

Takimet e Prespës nuk janë thjeshtë festa por ritual i shpirtit kolektiv të një popullsie që nuk e harron kurrë vendlindjen, të një populli vëllezër të një gjaku, të një gjuhe dhe të një dheu. Osman Shukriu drejtori i eventit që bashkoi atdhetarët e mërguar nga Prespa shënoi një tjetër sukses komunitar të bashkimit të atdhetarëve të mërguar.
Takimet e përvitshme të Prespës zhvillohen në një copë shpirti – aty ku kujtimi takon rrënjën, ku largësia zbehet dhe shqiptarët e mërguar bëhen një.
Takimet e diasporës së Gërçarit në Prespë, i cili nuk është vetëm një fshat por simbol i asaj që Prespa përfaqëson: krenari, besë, nder, mikpritje dhe kujtim që nuk shuhet.
Në këtë vend të vogël, janë rritur gjenerata që kanë mbajtur mbi supe historinë, dijen, mallin dhe sakrificën, thuhet në njoftimin e organizatorëve. Këto “takime vjetore” sipas organizatorëve le të jenë dëshmi e dashurisë sonë për këtë tokë të bekuar. Një përulje e mirënjohjeje të thellë organizatorët shprehën për Shoqatën “Prespa” në Amerikë e cila nuk është vetëm një bashkim emrash, por një vazhdim i shpirtit shqiptar përtej oqeanit.
Sipas organizatorëve ky vit shënon një moment të rëndësishëm për eventin, pasi për herë të parë, ne investuam në një skenë dhe sistem zëri profesional – një përmirësim i qëllimshëm për të siguruar që të ruajmë standardet më të larta dhe të ofrojmë një përvojë të jashtëzakonshme për komunitetin tonë.
Takimet e diasporës në Prespë janë dëshmi e dashurisë që patriotët e mërguar ushqejnë për vendlindjen, historinë, traditat, trashëgiminë dhe kulturën e përbashkët.
Photo credentials by: Malespi Pro (Tirana)