vitali. Mund të përmëndim këtu që vlerat e kësaj vepre nuk kanë humbur akoma. Kështu Shtëpia botuese ’Forni’ – Bolonja riboton së fundi të njëjtën vepër “Toscanello in musica…’(1969) së bashku me portretin e ksilografuar të muzikantit fiorentin që përmëndëm më sipër.
Është e rëndësishme të theksojmë këtu se raportet e bashkëpunimit mes Bernardino de Vitalit e familjes Sessa duhet të kenë nisur qysh para vitit 1500. Më 16 maj 1498 ne i gjejmë të botojnë së bashku veprën e poetit Palladius, Domicus Soranus: Epigrammata libellus… (Palldi, Domeniko (ndryshe Domeniko Farina): Librin e mbishkrimeve) vepër e cila në fillim e në fund përmban dy marka tipografike të ndryshme. Në krye atë të Sessës me macen që mban në gojë miun e rrethe rrotull gërmat IBS(Johannes Baptista Sessa) e në fund të librit atë që do të bëhej marka e De Vitalit, kuadratin me kryq e me rreth e me gërmat e para të dy editorve. Nga lart poshtë dallojmë I.S (Iohannes Sessa)dhe anash B.A. (Bernardino Albanesem). Është i njëjti vit kur De Vitali përdor për herë të dytë mbiemrin “Albanese”. Atribuimi i kësaj vepre de Vitalit bëhet nga British Library – e Londrës (Incunabula Short Title Catalogue) duke marë shkas kuptohet nga vepra e Sabellikos (Sabellico, Marco Antonio Coccio (1436-1506)) “Enneades…” ku në kolofon të librit na bëhet e ditur se vepra u shtyp nga Barnardino e Matteo de Vitali që “populli aty i quan shqiptarët” (qui vulgo dicuntur li Albanesoti). Sidoqoftë më 1522 kur u botua vepra .. de Vita et gestis Scanderbegi bashkëpunimi nuk ishte vetëm mes Luka Ulqinakut e Marin Beçikemit për shkëmbimin e ksilografive të ballinës por edhe mes Bernardino de Vitalit edhe Melchior Sessa-s të birit të Iohanni-t. Për këtë argument kemi folur gjetkë.
Më 1527 në veprën e Amonio Alesandrinos : ’Quatuor Evangeliorum…’ (Katër ungjijtë ) në fletën e 8-të gjejmë portretin e shkrimtarit evangjelist Shën Matheo (apo Shën Markut) në tavolinën e tij të punës, një grafikë me nivel të lartë artistik, e cila nga ndonjë studiues është konsideruar e stilit ticianesk bile shkohet edhe më tej duke e konsideruar vepër nga vetë dora e artistit të madh. Në këtë pikë mund të hipotizojmë edhe një kontakt të drejtpërdrejtë bashkëpunimi mes Tiziano Vecellio (1480-1576) edhe de Vitalit me që Shën Markoia në këtë variant është publikuar për herë të parë prej tij e nuk duken ribotime të portretit në edicione të mëvonshme. Por nga kritika e artit e sudimet mbi grafikën e Tiziano-s kjo vepër duket akoma nuk ka gjetur miratimin e studiuesve prandaj mbetet të klasifikohet në stilin ticianesk e realizuar nga pasuesit e shumtë që ndoqën gjurmët e Ticianos. Megjithëkëtë mbetet një fakt i pakundërshtueshëm i një periudhe lulëzimi ekonomik për vëllezërit De Vitali që mund t’i lejonin vehtes të angazhonin për botimet e tyre artistë të shquar të kohës.
Një paralelizëm mes grafikave të Tiziano-s e portretit të publikuar nga de Vitali mund ta gjejmë në një nga figurat tek blloku i parë që paraqet ciklin e “Triumfit të J. Krishtit” ose “Triumfi i Besimit” të realizuar mga Tiziano qysh më 1516. Për Essling(1910) e Sander(1950) portreti i publikuar nga Vitali paraqet Shën Lukën por kjo nuk ndryshon thelbin e çështjes. Ndryshe qëndron puna me portretin e poetit Ludovigo Ariosto(1474-1533) e cila tashmë me unanimitet pranohet si një vepër e Ticianos dhe shfaqet për herë të parë më 1532 në Ferrara në veprën ’Orlando Furioso’ me editor Francesco Rossi. Portreti për bukurinë e forcën e madhe shprehëse të poetit të shquar u pëlqye me njëherë nga shumë edtitorë të cilët e vendosën si ballinë në veprat e tyre. Shëmbëlltyra mbetet e njejtë por dallohen 4 variante ksilografike të poetit të madh. Vitali ishte një ndër të parët që riboton këtë portret më 1535 në dy komeditë e Ariostos “La Lena” e “Il Negromante”. Për këtë rast pa pretenduar ndonjë përgjithësim mund të themi se janë të spikatura preferncat e menjëhershme të Vitalit për portretin autentik. Me publikacionet e shumta që pati ky portreti i Ariostos gjatë shekullit të XVI edhe nga shumë editorë të tjerë e bënë atë mjaft popullor.
Portreti i Virgjilit u botua nga B. de Vitali më 1532 në vepra “La Eneide…” dhe paraqet disa karakteristika që e afrojnë me portretin e Skënderbeut tek e shikojmë të futur brenda një kornize dyshe e të zbukuruar me gjethe rrushi. Si konkluzion në lidhje me gjithë portretet e mëdha të botuara nga de Vitali mund të themi se karakterizohen nga një nivel i lartë artistik, janë publikuar mbas viteve 20 të shek. XVI dhe se kanë qënë gjithmon objekt vlerësimesh pozitive nga kritika e artit.
Përsa i përket portreteve në dimesione te vogla ato paraqiten gjithmonë brënda gërmash ksilografike dhe shërbejnë si pikënisje për fillimin e një vepre apo të ndonjë kapitulli por nuk mund të themi se ato përfaqësojnë imazhin e vërtetë të autorit. Rasti më lëndues në Shqipëri është ai i të ashtuqojturit “porteti autentik i Marin Barletit” (K. Biçoku: “Portreti i Marin Barletit…” shih: St.His. 1999/2 ) të cilin e gjejmë të publikuar po nga Bernardino de Vitali edhe më 1927 në veprën e Alvise Cinzios degli Fabrizi mbi “Proverbat vulgare” (I.Karanxha: Barleti apo Beçikemi?…” 2010, f. 174) pra një klishe që paraqet si M. Barletin po ashtu edhe Alvise Cinzo degli Fabrizi. Dy autorë jo shumë të dëshëruruar në Venedik. Bile vepra e Alvise Cinzio-s pati shumë kundërshtime e dabete të bujshme dhe u bë shkak për vendosjen e censurës në Venedik. Me të njëjtat përmasa të vogla të futura brenda një gërme të ksilografuar është edhe një portret që e gjejmë në veprën e Pietro Aron mirëpo nuk ka asnjë ngjasim me portetin e ballinës që folëm më lart.
Jo vetëm portretet por edhe ksilografitë e tjera të përdoruara nga De Vitali në veprat e tij përbëjnë një instrument të rëndësishëm studimi mbi artin. Ato jo vetëm na ndihmojmë të ndjekim bashkëpunimin e lidhjet e tij me editorët e tjerë venecianë por edhe për të gjyrmuar e gjykuar raporetet e tij me botën e artit në ato raste kur ai është origjinal pra kur është i pari që publikon njërën apo tjetrën grafikë. Përsa i përket raporteve me humanizmin e kohës, autorët apo tematikat e veprave që ai publikoi mbetet një problem i hapur hulumtimesh të mirëfillta shkencore të cilat duhet të shmangin mbi këtë argument dilentatizmat apo konjuktura artificile mardhëniesh që herë me qëllim për autolëvdata e herë paqëllim dëmtojnë ecjen përpara të shkencës albanollogjike.
Firenze 20. IX.2013.