• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Veprimi Kombëtar i Shqiptarëve të Rumanisë …

November 6, 2020 by dgreca

–Me Kyeqëndër Kolloninë e Bukureshtit(2)/

Prej Lasgush Poradecit-Ish-Sekretar i Përgjithshëm i Kollonisë/

(VIJON PJESA E DYTË)

Cilësija çquanjëse e karakterit të Shqiptarëve të kësaj Kollonije ka qënë, prej kohës së organizimit dhe gjatë gjithë punës së saj atdhetare, fryma e pavarur e nisjativës. Siç nuk pritnë më 1879 shtytjen e Stambollit po u përmblodhë vetiu, zyrtarisht dhe solemnërisht, në Shoqërinë e 30 Shtatorit të kryesuar prej Vangjel Geços; siç nuk e mbajtnë pastaj përveç se pak kohë Degën – të menduar kështu si Degë prej Stambolli -po themeluan me aq buje dhe aq vendim Shoqërinë krejt të pavarur të tyre më 1884; gjithashtu muar, tashi sa me t’u ngjizur mirë Shoqërija, dhe masat e duhura, praktike, për fillimin dhe plotësimin e veprës më së parë të saj: shtypjen e librave shqip me shkronja shqip.

Me ato pesëmbëdhjetë mijë franga të derdhura për qëllimet e para të Shoqërisë ishtë dhënë mundësija praktike për punë, dhe në një mbledhje të shkurtër e cila mbajti vetëm njëzet minuta u vendos të porositen-si dhe u porositnë që në pasdreken e ditës-shkronja shqip nga Viena, për të ngritur në Bukuresht shtypëshkronjën shqipe të Kollonisë. Fabrikimi i shkronjave u porosit të bëhet pas modelit të dërguar prej Shoqërisë vetë, që ishte modeli i shkronjave të Jan Vretos të gëdhendura herën e parë në Stamboll. Motin e arthmë, 1885, moti vepërimtar i parë prej themelimit, sepse Shoqërija mori fill më 27 Dhjetor 1884, u thirr të vijë në Bukuresht nga Stambolli Jan Vretua, që të sjellë dorëshkrimet e librave për të shtypur. Shoqërija ishte gati së gjithash, e pajosur me fondet dhe me veglat e duhura dhe e priste e pa qetë ardhjen e këtij Misionari të Math të Kombit Shqiptar të ngarkuar me shkrime shqip. Çqetësimi i saj bëhej dhe m’i ndjerë dyke menduar se qeverija turke e kishte hequr lejen e lëshuar aty para gjashtë vjetësh për të shtypurit dhe të përdorurit të shkrimit shqip, dyke ndjekur kundravajtësit me reptësi.

Heqja e lejës pat si pasonjë të drejt-për-drejtëshme dhe pushimin e revistës Drita e cila njëkohësisht me ndërimin pak më von të emrit të Shoqërisë Drita së Bukureshtit në Diturija, u quajt dhe ajo Diturija dhe vazhdoj nënë këtë titull muaj për muaj gjer më 1884, kur u hoq lejimi i shtypjes. Prej kësaj reviste me rëndësi istorike për Rilindjen e jetës shqiptare dhe të shkrimit shqip dual, fatkeqësisht, vetëm dymbëdhjetë numura-Drita dhe Diturija që të dyja së-bashku.

Thirjes së Shoqërisë Drita së Bukureshtit Vretua i-u përgjiq i gatshmë me-një-herë dyke sjellë dorëshkrimet, dhe mbeti në kryeqytetin rumun si një shtyllë e çmuar dhe e patundur e Kollonisë gjer më 1900, një mot para se të vdesë i mërguar në Athinë. Gjatë apostullatës së tij për Komb dhe Vetqeverim, Jani Vreto Postenani, ky Shentor i math i Alltarit shqiptar, e piu me të plotë kupën e gazit dhe të helmit që i-a kish zgjatur malli i tij i panginjur për Mëmëdhenë.

Ashtu e organizuar dhe futur në urdhër me flakërim, po dhe me shumë peshë dhe mënçuri, shoqërija Drita e Bukureshtit vazhdoj e pafjetur vepërimin e saj drejt propagandës kombëtare, duke u përqëndruar kryesisht në përpjekje konkrete. Përpjekja konkrete më e parë ishte drita që duhet të marë populli shqiptar për një ndjenjë atdhetare të vetëdijëshme, dhe kjo dritë s’mund të ish tjetër veçsë mësimi shqip, librat në gjuhën shqipe. Për këto qe gatitur aty me dashuri dhe energji shtypëshkronja shqiptare, palca dhe zemra e Shoqërisë, motori i saj i fortë për të fluturuar. Dhe që në vjetët e para të vepërimit, domethënë që në ditët e para sapo kishin ardhur dorëshkrimet me anën e Jan Vretos, shtypëshkronja filloj me radhosjen dhe nxjerrjen në dritë, njërën pas tjetrës, të librave të para shqipe të Rilindjes nga të cilat atëherë u botuan nëntë copë, tetë në gjuhën shqip dhe një në gjuhën gërqisht.

Rilindasit e zgjimit kombëtar dhe të shkrimit shqiptar i kishin mjetet e armëve të tyre shumë të ndryshme, shumë të hepurshme; ata vepëronin sipër së-gjithash me një taktikë të pa-munguar sepse të pakuptuar: atë të përshtatjes. Gjuha greke dhe gjuha turke, tehu i dy-anshëm i shpatës kanosëse armike mi kombësinë e Shqiptarit, u muar vlerësisht në shërbim nga pendëtarët e Rilindjes për qëllimin fundor. Në këtë kuptim dhe për këtë qëllim e shkrojti Naim Frashëri gërqisht poemën e tij mi Dëshirën e Vërtetë të Shqiptarëve, dhe gjithashtu i futi Asdreni ato vjersha gërqishte të tija brënda vëllimit shqip. Si njëri si tjetri përdornin me mënyra të ndryshme mjetin e njëjtë të idealit Kombëtar të njëjtë. Poemi kombëtar shqiptar i Naimit i destinuar për Grekët dhe lëxonjësit e gjuhës gërqishte, prodhoj së-paku gjith atë mendim dhe kuptim rreth çështjes, si dhe ato vjersha kombëtare të Asdrenit të hartuara ashtu në gjuhën e huaj. Turqizma dhe turkomanizma, grekësija dhe grekomanësija, kuptonin kësisoj përmjet gjuhës së vet të drejtat e Shqiptarit.

Librat dhe fletoret e botuara nga shtypëshkronja e Shoqërisë Drita – dhe më pas Diturija – të Bukureshtit dhe të vëna për-dorësh në qarkullim të botës shqiptare jashtë dhe brënda Atdheut, do t’i shënojmë një-nga-një më von, kur të bëjmë fjalë mi librat dhe gazetat e shtypura në Rumani. Me këtë methudhë, shtypjen e  librave dhe përhapjen e idesë së një rilindjeje kombëtare, Kollonija ishte dyke i shërbyer çështjes së përbashkët, me shokë dhe miq dhe përkrahës të ndodhur më të shumtën e herës brënda kryeqytetit rumun. Po edhe nëpër qytetet dhe qëndrat krahinorë të tjera të Rumanisë gjindeshin, për një vepërim ánazi, bërthama të organizuara të saj si në Konstancë, Braillë, Gallac, Pitesht, Jash, ettj., me të cilat mbahej një lidhje e gjallë e pandërprerë punimi dhe letërkëmbimi anasjelltas.

Mjeti më i parë që i mbante të gjalla të pandërprera, dhe përveç kësaj gazmore marëdhënjet e Qëndrës së Bukureshtit me krahinat, gjithashtu me Stambollin, Egjiptin dhe me Korçën, ishte dalja e librave të cilat dërgoheshin regullisht nëpër drejtimet e tyre. Aq kujdes kishte Kollonija për mirëvajtjen e shtypshkronjës, sa puna e kësaj nuk u ndal as nër raste turbullimi ose reziku më von; dhe një provë për rëndësinë e këtij veprimi shtypor është letra e nënëshkruar prej Naim Frashërit dhe Sami Frashërit, të cilët i-a patnë dërguar që në Stamboll një anëtari të Shoqërisë së Bukureshtit më 1887. Në këtë letër dokumentohet lëvizja e shpeshtë e letërkëmbimit, fillimi i Degëve nër qarqe, nevoja e qëndrimit të pareshtur të Kollonisë dhe veçanërisht të shtyshkronjës. Një dashuri e madhe, zemërbardhë e përshkon fund-e-krejt dhe këtë letër-si gjithë të tjerat të Frashërenjëve të pavdekur. Thuhet atje midis të tjerave; “Muarmë kartërat e 5 dhe 6 Majit, e u gëzuam shumë për shoqëritë që po bëhen. Shokë e ndihmës për shoqërit’e atjeshme mund të bëhen dhe në Korçë, edhe këtu si dhe në Egjipt e gjetkë. Shoqërija e Bukureshtit është nevojë të jetë e pareshtuarë, fletore ka dhe më gati, edhe të tjera po bëhen, andaj shtypëshkronja të mos mbyllet kurrë, po të jetë hapur gjithnjë, se kjo do t’a bëjë Shqipëtarë të mbaruar. Përqafojmë gjithë vëllezërit e shoqërive që përpiqen për punët të mbar’e të përmdishme dhe u jemi për jetë nënë barë. Zot’i vërtetë e bekoftë shoqërinë e vëllazërinë dhe punën e sjelltë djathtazi.- Të përqafojmë vëllazërisht dhe të lutemi t’u thuash të fala gjithë shokëve e vëllezërve emër për emër. – Fletoret që na dërgove i muarmë këtë herë më 9 Maj.- Vëllezërit e zotërisë s’uaj Sami Frashëri ,Naim Frashëri”.

Shoqërija e vazhdoj vepërimin e saj në qetësi, domethënë pa u ngritur asnjë kundërshtim nga gjiri i anëtarëve mi mënyrën e punës dhe mjaftësinë e propagandës, gjer në krye të vitit 1886, 21 Shkurt. Në këtë datë thirret një mbledhje e përgjithëshme e jashtëzakonëshme për të kqyrur vepërimin e vitit shoqëror të kaluar dhe për të shgarkuar Komitetin nga barra e atij viti. Dyke u gjetur llogarija normale, me të ardhura dhe të prishura në regull, me këstet, ndihmat, dhuratat të regjistruara pikërisht, mbledhja e shpalli Komitetin të liruar nga detyra e vjetër dhe i ngarkoj së-rish drejtimin e Shoqërisë për vitin e ri. Ngarkimin e ri i-a bëri Komitetit, siç thamë, pothuajse me-një-zë pa mos sjellë as me të voglin kundërshtim, qoftë dhe bisedim. Nuk i pëlqente ky lloj mbarimi të punrave kaq i qetë dhe paqësor, kaq pasiv, një shoku të ri të Kollonisë, Nikoll. Naço-Korça, njeri me temperament, burrë me vendim dhe kuxim, dhe Shqiptar i zjarshëm i ardhur prej pak kohe nga Mansura e Egjiptit, Naçua, që u qojt si pas zakonit Naço-Korça po në të vërtet ish me fisin nga qarku i Pogradecit, kish një naturë vështrimesh të gjëra, një shpirt sipërmarjeje në stil të math. Në Egjipt, ku mirrej me tregëtinë e lartë të pambukrave dhe zotëronte shumë pasuri, ay kish vrarë me anën e të-nipt konsullin grek të Mansurës për të mprojtur nderin e tij si Shqiptar dhe prestigjin e emrit shqiptar, dhe kish ardhur rishtazi në Bukuresht dyke marë pjesë vepëronjëse në themelimin e Shoqërisë Drita më 1884. Po idealist dhe krejt i pa-interesuar, kish ndenjur përkohësisht me dashje jashtë Komitetit, ndonëse punët e këtij i ndiqte me vërrejtjen më të madhe. Në vazhdim të përfundimeve të Mbledhjes, Naçua i pari me pak shokë ngriti një veto energjike kundër shumicës, dyke pranuar me mirënjohje shtypëshkrimet kulturore po dyke hequr vërrejtjen mi mungesën e propagandës në sheshin politik. Përkrah ndritjes së brëndëshme, shpirtërore, të popullit shqiptar me botime diturije, Naçua paraqiti dhe kërkoj me një vendim të papërkulur që mbledhja t’i ngarkojë Komitetit – dhe ky të përmbushë gjatë vitit të ri-detyrën e një propagandimi politik të jashtmë të çështjes shqiptare.

Mbledhja e madhe e Kollonisë shqiptare të Bukureshtit në 21 Korrik 1886 pat qënë një mbledhje e vështirë. E vështirë jo për qëllimin e Shoqërisë, i cili u ndoq gjithnjë me rithmë të pandërprerë, po për kronikëshkruesin e jetës së saj. Në vazhdim të përfundimeve të Mbledhjes Naçua i pari me pak shokë ngriti një veto energjike kundër shumicës, dyke pranuar me mirënjohje shtypëshkrimet kulturore, po dyke hequr vërrejtjen mi mungesën e propagandës në sheshin politik. Përkrah ndritjes së brëndëshme, shpirtërore, të popullit shqiptar me botime diturije, Naçua paraqiti dhe kërkoj me një vendim të papërkulur që mbledhja t’i ngarkojë Komitetit – dhe ky të përmbushë gjatë vitit të ri-detyrën e një propagandimi politik të jashtmë të çështjes shqiptare.

Kjo kërkesë e Naços s’ish përveç se një pikë nga të shumtat e paraqitura prej tij për ndryshimin – ose më mirë fuqizimin, gjallësimin, shumëzimin e taktikës së gjertanishme të Shoqërisë. Jo kështu gjykonte dhe Komiteti me anëtarët e tjerë të tij, përkrahës të tij të bindur dhe kundërshtonjës të Naços në parim. Përveç kësaj, një masë e pamenduar mirë e Komitetit, gjatë mbledhjes, ish fatësuar t’a shtojë që në fillim mosmarrëveshjen dyke tërhequr si me dashje edhe një rezik mi krye: në hyrjen jashtë për në Sallën e mbledhjes, ay kish vendosur dhe dy rojtarë, të sjellë nga policija e shtetit, për të ndaluar hyrjen e pjesmarësve sidokushdo; në të vërtetë, ndalimi qe urdhëruar vetëm për hyrjen e Naços. Po a ndalohej Naçua -fatosi i veteranëve të Rumanisë Nikoll Naço-Korça? I shoqëruar prej mikut të tij Kristo Shule, një atdhetar i flaktë, prej shokëve besnikë që i vinin pas si një Dërgimtari, dhe me ndërhyrjen e deputetit të famshëm Butkulesku ay e mënjanoj këtë shteg dhe u gjend plot bujë dhe zhurmë fitimtare përpara sallonit Lisi i gjelbër (Pomul verde), ku ishte mbledhja. Ndodheshin brenda pothuajse katërqind veta, të cilët, më të shumtit, dukjen e Naços e pritnë me ndjenja të ndryshme në fytyrë. Shumë njerës, po puna pak tha Naçua në mes të sallës dyke i-a-u hedhur kështu fjalën të mbledhurve, për mungesën e propagandës së Komitetit ndaj Përfaqësive të huaja si dhe ndaj Kryetarëve të Shteteve të ndryshmë. Ata e kuptuan menjëherë, fryma e mbledhjes u nxeh, dhe në tepërim e sipër nga ana e të dy palëve Naçua u shtrëngua të bëjë përdorim arme, për të vënë në vënd-siç është zakon nër punë burrash-nderin e vet prej anëtari me njëjtësi të drejtash i një Shoqërije, e cila i ndalonte pjesëmarrjen pikërisht në mbledhjen e saj të përgjithëshme ku vendosej mi vajtjen e një viti të tërë të punëve kombëtare të Shqipërisë.

Mendimi i Nikoll Naços, mi të cilin këtu shkuam shkarazi për t’u zgjatur në kryen që i përket, pat qënë tashi, sikundër ish më parë dhe do të qe dhe më pastaj, një mendim prej idealisti me pamje të gjërë, i këthyer gjithnjë dhe shpejt në zbatim për dobinë e problemit shqiptar: gjë e vërtetuar gjate jetës së tij prej luftëtari të kuximshëm dhe të palodhur të Shqipes, nër njëzet-e-shtatë vjet vepërimi që nga fillesa e Shoqërisë së tij të famshme Drita më 1884, gjer në shtratin e vdekjes, sepse dhe në atë shtrat Naçua dha shpirt me Idealin e tij në gojë, dyke thënë fjalë të ëmbla dhe të dhemshura për Shqipërinë.

Pas asaj ngjarjeje, përpjestimet e së cilës vetëkuptohen pa qënë dhe nevoja që të miren nënë vështrim hollësisht, Shoqërija mbet si e shuar, me pendim të pashfaqur po të ndjerë nga të dy palët rreth qëndrimit të tyre mundursisht të mënjanuarshëm; aq sa anëtarët dhe Pleqësija e saj kishin marë vendimin për mosqënjen më të Shoqërisë, dyke redaktuar dhe një proces-verbal përkatës.

Kush e duronte këtë gjindje të punëve, këtë mefshtësi dhe mosvepërim për Mëmëdhenë?

Asnjeri as në Bukuresht as nër krahina, ku lajmi kish bërë përshtypjen e tij. Në vitin e arthmë pra, 1887, anëtarët e parë mblidhen rishtas, dhe përsërisin Shoqërinë me gjith ata punonjës, të nxitur siç ishin në çdo ças dhe nga patriotët e qarkut përreth. Po kësaj here u gjet si me arësye ndërrimi i emërit të Shoqërisë, dyke e qojtur paskëtaj Diturija. Me këtë thirrje, Diturija, ajo vazhdoj së punuari dhe së vepruari dhe së shtuari meritimin dhe famën e saj ndaj Atdheut, nëntëmbëdhjet vjet të paprera gjer më 1906.

Kështu e rikrijuar në vitin që ardhi, Diturija bënte detyrën e saj, vërtet pak si ngadal po me durim dhe kurrë pa rreshtur. Librat dhe shkrimet shqip të radhosura prej atdhetarësh punëtorë dilnin një-nga-një nga shtypëshkronja e saj, të cilën ajo e kish ngrehur jo vetëm me nisjativë të shpejtë po dhe me shumë therrori dhe vetmohim. Çdo javë paqeta të vogla dhe të mbëdha plot me libra shqip të shtypura në Bukuresht dërgoheshin nëpër gjithë viset në Shqipëri dhe më të katër anët e botës, gjer në Rusi dhe Amerikë dhe gjer në Qinë, të përndara kudo pa të holla. Kujdesej vetë Kollonija për shpenzimet e tyre, për derdhjen dhe mbledhjen e të hollave-gjëja më e lehtë për çdo anëtar. Prandaj dhe përpara çdo pune ose vepërimi për të ndërmarë, Komitet dhe anëtarë paguanin pagesën e nevojshme sipas radhës, kryerja e veprave dyke ardhur më pas mi atë themel lëndor nga i cili ashtu mirë filloheshin. Të ardhurat e Shoqërisë ishin vetëm nga theroritë e veta të saj: pagesa e përmuajshme e anëtarëve, që jo rrallë herë dyfishohej ose dëndësohej sipas nevojës e rastit. Po me qënë që edhe kjo masë nuk harinte shpesh të mbulojë të prishurat, bëhej nga ana e Komitetit fushata e zakonshme gjithnjë e sigurtë për të dalë në krye-dhuratat; këto normalizonin për disa muaj, edhe më shumë, vajtjen mbroth të punëve të shoqërisë, veçanërisht të shtypëshkronjës e cila ishte zemra e saj. Ngjante që suma e dhuratave ngrihej bukur në qindëra napolona dhe përfundimi dukej menjëherë faqeza: një libër e re dilte papritur, përpara kohës, nga shtypëshkronja dhe i-u shpërndahej shpejt anëtarëve, ose një çështje e varrur atdhetare lajmërohej për t’u kryer. Po nxjerja e librave ishte gjëja më e pare, dhe e kushtuar siç ishte tërësisht kujdesjes së tyre Shoqërija, nuk i jipte tashi-për-tashi dhe aq shumë vërrejtje propagandës politike, që përbënte siç thamë shkakun kryesor të kundërshtimit të Naços.

Këto libra lexoheshin tekdo me etjen më të madhe, ngjallnin nër zemra ndjenjën e Kombësisë, dëshirën për një Rilindje dhe për një Atdhe, dyke qënë mburim i pashterrur i një ideje së re dhe i nje ideali të ri të popullit Shqiptar.

Kjo veprimtari librore dhe fletorore shqipe, që kish për lexonjës jo fëmijë të shkollës fillore dhe as djem gjimnazi po burra të pjekur nër valat e jetës, pati si rrjedhje një vendim me shumë rëndësi në istorinë e Rilindjes Shqiptare. E pregatitur me themelimin dhe përhapjen e gjuhës shqip së shkruar në Mërgim, çështja kombëtare po bënte tashi të parin sulm në Atdhe: të parin sulm të drejtuar në zemër të organizimit armik-në tokën dhe nër vatrat e Shqipërisë. Në një mbledhje me urdhër dite krejt të ri, dhe plot vendim dhe kuxim të vitit 1885, Kollonija shqiptare e Bukureshtit bisedoj problemin e futjes së gjuhës shqipe dhe të mësimit të librave shqip nër shkollat gërqishte të Shqipërisë, dyke filluar më parë nga Korça – lulja e ëmbël e mëmëdhetarëve të Bukureshtit. Përfundimi i mbledhjes ishte si më parë dhe më pastaj; një vepër; u vendos të dërgohet menjëherë pranë përkatësve një përfaqsonjës i Kollonisë, për të mbaruar dhe rregulluar çështjen. Kjo mënyrë vepërimi praktik, të drejt-për-drejtshëm, pat qënë një parapëlqim i Shoqërisë, që kur filloj së qëni vetvetiu në Bukuresht më 1879 dhe dërgoj thirri Jan Vreton prej Stambolli për punën e shtypshkronjës së saj, gjer tashi në kohën e tërmetit të fundit kur ardhi në Korçë ish-arkëtari Grigor Goda me vagonat me thasë mjelli, që t’i-a-u shpërndajë, në emër të Kollonisë, Shqiptarëve të dëmtuar nga ky kalamitet naturor. Sikundër pra, për të përhapur vjershën dhe notat e Himnit të Flamurit nëpër Shqipëri, ajo do t’a bënte këtë me anën e Hil Mosit dhe të Tashko Ilos dyke i përcjellë më 1908 për në Korçë; sikundër, për të ngritur Flamurin në Vlorë më 1912 do të dërgonte Komisionin e saj të përbërë prej Dhimitër Zografit (i vëllaj i Vasil Zografit), Luigj Gurakuqit, Pandeli Cales, Spiridon Ilos, Dhimitër Emanolit, Dhimitër Berattit; sikundër për të ndihmuar princ Ëiedin më 1914 do të niste çetën e saj të vetëdashësve prej Bukureshtit për në Durrës me vjershëtorin Asdren së-bashku; – sikundër më parë dhe më von, ashtu edhe tashi, me vendimin e Mbledhjes së vitit 1885, Kollonija i-u përvesh pa pritur punës, filloj nga zbatimi i veprës së saj Kombëtare për t’a bërë mësimin e shqipes një mësim shkollor: ajo dërgoj prej Bukureshti drejt në Korçë veteranin e math Eftim V. Marko, që t’i parashtrojë vënien dhe të gjuhës shqip nër shkollat gërqishte Pleqësisë së Korçës – Dhimogjerondisë-, e organizuar kjo atëherë si pas frymës së kohës nënë shenjat e Patriarkisë greke të Stambollit që qeverriste me anën e klerit dhe të shoqërive pan-helenike të ndryshme.

Paraqitja e një kërkese aq të kuximshme: të futurit e shqipes pikërisht nër shkollat e Patriarkisë vetë, përbënte asikohe jo vetëm një gjë të pamenduar prej mëndjes së asnjeriut dhe të lidhur thjeshtësisht me rezikun e jetës – siç u vërtetua nga ngjarjet e afërta paskëtaj me vrasje nër të dy palët kundërshtare -, po ajo që i digjte më për-zemre qëllimit të drejt-për-drejtshëm të Kollonisë, mbante vetiu dhe fundin e druajtur të falimentimit. Pamenduarësinë ose rezikun, këto i mori nër sy Kollonija që përpara, dhe i mori më mirë Eftim Markua, i cili e kërkoj vetë prej mbledhjes dërgimin e tij për në Korçë. Reziqe dhe marrëzira të këtilla ishin elementi i zakonshëm, më i përshtatur, ku vepëronte Kollonija e Bukureshtit e cila me sendërtimet patriotike të saj, që nga themelimi i Shoqërisë dhe shtypja e librave gjer në organizimin dhe përmbajtjen e çetave të Rilindjes, pat krijuar Romantizmën e Atdhedashurisë Shqiptare. Kolloninë e hante malli kryesisht për mundësinë e falimentimit, dhe këtu e rrahu dhe e vendosi ajo paq çështjen dyke ngrehur, që në Bukuresht, mekanizmën e sigurimit. Ajo pëlqeu me mënd dërgimin e Thimi Markos, burrë ky jo vetëm energjik dhe i kuxuar, po dhe veçanërisht i pajosur me virtutën e urtësisë, të mënçurisë, e cila i fitonte respektin më të përzëmërt ndaj dëgjonjësve. Dhe Eftim Markua e sillte në gjirin e Pleqësisë së Korçës për parashtrim atë Kërkesë aq të kuximshme – si? me ç’mënyrë me ç’far fuqi? Ay sillte, për tronditjen dhe turbullimin më të math të Dhimogjerondisë, si dhe për shpresën më të ushqyer të Shqiptarëve të Bukureshtit një letër autografe nga ana e  plakut Korçar milionar Anastas Lakçe, kryetar i Shoqërisë Drita, i cili aq nga prestigji i math që gëzonte në gjithë Rumaninë dhe në Korçë më qarkun e saj si dhe nga ndjenjat e tija ndaj Dhimogjerondisë dhe ato të kësaj anasjelltas ndaj të, ishte njëriu më i shënuar për të përmbushur qëllimin e ndërmarjes së vështirë të Kollonisë. Kjo shklekëz e Shqiptarve të Bukureshtit, e futur me kuptim brënda në fortesën e Dhimogjerondisë, ka qënë një strategjemë e përsosur. Kurse Kryepleqësija e Korçës me gjithë përbënjës e nëmëronte Lakçen vazhdimërisht si më parë një anëtar dhe përfaqësonjës të bindjeve të saj të përherëshme, ky, Anastas Avramidhi Lakçeja, shtyllë shpirtërore dhe financore e fortë e Komunitetit Orthodhoks dhe e Mitropolisë së Korçës, bënte tashi pa pritur një thyerje – një herë e cila mbetet përgjithënjë – kundrejt qëndrimit të tij të mëparshëm, pranonte të vihej në krye të Shoqërisë Drita të Bukureshtit, dhe, brenda pak muajve punimi si kryetar i saj dërgonte me vendim të Komitetit, në verën e arthme të vitit 1885, Thimi Markon në Korçë me mision ndërmjetësimi pranë Dhimogjerondisë dhe Mitropolitit Fillotheos Konstandinidhis dyke i porositur që të vihet gjuha shqipe në shkollat gërqishte të Korçës. Lakçeja i dha Thimi Markos, për këtë qëllim një letër të veçantë të redaktuar pas mendimit dhe dëshirës së Komitetit të Kollonisë- letër që vuri Dhimogjerondinë dhe Mitropolitin në një turbullim dhe vështirësi të paparashikuar, më një anë sepse ajo i-u ra si një bombë e papritur mi krye me kërkesën që përmbante, më tjetrën anë sepse ishte shkruar dhe nënshkruar vetërisht prej mirëbërësit të math korçar, prestigji i të cilit kish qënë rrethi me ar i Komunitetit.

Letra e Anastas Lakçes ka mbetur e famshme nër analet e Kollonisë Shqiptare, dhe me plot të drejtë. Ajo, pikërisht ashtu sikundër me qëllim u pat menduar prej Kollonisë, e vuri Dhimogjerondinë me gjith Mitropolit në dilemën negative që së-bashku ish e tmerëshme, dyke mos mundur, për hirin e atij që i-a-u drejtonte, as t’a pranojnë pretendimin e gjuhës shqipe as të mos e pranojnë… Siç ishte parashikuar prej kollonisë, ngrehësja e mënçur e kësaj gracke, përgjigjja nuk i-u dha përveç se dyke rrëshqitur… Nga i cili konstatim Kollonija dhe nxori shkak për themelimin zulmëplot të Shkollës kombëtare  shqipe të Korçës.

Themelimi i Shkollës Shqipe me vijimin e mësimeve të saj është një odise e tërë, peripetitë e së cilës nuk hyjnë brënda suazës së këtij tregimi që përqëndrohet rreth veprës kryesore të Kollonisë së Bukureshtit. Dhimogjerondija nuk i dha kësaj, si përgjigje të letrës së Lakçes të paraqitur nga Thimi Markua, një fjalë të prerë, po e hoqi çështjen zvarë dyke e dërguar prej Annës te Kajafa… Në mbledhjen e saj ajo gjith dyke bërë – nga shkaku i emrit të Korçarit të math, që i-a dërgonte letrën-sikur nuk ish kundër, prapë tha se duhej pyetur Dhespoti i Mitropolisë nga i cili mvarej qëndrimi i Komunitetit dhe ashtu bëri; Dhespoti tha se duhej pyetur Patriarkija e Stambollit nga e cila mvarej qëndrimi i Mitropolisë dhe ashtu bëri; Patriarkija tha se duhej pyetur Sillogu i Math nga i cili mvarej qëndrimi i shkollave gërqishte dhe ashtu bëri; Sillogu tha se duhej pyetur Babialija nga përgjigjja e së cilës do të mvarej qëndrimi i Tij…

Kjo manevrë varangjele, e drejtuar dhe e ushtëruar prej gjarpërit me shumë krye që quhej Dhimogjerondi, Dhespot, Mitropoli, Patriarki, Sillog, Babiali, mirë ndjeheshe në zemrën e tregëtarit të math dhe Shqiptarit të math Korçar Jovan Cico Kosturi, i cili si për shenjë protestimi të rreptë kundër gjarpërimeve të Dhimogjerondisë u nda prej saj. Ndarja e Vani Kosturit nga gjiri i Mitropolisë që atëhere, siç mbetet dhe sot, dhe për gjith-herë, një eveniment kombëtar shqiptar në tërë fuqinë e fjalës, sepse me gjestin e kuximshëm të tij jo vetëm që u prek për të parën herë drejt në zemër Kryeqëndra e Fanarit në Shqipëri, po dhe u fillua tronditja dhe shkatërrimi i saj për t’i lëshuar udhë, sadopak të lirë, mësimit shkollor të gjuhës shqipe. Thimi Markua, në misionin e tij si delegat i Bukureshtit për çështjen e gjuhës, me një letërkëmbim të gjatë lajmëroj Kolloninë hollësisht dhe pikë-për-pikë rreth ngjarjes, dyke shënuar se Jovan Cico Kosturi s’është i vetëm po ka dhe shokë e miq dhe farefisas me anën e tij. Atëhere Shoqërija e kollonisë, dyke marë shkas prej ndalimit të vënjes së gjuhës Shqipe nëpër shkollat gërqishte, vendosi të hapë shkollë shqipe më vehte, pikë-së-pari në Korçë brënda dhe më von nër rethet përqark. Për këtë qëllim ajo u muar vesh me Shoqërinë e Stambollit dyke i vënë për barrë kësaj nxjerjen e lejës së shkollës, lejë që u dha mi emrin e dëshmorit Pandeli Sotiri, mësonjësit më të parë të shkollës shqiptare kombëtare në Shqipëri nga katundi Selckë e Përmetit. Kështu që, në mbarim të vitit 1885, dëshmori Pandeli Sotiri niset nga Stambolli shpejt e drejt për në Korçë, ku, më 7 Mars 1886, dy ditë pas së Kremtes së Dyzet-shenjtorëve, në emër  të Shoqërisë Drita të Bukureshtit, çeli shkollën e parë të Kryeqytetit të Toskërisë-të parën Mësonjëtore Shqip për Djem e Vasha.

Datën 7 Mars 1886, e shënuar disa herë në arkivat e Kollonisë, na e ka fuqizuar gojërisht dhe i përnderuari veteran Korçar Zoti Thoma Avrami, i hyrë mësonjës i Shkollës shqipe të Korçës në vitin shkollor 1888-89, i cili kërkimtarit të palodhur Ilo Mitkë-Qafëzezi nga Korça i ka dhënë, përveç kësaj, precizimin shumë të vlefshëm për ne: dy ditë pas Dyzet-shenjtorëve (shih: Ilo Mitkë-Qafëzezi, Dhaskal Gjoka, Korçë 1936, f.148,2).

Shënuam aty për çeljen e shkollave Shqipe pas asaj të Korçës, një shprehje të zakonshme: nër rrethet përqark. Gjer tashi, domethënë gjer më sot kur po shtypen këto radhë, me atë shprehje është kuptuar gjithnjë vetëm çelja e Shkollave Shqipe të Krahinës së Korçës, që ngjau prej vitit shkollor 1890-91 e tëhu. Kemi dëgjuar dhe lexuar jo rrallë herë të bëhet fjalë për këto shkolla shqipe, për fshatrat famë-mira ku janë hapur ose atje ku mësohej gjuha shqip-Luaras, Vodicë, Treskë, Selenicë, Gostivisht, Ersekë dhe Polenë. -Nuk kemi vënë re të përmblidhet ose pak-së-paku të kujtohet pranë shkollave të hapura nër rrethet përqark Korçës dhe Shkollën Shqipe të Pogradecit. Hapja e Shkollave Shqipe nër rrethet përqark Korçës është vënë gjer më sot, prej atyre që kanë shkruar mi këtë çështje në lidhje me udhëtimin e Kryeveteranit Petre Nini Luarasi të bërë nga Korça në Stamboll, Sofje dhe Bukuresht, për të mbledhur ndihma prej patriotëve të Mërgimit. Është vënë gjithashtu në lidhje me ndihmën e menjëherëshme prej një-qind-e-pesëdhjet napolonash që i dha Petre Nini Luarasit Nikoll Naçua, Kryatari trim i Shoqërisë së tij të famshme Drita të Bukureshtit, dyke i-a caktuar atë ndihmë dhe mot-për-mot; kurse Shoqërija tjetër e Bukureshtit me kryetar Gjorgji Theodor Doko-n i caktoj për-mot-pesëdhjet napolona, Shqiptarët e Sofjes pesë-mbë-dhjet dhe ata të Stambollit asnjë. Ky shkallëzim ndaj zellin e mëmëdhetarisë ku qëndronte më lart se të gjithë Naçua i përhapur dhe me frymën luftonjëse dhe propagandonjëse të Petre Nini Luarasit, bëri një lëvizje dhe një bujë shumë të madhe rreth çeljes së shkollës shqipe të qarkut të Korçës; veçanërisht dhe mi të gjitha sepse Petrua, dyke sjellë në Korçë të një-qind-e-pesëdhjet napolonat të Naços, përhapi menjëherë dhe kudo kushtin me të cilin ky i-a kishte dhënë – d.m.th.që të çelen shkolla shqip në Kolonjë; sikundër dhe Petre Nini i-u zotua dhe siç u bë në Luaras, në Vodicë, në Treskë, në Gostivisht dhe në Selenicë.

Dhe me gjith këto, hapja e Shkollës Shqipe të Pogradecit i vete katër vjet dhe shtatë vjet përpara hapjes së Shkollave shqipe nër rrethet përqark Korçës (fshatrat e Kolonjës, Vakëfe), të cilat u pajosnë me shkolla shqipe prej vitit 1890 gjer më 1893-kurse Pogradeci e hapi shkollën  e tij që më datën 14 Mars 1887. Kjo duket përveç dokumentave të veçanta mi Shkollën Shqipe të Pogradecit që i nënëshkruari zotëron, dhe nga arkivat e Kollonisë më së miri. Dyke pyetur Visar Dodani që në Bukuresht më ç’vise janë hapur shkolla në Shqipëri, patrioti Korçar Jovan Cico Kosturi i përgjigjet, midis të tjerave, më 17 të janarit 1888 prej Korçe se Shkolla shqipe janë hapur vetëm në Korçë dhe në Pogradec. Na shkruan që t’u shënojmë një herë holl e mirë sa Shkolla janë hapur gjer tani nëpër Shqipëri edhe ku e ku që të mbani alillografi me ata edhe për t’i kupëtuar si venë e ç’lipsen, e ç’fuqi kanë. Për këtë punë, na se ku të shkruajmë që, gjer më sot, s’janë hapur të tjera mësonjëtore (shkolla) Shqipe përveç këtu (në Korçë) edhe ndë Pogradec. Dhe në fund të letrës, për sa i-u përket librave që dërgonte Kollonija, shton: Përsëri u lutemi të përkujdesi për të shtypurit e të tjerave vivllave (librave) sa më shpejt, sepse është nevojë e madhe për to. (letra është riprodhuar prej Visar Dodanit, Memorjet e mija, Konstancë, Shtypshkronja Albania, 1930, f. 148).

Filed Under: Opinion Tagged With: i Shqiptarëve të Rumanisë 2, Lasgush Poradeci, Veprimi Kombëtar

Veprimi Kombëtar i Shqiptarëve të Rumanisë…

November 3, 2020 by dgreca

-Me Kyeqëndër Kolloninë e Bukureshtit-

Prej Lasgush Poradecit- Ish-Sekretar i Përgjithshëm i Kollonisë-

Shqiptarët duhet të këthehen me mirënjohje kundrejt popullit rumun dhe qeverisë rumune, për ndihmën e gjithënjëshme që kanë patur në lëvizjet e tyre kombëtare. Pa këtë ndihmë, e cila ka qënë njëkohësisht morale dhe lëndore, çështja shqiptare në Rumani dhe Shqipëri nuk do kish marë atë sulm të fortë, themeltar, aq të nevojitur asisoj për kohët e robërisë. Nuk do kish qënë e mundur pa mbështetjen fisnike të Shtetit rumun ngritja e Shoqërive zë-mëdhaja të Bukureshtit – Drita, Diturija, Shpresa, Bashkimi – dhe të qyteteve të tjera të Rumanisë, të mirëmerituara plotërisht me veprat e tyre ndaj Atdheut. Kësaj mbështetjeje i ka hije mirënjohja më e fellë e gjithë Shqiptarëve. Sepsë një përkrahje e këtillë nuk i-u dha atyre as në Greqi, as në Turqi, as në Serbi dhe as në Bullgari. Këtu, në Bullgari përpjekja e Shqiptarëve u lejua vetëm më von në kohën e Kristo Luarasit. Kur Shqipatrët patnë të drejtë të shtypin paqeta dhe libra për mësimin e gjuhës shqip. E vërteta istorike është, se Shqiptarët e Sofjes u organizuan shoqërisht që më 1893, më një të Kollozhegut (Janarit), dyke themeluar shoqërinë e tyre të parë Dëshira. Po ky lejim nuk mund të krahësohet aspak me përkujdesjet vëllazërore të gjithë Qeverrive të Rumanisë ndaj Shqiptarëve. Qeverrija bullgare e asikohëshme pranoj, më në fund, t’i lerë të lirë Shqiptarët, si një kundërpeshim të përkrahjes rumune, si një rast dhe një mjet përfitimi që të shpëtojë po të ish e mundur Bullgarët e Maqedhonisë. E kundërta ngjet me Shtetin rumun; këtu, me gjithë kundërshtimin e shpallur të kryetarit të famshëm të Shoqërisë Drita Nikoll Naço-Korça ndaj Apostol Margarit-in, inspektor-dhe diktator i përgjithshëm i shkollave dhe i çështjes rumune në Maqedhoni, lëvizja kombëtare shqiptare mbahet dhe përmbahet zyratrisht e padobësuar në asnjë mënyrë kurrë; Naçua boton me nënshkrimin e drejt-për-drejtshëm të vet broshura të trasha parimërisht të drejtuara kundër Rumunëve të Ballkanit- po burrat shtetorë më të mëdhenj të Rumanisë, mi kryen e tyre mbreti Carol, janë kurdoherë për mendimet e Naços, për sgjidhjen e çështjes së pamohuarshme shqiptare. Që më 1880, dhe më  përpara, Rumanija ishte ajo që lejonte të shkruhet shqip, të shtypen gazeta dhe libra, të hapen shkolla- siç ishte ajo e famëshmja e Naços – të shentërohet Kisha e meshimit kombëtar shqip në qëndër të Bukureshtit. Vërtet se për Kishën shqipe s’duhet harruar asnjë ças therrorija dhe përpjekjet e veteranëve Nikoll Naço, Vasil Zografi, Marko Qiriazi, Jani Danga, po si do kish mbetur kjo çështje dhe këto çështje sikur të mungonte simpathija spontane e Udhëheqësve të popullit rumun kundrejt gjithë ndërmarjeve kombëtare shqiptare? Kundrejt gjithë veprave të Kollonisë të kryera në Bukuresht si në një kryeqytet shqiptar të dytë, dhe të cilat nër shtetet e tjera ballkanike jo vetëm që ishin të palejuara, po dhe të ndjekura me rreptësi? 

ISMAIL QEMALI NË BUKURESHT

Në Bukuresht u bë dhe Mbledhja për evenimentin më të shkëlqyer shqiptar pas pesëqind vjet robërije, Kuvëndi i nëntorit më 1912 në hotelin Continental, kur ardhi Ismail Qemali dhe u vendos të vejë të ngrerë Flamurin  në Vlorë dyke proklamuar vetë qeverimin e Shqipërisë Komisioni i posaçmë i Kollonisë i përbërë prej Dhimitër Zografit (i vëllaj i Vasil Zografit), Luigj Gurakuqit, Pandeli Cales, Spiridon Ilos, Dhimitër Emanolit, Pandeli Emanolit, Dhimitër Berattit. Pse s’u muar në Stamboll ay vendim, pse s’u muar në Sofje, në Kajro, në Athinë ose kudo gjetkë?-Kurorëzim përfundimtar i lumtur i të cilave përkrahje dhe mundime të Kryeveteranëve të Bukureshtit ka qënë Njëzetepesëvjetori i Vetëqeverimit, që u kremtua më 28 Nëntor 1937 në Shqipërinë e lirë. Aq e përzemërt, e pakufizuar ka qënë përkrahja e popullit rumun ndaj Shqipëtarëve, sa që Kollonija e Bukureshtit kishte – me vendim qeveritar – prerogativa shteti në kohën e luftës së përbotëshme. Ishte si shtet më vete në shtet të huaj. Dhe më 1916, pas ardhjes së Gjermanëve në Kryeqytet, shteti rumun dhe me këtë shteti gjerman i njojti Kollonisë Shqiptare të Bukureshtit të drejtën e të dhënit pashaporta, e ratifikuan si të theshim de fakto atë mëvetësi shtetërore. Ergo: nga prestigji i Kollonisë, Shqiptarët nuk vinin ushtarë as për Rumaninë as për Gjermaninë. Po  ata vajtnë ushtarë për Shqipërinë, më 1914, në kohën e mbretit Ëied, kur ra dëshmor prej rebelëve dhe kushëriu i parë i të nënëshkruarit, Stavre Gusho, i ardhur vetëdashës midis vetëdashësve të tjerë të Kollonisë në mes me vjershëtorin Asdren.

Me këto fjalë hyrjeje, që fryjnë siç duket frymën e ngrohët të vëllazërisë rumuno-shqiptare, kemi dashur t’a paraqitim tregimin t’onë mirënjohës mi Kolloninë e Bukureshtit kryesisht, qëndër e parë e lëvizjeve të Rilindjes në Rumani.

ZËRI I GJAKUT: JAM SHQIPTAR 

Sikur të deshim të përshkruajmë ndodhjen e Shqiptarëve, ose fillimin e Shqiptarëve në dherin mik të Rumanisë, do t’a ngjitnim mburimën që në kohësinë e bashkëjetesës së të dy popujve, ose që në çasin e çfaqjes së gjakut shqiptar të përvetshëm në istorinë e shtetit rumun dhe të letrave rumune. Sepse kështu, për të vërtetësuar këtë vëllazërim atavik, do të kuptonim dhe spjegonim më mirë bashkësinë e tyre thrako-ilire dhe do të ndjenim edhe më mirë qëndrimin frymor të pendëtarëve të gjuhës rumune me gjak shqiptari nër rremba dhe me tipare shqiptari në fizionomi. Kështu do të dilnim më faqeza, edhe për kombin tonë, raportet gjuhësore dhe racore midis Shqiptarësh dhe Rumunësh, si dhe shprehjet e nënëvetëdijshme të njerësve të shkrimit rumun -në krye me poetin e math Mihail Eminescu- brënda simpathisë dhe dashurisë shqiptare. Ky Eminescu, vigani i artit dhe i shpirtit rumun, mi Shqipëtarësinë e të cilit është shënuar dhe shkruar me rast dhe duhet vëzhguar themeltarisht, nër çaset e këthjellta të errësimit të tij mendor çfaqte haptas – si për të simbolizuar njëjtësinë shpirtërore të të dy popujve – atë që i diktonte në fshehtësi zëri i fëllë i vetëdijes, dhe që quhet zëri i gjakut: Jam Shqiptar!.

Për të parashtruar gjindjen dhe çfaqjen e Shqiptarëve në tokë të popullit mik, lënda e bibliotekave të akademive rumune dhe të instituteve ngjajtëse jep gjithë mjetet diturore sa-për-kaq rreth çështjes. Në shkrimet e vjetra, në kronikat e pasura të vëndit, është e pamundur të mos gjesh dëndur dhe përzjerjen e Shqiptarëve gjatë çvështjelljes politike ose kulturore të Rumanisë.

Vëzhgimi këtu i fenomenit Shqiptar, është lehtësuar jashtëzakonërisht nga karakteri i hapur, i pa mistifikuar, i ndershmërisë së kronikarit rumun. Objektiviteti i këtyre tregimtarëve të kohës, del me këtë shkak vërtet për t’u admiruar. Sepse ata, kurdoherë, vepëronjësin ose sundimtarin shqiptar kanë patur kujdes t’a përgjyrësojnë brenda cilësimit të emrit të tij ethnik. Kanë bashkëndihmuar kësisoj mjaftërisht nga ana e tyre në kryerjen e detyrës aq të bukur të studijonjësit në qoftë se ky do të jetë një vëzhgimtar shqiptar, për të nxjerë në dritë veprat e Kombit t’onë të shpërndara në të katër skajet e botës.

Këto vepra të shënuara me kujdes prej Shqiptarëve të Italisë – Arbëreshëve – për sa i përket çfaqjes në jetën politike dhe kulturore të popullit italjan, kanë qënë lënë qëllimërisht thuajse krejt në hije nga të tjerët.

Në perandorinë otomane krijonjësit e këtyre veprave janë identifikuar nga shkrimtarët me racën vëndase, dyke u fundosur dhe çdukur në istorinë e saj shpesh herë vetëm si Turq.

Gjithashtu ata të Greqisë, që janë dëftyer si Grekër të thjeshtë prej istorishkronjësve të saj, shtrembëronjës të fakteve shqiptare dhe të shkaktonjësve dhe mbajtësve shqiptarë të tyre.

Në këtë gjëndje errësire hyn Egjipti, përkrah me Vënde të tjera që i përgjajnë.

Jo kështu dhe populli fisnik rumun; ay qëndroj i ndershën në sjelljen e tij istorike kundrejt burrave shqiptarë që u përzjenë me fatet ku u përshkua, dyke i ritur dhe vlerësuar zotësisht ato fate. Shkrimtarët e Rumanisë as i-a-u kanë mohuar dhe as i-a-u kanë fshehur kurrë racën dhe kombësinë protagonistëve shqiptarë në istori të vëndit të tyre. Shqiptari, për kronikëshkronjësin ose istorikun rumun, është dhe quhet gjithnjë haptas Shqiptar. Vasile Lupu (Vasil Ujku), Zoti i Moldovës në shekulllin e XVII, shtëpija Gjika, zotëronjëse dhe princëronjëse në Rumani si dhe Duka dhe shumë personalitete shqiptare me famë, për shkencëtarin rumun janë gjithnjë Shqiptarë dhe lëvdohen dhe lartësohen për veprat e mbëdha që i falnë popullit aq nga pikpamja politike sa dhe kulturore, dyke u kujtuar dhe sot e kësaj dite me mirënjohje. Një vragë të shënuar në rrjedhën e istorisë rumune kanë lënë pas shoqëronjësit e sundimtarëve të dërguar nër krahinat e Rumanisë prej Stambollit, Ata, me ikjen e kryezotërve, mbeteshin të shumtët në Vënd dyke nxjerë me kohë prej fisit të tyre njerës të aftë dhe të shquar për çdo lloj administrimi, në punët qeveritare të Rumanisë.

Prej këtij elementi shqiptar të vërshuar me kohë në Rumani u brumos, aty si para nj’a tri qindvjetorësh, dhe stërgjyshërija e poetit Eminescu, brezlindjen e të cilit do t’a marrin nënë kqyrje më von veçanërisht. Dhe kur ky eksponent i shpirtit rumun e rrethoj me aq simpathi kujdesonjëse emrin shqiptar, si të mos kishin bërë kështu pasonjësit e tij, vazhdonjësit e frymës udhëheqëse të tij.

Mërgimtarët e Kollonisë Shqiptare të Rumanisë me kryeqëndër në Bukuresht kishin, kësisoj, gjithë paravëniet e trashëgimit anasjelltas të të dy popujve, dhe prandaj ata muntnë t’i përvishen asaj Lëvizjeje së Propogandës së Madhe Kombëtare prej më shumë se gjashtëdhjet vjetësh e këtej, përfundimet e së cilës kanë vëndin e tyre nga më të parat në ndërtimin e Shqipërisë së lirë.

Me një program sa të thjeshtë, aq të gjërë dhe këmbëngulur e filluan anëtarët e Kollonisë Përpjekjen për Kombësi dhe Shqipëri: me shvillimin e ndjenjës shqiptare, të vetëdijes kombëtare, të cilën e pasonte dyke e shoqëruar mësimi i gjuhës shqip, hapja e shkollave shqipe, krijimi i shoqërive dhe klubeve nacionaliste, organizimi i çetave kryengritëse të Lirisë për të fituar autonominë dhe administrimin krejt shqiptar të Vëndit; ëndra e fundit, e shikuar larg nga shkaku i fuqisë édhe së pashkatëruar të perandorisë otomane, ish Vetëqeverimi i Shtetit Shqiptar të pavarrur dhe suveran-qëllimi fundor i gjithë organizatave.

THEMELIMI I SHOQËRIVE SHQIPTARE NË RUMANI 

Themelimi i shoqërive shqiptare në Rumani është i dokumentuar nëpër arkivat përkatëse, mburim i pashterrur atdhedashurije, të plotësuara në hollësirat e tyre nga kujtimet dhe shkrimet rastore të veteranëve.

Nga këto arkiva dhe kujtime dhe shkrime, burimi kryesor i të cilave për të nënëshkruarin është këtu ajo biblioteke e gjallë e Kollonisë që quhet Asdren po ngjizet dhe rrëfimi pasonjës:

 E para Shoqëri që u fillua në Bukuresht ka qënë themeluar zyrtarisht më 30 të Vjeshtës së parë 1879, sikundër shënon dhe e përkohëshmja Diturija e Bukureshtit, botuar më 1916.

Pak kohë passi kish filluar punën e saj Shoqërija e Stambollit, vjen një letërkëmbim nërmjet udhëheqësve të kësaj dhe shqiptarëve më me rëndësi të Bukureshtit, të mbledhur rreth shoqërisë së tyre me vendim po pa bujë. Letërkëmbimi, i nënëshkruar nga Stambolli prej Sami Frashërit, Jan Vretos dhe Naim Frashërit është një dokument mallëngjenjës për çdo shqiptar të kohës s’onë. Dituraku i math Sami Frashëri, kryeatdhetari i Shoqërisë së Stambollit bashkë me shokët e tij flet me aq thjeshtësi dhe bindje në këto letra, me aq shentëri për vëllazërimin e përgjithshëm shqiptar, për Idealin e Shqipërisë së arthme, sa, dyke lexuar dhe sot fjalët dhe këshillat e tija të mburuara prej të vetmit parim të vërtetë kombëtar që është parimi i Vëllazërimi, nuk habitemi se si Kollonija e Bukureshtit, edhe pas tretjes së shpejtë së Shoqërisë në Stamboll, e vazhdoj gjer në fund përpjekjen e madhe drejt Qëllimit Kombëtar, të fuqizuar dhe të ndritur në atë parim nga qëndra e Stambollit.

Pa mbaruar viti 1880 ardhi në Bukuresht kryeveterani i palodhur Jan Vreto Posténani, përfaqësonjës i Shqiptarëve të Stambollit, me mision organizimi shoqërirash kombëtare jashtë Atdheut. Shoqërija e Kollonisë Shqiptare të Bukureshtit, që kishte për kryetar Vangjel Geçon nga Korça me arkëtar Llazar Andonin nga Kolonja, s’kish filluar édhe jetën e saj të lëvizur, në fushën e gjërë të vepërimeve të mëpastajme. Po që tashi qëndronte me vullnet gati për punë. dyke patur në krye një burrë që u shqua kurdoherë në jetën sa vinte më të gjallë të shoqërisë.

Ky veteran i radhës themeltare të Lëvizjes, Vangjel Geçua, është dhe ay në shtëpi të të cilit u bë – siç del nga dokumenti përkatës – e para mbledhje për një Degë Shoqërije, më 18 të muajit Korrik 1881.

Jan Vretua shvillonte një vepërim të palodhur, të pathyer, dyke përmbushur detyrën kombëtare të tij si nisjator dhe organizonjës i çështjeve. Ay punonte me atë durim dhe me atë ëmbëlsi të karakterit të tij, që e kish për vetije. Kësaj i detyrohet dhe fakti se i-a hariu kurdoherë qëllimit dyke përhapur idenë e madhe të Rilindjes, dhe dyke i dhënë asaj veglat e nevojshme, konkrete, për një zbatim dhe sendësim të dobishmë; këto vegla ishin shoqëritë e vëna në udhë organizimi prej tij, dhe të cilat u patnë rrëfyer të plotvlerëshme nër veprat e kryera më pas pavarrursisht. Nuk rinte Vretua kurrë në vënd, gjithnjë ish në vepërim, gjithnjë i paqetë. Qetësohej, përkohësisht, vetëm passi e mbaronte punën e tij, passi  e vinte në udhë të mirë për t’u ndjekur dhe për t’u ritur ajo punë pastaj prej vetiy. Kështu bëri dhe për Shqiptarët e Rumanisë në Bukuresht, ku organizoj aty Shoqërinë më të parë të Mërgimtarëve, të mbushur me lavdi ndaj Atdheut për veprat lartësisht të merituara. Ay mbeti vetëm pak kohë në kryeqytetin Rumun pas themelimit të Shoqërisë, dyke u kënaqur me vajtjen e regullshme, shpresëdhënëse, të përpjekjeve të Komitetit të saj. Sepse pa durim, nga fillimi i vitit 1882, u hoth shpejt-e-shpejt në Egjipt, për të bërë propagandë kombëtare nër Shqiptarët e atjeshmë.

Vajtja e Jan Vretos prej Bukureshti në Egjipt me mision kombëtar dhe propagandistik, nuk ish e mundur të mos japë ato pemë, që sicilido e priste pa as më të voglin dyshim prej fuqisë bindëse të zemrës së tij të bardhë. Sepse Vretua kishte jo vetëm durimin dhe ëmbëlsinë e karakterit, po ish dhë mëndje-urtë dhe elektrizonte bashkëfolësit dal-nga-dal si me një magji të pakuptuar. Magjija e tij, ishte besimi i tij në ato që fliste. Aq kulluar dhe aq bukur e parashtronte ay idealin kombëtar të Shqipërisë, sa dëgjonjësit i-a rrëmbenin si të thuash fjalën nga goja, dhe fjalën dhe qëllimin e tij e bënin fjalën dhe qëllimin e tyre. Kështu udhëtimi që bëri Jan Vretua në Egjipt – në Egjiptin e Eftim Mitkos, të Spiro Dines, dhe të Çajupit- lëshoj farën e dëshëruar dhë të pritur të fillimit dhe atje të një Shoqërije Kombëtare, për të cilën u nënëshkruan menjëherë sumëra të mjaftuarshme nga Shqiptarët e mërguar. Midis nënshkrimeve dalin në pah, për sumën e derdhur dhe veprën e mirënjohur, emëra veteranësh që kanë vënë sicili gurin e vet në ndërtesën e Kombit: Eftim Mitko-Korça, Jovan Mitko-Korça, Spiro Dine-Korça, Mandi Peci-Korça, Kristo Dako-Korça, Thanas Dako-Korça, dhe – gjë e vetëkuptuar – në krye të gjithë këtyre me sumën më të madhe prej dhjetë napolonash flori Nikoll Naço Korça, kryetari i famshëm i Shoqërisë Drita (1884) të Bukureshtit, i cili asikohe gjëndej edhe për pak në vëndin e tij të parë të Mërgimit në Egjipt.

Këta Dërgimtarë të Idesë shqiptare të Egjiptit, të cilët, me t’i-u përveshur detyrës derthnë një-herë përmbajtjen e pasur ose të vobektë të kuletës së tyre, kapnin numurin e habitshëm prej nëntëdhjetenëntë vetash, dhe ky numër kapi sumën e katërmijë-e-nëntëqind frangave, të holla e të dhuruara që me rastin e mbledhjes më së parë.

Përpjekja nacionalistike në Egjipt nuk e ka mburimin aspak nga Shoqërija e Stambollit, njëjt dhe me përpjekjen e Shqiptarëve të Italisë, atyre të Rumanisë dhe të Greqisë. Ajo daton istorikërisht, me këto të tjerat, që përpara vepërimit të Stambollit. Sikundër Jeronim De Rada kish filluar mbledhjen e Rapsodive shqiptare të tija nër Arbëreshë më 1833, sikundër Naum Veqilharxhi botoj abetaren shqipe të tija më 1844 dhe shkruante për propagandë kombëtare në Bukuresht më 1846, sikundër P.D.Kupitori kishte shkruar në Athinë më 1868 mi abecenë shqipe, ashtu dhe Eftim Mitkua kish botuar Bletën Shqiptare në Aleksandri të Egjiptit që më 1878.

VLERA E JAN VRETOS, ËSHTË AJO E MISIONARIT TË SHQIPES

Vlera e Jan Vretos, është ajo e Misionarit të shqipes: ajo qëndron në frymën shtytëse dhe organizonjëse të tija, një frymë fisnike me parime krejt të njerëzishme, siç u shfaq paras në Bukuresht dhe tashi dhe këtu nër të mërguarit e Egjiptit.

I kënaqur me zemër nga puna aq e mirë e përfunduar në Egjipt, Jan Vretua niset e këthehet edhe njëherë në Bukuresht për hollësira që vështronin degën e atjeshme dhe ri vetëm gjashte javë dyke ikur pastaj për në qëndër në Stamboll.

Duhet të shënojmë, me qënë që flasim mi Kolloninë e Shqiptarëve të Rumanisë dhe për veprat e therroritë e tyre, se shpenzimet e vajtjes së Vretos për në Egjipt nuk u bënë as prej Qëndrës së Stambollit as prej Shqiptarëve të Egjiptit, po vetëm prej Shoqërisë idealiste të Bukureshtit e cila, përpara se t’a nisë për në Egjipt, Vretos i dorëzoj për nevojat lëndore të Misionit të tij katër-qind franga ar të dhëna vetëdashërisht nga disa anëtarë të saj më të zellshëm.

Në Stamboll Shoqërija zhvillonte me punë dhe pa bujë vepërimin e saj, e lejuar siç ishte nga qeverija otomane që e kish ngritur vetë dyke u shtrënguar në mes të rethanave politike të kohës. Qeverija i-u kish dhën Shqiptarëve dhe një ndihmë për qëllimet e Shoqërisë – tre-qind napolona – dhe ata dijtnë t’i përdorin me vënd, si çdo send e gjë tjetër që vështronte Shoqërinë.Vepërimin e tyre ata e kishin përfunduar tashi-për-tashi dyke shtypur një Abetare, dhe dyke e shpërndarë dhe përhapur në Rumani, Shqipëri dhe kudo gjetiu ku mundnin. Bëhej dërgimi më shumë vetërisht, kjo ish mënyra më e përshtatur dhe më e sigurtë e kohës, po dhe posta e Konsullatave të huaja përdorej dëndur nga shkaku i mënjanimit të çdo kontrolli të padëshëruar qeveritar. Dyke marë para sysh se Abetarja u botua në dhjetë-mijë copë, kuptohet vetiu përhapja fillimërisht e mjaftuarshme e saj. Sepse në këtë kohë ishin të pakët lexonjësit – lexonjësit me dashuri të vërtetë për shqipen dhe për këtë libër shqip, e cila qe shtypur me shkronjat e Jan Vretos të qojtura përgjithërisht si abeceja e Stambollit. Këto shkronja që kanë për themel shkrimin latin, mëmëdhetarëve të parë të shqipes i-u sillnin pak vështirësi me shenjat slavishte dhe gërqishte të futura aty-këtu midis tyre, dhe ishin një shenjë përbuzëse të idesë shqiptare nga ana e kundërshtarëve. Të metën e tyre të dyfishme – praktike dhe politike – e hoqi Nikoll Naçua. Ky, nër aqe çështje të zjarrshme të hapura dhe të përfunduara prej tij më qëllim më të pastër kombëtar, shkakëtoj në Bukuresht, që me rastin e parë, dhe bisedën e përdorimit ose jo të shkronjave të Vretos; kjo dokumentohet nga letra e rëndësishme e Kostandin Kristoforidhit që i dërgoj Naços në Bukuresht prej Elbasani më 15 Janar 1888, ku preket ajo bisedë. Si njeri me personalitet të fortë dhe me vendim që ishte Naçua, jo vetëm që ay u shpall për-një-herësh kundër abecesë së përzjerë të Jan Vretos dhe për një shkrim krejt latinisht të shqipes, po e vuri në zbatim këtë bindje të tij dhe dyke botuar gazetën Shqiptari në Bukuresht, më 1884. Koha e rrëfeu, se gjykimi i Naços rreth abecesë shqipe kish qënë një gjykim dhe një larkshëkim themeltar.

Gjith dyke zhvilluar vepërimin kulturor e përhapjen e gjuhës shqip të shkruar, udhëheqësit e Shoqërisë në Stamboll nuk linin prej dore letërkëmbimin me burrat e Bukureshtit, dhe i-u shkruanin përhera rreth vajtjes së punëve të Degës dhe mi nevojat e Qëndrës. Aq me dashuri ishin këto letra për atdhetarët e Bukureshtit, të cilëve i-u drejtoheshin, dhe për çështjen e ndritjes së Kombit, që kishin për të vetëm ideal, sa vraga që ato linin në shpirt ishte shumë e fellë dhe nga ky shkak dhe shtoheshin anëtarët e rinj të kollonisë dita me ditën.

Kryetarët e Stambollit, kishin gjetur barin shëronjës të plagës së kombit shqiptar: bashkimin e shenjtë. Dhe për t’a ungjillizuar këtë bashkim, me tërë shënjtërinë që kërkonte, ata kishin dhe tërë virtutat.

Prandaj dhe sot si ahere dhe si përhera, ata që me afsh e duan Vëndin, siç e kanë dashur dhe siç do t’a duan, mbajnë për zemre gjithnjë Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë e bashkimit vëllazëror të të gjithë Shqiptarëve, që është Shqipërija e Naim Halit Frashërit, e Jan Vreto Postenanit, dhe e Pashko Vasë Pashë Shkodranit. 

Përkrah me kujdesimin e pafjetur të kryetarëve të Stambollit , ritej në Bukuresht, më shumë nga gjallërija vetijake e Shqiptarëve të këtushmë sesa prej shpirtëzimit tërthoras së andejmi, dhe nevoja e Kollonisë për  të pasur Shoqërinë-domethënë nisjativën dhe vepërimin krejt të pavarur të vetin. Anëtarët e Kollonisë deshin t’i përvishen punës një-her-e-mirë nga vetëvetja e tyre dhe jo ashtu dyke u hequr zvarë mengadal, ose dyke pritur udhëzime nga Qëndra. Pret i mefshti jo njeriu i pajosur me temperament. Kjo gjindje e solli çështjen ashtu që tashi të gjithë në Bukuresht kërkonin të organizoheshin në liri, të punojnë të lirë, sepse ndjenin kësisoj me lirinë e vepërimit vajtja e përpjekjeve të tyre për Atdhe do dilte më e dobishme.

Lëvizja e çlirimit kishte harirë në kulm, dhe pregatitjet për një Mbledhje të madhe qenë mbaruar. Po qarkullonte parola e përgjithëshme se shoqërija e Bukureshtit do bëhet autoqefale.

E vërteta istorike është, siç pamë në radhët më lart, se autoqefalija e Shoqërisë Shqiptare të Kollonisë në Bukuresht ishte fakt i mbaruar që përpara përzjerjes së Stambollit me anën e Jan Vretos. Shënuam aty paras një ngjarje të Bukureshtit, me plot kuptim për mëndësinë dhe gatishmërinë patriotike të shqiptarëve të atjeshmë: Shoqërija Kombëtare e Kollonisë qe themeluar zyrtarisht në Bukuresht që më 30 të Vjeshtëssë Parë 1879, siç thamë me kryetar Vangjel Geço-Korçën dhe arkëtar Llazar Andon-Kolonjën; domethënë përafërsisht dy vjet më parë se të vijë në Bukuresht nga Shoqërija e Stambollit me mision Jan Vreto Postenani, aty si nga fundi i vitit 1880, dhe se sa të bëhet, siç është dokumentuar, e para mbledhje për një Degë Shoqërije në Bukureshtmë 1881, 18 korrik – edhe kjo në shtëpinë e kryetarit të Shoqërisë së parë Vangjel Geços.

Mbledhja e madhe e paralajmëruar u bë me të vërtetë pa as më të voglin vonim më 27 Dhjetor 1884, dhe u themelua zyrtarisht Shoqërija e pavarur-autoqefale-e Kollonisë Shqiptare të Bukureshtit me kryetar plakun milionar Anastas Avramidhi Lakçe-Korçën; ky, i pari mi të gjithë, fali një sumë prej dy-qind napolonash që në krijim të Shoqërisë, kur u mblothnë më tepër se pesë-mbëdhjetë-mijë franga ar. Si pas Kanunores origjinale, Komiteti nënë kryesinë e Lakçes ka qënë i përbërë prej veteranëve të poshtëshënuar:

Nënëkryetar: Kostandin Eftimiu-Drenova; shkronjës: Vasil Kanash-Frashëri dhe Gjergj Vangjel Geço-Korça; pleq: Vasil Abdulla-Dibra, Gjergj Doko-Korça, Spiro Eftimiu-Drenova, Abdrea Mborja dhe Irakli Duro-Drenova; kqyrtarë të punës: Kostandin Naumesku-Drenova, Llazar Duro-Drenova dhe Vangjel Geço-Korça.

Emëri i Shoqërisë i pranuar midis enthuziazmës me zëra të përbashkëta u vendos të jetë Drita, simbol i ndritjes që sot e tutje të popullit shqiptar nga errësira shekullore.

Përveç kryetar Lakçes dhanë njëkohësisht sumëra të mira të hollash dyzet-e-nëntë anëtarë nga më të flaktit, midis tyre vëllazërija Hr.Tërpo tre-qind franga, Vangjel Geçua-kryetari i shoqërisë më së parë së Bukureshtit më 1879-dyqind, Sotir Manua dy-qind, Anastas Raci një-qind-e-pesëdhjetë, vëllazërija Vasil Marko një-qind, Vasil Hr. Kosma Bermashi një-qind, Themistokli Geçua një-qind, Gavril Pema një-qind, si dhe dy atdhedashës të fisit Vreto- Gjergj Vreto dhe Kostandin Vreto-me kamje lëndore të vogël po me shpirt shqiptari të math, nga një dhuratë sicili.

Një gëzim dhe një fryme e re gjallëronjëse i-u hyri tashi për zemre gjithë atyre që ishin prganizuar në këtë shoqëri më-vete, mbledhjet ndiqnin njëra tjetrën, dhe dëshira më e parë e tyre ishte: të shtypen libra shqip, të shtypin libra shqip, të ndërtojnë  një shtypëshkronjë për të shtypur sa më parë libra shqip.  

(PJESA E PARË)

Filed Under: Featured Tagged With: i Shqiptarëve të Rumanisë, Lasgush Poradeci, Veprimi Kombëtar

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT