Ose… Mbresa të pashlyera, nga një udhëtim, në Shkodër /
Nga: MURAT GECAJ/
Ne Foto: Përqafim i paharruar… Shkodër, 25 maj 2013/
1.
Kishte kohë, qëkur mbesa Dorelë na ishte lutur të bënim një udhëtim për në qytetin e Shkodrës. Përveçse dëshironte të shihte qytete të tjerë, me bukuritë tyre dhe pamje interesante, e tërhiqte takimi me stërgjyshin e saj, Zef Gjon Zhurin, i cili e ka origjinën nga fshati Kajvall, i krahinës së Duzhmanit, po në atë rreth. Ai i ka mbushur 94 vjetët, në janarin e këtij viti dhe, megjithatë, ende mbahet i fortë.
Kështu, siç thuhet shpesh, na u bë për mbarë, që të niseshim për këtë udhëtim të shumëpritur: unë me bashkëshorten, Katerinën dhe motrën e saj, Lenën. Ndërsa kishim vendosur ta merrnim me vete edhe Dorelën, e cila në marsin e këtij viti mbushi 10 vjet, por që nuk e kishte parë ndonjëherë atë qytet të bukur veri-perëndimor të Shqipërisë. Ndërsa mjetin tonë do ta drejtonte vëllai i saj, Deivisi, i cili sapo është kthyer nga qyteti Kiel i Gjermanisë veriore, ku kishte shkuar për të kryer një kurs disamujor, për gjuhën e atij vendi.
Siç është e kuptueshme, kërshëria e Dorelës ishte e madhe, që të mësonte, gjatë autostradës, se cilët qytete kishim pranë. Kur dolëm nga kryeqyteti e kaluam Kamzën, shpejt arritëm në Fushë-Krujë. Ajo e drejtoi shikimin në rrëzën e një mali, ku ndodhet qyteti i Krujës, me kalanë e tij shekullore. Jo rastësisht, fëmijët e lidhin atë shumë ngusht me figurën legjendare të kryetrimit tonë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Duke udhëtuar më tej, i treguam asaj se, në të djathtë, po linim pas Mamurrasin dhe, disa kilometra më tej, qytetin e Laçit. Në horizont dukej edhe vendi i shenjtë për besimtarët, katolikë ose jo, i njohur me emerin “Kisha e Laçit”. Dorela mbante mend, se atje kishte qenë i vëllai dhe për këtë fakt kisha shkruar në librin publicistik-letrar, “Dorela” (Tiranë, 2012). Aty, ku fillonte “Udha e Kombit”, pra autostrada, që të çon për në Republikën e Kosovës, pak më larg ndodhet qyteza e Milotit. Në anë të saj, rrjedhin ujërat e lumit të rrëmbyer dhe mbi të ndodhet një urë karakteristike, me emrin e lumit Mat, i cili rrjedh poshtë saj.
Dorela u interesua edhe se kur do të arrinim në Lezhë, qyteti ku kishte jetuar familjarisht, dajë Nikolla, vite më parë. I treguam se, gjithnjë në krahun e djathtë dhe në bregun e lumit, dukej mirë Vend-varrimi i Skënderbeut. Ndërsa, për ta parë kalanë e lashtë të tij qyteti, Dorelës iu desh të shihte në lartësi, përmes xhamit të veturës sonë.
Interesante për atë ishte edhe çasti, kur i treguam se në krahun e majtë tonën ndodhej fshati, me emrin Gjadër. Për atë vend, dikur me rëndësi ushtarake, i kishte folur asaj dajë Nikolla, pra se kishte shërbyer atje në armën e aviacionit. Por shpejt arritëm edhe në afërsi të qytezës së Bushatit e më pas mbi Urën e Bahçallekut, poshtë të cilës kalon lumi Drin. Teze Lena i tregoi Dorelës se, diku përballë, kishte qenë fabrika e çimenrtos, ku ajo kishte punuar pak vjet, pasi kishte mbaruar shkollën e mesme të ndërtimit, në Tiranë.
Ashtu si pjesën e vjetër të qytetit të Shkodrës, në të djathtë dhe Kalanë në lartësi, por dhe shtatoren e Isa Boletinit, e cila ngrihet pak më larg e përballë, Dorela I shikoi me kureshtje të veçantë ndërtesat disakatëshe dhe njerëzit, të cilët udhëtonin me biçikleta, ndryshe nga kryeqyteti. Me interes e vështroi ajo edhe ndërtesën e Kishës së Madhe të Shkodrës. Ndër të tjera, i treguam se, disa vite më parë, aty kishin qenë Nënë Tereza e Papa Gjon Pali i 2-të. Në të majtë, ndodhet një ndërtesë dykatëshe, ku ishin strehuar fëmijët e vegjël jetimë. Këtë fakt, Dorela e lidhi edhe me nënë Katerinën e teze Lenën, të cilat i kishin treguar se, në vegjëli, kishin qenë disa vjet në Shtëpinë e Femijëve jetimë. Ajo ishte në qytetin e Shkodrës, ku funksionon deri sot, por në një vend tjetër dhe kishte patur drejtoreshë një nënë të mirë për të gjithë, me emrin Persa Grabova, tani “Mësuese e Popullit”.
2.
Në rrugën me emrin e vjetër “Koja” e më vonë edhe “Buzuku”, makina jonë u ndal. Dikush nga ne i ra ziles dhe në derën e jashtme të një ndërtese njëkatëshe na u shfaq teta Martinja. Ajo na uroi mirëseardhjen e na prini për më tej. Kur, sakaq, te dera e shtëpisë i moshuari u shfaq Zef Gjon Zhuri, me një pamje krenare dhe buzëqeshje të ëmbël në fytyrë. Ai nisi të na përqafonte me radhë e të na falënderonte për këtë vizitë. “Po kjo, cila është?”-pyeti ai, paksa i habitur. Se ne nuk i kishim treguar atij me telefon, se do ta kishim me vete Dorelën e vogël. Pra, kështu ishte për të, një vizitë e papritur ose “suprizë”. Pa marrë ende përgjigjen, Dorela u turr me vrap, iu hodh në qafë dhe e puthi në të dyja faqet. “Po, cila qenke ti, moj vajzë kaq e bukur dhe e dashur, që e puthë një plak 100-vjeçar?”-bëri shaka stërgjyshi i saj, tashmë, duke e kuptuar se cila ishte ajo. “Jam Dorela, a nuk po më njeh ti, tatë?”-ia ktheu ajo, pa iu shkëputur nga duart. Me përqafime u takuam edhe me Tomë Gjinin, një kusheri i kësaj familjeje, i cili jeton në fshatin Bërdicë të atij rrethi. Nuk vonoi e aty erdhi bashkëshorti i Martines, nga fshati Kajvall dhe me një emër të njëjtë me të, pra me emrin Martin. Se nuk janë aq të rrallë këto raste. Ja, p.sh., unë kam të njohur edhe një çift dashamir, në Tiranë, të cilët e kanë emrin: Fatmir e Fatmiroshe.
Siç e ka në natyrën e saj, pra për të “zbukuar” çdo gjë të re e të panjohur, kështu bëri edhe në këtë banesë, të cilën tashmë Dorela e quante të sajën. Ajo i vështroi me kërshëri të gjitha fotografitë në korniza dhe të vendosura nëpër mure. U mvrenjet ca në fytyrë dhe i mblodhi pak vetullat, kur pa fofografinë e stërgjyshes së vet ose të “nëna Prandës”, siç e quante zakonisht mami Mirela. Për atë i kishim treguar, se ishte ndarë përgjithnjë nga jeta, disa vjet më parë. Por u largua nga kjo jetë, me një merak të madh në zemër, që nuk arriti ta shihte, qoftë një herë, stërmbesën e saj të mitur, Dorelën, për arsye se ajo kishte mbetur në shtrat.
Mbresëlënëse për Dorelën ishte edhe koha, kur bashkë me “lali” Deivisin e teze Lenën, ajo hipi përmes shkallëve, në çatinë e një pjese të zgjatur të asaj shtëpie, e cila shërben për të future enë të të ndryshme e dru të prera ose për të ndezur zjarr, për gatime. Që atje, asaj i pëlqente, kur e hidhte vështrimin në oborr ose kur shihte degët e rrushit, i cli në fundverë mbushet me kokërra të pjekura. Njëri nga ata të dy i tërhoqi vëmendjen asaj edhe që të shikonte, se mos gjente ndonjë dredhëz a qershigël, të mbjellë nga stërgjyshi i saj nëpër vazo.
Në ato pak orë, kur qëndruam në shtëpinë e këtij afër shekullori, bisedat më interesante ishin ato, të cilat u zhvilluan ndërmjet atij stërgjyshi dhe stërmbesës së tij, Dorelës. Kjo donte të dinte për gjithçka, sa e “lodhi” atë, me pyetje të shumëllojshme. Ndër to, ishin pyetjet nëse ai kishte mall ta shihte vendlindjen e tij në Malësi, çfarë punësh kishte bërë gjatë jetës etj. Pa përtuar, Zefi i tregoi Dorelës se kishte marrë pjesë edhe në ndërtimin e tri hidrocentraleve mbi lumin Drin, pra në atë të Vaut të Dejës, Komanit e Fierzës, të cilët i japin dritë gjithë Atdheut, tash disa vite me radhë.
Pas drekës, të cilën Dorela e shijoi mjaft, sidomos për mishin e derrit të thatë e me fasule etj., ca i lodhur, stërgjyshi i saj u shtri pak për të pushuar. Dorela shkoi në dhomën e tij, e mbuloi me kujdes, sepse po binte shi jashtë e ishte pak fresk. Pasi i dha atij një trëndafil erëmirë në dorë, e përqafoi fort, duke iu drejtuar buzagaze, me atë fjalë, që i thërtasin të tjerët: “Flej tani, tatë, bëj nani-nani!” Por nuk e ndiente veten të qetë, deri sa mori një mbulesë e u shtri edhe ajo, përkrah tij. Sigurisht, ky veprim tepër dashamirës e domethënës, i solli një kënaqësi tepër të veçantë këtij të moshuari, si për dashurinë dhe respektin, që po shfaqte ndaj tij, stërmbesa. “Qofsh me jetë sa më të gjatë, të gëzuar e të lumtur, moj Dorelë!”-e uroi ai dhe sakaq e zuri gjumi.
3.
Nuk do ta përshkruaj më tej, kohën e qëndrimit në atë shtëpi shkodrane, deri sa morëm udhën e kthimit për në Tiranë. Mjaft i kënaqur, por dhe i përmalluar, Zef Gjon Zhuri doli te dera e jashtme e oborrit dhe na përqafoi të gjithëve me radhë, duke na uruar udhë të mbarë e duke na falenderuar për vizitën tone të përbashkët.
Kur arritëm në fundin e rrugicës, paparitas e rrëmbimthi, Dorela u shkëput nga ne. Ajo shkoi e u ndal para stërgjyshit shumë të dashur të saj, cili qendronte ende më këmbë dhe, me emocione të natyrshme, e shihte largimin tonë. Nuk e dëgjuam se çfarë i thanë ata njëri-tjetrit, por jam i sigurtë, se ai përqafim i ngrohtë dhe ajo puthje tjetër e stërmbesës Dorelë, ia ka mbushur atij krahërorin me kanaqësi e lumturi dhe, pse jo, me kranari të ligjëshme, që do të linte pas trashëgimtarë të tillë, të dashur dhe të respektueshëm, ndaj brazave paraardhës.
…Episodet e këtij udhëtimi, të cilët i përshkova fare shkurt më lart, i përkasin ditës së djeshme, pra 25 majit 2013. Disa nga ato, i kam të fikuara në aparatin tim fotografik dhe po ua paraqes lexuesve, vetëm 3 prej tyre.
Tiranë, 26 maj 2013