Kosovë-Serbi, në Bruksel nisin bisedime tjera trepalëshe/Foto:Arkiv: Bisedimet Prishtine – Beograd/
– Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka deklaruar se, kjo është hera e parë në jetën e saj që për ditën e flamurit kombëtar ka vendosur të punojë në vend se të festoj siç e kanë pasur traditë familjare, mirëpo ka thënë se këtë po e bënë me kërkesën e përfaqësuesve të BE-së sipas axhendës së të cilëve këto takime janë kërkuar/
Prishtinë, 28 Nëntor 2016-B.Jashari/ Në Bruksel fillojnë nesër bisedime të tjera trepalëshe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Në këto bisedime që do të zgjasin dy ditë, në axhendë do të jenë çështjet e drejtësisë dhe kodit shtetëror telefonik për Kosovën. Në këto takime të dyja shtetet do të raportojnë për progresin e arritur në përmbushjen e obligimeve për zbatimin e këtyre dy marrëveshjeve”, thekson njoftimi dërguar nga qeveria e Kosovës.Bëhet e ditur se, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore e Kosovës në dialogun e Brukselit ka arritur në Bruksel, ku sot do të zhvilloj takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian me qëllim që të bëhet një vlerësim për rrjedhat dhe rezultatet e dialogut gjatë këtij viti i cili po i afrohet fundit, si dhe për përcaktimin e dinamikave për përmbylljen e procesit zbatues për marrëveshjen për drejtësinë dhe për kodin telefonik shtetëror, për të cilën tashmë është përcaktuar se më 15 dhjetor 2016 Kosova do ta merr kodin vet telefonik nga ITU.“Në këtë raund të bisedimeve nuk do të bisedohet për çështjen e Asociacionit dhe për këtë çështje nuk është biseduar as në raundet e kaluara”, thekson njoftimi, ku shtohet se, “lajmet e lansuara nga pala tjetër se gjoja do të bisedohet për këtë temë janë të pasakta”.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka deklaruar se, kjo është hera e parë në jetën e saj që për ditën e flamurit kombëtar ka vendosur të punojë në vend se të festoj siç e kanë pasur traditë familjare, mirëpo ka thënë se këtë po e bënë me kërkesën e përfaqësuesve të BE-së sipas axhendës së të cilëve këto takime janë kërkuar. Ajo ka përcjellë urimin më të përzemërt për Festën e Flamurit gjithë shqiptarëve kudo ku janë. Në 25 nëntor, qeveria e Republikës së Kosovës ka paraqitur pranë Bashkimit Evropian raportin periodik mbi gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit mes Prishtinës e Beogradit, i cili përfshinë periudhën nga 16 qershori deri më 25 nëntor të vitit 2016. Ky raport paraqet vlerësimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi progresin dhe sfidat në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Dialogun e Brukselit. “Qeveria e Kosovës ka qenë dhe mbetet një palë konstruktive dhe serioze në dialog. Ne kemi bërë çdo përpjekje të mundshme në arritjen e marrëveshjeve dhe qëndrimin konsistent duke realizuar ato për çka jemi pajtuar. Parimi kryesor që na udhëheq është bindja se dialogu mund të ndihmoj për të transformuar marrëdhëniet armiqësore në marrëdhënie paqësore fqinjësore, për të cilën faktor qenësor është njohja e ndërsjellë mes dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në raportin e nënshkruar nga ministrja për Dialog, Tahiri.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012 dhe deri tash kanë zhvilluar 30 raunde, të fundit në 27 janar 2016.
Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tani ministre e Dialogut.