Kosovë-Takime për zhvillimet në dialogun me Serbinë/
-Presidenti Thaçi takime me krerët e shtetit të Kosovës dhe ambasadorët e Kuintit/
-Ambasadorët, i SHBA-së Greg Delawie e të tjerë në takim, theksuan se do të ofrojnë mbështetje të plotë institucionale dhe ekspertizë profesionale/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 26 Mars 2018/ Krerët e shtetit të Kosovës në një takim të përbashkët sot kanë biseduar për zhvillimet aktuale në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili do të përfundojë me marrëveshje ligjërisht obligative në mes të dy shteteve.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin, si dhe kryeministrin Ramush Haradinajn.Ata u pajtuan që dialogu i Kosovës me Serbinë është interes nacional i Kosovës, që duhet të bashkojë të gjithë spektrin politik të Kosovës.Në takim u konkludua për ta krijuar një Grup Punues të gjerë institucional, i cili do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë, për draftimin e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot pasdite në një takim të përbashkët ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie, atë të Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ambasadorin e Gjermanisë, Christian Heldt, ambasadorin e Francës, Didier Chabert, atë të Italisë, Piero Cristoforo Sardi, shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, si dhe Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë.Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.“Kosova zotohet dhe do të jetë e përgjegjshme në funksionalizimin e Grupit Punues, që do të fillojë punën në draftimin e Statutit të Asociacionit”, u shpreh presidenti Thaçi.
“Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën, me ligjet e Kosovës dhe me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, shtoi ai.Ambasadorët ndërkombëtarë theksuan se do të ofrojnë mbështetje të plotë institucionale dhe ekspertizë profesionale në realizimin e këtij obligimi që Kosova ka marrë në Bruksel.Në 23 mars 2018 presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, vijuan bisedimet në Bruksel me lehtësimin e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila fillimisht ka takuar ndaras krerët e dy shteteve para takimit trilateral.Në një deklaratë të lëshuar nga Bashkimi Evropian pas takimit, thuhej se diskutimet u zhvilluan në kuadër të fazës së re të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe “përgatitjet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”.
Presidentët shqyrtuan përparimin e bërë në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, në dritën e takimeve të fundit të grupeve punuese të mbajtura në Bruksel.
“Përfaqësuesja e lartë Mogherini theksoi rëndësinë që BE-ja i jep zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese dhe theksoi në veçanti nevojën urgjente për të filluar me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pastaj zbatimin e marrëveshjes për energjisë dhe përfundimin e punimeve për rivitalizimin e Urës mbi Ibër në Mitrovicë”, thuhej në deklaratën, të cilën e ka bërë publike zëdhënësja Kocijançiç.
Mogherini ka përshëndetur angazhimin e vazhdueshëm të të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka rikujtuar se përparimi i të dyja vendeve në axhendat e tyre integruese në BE është i lidhur fortë me përparimet në dialog.
Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi të inauguruar në muajin prill 2016 dhe presidentin Vuçiç të inauguruar në qershor 2017, takimi i 23 marsit 2018 është i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje edhe të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.
Në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, para 5 viteve, në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë. Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel.
Kosovë-MPJ: Provokim, tentim eskalimi i situates
-Ministria e Punëve të Jashtme e Kosoves thërret Shtetet e Kuintit, Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtarë në përgjithësi që t’i bëjnë thirrje urgjente shtetit serb të distancohet nga politikat dhe veprimet provokuese, që kanë synim përkeqësimin dhe destabilizimin e situates/
-Deklaratë për media/
Prishtinë, 26 Mars 2018 –Gazeta DIELLI/ Në kohën kur Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë kanë hyrë në një fazë përfundimtare të dialogut për arritjen e një Marrëveshjeve të Detyrueshme Ligjore/Traktat Paqeje në mes dy vendeve, hyrja ilegale e zyrtarëve të lartë shtetëror serb në territorin e Republikës së Kosovës është një provokim, tentim eskalimi i situatës në terren për të forcuar pozicionin në bisedime dhe nxitje e pastër e marrëdhëneve ndër-etnike.
Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, kanë arritur Marrëveshje, e cila specifikon në mënyrë të qartë rregullat dhe procedurat e vizitave të zyrtarëve të lartë nga të dyja shtetet respektive.
Andaj, Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se veprimi i sotshëm illegal i zyrtarëve të lartë nga fqinji verior ishte shkelje e rëndë jo vetëm e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por edhe e Marrëveshjes së Brukselit.
Ministria e Punëve të Jashtme mbetet e përkushtuar për dialog, promovim të mëtejmë të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjërore, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perendimor dhe përmirësimin e mirëqenies të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, por nuk do të heshtë dhe tolerojë sjellje të tilla.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosoves thërret Shtetet e Kuintit, Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtarë në përgjithësi që t’i bëjnë thirrje urgjente shtetit serb të distancohet nga politikat dhe veprimet provokuese, që kanë synim përkeqësimin dhe destabilizimin e situatës.