• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VITET E INTERNIMEVE

August 27, 2020 by dgreca

NGA Elena Gjika Merlika-Kruja-    

                Kam jetuar 47 vite në kampet e internimit, nga Tepelena në Vlorë, kantieri 216, nga Tirana, Kampi n.3, në Lushnjë,  Gradisht,  Pluk, Savër e së fundi në Grabian, kampe pune e dëbimi. Isha e huaj, italiane, e diplomuar, por kam punuar me ato gra e vajza shqiptare që më mësuan se si vihej barra e druve mbi shpinë, se si mbatheshin opingat prej lëkure derri, që habiteshin si jetonja, flisnja, merresha me problemet e tyre kur më kërkonin ndonjë këshillë, por më shfaqnin  dashuri e më jepnin  kurajo,  kemi kaluar një jetë të tërë.Kalonin vitet në kampin tonë, gjithmonë mes punës e gazermës, mes sëmundjesh e mungesash të çdo lloji. Sa shumë vuanin të moshuarit dhe të sëmurët, nëpër çfarë torturash kalonin, kuptohej kur të tregoheshin kushtet higjenike në të cilat jetohej. Nevojtoret, dhjetë gjithsej për dymijë vetë, ishin larg rreth dyqind metro. Natën duhej shkuar deri atje, edhe duke qënë të sëmurë apo të pamundur, në të kundërt dënimi ishte çnjerëzor: njeriut i varej në qafë një kanaçe me jashtëqitje dhe detyrohej të vinte vërdallë nëpër kamp një ditë, dy, tri, deri sa  t’a quanin “t’arsyeshme” xhelatët tanë. Ishte për të qarë e për të qeshur ajo tragjedi e tmerrshme!

            Ishte viti 1952, kishte tre vite që ishim “mysafirë” në Tepelenë. Jetonja me vjehrrën dhe djalin tim, dukeshim një trup i vetëm dhe një shpirt i vetëm. Im shoq, që ishte dënuar me 15 vjet pune të detyruar si “armik i popullit”, ndiqte kalvarin e tij në kampet e tmerrshme të Maliqit, ku të burgosurit duhej të thanin kënetën me krahë e jo me mjete  mekanike. Kanale gjigandë, që duhej të çonin drejt detit ujrat e shumta të kënetës, për të liruar qindra mijra hektarë toke, ky ishte objekti i punës së “armiqve të popullit”. Për vite të tëra nuk jemi parë, ndonjëherë këmbenim pak rrjeshta, kur e lejonin, për t’u siguruar se ishim gjallë.

            Erdhi pranvera, malet u veshën me gjineshtra, shumë gjineshtra me ngjyrën e verdhë dhe me aromën e tyre. Stina e bukur duhej të na jepte pak ngushëllim e më shumë fuqi në punën tonë. Ndërsa për ne ishte fillimi i një ankthi: nisnin shpërnguljet për arsye pune. Të tjera kampe na prisnin, të tjera mundime, të tjera “plane” të regjimit komunist, për t’u sendërtuar “për të mirën e popullit”, nëpërmjet vuajtjeve dhe poshtërimeve tona.

            N’atë vit i gjithë Vendi u godit nga një epidemi shumë e rëndë gripi, që pati viktima të shumta, dhe mund të merren me mënd pasojat për Tepelenën, ku mungonte çdo lloj forme e ndihmës mjekësore, ku nuk kishte barna, ku ishte i ndaluar zjarri e vdisnin shumë, sidomos pleq e fëmijë. Mungesa e ushqimit, virusi që përhapej, të grumbulluarit n’ato gazerma, na katandisën në skeletër shëtitës; megjithatë duhet të ngriheshim çdo mëngjes e të shkonim në punë, kush mbeste në rrugë gjysëm i vdekur çohej në kamp nga dy shokë për krahu ose duke e mbajtur me rradhë në kurriz. U sëmurën rëndë vjehrra dhe djali; për mrekulli i shpëtova ngjitjes së sëmundjes, kështu që mund t’u shërbeja kur kthehesha nga puna e gjatë natës. Filluan të përmirësohen sepse Zoti i madh vuri dorën e Tij, mbasi nuk kishim asnjë mjet me përjashtim të një barishteje që e mblidhja në mal, e zjeja e me atë lëng të hidhur i jepja diçka të ngrohtë.

            Të ftohtit po pakësohej me kalimin e ditëve, afrohej maji dhe epidemia zvogëlohej si shtrirje e si rrezikshmëri. Në një ditë të bukur me diell u zgjuam të befasuar nga një sërë kamionësh të ndritshëm, me një grup të madh policësh që i shoqëronin e që drejtoheshin nga një oficer i ri, me një sjellje më pak t’ashpër nga rojet tona të zakonshme e më i edukuar. Vinte nga Tirana dhe duhej të përfaqësonte “me dinjitet” ata që e kishin dërguar. Atë ditë nuk shkuam në punë: u bë një mbledhje e përgjithshme në fushën e gjërë të kampit, ku u lexuan shifra e të dhëna mbi realizimet e mëdha të regjimit për “të mirën dhe përparimin e popullit”, programe të tjera pune e, si përfundim, lista me emrat e atyre që brënda një ore duhej të linin kampin e Tepelenës për arsye pune e do të shpërnguleshin gjetiu, në një drejtim të panjohur deri në çastin e mbrritjes në vëndin e caktuar.

            Një heshtje e plotë nga të pranishmit dhe një pritje me dridhje: së pari nevoja për tridhjetë  puntore gra, emri im i pari në listë, “në krye të klasifikimit”, më pas 29 të tjera; pastaj burrat për dy qëllime të ndryshme, njëqind me ne gratë, njëqind gjetiu. Me të thënë e me të bërë: brenda një ore dysheku i palosur e i lidhur, një valixhe druri në dorë e të gjithë në rrjesht para kamionave që duhej të ngarkonin më parë teshat e, mbi këto, tridhjetë vetë në secilin automjet. Të kota lutjet për të më zëvendësuar me ndonjërën që nuk kishte fëmijë. Dolën shumë gra të reja që ishin gati të zinin vëndin tim, mbasi kisha një fëmijë dhe vjehrrën të moshuar e të sëmurë. I luteshin komandantit të operacionit të më linte në Tepelenë me të dashurit e mij, por nuk qe e mundur. Nuk mund të harroj kurrë atë skenë: vjehrra, pothuajse një hije, që më shihte nga dera e gazermës së madhe, djali im që kacavirrej në spondën e maqinës e më thërriste, polici që i binte duarve të tij me qytën e pushkës, ai që binte por nuk epej dhe ne që ishim shtrënguar pranë njëra tjetrës mbi dyshekët në një heshtje varri.

            Na dhanë një racion bukë e një presh, ishte e mjaftueshme për një ditë! Lotët e vjehrrës, që kishte zëvendësuar nënën të cilën nuk e shihnja prej dhjetë vitesh, nuk do të shuhen kurrë nga kujtesa ime së bashku me zërin e hollë të fëmijës time “mama, mama”. Të tjera gra e merrnin me të mirë e më thonin të ikja e qetë mbasi do të kujdeseshin ato për të, se së shpejti do të bashkoheshim përsëri… Kollona e gjatë e maqinave u nis e pak nga pak u zhdukën shembëlltyrat e të dashurve tanë dhe pamja e atij kampi të mallkuar.

            U nisa dhe Tepelenën nuk e pashë më kurrë. Kaluam në kampe të tjera vite të gjata, vënde të ndryshme, por gjithmonë me një ankth që na printe e na përcillte: e panjohura e së nesërmes. Ç’do të bëhej me neve?

  Elena Gjika Merlika-Kruja    

Filed Under: Politike Tagged With: Elena Gjika-Kruja, Vitet e Internimeve

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT