-Qeveria e Kosovës e fokusuar në Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian/
-Kosova drejt statusit të kandidatit për anëtarësim në BE/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 3 Nëntor 2017/ Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të arriturat e deritashme dhe të gjeturat për vitin 2018 u diskutuan sot në mbledhjen e dymbëdhjetë të qeverisë së Kosovës, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.Në mbledhje u theksua se, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e lidhur në mes të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian është dokumenti më i rëndësishëm. Qeveria miratoi një draft të dokumentit të Axhendës për Reforma Evropiane për vitin 2018, i cili, siç u theksua, do të jetë vit i përmbushjes së Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. “Ky dokument do të drejtojë procesin e ecjes së Kosovës në procesin e integrimeve evropiane”, tha kryeministri Haradinaj.
Kreu i qeverisë kërkoi nga ministrat dhe të gjitha institucionet e vendit që të punohet shumë me fokus që deri në fund të vitit 2018 Kosova të aplikojë për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Prioritet kyç për vitin 2018 është axhenda evropiane dhe synimi është që Kosova sa më shpejt të merr statusin e vendit kandidatit për BE”, u shpreh kryeministri Haradinaj në mbledhjen e nisur që në orën 8:00 në një dinamikë të re pune e angazhimesh të qeverisë.
Në mbledhje u shqyrtua e miratua edhe Propozim-vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2017 të qeverisë së Kosovës.
Me vendimin e miratuar janë tërhequr 15 projektligje, mes të cilëve Projektligji për regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave në Komunat e Kosovës që nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011; Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës dhe Projektligji për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.
Me propozimin e ministrive përkatëse, Projektligjet e tërhequra nga Programi Legjislativ 2017 mund të barten në Programin Legjislativ 2018.
Kabineti qeveritar ka miratuar Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, që do të reflektojë ndryshimin organizativ e strukturor të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.
Është miratuar edhe Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Financave, sipas të cilës do të shtohet në kuadër të ministrisë edhe Departamenti për ndihmë shtetërore.
Qeveria ka themeluar Komisionin për analizimin e nevojës për formimin e Njësisë për Përkthim, i cili do të adresojë nevojën e ngritjes së kapaciteteve të njësisë së përkthimeve në përputhje me nevojat institucionale qeveritare.
Kabineti qeveritar ka shqyrtuar Raportin vjetor për gjendjen në shërbimin civil të Republikës së Kosovës për vitin 2016 si dhe Raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Republikën e Kosovës për vitin 2016.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 20 mijë euro, për organizimin e Turneut ndërkombëtar të boksit “Adem Jashari”.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar kabinetin për çështjen e trajtimit të kategorive sociale në Ligjin për sigurimet shëndetësore dhe bashkëpunimin me Bankën Botërore për të adresuar këtë çështje. Ndërsa Ministri i Administratës Publike ka njoftuar për vështirësitë që janë duke e përcjell punën e komisioneve për vlerësimin e punës së zyrtarëve të lartë drejtues.
Qeveria e re e Kosovës e zgjedhjeve të 11 qershorit, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.