
– LUTJE PER VATRANIN QË PËR GJYSËM SHEKULLI VURI SHPIRTIN DHE ZEMRËN NË VATËR!/*
Vatrani që ka më shumë se gjysëm shekulli në Vatër, Zef Përndocaj, të Mërkurën me 17 Prill 2019 në mesditë udhëtoi drejt Detroitit për t’i kaluar Pashkët tek vajza.
Në një telefonatë para nisjes me Editorin e Diellit ai tha se do të qëndronte një javë në Detroit dhe më pas do të kthehej sërish në Nju Jork. Por ky udhëtim qëlloi i pafat për Zefin. Pasi arriti në shtëpinë e vajzës në mesditën e së mërkurës, disa orë më pas, rreth orës 10 të mbremjes, ndërsa bisedonte lirshëm, ai pësoi Stroke dhe me urgjencë e shtruan në spital, ku vazhdon të jetë nën shoqërimin e familjes dhe të miqëve. Zefin nuk mund ta lëvizin prej andej, pa u stabilizuar gjendja në të cilën ndodhet.
Lutemi që Zefi ta kapërcejë sa më shpejt situatën në të cilën ndodhet! Me zemer e shpirt jemi prane tij dhe familjes!
Zefi Përndocaj edhe pse është në pension nuk e ka ndërprerë aktivitetin dhe kontributin në Vatër. Ai kontrbuoi edhe fushatën për 110 vjetorin e Diellit; ishte pjesë e veprimtarive të Vatrës, mori pjesë në promovimin e librit të historianes Eleni Kocaqi në Vatër me 13 prill 2018, ndërkohë që mori pjesë edhe në Konferencën kushtuar 110 vjetorit të Gazetës DIELLI. Zefi ka dhënë gjithcka për Vatrën.
Miku ynë, Lutem për ty, unë dhe Familja!
Për ata që nuk e njohin Zef Përndocën, po përcjell një shkrim që kam shkruar për Zefin kohë të shkuara, ne numrin special te DIELLIT, kushtuar 100 vjetorit te Vatres, Prill 2012
****
ZEF PËRNDOCAJ, SHPIRTIN DHE ZEMRËN NË VATËR
Nga Dalip Greca
Zef Përndocaj është një ndër ata që ka vënë shpirtin dhe zemrën në Vatër per më shume se pesë dekada. Edhe pse nuk klasifikohet tek biznesmenët, edhe pse ka punuar gjatë të gjithë kohës në punë të vështira, ku mezi nxirret dollari, ai për më shumë se 50 vjet nuk u është ndarë vatranëve të tjerë që kanë dhuruar për Vatrën, madje ka prirë duke hequr kursimet e familjes. Gjatë shfletimit të rekordeve të Vatrës, emri i tij nuk mungon në asnjë prej fushatave, që në 60 vjetorin e Diellit dhe pas Zef Përndocaj ka emrine tij dhe përkrah emrit edhe shifrat e dhurimit.Edhe në botimet e Vatrës dhe të Diellit Përndocaj ka dhuruar krahas vatranëve të tjerë. E gjeta emrin e tij edhe tek “Flamurtari i Kombit”, libri kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Nolit, ku shifra e dhuruar nga ai është sa dyfishi i mesatares së çdo dhuruesi, edhe tek lista për botimin e librit të Beqir Metës ka dhuruar $ 1000(një mijë dollarë), për ringjalljen e Diellit me rastin e 100 vjetorit ishte nga ata që e mbajtën premtimin, dhuroi 3 mijë dollarë, për 100 vjetorin e Vatrës $ 2 mijë , përveç një tavoline të rezervuar e të paguar që në fillim ($2500) , përveç $ 500 për një faqe në Journalin e 100 vjetorit, me rastin e fatkeqsisë natyrore në zonat e Veriut të Shqipërisë dhuroi $ 1000(një mijë). Natyrisht nuk janë vetëm këto shifrat e dhurimit, ai ka 50 vite që dhuron. Shpirtin dhe zemrën Zef Pëndocaj, në plot kuptimin e fjalës, i ka vënë në Vatër.
Dikur në një artikull të botuar në Dielli për kontributet e z. Përndocaj pata shkruar: Zef Përndocaj, anëtari i bordit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës ”Vatra”, një ndër vatranët e devotshëm, e mbajti premtimin që pati marrë në Këshillin e “Vatrës”, që u mblodh pas festimit të 100 vjetorit të gazetës “Dielli”, në gusht 2009. Ndër ata që premtuan (Zef Përndocaj ishte ndër të paktët që e mbajti fjalën) për të kontribuar me dhurime për të ringjallur gazetën e themeluar 100 vite të shkuara nga shqiptarët e Amerikës, me editor të parë Fan S. Noli e më pas Faik Konicën. 3 mijë dollarë për Zefin ishin shumë se ai nuk ka biznese, por zemra dhe shpirti vatran, e nxitën që ta jepte dhe ta mbante atë premtim.Veprimin e dhurimit e kreu në heshtje, pa bujë. Sikur të mos kishte marrë sinjal editori nga z. Agim Karagjozi se z.Përndocaj kishte bërë fakt të kryer fjalën e dhënë, ndoshta dhe këto radhë nuk do të ishin shkruar. Zefit nuk i pëlqen buja, as mburrja, ai thotë se me aktin e tij ka bërë detyrën si vatran.
Nuk është hera e parë që Zef Përndocaj bën dhurime të tilla bujare. Sa herë që “Vatra” është ndodhur në nevojë, pa marrë urdhër nga askush, përveçse nga zemra, ai ka ofruar kontributet e veta. Sa herë që “Vatra” ka organizuar fushata në ndihmë të çështjes së Kosovës, apo për kontribute në Shqipëri a komunitetin e këtushëm, Zefi sërish ka qenë i pari.
Në “Vatër” Zef Përndocaj ka vënë shpirtin e vet antikomunist dhe atdhetar. Ai iku prej Shqipërisë pas përgjakjes së familjes dhe fisit nga diktatura komuniste dhe sapo erdhi në SHBA, e gjeti strehën kombëtare tek Vatra. Ka më shumë se pesë dekada që e ngroh shpirtin në zjarrin mëmëdhetar të Vatrës shqiptare.
Ardhja e Zefit në Amerikë ka kaluar përmes një kalvari tepër të vështirë. Nuk i harron vuajtjet dhe terrorin, që nuk iu ndanë familjes së tij nga sistemi komunist. Për shumë kohë babai i tij u end maleve i përndjekur nga brigadat speciale të ndjekjes. Familja u internua në Lezhë, në Berat, bashkë me të tjerët ishte edhe gruaja e axhës me tri vajza të vogla. Që pa hapur sytë, fëmijët u ndeshën me vuajtjet e ferrit. Babai i tyre, axha i Zefit, ishte vrarë në mal më 3 maj 1948. Më pas familja u internua në kampin e tmerrshëm të Tepelenës.
Pas daljes nga burgu(ishte dënuar që në dhjetor 1944), babai i tij, u vu sërish në shënjestër. Këtë herë akuza ishte se u jepte mbështetje dhe ushqime forcave parashutiste që kishin zbarkuar për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Emri ishte rrethuar me ngjyre të kuqe, por nuk dorëzohej antikomunisti i vendosur. Baba Ndue e kishte marrë sinjalin se i qe afruar rreziku dhe se këtë herë e priste plumbi. Ishte e vërtetë se ai qe takuar me Gjin Gjonaj, parashutist dhe e pat furnizuar me ushqime. Vetë Zefi, edhe pse ishte fëmijë 12 vjeç, iu desh që të dilte malit, së bashku me të atin dhe axhën në shtator 1951. Ai provoi në mal përveç rrezikut të jetës edhe vujatjen prej të ftohtit të dimrit të ashpër të maleve, edhe urinë.
Një ditë u mor vendimi për ta kaluar kufirin. Ishin 19 veta në grup. Pasi studiuan vendkalimin, me shumë mundim dolën në Zogaj. I dërguan fillimisht në Gjakovë.Më pas në një kamp refugjatësh në Pejë, ku qëndruan 3 muaj. I zhvendosën në Gjilan për 3 vjet. Më pas në Vushtri, ku vëllai, Biba, ilegal shkon drejt e në Beograd dhe pasi hyn në ambasadën angleze, merr formularët për t’i plotësuar për të ikur në Perëndim. UDB-ja u informua dhe i burgosi, atë dhë shokët. Katër muaj qëndroi në qeli. E dërgojnë në kampin e rrezikshëm të Gerovës. Pas disa kohësh edhe babën e dërgojnë në Gerovë. Pas vuajtjeve në kamp, u erdhi koha për të dalë në Itali.
Po Zefi? Fati i tij e drejtojë në tjetër rrugë. Ai filloi shkollën në Gjilan, për të vazhduar më pas në Vushtri. Pas shumë ndërhyrjesh , pengesash, presionesh, arrin që të shkojë në Prishtinë për ta vazhduar atje shkollën. Aty përfundoi gjimnazin. Më pas nisi studimet në Universitetin e Prishtinës në fakultetin Ekonomik, ku arriti që të kryente dy vjet. Aty fillojnë e shtohen vështirësitë dhe pengesat e vëna nga UDB-ja për arsye të refuzimit të bashkëpunimit me ta. Kur do të jepte provimet e vitit të tretë, e çojnë në aksion për ndërtimin e autostradës Beograd-Shkup. Sapo e përfundon aksionin, kërkon të kthehet në Universitet, i vënë një tjetër pengesë, të shkojë për të përballuar pasojat e tërmetit shkatërrues që rrënoi Shkupin. E kundërshtoi urdhërin, por si tani i kujtohet kur Branko Millosheviç, komandanti i brigadës i tregoi dosjen e përndjekjes dhe survejimit prej UDB. Cfarë të bënte? Nuk mund të kundërshtonte; vendosi të shkojë. Edhe pse ishte nga më të dalluarit në aksion, edhe pse kontribuonte në sportin e volejbollit, edhe pse kishte qenë më i dalluari në aksione, ai trajtohej keq financiarisht, madje nëse të tjerët merrnin pagesën e studentit prej 24 mije dinarë në muaj, atij i jepnin vetëm 12 mijë, duke pritur që të reagonte, të pranonte bashkëpunimin, por ai kurrë nuk e bëri. Presioni behej per ta thyer, por ai kurre nuk u perkul. Punonte fort me qëllim që një ditë të gjente mundësinë e ikjes në Perëndim. Momenti i erdhi. Në nëntor 1966 doli në Itali përmes Triestes. Më pas shkoi në Romë, ku qëndroi 5 muaj. Me 11 prill mbërriti në New York. Fillimisht u vendos në Bronks. Kontaktet me Vatrën i vendosi me 28 Nëntor 1967, kur është edhe anëtarësimi i tij. Kujton se ishte mysafir i Gjon Kadelit në darkën e Flamurit. I pëlqeu atmosfera atje dhe iu gëzua frymës kombëtare, që përshkonte festën. E kishte ëndërr që të bashkohej me vatranët dhe u gëzua shumë kur i thanë se mund të bëhej vatran, mjafton që të pranonte Kanunoren. Më pas ai u bë një vatran aktiv, dhurues, veprimtar, anëtar bordi, kryetar i degës së Nju Jork-ut etj. Ndër miqtë e tij në Vatër, veçon z. Agim Karagjozi, zonjën Nexhmije Zaimi, Mahmud Cungun, Peter Ktona, Ymer Doda, Avdulla Kaloshi, dr. Hamdi Uruçi, dr. Gjon Buçaj, Jonuz Ndreu e të tjerë. Ndjehet i nderuar që ka qenë pjesë e Vatrës dhe që ka dhënë kontributin me një grupim atdhetarësh, që i bashkonte çështje kombëtare. Vatra, thotë z. Përndocaj, ka kaluar çaste të vështira. Ajo ishte në shënjestër të Sigurimit tëTiranës dhe UDB-së. Ai kujton se një grup vatarnësh e mësynë Vatrën, ndoshta me porosi të Ramiz Alisë, deshën ta merrnin. Përndocaj e kujton mirë atë moment, kur një grup, që dikush i kishte manipuluar, duke u mbledhur një kuotë simbolike anëtarësie, s’kishin qenë më parë anëtarë përveç organziatorit, dhe kërkuan të bëheshin pjesë në zgjedhjen e delegatëve për në Kuvend. Ai grupim ia arriti t’i diktonte degës së Nju Jork-ut që të ndryshonte sallë për takimin dhe u përpoqën që të manipulonin duke diktuar fryëm e tyre. Mbaj mend, thotë ai, se drejtuesin e takimit(Chairman), që u zgjodh me votat e mysafirëve të paftuar, u përpoq ta godiste me shkop Xhemal Lajçi, një nacionalist i njohur. Pra pat një tension, por fryma e shëndoshë e Vatrës fitoi mbi manipulatorët. Kjo është e vërteta për atë që ka deklaruar dr. Gjon Buçaj se Ramiz Alia u përpoq të vinte dorë në Vatër, spjegon Zef Përndocaj.
Zef Përndocaj ndjehet krenarë që ka më më shumë se 50 vite që i shërben Vatrës.