Ndeshja u mbyll, vazhdojne diskutimet ne studiot televizive, ne gazeta dhe rrjetet sociale. Ah, sikur! Cfarë? Sikur kuqezinjtë të kishin qëndruar edhe 4 minuta! Mirëpo ajo që po e parandjenim të gjithë, … dhe të luteshim të mos ndodhte, na ra si bombë, norvegjezi më shtatshkurtër, gjuan i pambuluar brenda zonës dhe ëndrra për fitore kthehet në zgjëndërr. Ka vetëm barazim, edhe pse luajmë me treqendërmbrojtës pas nxjerrjes së Salihit dhe zëvëndësimin e tij më mbrojtësin Osmani. Pjesa e dytë s’ishte si e para, skuadra e ndjeu lodhjen,madje dukej e sfilitur
***
Valdet Rama ka qenë protagonist i Kombëtares shqiptare, në barazimin 1:1 ndaj Norvegjisë, në ndeshjen e zhvilluar sonte në stadiumin ‘Qemal Stafa’, e vlefshme për kualifikimet për Botërorin 2014.
Mesfushori kosovar ndihet i lumtur për golin, por e zhgënjen rezultati, pasi që Kuqezinjtë po udhëhiqnin deri në minutat e fundit dhe ishin shumë afër një fitoreje mjaft të merituar.
“Kemi bërë një lojë të mirë, kemi qenë 1:0 deri në fund. Kemi pasur raste të shkonim në 2:0, por fatkeqësisht e morëm golin në fund”, deklaroi Rama pas ndeshjes së dytë të tij me Kombëtaren.
“Normalisht, për mua është një ndjenjë shumë e mirë që shënova gol, kështu që do ndihej çdo lojtar. Por, një fitore eventuale do të më sillte ndjenja shumë më të bukura. Jam shumë i kënaqur që e ndihmova skuadrën me këtë gol”, vazhdoi futbollisti i Real Valladolidit.
Pas gjashtë xhirosh të zhvilluara, Shqipëria gjendet në pozitën e dytë me 10 pikë të grumbulluara, një më pak se kryesuesi Zvicra. Rama beson ende në kualifikim.
“Jemi në vendin e dytë, e cila është një pozitë shumë e mirë për momentin. I kemi edhe ndeshjet tjera, do të luftojmë, duhet ta japim maksimumin dhe duhet të besojmë deri në fund”, përfundoi Rama, i cili ia kushtoi golin djalit të xhaxhait të tij.
De Biasi: Është për të ardhur keq, humbëm dy pikë
Gianni De Biasi ndihet keq që Kombëtarja shqiptare e pësoi një gol që mund të evitohej në fund të ndeshjes me Norvegjisë, me të cilën barazoi 1:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në Tiranë.
Kuqezinjtë udhëhoqën deri në fund të takimit, kur e pësuan një gol, i cili ia mohoi dy pikë.
“Është për keqardhje, pasi mund të fitonim me rastet që patëm, një të pastër në pjesën e parë dhe një në të dytën me Salihin. Ju krijuam probleme atyre, ne po rritemi. Mendoj se ne humbëm dy pikë, me atë që e dhamë në fushë”, deklaroi trajneri italian pas ndeshjes.
“Megjithatë, besoj që skuadra bëri ndeshje të mirë, dha gjithçka që kishte. E vetmja e keqe është që luajtëm në qershor, në fund të sezonit, ndërsa ata ishin më të freskët, sepse e kanë nisur sezonin para katër muajsh. Përgjithësisht jam i kënaqur me paraqitjen”, vazhdoi De Biasi, i cili tha se në pjesën e dytë ekipi i tij pati një rënie, me ç’rast e pagoi këtë në fund.
Ai e përmendi faktin se Shqipëria e ka pësuar vetëm një gol në tri ndeshjet e fundit, fakt të cilin e vlerësoi lartë, ndërsa shpreson që edhe në ndeshjet e ardhshme Kuqezinjtë të pësojnë pak gola.
Ai beson se Shqipëria ka të ardhme të ndritshme, pasi ka grup të lojtarëve të talentuar, të cilët sipas tij mund të rriten dhe mund të japin gëzime edhe më të mëdha në të ardhmen për vendin.
Ai ndihet mjaft i kënaqur me lojtarët që zbritën në fushë, duke i zëvendësuar mungesat, por e shqetëson vetëm forma fizike, e cila ndikoi në këtë rezultat.
***
Kuqezinjtë kanë qenë në avantazh deri në minutën 87, por një pakujdesi në mbrojtje lejoi lojtarin më shtatshkurtër të norvegjezëve të shënonte me kokë golin e barazimit 1-1.
Kombëtarja jonë kaloi në avantazh në fund të pjesës së parë (41’) me autor Valdet Ramën, i cili depërtoi nga krahu i majtë dhe goditi me të djathtën brenda zonës, duke mposhtur portierin norvegjez. Në pjesën e dytë, kombëtarja u mbrojt shumë mirë dhe kur dukej se gjithçka do të përfundonte me fitore, Norvegjia arrin të barazojë, duke shfrytëzuar pikën e saj më të fortë: goditjet standarde. Por, nuk ishte asnjëri nga shtatlartët lojtari që na ndëshkoi, por ai më shtatshkurti i ekipit, Tomas Hogli. Krosimi i Henrikssen nga këndi gjeti pikërisht numrin 2 të Norvegjisë, i cili gjendej krejtësisht i vetëm në qendër të zonës dhe me kokë mposhti Ertrit Berishën.
Jemi sërish në vendin e dytë. Shqipëria, ngjitet në kuotën e 10 pikëve në grupin E të eliminatoreve të Botërorit “Brazil 2014”, duke mbajtur vendin e dytë, pasi Islanda u mund brenda në shtëpi nga Sllovenia me rezultatin 2-4. Eshtë me të vërtetë për të ardhur keq për mënyrën se si erdhi ndëshkimi në minutën e 86-të, kur një mbrojtës shtatshkurtër norvegjez, i dalë në ndihmë të skuadrës së vet, shfrytëzon hezitimin e mbrojtjes sonë dhe barazon shifrat. Një ndëshkim që na kujton kohët e vjetra në fakt, kur e pësonim në fund. Megjithatë, barazimi nuk i mbyll rrugët e Shqipërisë për Botërorin 2014, teksa e sheh veten në kuotën e 10 pikëve, një më pak se Zvicra e kreut të grupit tonë. Natyrisht, pjesa e mbetur e garës do të jetë tepër e vështirë për vetë faktin, se do të luajmë tri ndeshje në transfertë dhe një të tillë në shtëpi. Tej asaj që u zhvillua në kuadratin e blertë mes dy skuadrave ndërkombëtare “Qemal Stafa” kishte marrë vëmendjen e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë e punojnë, brenda dhe jashtë kufijve. Përveç atyre 17 mijë tifozëve që kishin siguruar një biletë dhe patën fatin ta përcillnin këtë kualifikuese “live” nga shkallët e stadiumit, miliona të tjerë mbajtën frymën para ekraneve televizivë. Ishte momenti i së vërtetës, një sfidë kyçe dhe tepër përcaktuese për këtë fushatë kualifikuesesh të kuqezinjve tanë.
Stadiumi “Qemal Stafa”, aty ku u luajt ndeshja Shqipëri-Norvegji, ka marrë vëmendjen e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë e punojnë, brenda dhe jashtë kufijve. Përveç atyre 19 mijë tifozëve që kanë siguruar një biletë dhe kanë fatin ta përcjellin këtë kualifikuese “live” nga shkallët e stadiumit, miliona të tjerë mbajnë frymën para ekraneve televizivë. Eshtë momenti i së vërtetës, një sfidë kyçe dhe tepër përcaktuese për këtë fushatë kualifikuese të kuqezinjve tanë. Një fitore ndaj Norvegjisë do të thotë një hap tjetër i madh drejt përmbushjes së ëndrrës së madhe, shkuarjes në finalet e Botërorit 2014, ndaj entuziazmi i tifozëve është i madh dhe i justifikueshëm. Të pranishëm në tribunën VIP është edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.