‘ Ese’ në shërbim të demokracisë/NGA FILIP GURAZIU/*Dy konceptet e mësipërme, arroganca dhe vetëkënaqësia bashkjetojnë së bashku duke formuar një unitet deri ne simbiozë, i treti, vetëizolimi, përceptohet si pasojë e dy të parëve.
Po le ti analizojmë sipas radhës duke filluar nga përkufizimet që i gjejmë te fjalori i gjuhës shqipe: arroganca; ‘ Sjellje e vrazhdë, e pakulturuar; qëndrim përbuzës e mospërfillës kundrejt të tjerëve, trajtimi i të tjerëve me mendjemadhësi e në mënyrë fyese.’ , kurse vetëkënaqësia; ‘ Kënaqësia e veçantë që ndien dikush për atë që ka bërë a që ka arritur; prirje e dëmshme për t’u kënaqur me atë që kemi bërë dhe për të mos luftuar për arritje të mëtejshme; të qenët i kënaqur me vetveten.’
Një pushtetar arrogant dhe i vetëkënaqur dallohet lehtësisht në mënyrën si sillet ai në punë, shoqëri dhe familje.
- Trajton të tjerët si inferiorë në formim, gjykim, në punë etj.
- Sillet në jetë me krenari dhe mendjemadhësi, populli me tallje këtë kategori e cilëson si ‘dija e pambarueme’
- Edhe kurë merr pjesë në diskutime të fushave që nuk i përkasin formimit profesional të tij, “ai gjithënjë jep mënd” dhe përcakton vijën e diskutimit duke përcaktuar konkluzionin.
- Merr vëndime pa kolegjialitet, sepse është i bindur në supremacinë intelektuale të tij .
- Dëshiron të rrethohet nga njerëz mediokërr dhe servilë, sepse me to “ndihet mire”.
- Duke patur besim të pamasë në aftësitë e tija emëron në detyra të rëndësishme personazhe të klanit të tij, por që nga profesioni nuk kanë apak lidhje me detyrën që mbulojnë.
- Akuzon te tjerët pa patur fakte, sepse ka besim të pamasë te intuita e tij…
- Është xheloz për ato që kanë vlera intelektuale dhe për këtë arësye nuk i afron dhe nuk bashkëpunon me persona me dinjitet, që kane personalitet dhe kulturë të gjërë.
- Është vazhdimisht në kontradiktë me vetëveten dhe në intimitetin e tij paraqitet meskin, frikacak dhe oportunist.
- Çon zërin me njerëzit e thjeshtë dhe paraqitet pamasë i sjellshëm, i dashur dhe servil atu ku ka interes dhe sidomos ndaj eprorëve.
- Kërkon të duket gjithënjë si “shpëtimtar’ për zgjidhjet që ofron, për të cilat kërkon me këmbëngulje autorësinë.
- Nuk është mirënjohës ndaj shokëve të jetës dhe kolegëve të punës.
- Kërkon të evidentojë, vënd e pavënd aftësitë e tija “ të veçanta”
në të gjitha fushat…
- Bën çmos që foto e tij të jetë sa më frekuente në mediat e
shkruara dhe të shpalosë aftësitë e tija në programe televizive.
- I kushton një rëndësi të madhe ‘lukut’ të tij dhe për këtë bën tualet të veçantë duke angazhuar edhe profesionistët e fushës etj., etj……
Por ç’është vetëizolimi? Sipas fjalorit të gjuhës shqipe ‘ izoloj’ do të thotë Veçoj; mbaj të veçuar dikë; e shkëput krejtësisht një vend nga vendet e tjera, bëj që të mbetet i vetmuar, pa lidhje e marrëdhënie me vendet e tjera..
Pushtetari arrogant dhe i vetëkënaqur, autoizolohet ose vetëizolohet nga shoqëria e tij që e ka rrethuar, e ka shoqëruar dhe e ka vëndosur në pushtet si dhe nga masa e gjëre e elektoratit që e ka votuar, pa e kuptuar as ai, se si, dhe se ç’po bëhet ! Eshte vetë mënyra se si ai sillet, mendon, vepron, punon që, le te themi, automatikisht e izolon ! Me qenë se është i vetëkënaqur nga vetja si dhe nga pushteti që ushtron ndaj të tjerve i krijohet ‘bindja e rreme’ se ai ndoshta paska pasë qenë i caktuar nga “ lart, apo qiellorët ” për të drejtuar masën…! Ky izolim dhe kjo shkëputje nga realiteti shtohet së tepërmi nga rrethi i personazheve mediokërr dhe servilë që e rrethojne në çdo moment të veprimtarisë se tij. Në një kuptim, një pushtetar arrogant dhe i vetëkënaqur bëhet viktimë e vetëvehtes së tij, gjë që sjell izolimin nga bota që e rrethon dhe realiteti. Në këtë kontekst mbetet gjithënjë si shëmbëll dhe aktuale filozofia e veprës ‘Pallati i ëndrrave ‘ i shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
Me të drejtë ndonjë lexues, mund të mendojë; more sa hall që paska patur shkruesi i këtij shkrimi për pushtetarin e izoluar, pasi një fjalë e urtë na mëson se “koka bën, koka pëson…” ; “ dreqi pra ta hajë pushtetarin arrogant, që prej vetëkënaqësisë vetëizolohet…!”
I nderuari lexues, problemi nuk është aq i thjeshtë sa ç’duket ! Më mirë se kushdo ne shqiptarët e dijmë se çdo të thotë ‘vetëizolim’ të cilin e kemi vuajtur në “lëkurën tonë” për gjysëm shekulli… Në një shikim më të gjërë pushtetari me karakteristikat e mësipërme jo vetëm që dëmton vetëvehten , partinë dhe elektoratin e tij, por e keqia më e madhe është se ai dëmton një popull të tërë, pasi me veprimet e tija pengon zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies. Situata të tilla mbijnë dhe rriten shëndetëshëm në sistemet diktatoriale, por gjithashtu dallohen edhe në vënde me nivel të ulët ekonomik dhe në shoqëri me demokraci të pakonsoliduar si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Turqia etj. ,
Mbetet detyrë e partive politike, shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura që të reagojnë me vëndosmëri ndaj dukurive të mësipërme. Zoti i një shoqërie demokratike është ligji, i njëjtë për të gjithë dhe në ndihmë të atyre që ndodhen në nevojë. Ligjin e bëjnë profesionistët e kualifikuar, është detyra e tyre që me ligj, të kufizojnë sa më tepër mundësinë që individi të degjenerojë cilësisht aq sa të bëhet negativ për tërë shoqërinë. Individi, ka qenë, është dhe do të jetë, vulnerabël ndaj “shkarjeve ligjore”, duhet të jetë ligji, ai që ta detyrojë individin që të lëvizë sipas binarëve të demokracisë. Rrugë tjeter nuk ka ; shoqëria shqiptare dhe jo individi, duhet të ndërgjegjësohet se është ajo që e ka për detyrë konsolidimin e demokracisë.
Shpresoj dhe besoj që ky shkrim, mund të ndihmojë ( sadopak ) për të përmirësuar opinionin dhe këndvështrimin që kemi ndaj shumë personazheve “ te ndritur” të jetës politike.
- E dergoi per Diellin, vete autori. Redaksia e Diellit e falenderon z. Guraziu, per bashkepunimin e vazhdueshem.