Nga Ilir Levonja/
Presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara, është Abraham Linkoln. Ai konsiderohet si babai i kombit për faktin se i dha fund luftës civile midis veriut dhe jugut. Ose të ashtuquajturës lufta e gjakut.(1861-1865) Për deklarimet e forta kundër skllavërisë që aso kohe ekzistonte akoma në shtetet e jugut. Por ai përmendet shpesh sot e kësaj dite edhe për faktin se nuk pranoi të rizgjidhej për të tretën herë si kandidat për President. Kushtetuta e vendit nuk e kishte të saksionuar me ligj se sa herë i jepej e drejta për tu zgjedhur e rizgjedhur një politikani, burrë shteti, a qytetari amerikan. Qe një e drejtë e pakufizuar. Por ai i kundërshtoi me forcë të gjitha zërat brenda Partisë Republikane. Ata që e shikonin të sigurtë fitoren e një mandati tjetër presidencial, fal reputacionit të tij. I kundërshtoi i bindur se një pushtet duhej të kufizohej për të mirën e vendit.
Amerika ka njohur vetëm në një rast historik, tre mandatësh. Gjatë depresionit të madh. Ose luftës së dytë botërore. Ky ishte Frenklin Rusvelt, i 32-ti President. Megjithatë që atëhere u vendos që të saknsionohej në Kushtetutën e vendit, kufizimi i mandateve të Presidentit. Një nga shtytësit ishte edhe Rusvelti. Ai i dha udhë kufizimit të kërkuar prej Linkolnit. Pas vdekjes së tij gjithçka u sanksionua me ligj. Dhe kjo njihet si një nga ato njëzet e shtatë ndërhyrjet një dyqind e njëzet e pesë vjetë jetë të Kushtetutës amerikane.
E solla këtë shembull në vigjilje të Tiranës. Kongresit të socialistëve. Edhe për t’i thënë shqiptarëve se kombi do burra që të bëhet. Burra dhe jo modista me atlete duke trajtuar një vend të tërë me mendësinë e atyre djemve që gjuajnë vajza nga rruga e gjimnazit.
E solla këtë shembull për të qartësuar çmendurinë kolektive në format e dhunës së hapur. Në lidhje me të drejtën e të zgjedhurit dhe të të zgjedhurit.
E solla këtë shembull për të kuptuar se absurdi kolektiv i arritjeve butaforike është sot kaq normal sa i duhet thënë çdo shqiptari mjaft me tu ankuar. Mjaft me të ikur. Mjaft me drogën. Mjaft me prostitucionin. Mjaft me korrupsionin e zyrave. Mjaft me aderimin familjaro fisnor në një forcë politike. Pasi keni kapur parajsën Rama që quan sukses larjen e borxheve me borxh të ri.
Shumë nga socialistët menduan se fituan mbrëmë me çuarjen në referendum punën e kryetarit. Se fituan luftën me një deputet që kërkon të respektohet statuti. Shumë nga socialistët mendojnë dhe luftojnë aq me zell për të mbrojtur postin e kryetarit. Të bindur se kanë ardhur në pushtet pikërisht për këtë. Për karriken e kryetarit.
Jo për të qeverisur vendin. Madje me një dashuri historike për udhëheqësit. E shqyen dikur Edi Ramën…, kur kështu si Ben Blushi donte të respektohej statuti. Në fakt nuk bëm asgjë tjetër …
treguam dobësinë tonë historike që për kryetarin ia lërojnë nënën jo statutit, por edhe Zotit vet.
Referendumi i vulosur është akti plot dritë se në Shqipëri pushteti mund të blihet lehtësisht edhe faqe kombit. Megjithëse historia e kësaj demokracie plot halle ka treguar se, triumfe të tilla kanë qënë edhe gropa politike e liderëve. Kujtoni katarsisin Nano, batutat muç muçi etj. Sot webet janë mbushur me salla ku në karriget e gjindjes së anëtareve ka me shumicë jo njerëz, por gjitarë. Studiot e humorit, panelet, apo deri ato jashtë vendit flasin, humorizojnë arritjet imagjinare të modelit Rama. Që sot shtron pllaka në sheshe dhe bulevarde qytetsh që zbrazen. Aty ku të nesërmen plasin shatërvan koka-kolash.
Aferim për të gjitha këto urra kryetar.
Por kombi do burra. Burra sikur edhe një e njëqinda e atyre që përmenda më sipër.