Çmimet në bregdetin shqiptar sjellin buzëqeshje në fytyrën tuaj, është titulluar artikulli i “Daily Mail”-it/
Mediat dhe agjencitë turistike në botë vijojnë të kenë në fokus turizmin shqiptar, duke e renditur Shqipërinë si një nga vendet më të bukura në Evropë.
Gazeta britanike “Daily Mail”, ne rubrikën e saj “Travel” këtë herë ka vendosur Shqipërinë duke e përshkruar atë si një vend të përshtatshëm për pushime familjare, ku dhe kostot janë krejtësisht të volitshme.
Çmimet në bregdetin shqiptar sjellin buzëqeshje në fytyrën tuaj, është titulluar artikulli i “Daily Mail”-it, transmeton abcnews.
Kryeqyteti shqiptar është vlerësuar duke u nisur edhe nga gjërat elementare, si pikat e shitjes së ushqimeve, “fast foodet” madje edhe vetë gjuha, shprehitë e saj dhe kodet e mirësjelljes.
„Vitet e fundit Shqipëria ka pasur një zhvillim të bujshëm në fushën e turizmit, ku mijëra turistë vijnë për pushime çdo vit në vendin tonë. Bukuritë natyrore, plazhet, qytetet antike janë ndër preferencat parimore të turistëve“, shkruan “Daily Mail”. Por siç duket numri i atyre që do ta vizitojnë Shqipërinë do të rritet edhe për vitet e ardhshme si rezultat i promovimit që po i bëhet nga ndërkombëtarët.
Sipas ”Daily Mail”, shumë prej vizitorëve e cilësojnë Shqipërinë si një nga sekretet e fundit që po zbulojnë në Evropë.
Me këtë rast u rekomandohet turistëve që kanë kureshtjen për ta parë Shqipërinë të nxitojnë për ta bërë sa më parë udhëtimin.