Nga Keze Kozeta Zylo/
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Manhattan gjithmonë ka qenë si shtëpia jonë e dytë për shkollën Shqipe “Alba Life” në New York./
Pas lehtësimit të masave nga pandemia botërore për shkak të Covid 19-të, themeluesit dhe drejtuesit e Shkolles Shqipe “Alba Life” patën një takim të frytshëm me Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Manhattan Ambasador Frymëzim Isufaj.
Ndonëse prania e tij është ndjerë si për stafin e Shkollës Shqipe Alba Life po ashtu dhe për nxënësit në festimin e Ditës së shenjtë të Flamurit Kombëtar si dhe të Pavarësisë së Kosovës, takimi fizikisht dhe për të biseduar më shumë rreth mësimit të Gjuhës Shqipe në Diasporë dhe çështjeve të tjera ishte i domosdoshëm.
Ne u mirëpritëm ne hyrje të derës ngrohtësisht nga kolegja jonë e nderuar znj.Vlera Sela Thaqi e punësuar pranë Konsullatës se Kosovës si dhe diplomatja Albesjana Iberhysaj.
Ambasadori Frymëzim Isufaj vlerësoi lart punën e drejtuesve dhe mësuesëve të shkollës Shqipe “Alba Life” si dhe përkushtimin maksimal ndaj çështjes së mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë. Vazhdimisht ka qenë preokupimi ynë për të bashkëpunuar me shkollat shqipe kudo ku janë në Diasporë dhe me sa mundemi të shpërndajmë abetaret dhe librat shqip ndër shkolla. Ne bashkëpunojmë me ministritë përkatëse për shpërndarjen e librave dhe për të qenë më pranë jush. Ne duhet të organizojmë ekskursione dhe vizita midis nxënësve të Diasporës dhe Atdheut për të njohur më mirë dhe më thellë historinë e Mëmëdheut tonë. Unë kam qenë shumë i emocionuar kur dëgjoja nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” pasi ata interpretonin poezi në shqip për Atdheun, Flamurin, Kombin, Adem Jasharin në festimin e Ditës së Flamurit që u realizua në Online. Ishte kënaqësi shumë e madhe për mua dhe ju inkurajoj ta vazhdoni këtë punë dhe mos u ndalni kurrë në misionin kombëtar. Shpresoj që të hapen klasat nëpër shkolla në muajin shtator dhe do t’ju vizitojmë dhe marrim takime direkte me nxënësit dhe mësuesit.
Ambasadori Isufaj vlerësoi lart gjithë Diasporën që në momentet më të rëndësishme historike ka qenë pranë Kombit. Ne ndihemi shumë krenar me Diasporën që asnjëherë nuk i harron rrënjët e saj.
Me mjaft dashamirësi dhe plot inkurajim përshëndeti dhe diplomatja Albesjana Iberhysaj duke diskutuar më shumë rreth punës me nxënësit për t’ju mësuar gjuhën shqipe dhe për të mos u ndalur kurrë në këtë mision atdhedashës.
Z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i Shkollës Shqipe “Alba Life” që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut falënderoi përzemërsisht Ambasadorin Isufaj. Ai shprehu mirënjohjen për mikpritjen e tij dhe gatishmërinë për të mbeshtetur shkollat shqipe si dhe pjesemarrjen e tij në Online në festimin e Ditës së Flamurit dhe të Kosovës. Ne gjithmonë kemi pasur lidhje të vazhdueshme me Ambasadorët e Kosovës në Manhattan dhe në Washington dhe e kemi ndjerë nga afër mbështetjen e tyre morale dhe me libra sipas mundësive. Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Manhattan gjithmonë ka qenë si shtëpia jonë e dytë. Eshtë kënaqësi të bashkëpunojmë së bashku si shqiptarë dhe të ndihmojmë njeri tjetrin, pasi na lidh Kombi dhe gjuha shqipe. Ne kemi ardhur disa herë në aktivitetet që ka organizuar Konsullata dhe i kemi mbuluar dhe si media “Alba Life”, të fundit kanë qenë me Ambasadoren Teuta Sahatqija e cila organizonte herë pas here festat kombëtare. Gjejmë rastin ta falënderojmë pasi siparin e 10-të Vjetorit të Kosovës në Diasporë e hapi me aktivitetin madhështor të realizuar nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”. Z.Qemal Zylo foli gjithashtu dhe për unifikimin e abetareve midis dy vendeve, të librave të mësimit shqip pasi njëkohësisht po punon dhe si anëtar i Kryesisë së Këshillit Koordinues të Arsimtareve në Diasporë. Ndonëse shumë gjëa nuk janë të lehta, por në bashkëpunim me mësueset e përkushtuara ne ja kemi dalë me plot sukses dhe do ta vazhdojmë këtë mision kombëtar pa u ndalur asnjëherë.
Në fund bëmë një fotografi të përbashkët si kujtim pranë Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës dhe takimit me Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës z.Frymëzim Isufaj.
28 Maj, 2021
Manhattan, New York