Nga Minella Aleksi/
Ca kohë më parë kisha shkruajtur një mendim kritikë me titull “Inati dhe poshtërsia na mbajnë gjallë” në adresë të A. Vehbiut në lidhje me një opinion denigrues që ai shprehte ndaj shkrimtarit Kadare.(botuar edhe ne Dielli)
Atëhere z.Vehbiu nuk reagoi. E drejta etij. Mirëpo mbas një farë kohe për të njëjtin argument lexoava në gazetën Panorama një shkrim kritik ndaj z. Ardian Vehbiu nga një penë e njohur në letrat shqipe, z. Sadik Bejko.
Z. Bejko krahas të tjerave në shkrimin me titull “Çmimi britanik dhe shkrimtari Kadare” i kërkonte Z. Vehbiu që të prononcohej mbi akuzat e ashpra që z. Aleksi i drejtonte.
As kësaj here Z. Vehbiu nuk lëvizi nga llogorja e tij. Bëri të heshturin. Përpara një jave e kam kritikuar zotin Ardian Vehbiu lidhur me shkrimin e tij «Tradhtia e besnikëve».
Reagoi në mënyrë të menjëhershme me përpjekjen për të na bindur se shumica e lexuesve idenë e tij e kanë keqkuptuar. Nuk harroi të theksonte atë që rëndom e përdor si formulë justifikuese se shkrimin dikush pa leje ia ka marrë nga uebsiti i tij dhe e ka hedhur në të tjera blogje deri edhe te gazeta Express e Prishtinës.
Me këtë justifikim përpiqet që të shpërndajë disi ndjenjën e fajit. Do të thotë se nuk na qënka faji i atij që e ka shprehur mendimin në blogun e tij, fajtori është ai që shkrimin e ka marrë dhe e ka shpërndarë pa leje. Shumë naive. Në uebsitin e A. Vehbiut mund të shkojë kushdo, s’ka derë, të lexojë gjithëçka që publikohet aty dhe kjo qartazi duket që atij vet i pëlqen. Ndryshe do i vendoste derë e do e mbyllte me çelës për të pa dëshiruarit.
Kur ia do puna si në këtë rast zë e ankohet. Njëlloj si ai që nxjerr një krevat apo një tavolinë në anë të rrugës për tu marrë nga ndonjë nevojtar dhe të nesërmen fillon e ankohet deri në bashki se dikush ka marrë krevatin në anë të rrugës pa lejen e atij që e nxorri për tu marrë. Kjo lloj perdeje ndarëse e uebsitit e sajuar si valvul shpëtuese kur ia do puna, është tepër transparente për të mbajtur të fshehura ato mendime që vet z. Vehbiu është shumë i interesuar për tua bërë të njohura të tjerëve.
Dihet se sa e vështirë është të polemizosh me spekulantët. Të mësuar me dredhi, me fraza ekuilibruese, ata i shmangen përgjigjeve direkte, sajojnë çështje të paqena, e devijojnë diskutimin.
Kritikat e mija kanë qenë konkrete. Në këtë shkrim të Vehbiut, për të ilustruat tezën e tij për besnikërinë e shkrimtarëve ndaj komunizmit, ai ka interpretuar në mënyrë skandaloze, sipas meje, një episod fare anësor të romanit «Koncert në fund të dimrit». E kam kritikuar Vehbiun jo vetëm sepse «Koncerti» është një nga veprat më të vlerësuara të letërsisë në Shqipëri dhe në Europë, dhe në dhjetëra artikujt dhe studimet për të, askush nuk ka gjetur gjurmën më të vogël të «besnikërisë së autorit ndaj partisë». Në të kundërt, të gjithë, kanë vënë në dukje tablonë negative të komunizmit botëror, që jepet në këtë roman, arsye për të cilën ai është kritikuar e madje ndaluar për një kohë të gjatë, në vendin e vet.
Në reagimin e tij kundër meje A.Vehbiu nuk jep asnjë përgjigje për ato çështje që ngre unë. E kam kritikuar Vehbiun për krahasimin që ai bën midis dy shkrimtarëve tepër të shquar të Ballkanit: Ivo Andriçin dhe Kadarenë. Sipas meje, kur merresh me «gabimet» e tyre, është e padrejtë që të vihet shenja e barazimit midis Ivo Andriçit , që fatkeqësisht ka aprovuar doktrinën e Cubrilloviçit për zhdukjen e kombit shqiptar, me «gabimet» e Kadaresë, i cili s’e ka bërë kurrë një gjë të tillë për kombin serb.
Në reagimin e Vehbiut nuk ka asnjë përgjigje për këtë.
Në shkrimin tim kam trajtuar shpifjet shumë të rënda kundër Kadaresë, duke u përqëndruar te shprehja «jashtëqitja e kombit». Kjo nuk ka qenë vetëm punë shprehje. Sipas kësaj shprehjeje të sajuar e të përhapur nga Sigurimi shqiptar, shkrimtari Kadare iu kundërvu lëvizjes për emancipim të vitit 1990, duke hedhur baltë mbi pararojën e saj: refugjatët shqiptarë. Sipas meje, Vehbiu, në vend që të ndihmojë për sqarimin e kësaj shpifjeje, kundër së cilës jane dëshmitarë njëqind mijë banorët e Tiranës, i shmanget së vërtetës, duke e pranuar përgjysëm atë.
As për këtë A.Vehbiu nuk jep përgjigje në reagimin e tij me titull “Kur paguan autori”.
Vehbiu ankohet shumë për kritikat ad-hominem që i bëhen atij, por ai bën të njëjtën gjë kundër Kadaresë. Mendimi im ka qenë shprehur qartë se kryesorja tek një shkrimtar mbetet vepra e tij. Megjithatë askujt s’mund t’i ndalohet të merret me biografinë. Por në këtë të fundit duhen parë të gjitha aspektet. Vehbiu flet për Kadarenë si anëtar partie e vjershat për partinë, për nderimet që i janë bërë dhe kjo është e drejtë e tij. Por unë e kritikoj se ai s’ka të drejtë që, duke folur për njerën anë, të lejë në heshtje anën tjetër të tablosë, që është krejt e kundërta. Në shkrimin tim unë përmend dosjen «Ziçishti» të vitit 1982, madje emrin e hetuesit që është ende gjallë, ku shkrimtari akuzohet me akuzën absurde për komplotist.
Në reagimin e tij Vehbiu nuk jep përgjigje as për këtë.Z.Vehbiu përpara sesa të nxitojë e ta quaj kritikuesin profan, i cili edhe as hiçgjë nuk është, le tu japë përgjigje këtyre çështjeve që janë parashtruar më sipër, jo për të “begenisur profanin”. Studjuesi serioz nuk mund t’i shmanget qëndrimit serioz ndaj lexuesit objektiv.
Studjuesi dhe shkrimtari A.Vehbiu është tepër i tronditur për reagimet jashtëzakonisht të ashpra kundër tij, lidhur me shkrimin e tij «Tradhtia e besnikëve». Në këtë ngjarje, shpresoj, që ai të ketë nxjerrë mësim për një të vërtetë të hidhur për të dhe për gjithë kritizerët, që me shumë lehtësi sulmojnë të tjerët, por që s’durojnë dot t’i prekë askush. Këta kritizerë duhet të kuptojnë se lexuesit shqiptarë pavarësisht nga vërejtjet që mund të kenë, janë të vendosur të mbrojnë vlerat e letërsisë dhe të shkrimtarëve të shquar shqiptarë.
A.Vehbiu, duke hyrë me vonesë në botën e shkrimtarëve duhet të kuptojë se në këtë botë ka rregulla të tjera dhe spekullimet dhe dredhitë nuk pijnë ujë. Në këtë botë nuk hyhet me bërryla, duke shtyrë të tjerët.
A.Vehbiu ka botuar kohët e fundit një libër me tregime me nivel tepër të zakonshëm, për të mos përmendur fjalën mediokër. Kjo është një arsye më shumë që ai të jetë më i përmbajtur kur kërkon t’u japë mësime dhe të fyejë shkrimtarët e përmasave të mëdha. Në një rast të tillë dihet fati dhe pozicioni i shkrimtarit që ndjek rrugën e gabuar. Ai është i humbur dhe pa shpresë.
Shprehja: “studjuesi A. Vehbiu do bëj të heshturin si ajo vajza që, kur dikush i futet në shtrat, ajo bën sikur fle”, ishte zilja që e “zgjoi” të alarmuar Vehbiun. Reagoi aq shpejt, gjë që si çdo gjë e nxituar e largoi nga thelbi i argumentave, nga gjykimi me urtësi. Nga gjykimi i denjë për nivelin ku pretendon se ndodhet në fushën e letrave.
Z. Vehbiu duhet ta dijë se “inati, hakmarrja është një pjatë që duhet ngrënë e ftohtë”. Përndryshe ndodhesh ngushtë, nga e keqja si në këtë rast e kërkon shpëtimin te arsyetimi që shumë lexues më kanë keqkuptuar, doja të paraqisja një qëndrim jo bardhe e zi, ngaqë unë e vlerësoj shkrimtarin Kadare, etj,. Përfundimisht shkrimi “Tradhëtia e besnikëve” dëshmoi dy gjëra: ishte shkrim i menduar për keq, me një argument spekulativ ndaj shkrimtarit Kadare dhe së dyti, si pasojë logjike e së keqes që mbart tregoi pamundësinë, panikunçorientues për të dhënë përgjigje direkte mbi çështjet e ngritura në shkrimin “Mbi marifetin psikanalitik “Loyalty mod” të Ardian Vehbiut”.