Shkruan: VIOLETA ALLMUÇA */
Momenti në të cilin gjendemi, sidomos lidhur me vlerat e mirëfillta letrare, është nga më të vështirat sa i përket mundësive të botimit, njohjes dhe vlerësimit të saj. Botimet serioze, pra vlerat letrare, si dhe autorët që prodhojnë shenja të mirëfillta estetike, gjenden të rrezikuara seriozisht, gati-gati për të humbur komunikimin me lexuesin dhe studimet serioze.
Rrethana e krijuar, pra ajo që theksuam hapur, moskomunikimi me lexuesin, lidhen me një mori shkaqesh që kanë të bëjnë me humbjen e vëmendjes ndaj letërsisë shqipe. Letërsia shqiptare në përgjithësi dhe sidomos ajo e vlerave të mirëfillta gjendet realisht e rrezikuar, përveç të tjerash për këto arsye:
Së pari: Përqëndrimi i vëmendjes vetëm tek letërsia e huaj, pra tek përkthimi i saj, pavarësisht se ky ka ardhur në shumicën e rasteve me 1001 probleme, dhe, lënia jashtë vëmendjes, sidomos e letërsisë së periudhës së tashme, pra e prodhimit letrar të këtyre viteve.
Së dyti: Letërsia në mjediset tona, gjithnjë e më shumë, po tentohet të paraqitet si letërsi e tipit “Bestseller” ose si letërsi që matet me shitshmërinë dhe jo nga vlerat, çka ka përbërë atë që sot letërsia serioze të jetë e rrezikuar. Në tipin e librave “Bestseller” përfshihen libra historik, letërsi me vlera të dyshimta, libra aventuresk, etj. Pra, tashmë mesa duket kjo lloj “letërsie” ka zbritur nën nivelin mesatar, çka e bën letërsinë në tërësi një element klasifikimi të padrejtë dhe pa estetikë.
Së treti: Autori shqiptar dhe letërsia shqipe, veçanërisht ajo serioze dhe me vlera gjendet e rrezikuar edhe prej shkaqeve ekonomike, sepse tashmë në praktikën e botuesve shqiptarë, gati është bërë rregull botimi i librave duke paguar autorët që në fakt është një kambanë alarmi mbi fatin e letërsisë shqipe, mbi fatin e vlerave të kulturës shqiptare në përgjithësi.
Së katërti: Në këtë periudhë ka një prirje të shumë individëve, moshave dhe profesioneve të ndryshme, që të merren me shkrime librash të karakterit historik, kujtime, enciklopedik, letrar, ndonëse autorët vijnë nga profesione të ndryshme dhe për fatin e keq, sot, lexuesit janë të paktë.
Megjithëse, arti i të folurit dhe të shkruarit është i lirë, sidomos, kur bëhet fjalë për letërsinë duhet që në fill të saj të lidhet mendimi kritik ose krahasim i vlerave estetike, që e dallon një vepër letrare. Nuk është për t’u habitur se qysh në kohën e lindjes së artit dhe të letërsisë në veçanti, kur libri i shkruar u kthye në shërbim të njerëzimit fillojë të lulëzojë edhe mendimi kritik në botën dhe terrenin letrare. Le të përmendim këtu Francën, Spanjën, Italinë, Austrinë, etj. ku rolin kryesor e merrnin vlerat e vërteta, ato vlera që njerëzmi realisht i vlersonte për vlerat artistike e estetike.
Në kritikën tonë letrare, vihet re me shqetësim, që vlerat i marrin dhe antivlerat. Shfrytëzimi i mediave për të rritur vlerat e dyshimta ka bërë që sot të kemi një letërsi të “lustruar” nga një kritikë e padenjë. A është sot në krizë kritika jonë letrare? A është sot kritika letrare një reflektim i letërsisë mbi vetveten? A po promovohet letërsia e mirëfilltë apo një lloj letërsie jashte vlerave letrare?
Fjala dhe letërsia brenda vetes, duhet të jetë pak më e normativizuar. Edhe pse kemi folur dhe nuk kemi mohuar ekzistencën e kritikës së mirëfilltë letrare, nëse e marrim këtë si një ankim, ka disa krijues që e marrin mungesën e kritikës si “vërtetim” melankolik i realitetit letrar, kulturor dhe artistik. Po ndodh që edhe ata që mbahen sot si kritikë të një vepre letrare, dhe për hir të vërtetës mund të themi se janë në një përfaqësim të vogël, shfaqin mendime në rrethe të ngushta, duke i bërë në veçanti krijuesit e rinj që posa kanë filluar të hedhin hapat e parë në letërsi, ta ndjejnë veten të “lartësuar”. Në faqet e kulturës, të gazetave shqiptare, në të dy anët e kufirit Kosovë, Shqipëri, gjen gjithfarsoj shkrimesh për librat e botuara. Por në këto shkrime nuk ka asgjë të ngjashme me analizën artistike të një vepre letrare, përveç një profili të vakët të shikimit të librit në veçanti dhe fenomeni i çuditshëm i theksimit se ky autor ose autore po vjen si një “zë” i ri, me këtë apo atë risi e nivel artistik, që nuk mund të quhet asesi një vepër e arrirë vetëm me “gjykimin” e gazetarëve, ose pseudogazetarëve “lajkatarë”. Ndoshta ky informacion viziv apo i shkruar sipas mendimit informativ të gazetarëve të kulturës, në vend të fillimit të përfaqësimit të letërsisë së vërtetë të çdo autori, ofrojnë atë që në ditët e sotme quhet “prodhim” mediatik të një vepre e cila nuk ka lidhje me shkrimin letrar. Leximi i veprave të tilla, ende pa ditur vlerat e tij artistike dhe estetike, nuk ka sjellë asgjë të re nga funksioni letrar apo më keq ka sjellë mediatizimin e grupit. Ka shkrimtarë që librat e tyre artistikë i promovojnë me audiencë politikanësh, analistësh politikë, të gjithfarsoj ideve politike. Mund të ndodhë që edhe politikanët të lexojnë letërsi, por nuk mund të ndodhë që analistët politikë që bëjnë analistin e partive reciproke të bëjnë analizën e librit duke i thurur “lavde” shkrimtarit dhe librit të tij, pa mendimin e vyer të kritikut që ndoshta do t’i jepte vlerën e duhur veprës letrare..Ky është një promovim për të fituar mediumin e tyre, pra për të pasur përkrahjen e politikanëve që ndoshta nuk dijnë të bëjnë as politikën e drejtë ndaj letrave shqipe në përgjithësi dhe shkrimtarëve apo institucioneve të tyre me librin e jo më të flasin për artin dhe letërsinë. Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në Europë ku nuk ekziston asnjë institucion i shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë. Vetë letërsia dhe arti duhet të mos bëhen shtojcë e rolit dhe medias politike. Duke hyrë në klanet e politikës, letërsia nuk e gëzon më të drejtën në shërbim të misionit të saj për të përcjellë tek lexuesit vlerat artistike dhe estetike.
Në projektet e shtëpive botuese për publikimin e librave në të ardhmen mund të merret
parasysh edhe mendimi i kritikut letrar ashtu siç ndodh në vendet e tjera të botës së zhvilluar
letraro-artistike ku për çdo libër para se të botohet dhe të dalë në treg jepet mendimi i
specializuar i kritikës letrare, pra vlerat e veprës letrare. Kjo është e e domosdoshme edhe
për ne që të lexojmë libra të mirë me vlera artistike dhe estetike. Kjo është po aq e
rëndësishme edhe për një letërsi mbarëkombëtare.
Pa një analizë të thellë të veprës letrare, zor se do t’u japim të drejtën shkrimtarëve të vërtetë, aq më pak të rinjve, që në radhë të parë duhen falenderuar sepse kanë marrë penën dhe vetë kohën e tyre për të shkruar. Përpjekjet e tyre për të bërë atë çka është më e mirë, “sipas vetes” dhe jo sipas vlerave që sjellin, pra krijimin e vlerave të mirëfillta, qoftë nga leximi i tekstit, analiza e veçantë e kritikut, sjell tek lexuesi të bukurën për të gjithë dhe jo vetëm për një “kor” të vogël.
Ai që analizon, që sjell mendimin kritik letrar ose krahasues për një vepër letrare pa vlera, me një vepër tjetër të një autori të vlerësuar në kohë dhe hapësirë nuk bën asgjë më shumë përveçse e “përkëdhel” një krijues. E njëjta situatë ndodh edhe kur e vlerëson veprën e dikujt “si një vepër pa art”, ose një vepër e zakonshme me vlera të vakëta estetike. Ndonjëherë mendimi i kritikut shihet si i “gabuar”, zemëron autorin që nuk pranon kritikën, dhe shpall luftën ndaj kritikuesëve duke i nënvlerësuar ata si individë, kinse u mungon niveli i duhur mbi kulturën e vlerësimit.
Kjo gjë vihet re sot në mungesën e shkollës së kritikëve dhe shpërfaqjen e gazetarëve të kulturës që më së paku duhen përgëzuar se informojnë median e shkruar dhe vizive për daljen në dritë të librave të rinj. Megjithë dëshirën e tyre të mirë, ata nuk mund ta bëjnë dot rolin e kritikut të mirëfilltë për një vepër letrare sepse të flasësh për konceptin e kritikës duhet në radhë të parë të kesh “esencën” e kritikut.
Mënyra e të thururit “lavde” pa kuptim, pa vlera artstike dhe estetike, të çfarëdolloj botimi, që hidhet në treg në periudhën e tashme i ka bërë keq vetë letërsisë. Nëse ballafaqohesh sot me stendat e librave vihet re, që jo vlerat kanë zënë vendin, të cilin nuk e meritojnë, një meritë që nuk ka lidhje me të sotmen e letërsisë shqipe por edhe me të ardhmen e saj. Lulëzimi i një letërsie të plotësuar lidhet po aq ngushtë me një kritikë të plotësuar, pa e instrumentalizuar konceptin letrar në tërësinë e veprës së mirëfilltë.
Kritika letrare edhe pas viteve 90-të vazhdon të na shfaqet si diçka e padukshme, në gjithëpërfshirjen e dukshme të letërsisë së tashme, prozë, poezi, arte figurative apo gjini të tjera. Më keq akoma, mund ta quaj, humbje të misionit dhe fuqisë së saj. Pa lënë mënjanë atë çka është arritur në periudha të kaluara, ose ndonjë përpjekje impulsive në kohën e sotme, mesazhet e kritikës së vërtetë mbi tekstin letrar kanë shterur. Në një numër marramendës botimesh të reja të viteve të fundit ka fare pak analiza serioze të krijimeve letraro-artistike. Kjo do të jetë një mangësi e mëvonshme që do të ndikojë në cilësinë e vërtetë të veprave të mirëqëna që sigurisht duhet të mbartin vlerat leximore. Vepra pseudoletrare të ngjizura për komercializëm nuk quhen vepra të vërteta. Ato janë të përkohshme në kohë, por asnjëherë nuk janë vlera të vetëdijshme letrare.
Unë personalisht nuk di si ta shpjegoj këtë paradoks. Tek ne nuk ekziston sistemi dhe shkolla e kritikës letrare dhe kritikës së artit, e cilia më bën të besoj se vlerat dhe antivlerat do të mbeten në hije, që do të thotë se as shkrimtarët dhe as kritikët nuk do të ballafaqohen me njëri-tjetrin për atë çfarë quhet vlerë e një vepre dhe antivlerë e një vepre të cilat duhet të ndahen nga njëra-tjetra vetëm nga kontributi i kritikës dhe lexuesit.
Ajo që më shqetëson më shumë është se ne nuk kemi studime të mirëfillta mbi kritikën bashkëkohore si një zhvillim i domosdoshëm për artin dhe ndikimin e tij në shoqërinë njerëzore. Po ashtu një mungesë e tillë do të ndikojë edhe në vendosjen reale e korrekte të hierarkisë së vlerave të dëshmimit të saktë të veprave letrare. Ky fakt do të sjellë diçka të padëshirueshme në njohjen e krijmtarisë së re në letërsinë bashkëkohore. Kujtesa për një mendim realist, rreth asaj çka i duhet çdo epoke për të vlerësuar si duhet veprat letrare më shtyn të besoj se gjithçka mund të mbulohet me heshtje. Do të ishte njësoj si të përsëritej rituali i harrimit të kohës, përjetimit dhe tranzicionit kulturor. Me duket se edhe disa përpjekje jo profesionale, për arritjet apo mosarritjet në zhvillimet e reja letraro-artistike kanë mbështetje klanesh në median e shkruar dhe vizive që kthehet në një akt komercial dhe aspak si një libër me dëshmim vlerash realiste. Sa për hierarkinë e vlerave besoj se ajo ka mbetur në vend ose aty ku ishte në të shkuarën. Mendoj se vetëm fryma e kritikës së vërtetë mund ta nxjerrë letërsinë dhe artin shqiptar nga hullia ku ka mbetur. Deri atëhere, le te presim shpërblimin e vetëhumbjes. Në pikëtakimin me të ardhmen, duke dimensionuar vlerësimin artistik nëpërmjet vlerësimit kritik, nuk duhet të harrojmë rolin e artit dhe letërsisë së mirëfilltë në shërbim të qytetërimit.
*Shkrimtare, Studiuse. Violeta Allmuca eshte autore e 7 librave, 2 prej tyre me poezi. 4 romane(Era e Pasionit, eshte pritur shume mire nga kritika)-Ka shkruar nje liber publicistike ”ZE GRUAJE”. Kritika letrare ka shkruar per krijmtarine e saj si zeri me i njohur pas viteve 90-te. Gjithashtu merret edhe me kritike letrare. Me kete shkrim nis bashkepunimi i shkrimtares dhe studiuses me gazeten Dielli)