Vendimi i plotë: Shqipëria nuk refuzoi që të vazhdonte lojën/
Vendimi i kundert do te ishte absurd.Ate qe nuk e beri UEFA, e coji ne vend CAS. Drejtesia vonoi, por nuk mungoi.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka publikuar vendimin e saj në lidhje me ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë më 14 tetor të vitit të shkuar.Bie në sy pikërisht një pikë, mbi të cilën është bazuar edhe UEFA kur vendosi të penalizojë Shqipërinë.
UEFA tha se Shqipëria refuzoi që të kthehej në fushën e lojës pas thirrjes së arbitrit të ndeshjes.
“Megjithatë, paneli i CAS gjeti se provat nuk tregojnë se Shqipëria refuzoi të luante pas një urdhri të lëshuar nga arbitri. Paneli nuk ishte në gjendje të konstatonte se arbitri ka lëshuar një urdhër të qartë, direkt dhe të pakushtëzuar ndaj lojtarëve për të rinisur ndeshjen në bazë të një vendimi të caktuar se siguria është e garantuar”, thuhet në vendim.
“Paneli konstatoi se ndalimi i ndeshjes dhe braktisja eventuale e saj u shkaktuan nga gabimet e sigurisë nga organizatorët dhe aktët e dhunës së ushtruar mbi lojtarët shqiptarë nga ana e tifozëve serbë dhe të paktën një nga rojet e sigurisë. Në këtë mënyrë, paneli vlerëson se është Federata e Futbollit e Serbisë përgjegjëse për mosvazhdimin e lojës dhe jo Federata e Futbollit e Shqipërisë. Për këtë arsye, CAS ka vendosur që ta japë rezultatin 3 me 0 për kombëtaren e Shqipërisë”, thekson vendimi.
GJENDJA NE GRUP
Klasifikimi, pas vendimit të CAS
Grupi I
Portugalia: 12 pikë
Danimarkë: 10
Shqipëria 10
Armenia: 1
Serbia: – 2
Duka: Fitoi drejtësia dhe futbolli/
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, në një konferencë për shtyp pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv që i dha 3 pikët Shqipërisë për ndeshjen ndaj Serbisë, tha se është i emocionuar për shkak se fitoi drejtësia dhe futbolli.
“Jam shumë i emocionuar, edhe pse e prisja këtë vendim. Fitoi e drejta dhe futbolli. Nuk dua të gjykoj për klasifikimin dhe nuk dua të diskutoj nëse do të shkojë apo jo Shqipëria në Europian. Rëndësi ka që drejtësia u vu në vend. Rëndësi ka që nuk bëhet fajtore Shqipëria për atë ndeshje”, tha Duka.
Në lidhje me renditjen e Shqipërisë pas këtij vendimi, që e sheh veten në vend të dytë me 10 pikë (aq sa Danimarka), Duka tha se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë: “Duhet të bëjmë maksimumin në 4 ndeshje, pasi janë ndeshje që mund t’i fitojmë të gjitha ose mund t’i humbim të gjitha”.
Kur u pyet në lidhje me rinovimin e kontratës së trajnerit De Biasi, Duka u përgjigj: “Ka një kontratë deri në qershor, kemi kohë për të folur. Kemi shumë kohë pasi ne do të shkojmë në Francë dhe De Biasi do të jetë me ne atje”.
Gianni De Biasi: JAM I LUMTUR
Po ashtu ka reaguar edhe trajneri kuqezi, Gianni de Biasi. “Jam i lumtur, por të qëndrojmë me këmbë në tokë.” Kështu është shprehur trajneri i kombëtares Gianni De Biasi, fill pas vendimit tw CAS që i dha fitoren kombëtares shqiptare.
“Drejtësia u vu në vend, – tha tekniku italian, – dhe shpresojmë që ndeshjet që na kanë mbetur t’i luajmë me optimizëm të madh. Por duhet të luajmë ndeshjen me Danimarkën, me shpirtin e duhur dhe me këmbët në tokë. Nëse duam të shkojmë direkt në Francë, duhet të bëjmë mirë në ndeshjet e mbetura. Kishim kohë që e prisnim këtë vendim, – vazhdoi De Biazi. – Nuk mund të them se do të festojmë sot, jam shumë i lumtur sigurisht, sepse kur drejtësia triumfon, të gjithë jemi të lumtur”.
$100 MIJE PER SHQIPERINE/
Shqipëria nuk ka dalë komplet e palagur nga vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.
CAS ka vendosur se Federata Shqiptare është përgjegjëse pasi ka hedhur një dron gjatë ndeshjes, që mbante një baner me simbolike nacionaliste dhe patriotike shqiptare.
“Për këtë arsye konfirmuam gjobën prej 100 mijë eurosh vendosur ndaj FSHF”, thuhet në vendim.
Aavokati që i dha Shqipërisë fitoren
Antonio Rigozzi sot në mëngjes i ka dhënë lajmin e gëzueshëm Armando Dukës për fitoren e 3 pikëshit të Shqipërisë kundër Serbisë.
Avokati i Shqipërisë, Antonio Rigozzi ka qenë i pari që ka dhënë lajmin për tre pikët e Shqipërisë. ‘Sot nuk do të punoj’, mësohet t’i ketë shkruar kreut të FSHF’së, Armando Dukës.
Rigozzi 45 vjeçar është arsimuar në Zvicër dhe Harvard dhe ai ishte më meritori për triumfin e Shqipërisë kësaj radhe. Videot, faktet dhe dokumentet kanë qenë provat që ka paraqitur para CAS’it.
“Prova, akte eksperimentimi dhe gjej rastin të falënderoj studion zvicerane, profesor Rigozzin, sepse ishte një mbrojtje e shkëlqyer”, tha Duka.
“Studio që na mbrojti ishte ajo zvicerane ‘Levy Kaufmann-Kohler’ që u përfaqësua nga profesor Rigozzi”.
Rigozzi ka qenë pjesëmarrës në më shumë se 60 çështje të arbitrazhit dhe është kryetar i Gjykatës së Arbitrazhit për Atletikë në Zvicër. Ai po ashtu jep mësim edhe në Universitetin e Nojshtalit në Zvicër.