• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Departamenti Amerikan i Shtetit: Në Kosovë zyrtarët e korruptuar nuk ndëshkohen

March 11, 2020 by dgreca

-DASH: Korrupsioni, pandëshkueshmëria probleme serioze për Shqipërinë/

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2019.

Në pjesën për Kosovën, ky raport nxjerr si çështje kryesore: kufizimet të tepruara ndaj mediave, përfshirë dhunën ose kërcënimet ndaj gazetarëve; korrupsioni i qeverisë dhe mosndëshkimi i tij; si dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara.

“Shumë persona në qeveri, opozita, shoqëria civile dhe mediat raportuan raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion që vazhdonin veprimtarinë dhe mbesin të pandëshkuar. Qeveria dhe sektori i drejtësisë ndonjëherë ndërmorën masa për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar ata zyrtarë që kryenin abuzime, vepra penale dhe krime të së kaluarës, por shumë nga ata vazhduan të ushtronin pozicione në sektorin publik”, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit.

Raporti thotë se qeveria nuk arriti të zbatojë në mënyrë efektive ligjin që parashikon dënime penale për zyrtarët e korruptuar.

“Zyrtarët nganjëherë përfshihen në praktika korruptive dhe mbesin të pandëshkuar. Mungesa e një mbikëqyrjeje efektive gjyqësore dhe sundimin e ligjit në përgjithësi i dobët, kontribuuan në këtë problem”, thuhet në raport.

Sa i përket sektorit të gjyqësorit, raporti thekson se “Kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, por gjyqësori jo gjithmonë siguroi një proces të duhur”.

DASH thekson se “sipas Komisionit Evropian, organizatave joqeveritare dhe institucionit të Avokatit të Popullit, administrimi i drejtësisë ishte i ngadaltë dhe nuk kishte mjete për të siguruar përgjegjësinë e zyrtarëve gjyqësorë”.

“Strukturat gjyqësore i nënshtroheshin ndërhyrjeve politike, me emërime të diskutueshme dhe mandate të paqarta”, theksohet në raport.

Më tutje në raport thuhet se “autoritetet ndonjëherë dështuan të zbatojnë urdhrat e gjykatës, përfshirë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht kur vendimet favorizuan pakicat, si në shumë raste të kthimit të pronave nga serbët e Kosovës”.

Këtu merret si shembull vendimi i autoriteteve lokale të Komunës së Deçanit, të cilat refuzuan zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, që konfirmon pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe mbi më shumë se 24 hektarë tokë ngjitur me Manastirin e Deçanit.

“Asnjë nga zyrtarët e përfshirë në moszbatimin e urdhrit gjyqësor nuk është sanksionuar”, thekson raporti.

Sa i përket respektimit të të drejtave qytetare, raporti thekson se përderisa qeveria në përgjithësi e respektonte lirinë e shprehjes dhe të shtypit, raportet e besueshme insistuan se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare radikale përpiqeshin t’i frikësonin përfaqësuesit e mediave.

“Mediat gjithashtu hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, siç parashikohet me ligj”, thuhet në raport.

Në pjesën e raportit që flet për liritë e pjesëmarrjes në procese politike, Departamenti amerikan i Shtetit, potencon se “Qeveria serbe ka vazhduar të operojë me disa struktura paralele të paligjshme qeveritare në komunat me shumicë serbe dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti kosovar-goran”.

“Besohet se këto struktura shpesh përdoren nga Qeveria serbe për të ndikuar në komunitetet serbe dhe përfaqësuesit politikë”, thuhet në raport.

“Qeveria serbe vazhdoi të operojë disa struktura paralele të paligjshme qeveritare në komunat me shumicë serbe dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti kosovar-goran”, thuhet në raport.

Shembuj të kësaj përmenden pretendimet e disa pjesëtarëve të komunitetit serb për hakmarrje nga kundërshtarët politikë. “Përpara zgjedhjeve të vendit më 6 tetor, disa serbë të Kosovës raportuan se ishin nën presion për të mos mbështetur partitë tjera, përveç Listës Serbe, parti kjo e lidhur ngushtë me Qeverinë serbe”, thekson Departamenti amerikan i Shtetit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, gjatë prezantimit të raportit, theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të përdorin zërin dhe pozicionin e saj në skenën botërore për të tërhequr vëmendjen ndaj shkeljeve dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe për të promovuar përgjegjshmëri për shkelësit dhe abuzuesit e të drejtave të njeriut.

“Përvoja mëson se zyrtarët qeveritarë që shtypin, abuzojnë dhe tolerojnë mohimin e të drejtave të njeriut janë gjithashtu përgjegjës për krijimin e mjediseve sociale që janë të pjekura si për krizat ekonomike ashtu edhe ato humanitare, dhe që inkurajojnë korrupsionin, konfliktin e dhunshëm dhe terrorizmin”, tha sekretari Pompeo.

DASH: Korrupsioni, pandëshkueshmëria probleme serioze për Shqipërinë/

Shkeljet kryesore të të drejtave të njeriut në Shqipëri për vitin 2019, sipas raportit të Departamentit të Shtetit të bërë publik të mërkurën, janë “kufizimet e lirisë së shprehjes dhe shtypit, ku shpifja konsiderohet si shkelje kriminale, kurrupsioni i kudondodhur, në të gjitha degët e qeverisjes, përfshirë institucionet lokale. Pandëshkueshmëria, thekson raporti, vazhdon të mbetet problem serioz, megjithëse qeveria ka bërë përpjekje më të mëdha për të marrë masa në këtë drejtim. Ndjekja penale dhe veçanërisht dënimi i zyrtarëve që kanë kryer shkelje, ka qënë sporadik dhe jokonsistent. Zyrtarë, politikanë, gjykatës dhe persona me interesa të fuqishme biznesi, shpesh arritën të shmangnin ndjekjen penale”, thotë raporti.

Në raport theksohet se zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, sipas vlerësimit të OSBE-së,respektuan liritë themelore, por u karakterizuan nga akuza pët blerje votash dhe trysni ndaj votuesve. Zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019,u bojkotuan nga partitë e opozitës, të cilat akuzuan qeverinë për mashtrim elektoral. Sipas raportit të OSBE-së, zgjedhjet u mbajtën “përgjithësisht në mënyrë paqësore dhe të rregullt”,por votuesit nuk kishin mundësi zgjedhjeje mes alternativave politike.

Gjatë vitit 2019, thuhet në raport, Avokati i Popullit mori ankesa të shumta lidhur me përdorimin e tepruar të gazit lotsjellës nga policia gjatë protestave të opozitës dhe gjatë një nxjerrjeje me forcë nga banesa për shkak të ndërtimit të një unaze të re në Tiranë.

Probleme serioze në burgje dhe qendra ndalimi pati me kushtet e këqija dhe mungesën e kujdesit shëndetësor, sidomos atij mendor, si edhe me mbipopullimin dhe korrupsionin.

Lidhur me korrupsionin, raporti përmend rastin e arrestimit të ish-drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Arben Cuko nën akuzat për korrupsion.

Raporti thotë se kushtet mbetën nën standard në disa objekte ndalimi jashtë Tiranës dhe qendra të tjera të mëdha urbane.

Mes përmirësimeve, raporti përmend faktin se Avokati i Popullit njoftoi për një lehtësim të mbipopullimit përmes infrastrukturës së re dhe amnistive.

“Megjithëse Kushtetura parashikon pavarësinë e gjyqësorit, presioni politik, frikësimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara, disa herë penguar gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe efiçente”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se qeveria zbatoi procesin e vëzhguar ndërkombëtarisht të vetingut të gjykatësve dhe të shkarkimit të gjykatësve me pasuri të pajustifikuar dhe me lidhje me krim të organizuar.

Por raporti thotë se si pasojë e këtij procesi Gjykata Kushtetuese mbeti vetëm me një anëtar, dhe rrjedhimisht pa kuorum.

“Politizimi i mëparshëm i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetues, kërcënoi të sabotonte pavarësinë dhe integritetin e këtyre institucioneve”, thuhet në raport.

“Ndërsa individët dhe organizatat mund të kërkojnë kompensime civile për shkeljen e të drejtave të njeriut, gjykatat ishin të prekura nga korrupsioni, mungesa e efiçencës, frikësimi dhe ndërhyrja politike”, thuhet në raport.

Ish-të burgosurit politikë nën regjimin komunist vazhduan të kërkojnë kompensimet nga qeveria dhe kjo e fundit shënoi një fare përparimi në dhënien e kompensimeve gjatë vitit.

Sipas raportit pati njoftime se qeveria, biznesi dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikojnë tek media me rrugë të papërshtatshme.

“Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një gamë këndvështrimesh, megjithëse pati përpjekje për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik dhe ekonomik ndaj medias, përfshirë përmes kërcënimeve dhe dhunës kundër gazetarëve që u përpoqën të hetonin krimin dhe korrupsionin”, thuhet në raport.

“Shumë pronarë të stacioneve televizive private e përdorën përmbajtjen e transmetimeve të tyre për të ndikuar tek qeveria në favor të bizneseve të tjera të tyre”, thotë raporti.

Po ashtu në raport thuhet se pati “njoftime të besueshme se përfaqësues me peshë të medias përdorën organet e medias për të bërë shatazh ndaj bizneseve.

Raporti thotë se presioni politik dhe mungesa e fondeve shkaktoi kufizime tek media e shkruar dhe përmend si probleme autocensurën dhe mugesën e sigurisë ekonomike të gazetarëve.

Raporti përmend si shqetësim përdorimin e ligjeve për shpifjen kundër gazetarëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Zyrtaret e korruptuar

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT