• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DISIDENTI I HESHTUR ZEF ZORBA

January 14, 2013 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI/

Në 20 vjetorin e vdekjes se poetit (1920- janar 1993/

– Qëmtime në jetën e poezinë e poetit -/

Tungjatjeta poet, nderim për ty që i thure apoteoze dritës në errësirën me të thellë, ndër mundimet më të mëdha, kur të tjerët që ende mbahen me të madh, ishin puthadorët e diktatorit, apologje të diktaturës, pjellë e kasnecë të errësirës. Ani pse nuk jeton më që nga janari i vitit 1993, sot e në të ardhmen je e do të mbetesh zëri i parë në koralen e lirisë së mendimit e krijimit, ti disidenti i heshtur e i pakompromis në poezi, Zef Zorba!

Shkodra është kryeqyteti i tërë Shqipërisë, shkruante ne vitin 1907, Provinciali i parë i franceskaneve në Shqipëri At Lovro Mihaceviq, franceskan boshnjak. Dhe vazhdonte,….ka një pozitë të mrekullueshme, është vend i shëndetshëm dhe romantik. Këngët popullore askund nuk përshkruajnë aq bukur bukurinë mrekullueshme të natyrës se në këto pak vargje të cilat na rrëfejnë imazhin e pamjes së gjallë e të mrekullueshme të natyrës që rrethon Shkodrën:
Po si na qenka Shkodra në breg të Bunës,
Me ato male e kodra përmbi det,
Plot me fiq e me ullinj,
E me vreshta mbushë me rrush;
Kur shikon përfund të këtij qyteti,
Arat mbushur grurë të bardhë,
Përreth fusha me bar të njomë,
Përmjedis rrjedh i shkon Buna lum…

Natyrisht në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, prej të cilës do ta nis këtë qëmtim për poetin Zef Zorba, Shkodrës i kishte humbur shumëçka nga ky shkëlqim. Aso kohe, në fëmijërinë time tashmë të largët, jetoja me Daden Katrinë e cila, si besimtare e devotshme shkonte përditë në Kishën e Madhe, ku ngrinte meshë nipi i saj Don Ernest Çoba, që më pas ka vdekur në burgjet e diktaturës. E, kur kthehej prej meshe, përmes Serreqit, Dada Katrinë ndalonte tek motra e vet Milena Skanjeti-Zorba, nëna e poetit Zef Zorba. Kur kthehej në shtëpi, si hiqte velin e zi, ulej të shplodhej para se të niste të gatuante dreken. Në atë pak kohë shplodhje, se ishte fort e moçme, ajo më fliste se si e kish kaluar tek familja Zorba, si rritej Lejla e vogël, gëzimi i shtëpisë, i Bepit (se kështu e thërriste nipin e vet Dada Katrinë) dhe Terezinës, e çfarë sherresh të reja kish ba vogëlushja. Kështu Lejla trazovaqe ishte ba jo vetëm shpirti e gëzimi i gjyshes së vet Milena, por edhe i Dadës sime Katrinë.
Milena e Katrina ishin dy prej pesë vajzave e një djali që kishte pru në jetë Motra Tone, Xhokonda e shqiptarëve, motra e Kol Idromenos, e shoqja e italianit Andrea Skanjeti, drejtorit të shkollës Tregtare Italiane në Shkodër, që ka nxjerrë me dhjetra e dhjetra figura madhore në historinë jo vetëm të Shkodrës por mbarë botës shqiptare. Motra e tretë ishte edhe ajo në Shkodër, Orsolina Çoba, nëna e Don Ernestos, e Lecit, Gjylianës, Xhyzepinës dhe, Lindës, që ishte martuar në Itali. Dy vajzat e tjera të Motrës Tone ishin Matilda e Domenika, të dyja të martuara në Kosovë, me të cilat janë ndarë e nuk janë parë më kurrë me njëra tjetrën. Njëra prej këtyre motrave është vrarë me thikë në gjoks prej serbëve, po të njëjtin fat ka pësuar dhe i biri Viktori. Sipas tërë gjasave, njëra prej vajzave të motres Tone të martuara në Kosovë, duhet të jetë gjyshja e Shpresa Gashit këngëtare e njohur në Kosovë. E bija e Zef Zorbës, e vogla Lali kujton se “nga Kosova kana ardhe dikur vonë dhe e kanë takue baben, por se kush e për çfarë ai nuk e zinte në gojë”. Me siguri do të qenë ndonje prej bijëve të tezes së vet. Ndërsa vëllai i pesë motrave, ka qenë Zef Skanjeti, inxhinjer i njohur për punët botore në qytetin e Shkodrës. Ndërkohe që Jak Zorba, burri i Tezës Lenë, gjithmonë është konsideruar një prej njerëzve në zë dhe familje filantropësh. Tokat e veta në bregun e lumit të Kirit, kjo familje shkodrane ja ka falë Kishës dhe kjo e fundit ka ngritur aty vorret e katolikëve, që sot janë pjesa historike monumentale fort në zë i këtij qyteti. Edhe sot në qëndër të varrezave të Rrmajit lartësohet çinari i madh shumëshekullor me emrin Çinari i Zorbës. E sjell këtë hyrje për të vu në dukje se poeti Zef Zorba rrjedh prej një nga familjet aristokratike të Shkodrës, të asaj Shkodre që i thonin edhe Venecia e dytë, qoftë për shkak të rrethimit me ujra, por edhe se ka qenë një qendër me kulturë e tradita të hershme. Kryekreje është qyteti i Teutës, i Barletit e shumë figurave të tjera që vinë nga mijëvjeçarët deri në kohën e re. Në vitet 1800 Buna ishte e lundrueshme dhe aty rrëzë kalasë vinin anije tregtare prej Adriatikut e Mesdheut. Termeti në kapërcyell të atij shekull dhe devijimi i Drinit duke krijuar Drinasen, mbushja e Bunës me aluvione, e izoloi qytetin në një farë mënyre. Por izolimin me të tmerrshëm Shkodrës nuk do t’ja sillnin fatkeqësitë natyrore por ato njerëzore. Vendosja e sundimit komunist e diktatorial vërtetë u konsiderua prej shkodranëve si pushtimi më i egër e me shkatërrimtar që ka pësuar ky qytet ndër shekuj.
E pezull varen/ në tehun e një rrezeje/ qeniet e këputura./Me mallë të mënjanuara,/me pezme/ stërklapen/ me ta këputë shpirtin.( Zef Zorba, vjeshtë 1946).
Nuk mbet asgjë nga ato që përbënin nderin e dinjitetin e këtij qyteti të lashte veç mureve të kalasë. Intelektualët e klerikët studiues të shquar të kulturës shqiptare u pushkatuan a vdiqën burgjeve. U arrit deri atje sa edhe Flamurin që Ded Gjo Luli kish ngritur në Deçiq e tek Kisha e Brigjes në Hot, që ruhej nga Françeskanët, ta marrin e ta djegin sepse ai nuk e kishte yllin me pesë cepa të bolshevikëve të Rusisë.
E na i harruan kushtrimet:/lëmuç mbi njeri tjetrin/ s’u ndienkan për së gjalli ;/ të mos ketë mbetur frymè/ që rishtaz t’i buçasë ?……/ O jetë ! Edhe në zgrip,/shtegtarët e tu/gjithnjë të dashurojnë !
Njëri nga ata që e pësoi prej murtajës së kuqe, ishte dhe i riu intelektual shkodran Zef Zorba. Ish lindur ne 1920, në një familje shkodrane në Bosnjë. Pas mbarimit të gjimnazit të Shkodrës, ndjek studimet në Universitetin e Padovës në Fakultetin e Shkencave Shoqërore. Por në vitin 1943 për arsye të ngjarjeve të luftës së Dytë të përbotshme kthehet në Shkodër e nis punën si nënpunës banke. Kish rënë në sy për kulturën e tij të gjerë dhe aftësitë krijuese ndaj ne vitet 1945-1946 e punësojnë regjisor në Shtëpinë e Kulturës Shkodër, ku zhvillon një veprimtari artistike të admirueshme. Por regjimi i ri që nisi të kontrollojë çdo gjë në jetën shoqërore e veprimtaritë kulturore nuk mund të linte që biri i një aristokrati shkodran të drejtonte me sukses trupën e teatrit.
Poeti dhe studiuesi shkodran Anton Çefa, në një analizë të tij mbi disidencën e heshtur të letërsisë nën diktaturë ka theksuar tiparet e poezisë së Zef Zorbës të lindur në kushtet e mungesës së plotë të çdo lloj lirie.
“Zef Zorba – shkruan Anton Çefa, – vuri në skenë pjesën dramatike “Juda Makabe” të Fishtës, e cila trajtonte luftën për çlirim dhe tradhtinë kombëtare, problemet më të mprehta kombëtare, në atë periudhe kur në fshatrat per rreth Shkodrës, në Postribë, në Malësi të Madhe dhe në Mirditë vlonte lufta për të mos rënë nën thundrën komuniste ose për ta përmbysur atë. (Zef Zorba, “Disidenca e parë e organizuar e intelektualëve të Shkodrës”, “Hylli i Dritës”, numër i posaçëm, Tiranë, 1996). Kështu, Zorba e shpalli vetën haptas si disident i regjimit, që porsa kishte filluar të lëshonte rrënjë. Pas vdekjes, nën kujdesin e Stefan Çapalikut, iu botua vëllimi poetik “Buzë të ngrira në gaz”, një përmbledhje poezish lirike të shkruara brenda skajeve të një jete të tërë, prej rreth 40-50 viteve. “Buzë të ngrira në gaz” është shqiptimi i një poetike të lartë, fryt i asaj kohe absurde që ngriu në buzë fjalën e pathënë, pse jo edhe ironinë tragjike për bëmat e çoroditura të një shteti të çmendur, të një shoqërie të ndaluar në vend dhe të shkëputur nga bota.”
Tërë ëndrrat dhe pasioniet një ditë ju ngrinë. Nuk shkoi gjatë e për një a dy fjalë të thëna a të pa thëna në mes miqësh artistë të rinj, arrestohet aktorja e re e talentuar Terezina Pali e pas pak edhe i dashuri i saj regjisori Zef Zorba.

Pastaj , n’teater; një Gjido/ i larë në djersë/ përpëlitej i falisur./shkuleshe n’ gaz me të madhe,/por në sy të vetetinte/ stuhia e Shtatorit…/ A të kujtohet.( Terezës)
Ishte shtatori i vitit 1946. Të dy në trupën e teatrit, të pasionuar e talentuar, të dy të dashuruar, të dy të arrestuar në një kohë, të dy në të njëtin gjyq mizorësh e përbindshah të kuq,… e të dy të dënuar me burg. Historia e dy të dashuruarve Zef Zorba dhe Terezina Pali është vertetë një prej dramave me të fuqishme njerëzore në qytetin e Shkodrës, por që gjithsesi falë cilësive të larta morale të këtyre dy të rinjve regjimi nuk arriti tua ktheje jetën në një tragjedi fatale. U përdorën tërë mjetet e mënyrat barbare që dashuria e tyre të thyhej.
I errët ky shteg. Nuk mundem/ rrugën me e gjetë pa dritën/ tande. (Ç’ka më sëmbon?) /Në cep të greminës,/ që josh e ngujon, / a e shef si po lëkundem?/
Por jo. Zef Zorba dhe Terezina Pali që ishin ndarë e burgosur mizorish, sa fituan lirinë u hodhën në krahët e njeri tjetrit. Atë dritë që nuk e gjenin dot në jetën e përditshme sociale e gjetën tek njeri tjetri.
Kur mbetesha vetëm me ty,/ o zemra ime,/netësh të mbarsura me stuhi,/mergime kujtesash në atë dhomë të gjatë,/ pa dritë.( dimër, 1946)
U martuan. Ju lindën dy vajza që i pagëzuan Elena dhe Luçia. Zef Zorba aso kohe u kish thënë njerëzve të familjes se vajzave do t‘u thërriste Lejla dhe Lali. Edhe sot e kësaj dite dy vajzave të Zef Zorbes ashtu u thërrasin. Pas daljes prej burgut, martesës, lindjes së fëmijëve dhe punësimit të tij si llogaritar jeta e tij do të rridhte e qetë. Por veç me një qetësi sipërfaqësore sepse vepra e tij letrare poetike, e botuar post mortum, tregon se shpirti i tij nuk ishte i qetë. Ai e vuante mungesën e lirisë së shprehjes që ishte akoma më e rëndë se ajo e lëvizjes, madje edhe se vetë burgu sepse tek e fundit bëhesh guardiani i shpirtit tënd, i vetëndalimit dhe vetëburgosjes.
Unë nuk vij dot me ty/Nuk kam si shkoqem prej kësi ngujimi/ku frymën e mbaj gjallë/me cirka arsyetimi/ ku foshnja/piqet në djep/prej ethesh përvëluese/ ku jeta-dhuratë përbuzet,/ ku hiqet dreqi me vdekë.( Shkalla e Kakarriqit)
“Në heshtjen e thellë të këtij gjysmëshekulli, Zorba, i pajisur me një kulturë të mrekullueshme vizatoi figurën e një intelektuali të vërtetë, larg kompromiseve. Ai krijoi një afinitet të çuditshëm me letërsinë e filozofinë moderne, duke përkthyer poetë të tillë si R. Frost, Xh. Hungareti, S. Kuazimodo, E. Montale, T. S. Eliot, dramaturg si Shou. Pirandelo, Uelld, Uajllder, Martin, e filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer, etj., etj.” shkruan Stefan Çapaliku, në shenimin në kopërtinën e fundit të librit “Buzë të ngrira në gaz”.
Vetë poeti ne pasthënien e librit, te shkruar ne vitin 1989 pohon:
“Lexuesit të sotëm i kërkohet përgatitje shpirtërore, kulturore e artistike për ta bërë veten bashkautor me artistin, jo vetëm për të interpretuar atë që i komunikohet, por për ta ndjerë e për ta vuajtur bashkë me poetin, duke kërkuar në vepër përfytyrimin vetjak, qoftë në formë krejt individuale e ndoshta edhe botëkuptimore tjetër. Konsumatorit të sotëm i kërkohet të jetë si ai vizitori i Luvrit që kuvendon me Da Vincin para Xhokondës, ose si ai që ankon e gladon me Van Gogun para një pejsazhi norman. Ose si lexuesi i Ungaretit që vuan e heq të zitë e ullirit bashkë me poetin në llogoret e luftës.”
Dhe më tej duke shpjeguar platformën e vet estetike shkruan: “Rrugën e “esencialitetit” ose të “Hermetizmit” e kam përqafuar kryesisht sepse ashtu e kam ndjerë mundësinë e dhënies emocionale dhe të krijimit të përfytyrimit vetiak. Njiherit kam këqyrë të mos bie, qoftë dhe pa vetëdije në binarët e “hermetikeve”, sado të adhurueshëm që ato binarë janë… pasimi i rrugëve emocionale të tyre do të kishte qënë një vazhdim i mjerë e i pafrut.”
Kujtoj se me Zef Zorben jam takuar shumë vite të shkuara, aty nga 1970, kur punonin të dy në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Kurrë nuk mund ta mendoja se ai llogaritari që me tefter në dorë numëronte karriget e Ndërmarrjes së Prodhimeve, ishte poeti që zërin e mbyste brenda vetes. Ishte koha kur uturonin shumë rrangalla fjalësh. Edhe ato karrike që po merrnim ishin për sallën e madhe të mbledhjeve të Kombinatit të Drurit në Shkodrës, ku do të buçiste zëri i fuqishëm i partisë “për fitore të reja”. Poeti Zef Zorba, i heshtur, i menduar, do të linte tefterin e ditës për të marrë në dorë tefterin e natës. Por veç, ndërsa në tefterin e ditës shkruhej me gjuhën e karbonit, e të zezës, në mbrëmje poeti shkruante me gjuhën e bardhë të zemrës, me gërmat e të vërtetës si drita.
Tash muzgu sa me vrap/ qullos rrugën time,/(telet e dritës siku janë çartë)/Prej trurit trishtimi/ shkumbëzon e shprazet/ në gjymtyrët e këputura. /Heq këmba këmben zvarrë.
Por a e dinte valle ai madhështinë e punës së vet. Apo thjeshtë shkruante sepse, i privuar prej të drejtës të merrej me art, nuk donte ta linte shpirtin e vet prej artisti të vdesë. E kështu si të burgosurit, për të thyer vetminë në mes të mureve të ftohta të qelisë, flasin me vehte që të mos harrojnë të flasin, të mos harrojnë të dëgjojnë, keshtu dhe ai shkruante e shkruante. Ndoshta për ndonjë shkak tjetër drojes se i flashkej shpirti. Gjithsesi kur të kesh lexuar poezitë e tij, të shkruara në errësirë e në vetmi, do të ndjesh se çfarë masakrimi bënin shkrimtarët zyrtar në poetikën shqipe duke e përdhunuar publikisht. Thënë hapur, poezia shqipe ishte bërë një lavire ku shfrynin epshet kodoshët e realizmit shtatanik socialist. Ndërkohë që e vërteta mbulohej shtat pash nën dhè, këtë dëshirë kishin edhe për dritën, atë dritë që rrezaton në shpirt edhe në fund të dheut po të fusin, por veç asaj nuk kish çfarë ti bënin.
E mjerisht ende sot, ka të vjetër por edhe të rinj që i bëjnë hosana të së shkuarës e lavdërojnë madje edhe surogatot poemezezat e komunizmit, që nuk ishin kurrgjë tjetër por himn i dhunës e gjakut qe rridhte rrkaje neper gjoksin e atdheut, himne për vrasësit qe pushkatonin intelektuale te lidhur dore për dore me tela me gjemba. E ky gjak ende nuk është shpaguar jo vetëm prej kriminelëve që vranë, por as të paktën moralisht nga ata që e himnizuan dhe e poetizuan krimin e përbindshëm të diktaturës komuniste. Krijimtaria poetike të poetit Zef Zorba vlerësohet si “histori e një shpirtit të sakatuar, që jeton duke përtypur shpresë e ironi të vetvetes” në kushtet me të errta të regjimit totalitar, kur, të shkruaje të tilla poezi ishe i destinuar të përfundojë tragjikisht. Zef Zorba, anipse e njohu burgun që në rini të tij, ai edhe me pas guxoi të fliste me vete me një poezi revolte, ani pse kjo revolte që e ndryme brenda vargjesh hermetike si vargoj, ashtu si vetë jeta shoqnore qe e mbyllur hermetikish dhe e izoluar nga bota.
Në këtë mizori e terrinë, falsitet e hipokrizi, kur laperdharët e errësirës thurnin hymn e ditirambe servile për ca shqiponja qielli( kur njerëzit ishin kthyer në krimba shiu), ai meditonte në vetmi të thellë, ku dëgjohej veç prej vetes, si një burim uji mijra metra nen dhè që zemra e tokës e ndjen. Që nga ajo thellësi bulëzonte zëri i poetit Zef Zorba, atij eruditi e njohësi e përkthyesi të letërsisë botërore, që anipse tepër vone u zbulua, shfaqi me plotëri dritën e saj.
Le te citojmë sërisht shkrimin e Anton Cefes: “Në vitin 1996, Zorbës iu dha çmimi “Martin Camaj”, në arsyetimin e të cilit nga komisioni përkatës i përbamë prej albanologut Hans Joachim Lanksch, prof. dr. Walter Breu (Universiteti i Kostancës), prof. dr. Elvira Glaser (Universiteti i Zurihut) dhe prof. dr. Wilfrich Fiedler (Universiteti i Munihut), thuhet “Zorba i takon një qarku të vogël shkrimtarësh në Shqipni që, artistikisht dhe moralisht, e rimerrshin fillin e këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimkambëshin lidhjen me rangun e saj të naltë që kishte fitue me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi.” Dhe më poshtë: “Vjershat e Zorbës janë art autonom i fjalës, art që ushqehet nga substanca fizike e shpirtërore e fjalës” dhe “Zorba asht modernisti i parë genuin dhe njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare, me sa asht fjala për atë të shkruar në Shqipni”. (Hans-Joachim Lanksch: “Arti autonom i fjalës”, “Phoenix”, 1997 / 1, f. 49-52).”

* * *
Poezi e Zef Zorbës na kujton se sado e errët të jetë koha, sado e drithërueshme shpresa, etja e për dritën kurrë nuk duhet të shuhet e të vdesë. Ky është mësimi i madh që del nga poeti i pashoq i disidencës së heshtur Zef Zorba, zëri i të cilit është vertetë apoteoza e dritës së munguar nën diktaturë, të cilën tashmë, për fatin tonë, fatlumturisht e arritën ta kemi.
Tungjatjeta poet, nderim për ty që i thure apoteoze dritës në errësirën më të thellë ne sistemin qivur të komunizmit diabolik, ndër mundimet më të mëdha, kur të tjerët që ende mbahen me të madh, ishin puthadorët e diktatorit, apologje të diktaturës, pjellë e kasnecë të errësirës. Ani pse nuk jeton më që nga janari i vitit 1993, sot e në të ardhmen je e do të mbetesh zëri i parë në koralen e lirisë së mendimit e krijimit, ti disidenti i heshtur e i pakompromis në poezi, Zef Zorba!(Kortezi “Tirana Observer”)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Disidenca e heshtur, Kolec Traboini, Zef Zorba

“Vetëtimë. E zbret fulikare fjala që vret mu në shpirt”

January 9, 2013 by dgreca

Rreth përmbledhjes poetike të Zef Zorbës “Buzë të ngrira në gaz”/

Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë, 1994/

Nga Anton Cefa/

Përmbledhja poetike e Zef Zorbës 1)“Buzë të ngrira në gaz”,e shkruar brenda skajeve të një jete të tërë, nga viti 1945 deri në vitin 1980, u botua një vit mbas vdekjes së poetit, nën kujdesin e Stefan Çapalikut. Më pas u botuan edhe disa poezi të tjera në revistat“Phoenix” dhe “Hylli i Dritës”; çka la të kuptohet se nuk qe përfshirë në vëllim e gjithë krijimtaria poetike e tij. 2).

“Buzë të ngrira në gaz” është shqiptim poetik i lartë, fryt i asaj kohe absurde që ngriu në buzë fjalën e pathënë, po aq edhe ironinë tragjike për bëmat e çoroditura të një shteti të çmendur, të një shoqërie të ndaluar në vend, dhe të një populli të shkëputur nga bota.

Fillimisht, kritika letrare, me dashje a padashje, a sepse, si duket, nuk qe e përgatitur për ta bluar artin e tij, nuk iu afrua poezisë së Zorbës.

Befasues qe një vlerësim i lartë nga jashtë. Në vitin 1996, një komision sui generis, i përbërë nga albanologu Hans Joachim Lanksch, prof. dr. Walter Breu (Universiteti i Kostancës), prof. dr. Elvira Glaser (Universiteti i Zurihut), dhe prof. dr. Wilfrich Fiedler (Universiteti i Munihut), i dha Zorbës çmimin “Martin Camaj”. Në arsyetimin e jurisë thuhet “Zorba i takon një qarku të vogël shkrimtarësh në Shqipni që, artistikisht dhe moralisht, e rimerrshin fillin e këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimkambëshin lidhjen me rangun e saj të naltë që kishte fitue me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi.” Dhe më poshtë: “Vjershat e Zorbës janë art autonom i fjalës, art që ushqehet nga substanca fizike e shpirtërore e fjalës” dhe “Zorba asht modernisti i parë genuin dhe njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare, me sa asht fjala për atë të shkrueme në Shqipni” 3).

Falë buzëve të ngrira në gaz, këtij njëmendësimi psikologjik dhe filozofik, poezia e Zorbës sot është një realitet poetik gjithkohor i letërsisë shqipe; realitet poetik buzësh“të ngrira në gaz”, një gaz që shkëlqen ndër ngrica të akullta ironie.

Në “Pasthënien”, me të cilën poeti ka dhënë sqarime për poezinë e tij, thuhet: “Ku më pak e ku më shumë këto punime janë mbarsur nga ironia, madje edhe nga autoironia, por që mjerisht, pa dëshirën time, ka shkarë ndonjëhërë në sarkazëm. S’kam pasë fare të bëj: ashtu ka ardhë. Por dua që këto tipare të mos interpretohen si pesimizëm: nëse duken sit ë tilla fajin e ka aftësia ime e kufizuar e jo vetëdija”4). Ashtu është. Ai e ka ditur e njohur veten dhe botën, jetën dhe artin, dhe i ka dashur:

“O jetë!

Edhe në zgrip,

Shtegëtarët e tu,

Gjithnjë të dashurojnë.”

Që në moshë fare të re, ai krijoi për vete një realitet të dytë që nuk kishte të bëjë me përditshmërinë. Dhe që është: “më i bukur se jeta vetë”. Çfarë joshjeje mund të kishte jeta e asaj kohe të vrazhdë, kur poetin e yshtnin horizonte të kaltra poezie, muzike, filozofie, estetike! Përmes këtyre filtrave kalonte në shpirtin e tij zymtia e ditëve, që u pasqyrua aq bukur ndër vargje.

Në nëntitullin e poezisë “Qokthi”, poeti ka vënë dy vargje të Salvatore Quasimodo-s: “. . . il mio cuore, / sospeso nel buio, una voce” (“. . . zemra ime, / e varur në errësirë, një zë”), që ngërthejnë kuptimin e jetës së tij në terrin e diktaturës, kuptim që ai e sheh tek zëri, fjala, poezia, me të cilën ai ka përjetuar dhëmbjen dhe ka krijuar e shijuar bukurinë; bukurinë e jetës dhe bukurinë e fjalës, që sendërton jetën dhe është më e bukur se ajo:

“Fjala

Vetëtimë.

E zbret fulikare

Fjala që vret mu në shpirt.

Më e bukur se jeta vetë

Oh . . .”

Zorba ka një vlerësim të veçantë për poezinë. Ajo ka origjinë hyjnore: është vetëtimë që zbret shumë shpejt (fulikare) në shpirtin e poetit dhe vrujon dhimbje. Të njëtën konsideratë e gjejmë të De Rada, Fishta dhe poetë dhe estetë të tjerë të traditës. Lasgushi e ka pohuar me gojë:

“Poezia është divine (hyjnore). Prandaj, kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj duhet të jetë xhevahir.” 5)

dhe e ka poetizuar:

“Sbret një yll prej lartësije,

Një të ndritur shkrepëtime,

Posi flakë e posi hije,

Ajo ryn në zemër time.

E kuptoj me shpirt të sosur

Si kullon dale-nga-dale,

E si fjalës së palosur

M’i hap kindin e një pale . . .

(“Ri mbështetur mbi tryezë”)

* * *

“Buzë të ngrira në gaz”përbëhet nga pesë tubëza lirike, të titulluara: “Elemente”, “Blerime tjera e zalle”, “Pasqyra të cfilitura”, “Fugat e fundit”, “Në zgrip” dhe poemën “Mbresat e rrugëve”.

Në ciklet poetike mbizotërojnë vëzhgimet meditative për jetën, vdekjen, fatin e njeriut, gjendjen nën diktaturë, por nuk mungojnë edhe ato të thjeshta. Në një pjesë të mirë të poezive janë trajtuar tablo nga jeta e përditshme. Ndonjëherë, shqiptimet mishërojnë një theks të dukshëm ironik. Një jeh të veçantë kanë mesazhet nga bota metafizike. Zorba cilësohet me një forcë poetike të veçantë; ai e gjen frymëzimin kudo, në objekte a situata, ku nuk të shkon mendja se lind frymmëzimi, atje, ai krijon një perlë.

Si poet hermetik, Zorba ka dalloja të theksuara, kemi të bëjmë me një intelektual që gjithë jetën e ka kaluar jo vetëm me hermetikët e mëdhenj italianë, por edhe me poetët e mëdhenj modernë europianë dhe amerikanë. Ai ishte tejet i familjarizuar me filozofinë dhe estetikën moderne dhe, sidomos, kishte një kulturë të gjerë muzikore, faktorë që kanë ndikuar në veçoritë e hermetizmit të tij. Mungesa e njohjes në nivelin e duhur të këtyre përbërësve, që përcaktojnë në një masë të madhe poezinë e tij, nuk mund të lidhet vetëm në një gremç të vetmuar hermetizmi, por për t’u interpretuar kërkojnë një formim të ngritur.

Jeta e rëndomtë, ai realitet i zymtë që poeti e ka soditur gjithnjë me dhimbje të thellë, herë-herë me mospërfillje dhe ironi, lexohet pa ndonjë vështirësi në pjesën më të madhe të vargjeve. Ky realitet jo vetëm që ka qenë i pranishëm, po edhe i ka ndihmuar poetit të krijojë një vizion jete përtej tij; jo të bazuar në filozofinë e prioritetit të materies, por mbi bazën e filozofisë së ndërgjegjes përcaktuese, “të koshientit e të subkoshientit”, po të shprehemi me fjalët e tij. Ky avantazh filozofik i ka dhënë frymën motiveve, tablove, figuracionit, stilit, çdo elementi të poezisë, dhe kryekrejet mesazheve. Përtej errësirës, absurditetit të pafund, kohës së ndalur, poeti në dritën e këtij vizioni i sheh qartë tri dimensionet e kohës, të djeshmin, të tashmin dhe të nesërmin.

Një nga simbolet që paraqet zymtinë e rëndë, errësirën, mjerimin e jetës nën diktaturë, peshën e zezë të politikës është shiu. Shiu është kryefjala e fjalëve më kyçe të poezisë. Gati-gati, pjesa më e madhe e vargjeve janë të lagura, bile të qullura.

Edhe një xhevahir poetik ku himnizohet madhështia e njeriut që, edhe pse në kushte të vështitra jetese, në rrethana të papërshtatshme, ka synuar të dritshmën, të mirën, të bukurën, i ka endërruar dhe është përpjekur për t’i realizuar ato, dhe me mund, sakrifica, flijime, e ka lënë botën më të mirë se e ka gjetur, titullohet “Natën, kur bie shi . . .”.Përvijohen këtu, në strofë të veçanta: Njeriu i Nedertalit, Diogjeni, Kolombi, Betoveni, Ainshtajni, dhe në strofën e fundit poetët Ungareti, Kuazimodo dhe Montale. Çdo strofë fillon dhe mbaron me dy vargjet që simbolizojnë vështirësitë e jetës. Ja strofa e parë:

“Natën,

Kur bie shi me rrëshekë

E n’ errësirë

Radioja transmeton

-ritmuar me shkreptëtira-

Mazurkat e Shopenit,

Kujto trogloditin:

Njeriu i Nedertalit,

Me trurin plot përbindësha viganë

E zvaranikë tinzarë e të neveritshëm,

Në skutën me qullë të shpellës

-I ngrysur, i uritur-

Mendime yjesh përçapë,

Botën e ndritur me flakë,

Që akujt e kobit, shtijakë

T’mos e shporojnë.

Rëndomët një gazmend e vokë,

Në sfera përmbi sfera

E flakëron i lehtë,

Në ëndrrën që nis e bëhet jetë . . .

Natën,

Kur bie shi me rrëshekë.”

Shiun, element atmosferik i zakonshëm për Shkodrën, e gjejmë si fjalë kyçe edhe te Frederik Reshpja, por me një ndryshim të padiskutueshëm me Zorbën. Ndërsa, tek i pari ai reflekton një jeh krejt personal, tek Zorba ai është i mbushur me musht universal. Universalizmi, më së tepërmi, e karakterizon poezinë e Zorbës për të plazmuar vizione meditative, kryesisht, metafizike.

Pasiguria e jetës, e papritura e çastit, që mund të përmbyste çdo gjë, e kanë shoqëruar poetin gjatë atyre viteve, kur jeta e çdo njërit, mund të shkatërrohej për një çast. Në shtigjet e errëta, poetit i duhet drita. Po ku ta gjejë ? Një botë e pasur shpirtërore nuk stepet. Te një njeri i dashur, më së tepërmi, te e dashura e zemrës, Tereza, që qe jo vetëm shoqe e jetës, po edhe e idealit, për të cilin vuajti burgun edhe ajo si ai; te dashuria si ndjenja më humane e njerëzimit; te një ide a një doktrinë filozofike; tek një pentagram simfonik; apo tek poezia që i përfshin të gjitha këto elemente që burojnë dritë:

Pa titull

“Asht terr ky shteg. Unë s’mundem

Rrugën m’e gjetë pa dritën

Tande që më mungon.

Në breg të greminës,

që m’joshë e m’largon,

a shef si po lkundem ?” 6).

Zorba është poeti që ka shkrirë në një poezinë me muzikën dhe i ka veshur motivet me petka melodie. Këtë mund ta bënte vetëm një njohës i mirë i këtij arti. Dhe ai qe i tillë. Janë të njohur për një muzikalitet të theksuar poetik Fishta, Poradeci, Noli, dhe plot të tjerë, por për ta, muzikaliteti i fjalës dhe i vargut është thjesht një element i formës, që arrihet me përdorimin e qëllimtë të kadencave ritmike, me përzgjedhjen e tingujve, rimave, etj. Ndërsa tek Zorba, muzikaliteti poetik nuk është thjesht formë, ai është edhe përmbajtje. “Për unjisimin muzikal është kërkuar jo vetëm ritmi i qenësishëm në fjalët dhe në vargjet, por edhe tentativa e riprodhimit të formave muzikore: fugat, fugatot, sonata me tempot, kadencat, etj.”, ka shkruar ai në “Pasthënie”.

Të kësaj natyre janë cikli poetik:“Fugat e fundit” dhe poemi “Mbresat e rrugëve”.

Në “Fugat e fundit”, kemi të bëjmë me pesë poezi, të titulluara me terma të formave muzikore, dy prej të cilave kanë edhe nga një nëntitull: “Allegro”, “Andante mosso”, “Lento (për çdo 10 qershor)”, “Largo”, dhe “Allegro furioso (canzonetta)”.E përsëris, këto tituj nuk kanë kuptimin a kuptimet leksikore të fjalëve të zakonshme, por janë emërtime të formave të veçanta muzikore.

Në rrafsh gjuhësor, fjala fugë ka kuptimin e ikjes, arratisjes, veprimin e të ikurit nga një vend, largimit nga rrethana të ndryshme, etj., ndërsa në teorinë e praktikën muzikore, fuga është forma më komplekse e kompozimeve muzikore, që zhvillon disa tema, në funksion të një teme gjeneruese. I tillë është ky cikël poetik. Rreth një teme qëndrore, që është amullia e hirtë e përditshmërisë, në “Fugat e fundit” zbulohet një tematikë e larmishme, ka aty meditacione filozofike mbi peisazhe të natyrës, pakënaqësinë e njeriut dhe mëdyshjet e tij për rezultatet e njohjes shkencore, kur ato janë përdorur në dëm të tij, dhe prandaj nuk e kënaqin as shkencat ekzakte e as artet; dhe ai, mbetet si “i jeremisur” “në mes të askurgjësë e të pambarimit”; por ka edhe “ disa tharme / të mënjanuara / (që) me ngjyrë të re përftojnë një dritë / e jehe:

Dhe është ajo këngë e lashtë e fisit,

Që në mërgim përkundi shumë do burra,

Të djegur mallesh

E sypërlotur.

Cikli “Fugat . . . mbyllet me poezinë“Allegro furioso”, ku hamendësohet një hare e furishme me përshkrimin e një tabloje liqeni tejet të trazuar. Por ndodh e kundërta. Poezia e haresë së furishme dhe krejt “Fugat . . . ” priten si me spatë në vargun e fundit: “por shi vazhdoi me ra”. Kështu, në “Fugat e fundit”, poezia e muzika janë motra binjake, i ndihmojnë njëra-tjetrës dhe ndërthuren me mesazhe ngjyrash të ndryshme për jetën, njeriun, atdheun; ndërsa “shi vazhdon me ra”, d.m. th., monotonia, errësira, zymtira e së përditshmes mbetën.

Me terminologjinë e artit të melodisë shtjellohet edhe poemi “Mbresat e rrugëve”, në formën e koncertit për violë, fagot, ksilofon–kumbonë dhe instrumenta perkusioni. Poemi përbëhet prej 12 pjesësh, të titulluara me terminologji muzikore, shoqëruar me nëntituj:“Introduksion (Kthehen kujtime)”, “Tema e fagotit (Koha rend)”, “Tema e ksilofon-kumbonëve (Kur binte muzgu)”, “Tema e instrumentave me perkusion (Përshkimi i një komete)”, “Tema e violës (Ne djemtë e vajzat, e një maturant)”, “Parte concertante (Përzemërsi, lodra e dituri . . .)”, “Kadenca e ksilofon-kumbonëve (Pranverë)”, “Kadenca e fagotit-Ballatetta-(Verë)”, “Kadenca e violës (Vjeshtë)”, “Kadenca e instrumentave me perkusion (Dimër)”, “Ripresa (Ndarjet)”, “Stretta finale (Sikur . . .?)”. Edhe këtu kemi një larmi tematike, por me shtjellime më konkrete, aty këtu me gërshetime liriko-epike, që trajtojnë motive erotike, përshkrime stinësh me përsiatje meditative rreth tyre, tablo varfërie të skajshme, zymtie jetësore, por me mesazhin e shenjtë e optimist të dashurisë për jetën dhe njeriun.

Të nxitura nga jeta, frymëzimet e poetit janë jehonë “emergjencash shpirtërore”, siç i ka quajtur Pipa poezitë. Një emergjencë e tillë blatohet në pjesën “Kadenca e fagotit”, në të cilën:

“Në jerevinë

E ngarravaçuar të druvarit

Kandili i gjorë

S’e ka pikën e vajgurit:

Ndaj nën fanar, te dera,

I biri, maturant,

Me Kantin jep e merr

E me errësirën”.

Po ashtu në “Kadenca e violës – vjeshtë”, “Motet stërkeqeshin me mënjanime / por sidoqoftë mjerimi ish enerci, / akull polar, e vdekja / çasej në gjumë . . .”.

“Buzë të ngrira në gaz” mbyllen me ciklin poetik “Në zgrip”, leksemë, në të cilën akustika tingullore i rri aq përshtat kuptimit të fjalës. Edhe pse nuk është përdorur aq dendur në frymëzimet e Zorbës, ajo ka vlerën e fjalës kyçe. Tematika motivore e“zgripit”, përkap kohën e jetës në pragun e rrënimit, kohës së shtangur në një vend (“Një gozhdë”); zhgënjimin e poetit për varfërimin shpirtëror të njeriut (“Hënë të reja”); pakënaqësinë e tij që jetës i ka humbur shija e së bukures (“Raki e lirika–balladë”); ëndërrimet me ngjyrime romantike për një jëtë më të mirë, dhe dëshira: “gjersa jeta qenka / kaq e çatrafiluar, së paku sendet / me njëra-tjetrën të përkojnë, si ngjyrat / në kuadrot e Monesë” (“A s’ ma ndërtoni një shtëpi”); mjerimi i një jete që rrokulliset teposhtë e më teposhtë, dhe një mesazh i fuqishëm (te “Rrokollja na flakë- kushtuar bashkatdhetarëve”) për njerëzit që:

“Na i harruan kushtrimet:

Lëmuç mbi njëri-tjetrin

S’u ndiekan për së gjalli;

Të mos ketë mbetur frymë

Që rishtas t’i buçasë ? ”

* * *

Zorbën e dallon një ind tekstor vetanak, që e veçon atë prej të gjithë poetëve tanë të traditës dhe të kohës sonë. Ai ka një fjalor të pasur, që ushqehet me përdorimin e fjalëve të rralla dhe arkaike, sidomos të atyre që emërtojnë ose cilësojnë a tregojnë tipare të veprimit a të gjendjes, rrethana e mënyrë veprimi gjërash të zakonshme. Edhe në rrethin më të ngushtë të leksemave që përdor më shpesh, ai nuk i shmanget kësaj rruge. Të tilla janë: rrokoll-e, zhig, zalle, qull-e, qyqe, qyqar, lëmuç, etj.Për të shprehur përvoja të brendshme ndjenjësore dhe përfytyrime vetjake, poeti gjen vlera estetike tek disonancat, veçori e simbolistëve, po edhe e Montales. Këtë efekt, ai e krijon duke bubërruar e qëmtuar fjalë të popullit, pothuajse të harruara, në të cilat përsëriten tinguj të njëjtë që në pozicionet përkatëse shqiptohen me vështirësi: “Në jerevinë e ngarravaçuar të druvarit”, “Janë po ato rremnime shpirti, të rrokuara në zgrip”, “E mbetën ashtu lmuç të laskaruar”,“E nyjça krahë të lacaruar”.

Në një shkrim timin të mëparshëm 7), kam vënë në dukje që Zorba, si edhe disidentët e tjerë të heshtur shkodranë, ka shkruar në dialektin gegë.Por kur u përgatitën për botim pësuan metamorfozë dhe u botuan në standardin gjuhësor të njësuar. Një lajthitje e tillë e dëmtoi së tepërmi poezinë e tij, sidomos në rrafshin akustik të saj; çka për Zorbën, që bëri përpjekje për të lidhur poezinë me muzikën, krijoi një minus të dyfishtë. Këtë na e dëshmojnë qartë edhe poezitë që u botuan më vonë në revistat“Phoenix” dhe “Hylli i Dritës”.

* * *

Nuk mund të bëhet një koment i plotë për Zorbën pa vështruar përkimet e poezisë së tij me tre poetët e mëdhenj hermetikë italianë: Montale-n, Quasimodo-n dhe Ungaretti-n, të tre të nderuar me Çmimin Nobel. Zorba i përmend me admirim këta tre poetë në poezinë e tij; dhe veç kësaj, ai na ka lënë në dorëshkrim antologjinë poetike “Omne trinum est perfectum”8), në të cilën ka përfshirë përkthimin e poezive më të arritura të këtij treshi poetik të madh. Botimi i saj do të na tregojë se cilat vepra të tyre ka njohur poeti ynë; mbasi vëllimet poetike të botuara, nga viti 1945 dhe këndej vështirë t’i kenë rënë në dorë. Përkimet e treshes hermetike italiane me poetin tonë i hasim në kuptimin e qenies dhe qenësisë së poezisë, në përcaktimin dhe qasjen e objektit poetik, në shtjellimin tekstor të motiveve; në njëfarrë drejtimi, edhe në prefrencat leksikore, etj.

Në të kuptuarit dhe në vështrimin e poezisë, Zorba afrohet me hermetikët italianë, për të cilët poezia e pastër është imazh që evokon objektin, më tepër se ta emërtojë a ta përshkruajë atë.

Për ta rritur sa më shumë forcën evokative, ndjellëse, dhe sugjestionuese të poezisë, për të dhënë më të qenësishmen e imazhit poetik (“esencialitetin”, siç e përcakton ai vetë në Pasthënie), ata përdorin, çka është synimi i tyre kryesor, një ligjërim intensiv, skajshmërisht sintetik, eliptik, gjë që shpesh e bën atë të errët, hermetik. Një ligjërim që rreh të ndriçojë elementet afektive, ndjenjësore, imagjinative, duke zbehur ato racionale. Dihet përkufizimi lapidar, substancial, i përqenësishëm i Quasimodo-s për poezinë: “Kur poezia fillon të thotë, pushon së qeni”.

Intensiteti skajor i kumtimit të idesë në tekstin poetik i ka çuar hermetikët italianë shpesh në poezi me dy a tri vargje me nëntekste shumë të pasura, si në rastin e poezisë “Ed è subito sera”(“Dhe shpejt vjen mbrëmja”) të Quasimodo-s, për analizën e së cilës janë thurur disa ese nga kritikë të ndryshëm.

“Ognuno sta solo sul cuor della terra

Trafitto da un raggio di sole:

Ed è subito sera”.

(“Secili rri vetëm në zemër të tokës / I goditur nga një rreze dielli: / Dhe shpejt vjen mbrëmja”). Ose me poezinë e Ungaretti-t, “Mattina” (“Mëngjes”), një poezi e zhveshur deri në palc të ashtit: “M’ illumino/d’immenso” (“Përshëndritëm / Pafundësisht”) 9).

Të kësaj natyre janë shumë poezi të Zorbës, si përshkrimet me nëntekste të pasura kuptimore: “Pjergulla”, “Zalli i Kirit”, “Prap me furi”, “Rrenime”, “Rrugët në vjeshtë,”, “Malle”, Fli”, etj. , ose meditacionet filozofike si “Përtej . . .” (që të kujton poezinë që çekëm më lart të Quasimodo-s), “Pa element”, “Fjala”, “Kujtime”, “Robër”, (e shkruar në burg, në vjeshtë të vitit 1948, ku aludohet për “armiqtë e popullit” që punonin në kampet e punës dhe të “riedukimit”, dhe që na kujton poezinë “Vëllezër” të Ungaretti-t, kushtuar ushtarëve në llogore gjatë Luftës së Parë Botërore.).

Me gjithë admirimin për hermetikët, Zorba ka ndjekur vetveten në dhënien e emocioneve dhe të përfytyrimeve vetiake.“Pasimi i rrugëve emocionale të tyre do të kishte qenë një vazhdim i mjerë e i pafrut”, ka shkruar ai.Origjinalitetin e tij, “shpetimin prej grackës së hermetikëve”, siç e quan ai, e ka arritur nga “analiza kritike e botës individuale, e rrethanave, e kushteve të ekzistencës, e aspiratave dhe idealeve e sidomos kundërshtimet e botëkuptimet personale, që edhe mund të paraqesin afri sensitive me këdo tjetër, por jo unjisim filozofik e ideor”. Një burim tjetër shpëtimi nga ajo grackë është jetësuar në rrafshin leksikor: “shpuplimi dhe ushqimi i vazhdueshëm me leksikun dhe idiomat tona (të traditës dhe ato që bota krijon çdo ditë)”, ka shkruar ai po aty. Megjithse, sikurse kam sqaruar më lart, nuk mund të pajtohem plotësisht për këtë çështje.

Një ndikim të dukshëm të poezisë hermetike e hasim në dy ciklet që përmendëm më lart; “Fugat e fundit” dhe“Mbresat e rrugëve”, që përfshijnë provat e tij në lidhjet poezi–muzikë. Zorba eci në rrugën e hapur prej Montales, siç kishte ecur ky pas gjurmëve të muzikantit francez Debussy, që pati kompozuar poezi të Bodlerit dhe një poem të Malarmès. Montale, në ciklin poetik “Movimenti” të përmbledhjes poetike “Ossi di seppia” (“Eshtrat e sepies” 10), ka botuar eksperimentet e tij në këtë fushë të pazakontë të relacioneve të poezisë me muzikën: “Corno Inglese”, “Falsetto”,“Minnistrels” da C. Debussy; “Quasi una fanfasia”; veç poezive më të hershme të kësaj natyre: “Musica silenziosa”, “Suonatina di pianoforte”, suitën “Accordi”11).

Më vjen mbarë të theksoj këtu që poezia hermetike në rrafsh kuptimor nuk është e hapur, pra bart mesazhe që poeti ua transmeton lexuesve nga thellësia, sado të errët që janë nga shkaku i intensitetit maksimal që cilëson tekstin, të cilat lexuesi duhet t’i zbërthejë. Zorba është ushqyer gjithë jetën sa me hermetikët italianë, aq edhe me modernistët europianë si Bodlerin, Tomas Eliotin, etj. Zorba kërkon një komunikim të plotë me lexuesin “komunikim që s’i drejtohet një leçitësi të plogtë, pasiv e indiferent, që pret çfarë i sjell poeti-dallëndyshe për ta përtypur pa mundim, pa pjesëmarrje. Jo. Lexuesit të sotëm i kërkohet përgatitje shpirtërore, kulturore e artistike për ta bërë veten bashkautor me artistin, jo vetëm për të interpretuar atë që i komunikohet, por për ta ndjerë e për ta vuajtur bashkë me poetin, duke kërkuar në vepër përfytyrimin vetjak, qoftë në formë krejt individuale e ndoshta edhe botëkuptimore tjetër.”

Referenca dhe shënime

1). Kam pasë fatin ta njoh. Pavarësisht që mosha dhe sidomos rrethanat nuk na e mundësuan lidhjen e miqësisë, aq të dishëruar prej meje. Një fytyrë e fisme, gjithnjë e hijesuar nga mendimi, që i ndriste sytë dhe krejt fytyrën. E vija re kur ecte rrugës. Një hijeshi personaliteti në të ecur më ngjallte gjithnjë admirim. Me hapa të sigurt, thua se po ecte i vetëm. Mbasi kishte kryer llogaritë në ndërmarrjet ku punonte, që në momentet kur shkëputej nga puna dhe merrte rrugën e kthimit në shtëpi, për të fillonte jeta e dytë, ajo e vërteta. Tashmë, ai e kishte kaluar pragun e asaj jete të rëndomtë të ditës dhe ishte futur në hapësirat e artit. Të krijohej përshtypja që, gjatë rrugës, krijonte poezi. Ja njëra prej tyre:

“Si zogj dallëndysheje,

Fëmi të lagjes

Më shkasin anash

Plot shend e verë.”

Më pati treguar Ernest Perdoda, një poet tjetër i heshtjes shkodrane, shok e mik i përbashkët, që Zefi shkruante poezi dhe përkthente hermetikët. Një herë, më pati lexuar një poezi të përkthyer të Ungarett-it.

2). Shih “Phoenix”, nr. 1, korrik-gusht 1997, f. 52-57; dhe “Hylli i Dritës”, nr. 1, v. 2010, f. 186-203.

3). Hans Joachim Lanksch “Arti autonom i fjalës”, “Phoenix”, nr. i mësipërm, f. 49-51.

4). Të gjitha citimet nga Zorba që pasojnë janë marrë nga kjo “Pasthënie”.

5). Shih, Petraq Kolevica, “Lasgushi më ka thënë . . . Shënime nga bisedat me Lasgush Poradecin”. Botim i dytë i plotësuar, “Toena”, Tiranë, 1999, f. 89. Cituar simbas Anton Nikë Berisha,“Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë – Vëzhgime mbi artin poetik të Fishtës”,“Shpresa & Faik Konica”,Prishtinë, 2003, f. 109.

6). Ky variant është marrë nga “Hylli i Dritës”.

7).“Disidencë fisnike dhe politizim çoroditës në letërsinë tonë”, “Dielli”, nr. 1 dhe 2, viti 2004.

8). Stefan Çapaliku, “Edhe pse kohë mbeti pak . . . ”, gazeta “Shkodra”, 14 janar, 1993.

9). Të dhënat për Quasimodo-n dhe Ungaretti-n i kam prej shënimeve të mia të dikurshme.

10). Sepie, emër i një molusku.

11).“Eugenio Montale, Collected Poems 1920-1954”. Translated by Jonathan Galassi.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Anton Cefa, Buze te ngrira ne gaz, Zef Zorba

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT