Nishani, McCain: Shqipëria do të përmbushë detyrimet ndaj NATO-s/Tiranë- 14 Prill 2017- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dhe zhvilloi një takim me Senatorin amerikan dhe ish-kandidatin për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John McCain, i cili po zhvillon ditët e fundit një tur zyrtar në disa vende të Ballkanit.Pasi i uroi mirëseardhjen dhe vlerësoi rolin udhëheqës dhe kontributin e vyer shumëvjeçar të Senatorit McCain në politikën dhe Senatin amerikan, Presidenti Nishani vuri në dukje se Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributet e të përmbushë përgjegjësitë e saj ushtarake dhe financiare në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.“Jemi krenarë që jemi aleatë besnikë, të denjë e të sinqertë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga mbështetja e të cilave frymëzohemi edhe për lirinë e demokracinë tonë.” – theksoi Presidenti Nishani, duke e siguruar Senatorin McCain se vendi ynë dhe Forcat e Armatosura shqiptare do të vazhdojnë ta luajnë këtë rol edhe në të ardhmen.Kreu i Shtetit shqiptar dhe Senatori McCain diskutuan edhe për situatën e Ballkanit, ku u vlerësua roli dhe kontributi i Shqipërisë dhe kombit shqiptar për konsolidimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit të përbashkët me orientimin dhe synimin e integrimit e të gjithë vendeve dhe popujve në rajon në bashkësinë euro-atlantike.
Meta, apel McCainit: Shtetet e Bashkuara të rrisin vëmendjen në Europën Juglindore
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot Kryetarin e Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin Amerikan, Senatorin John McCain, i cili shoqërohej prej Ambasadorit të SHBA në Shqipëri, Donald Lu.Kryetari i Kuvendit Meta dhe Senatori McCain biseduan mbi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, situatën politike në vend si dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.Duke vlerësuar kontributin personal në vite të Senatorit McCain, Kryetari i Kuvendit Meta shprehu mirënjohjen për partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA dhe nënvizoi rëndësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi në shërbim të forcimit të kredencialeve demokratike të vendit tonë si dhe të paqes e stabilitetit në rajon.Meta vuri në dukje se, duke marrë në konsideratë peshën e veçantë të Shqipërisë në rajon, politika ka për detyrë të tregohet më e përgjegjshme brenda vendit për të krijuar klimën e duhur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve sipas standarteve më të larta bashkëkohore.Meta gjithashtu shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA ndaj forcimit të demokracisë në Shqipëri dhe në veçanti ndaj avancimit të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë, luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar si dhe trafiqeve të lëndëve narkotike.Kryetari Meta ndau bindjen me Senatorin McCain se Shtetet e Bashkuara duhet ta rrisin vëmendjen e tyre në Evropën Jug Lindore dhe shprehu besimin e plotë se Shqipëria do dijë të tregojë se është një partnere serioze e SHBA në avancimin e axhendës euro-atlantike në rajon.Gjatë diskutimit mbi zhvillimet e fundit në rajon, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Senatori McCain ndanë bindjen e përbashkët se Shqipëria si anëtare e NATO-s dhe aleate besnike e SHBA duhet të rrisë kontributin e saj buxhetor në fushën e mbrojtjes, duke nënvizuar se investimi në fushën e sigurisë dhe kontrollit të kufijve ndihmon forcimin e stabilitetit dhe klimën e investimeve ekonomike në rajonin e Ballkanit.
Basha, McCain: Zgjedhjet të pamundura nga droga, të gatshëm për dialog
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha priti sot në Selinë e Partisë Demokratike Senatorin John McCain, Kryetar i Komitetit të Senatit Amerikan për Forcat e Armatosura. Lideri i opozitës i shprehu vlerësimet më të larta Senatorit McCain dhe mirënjohjen e thellë për mbështetjen e tij ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve.
Basha i përcolli mikut të cmuar amerikan gjithashtu, falenderimet për ndihmën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë dhe sidomos për anëtarësimin e saj në NATO, duke rikonfirmuar vendosmërinë se Shqipëria do të jetë gjithmonë në krah të aleatit të saj strategjik.
Kryetari i opozitës përcolli shqetësimin e madh për gjendjen kritike të vendit në raport me sigurinë dhe krimin e organizuar për shkak të shumëfishimit galopant të kultivimit dhe trafikut të drogës dhe pranisë së personave me rekorde të rënda kriminale në Parlament, Bashki dhe funksione të larta publike në kundërshtim dhe shkelje të ligjit për dekriminalizimin.
“Ky shqetësim i ngritur me nota të rënda edhe në raportet e fundit të Departamentit të Shtetit dhe EUROPOL-it demostron sa i madh është rreziku që i kanoset demokracisë dhe stabilitetit të vendit nga përfshirja dhe roli i krimit në vendimmarrjen politike. Zgjedhjet e ardhshme janë totalisht të pamundura pa cmontuar rrezikun nga paratë e drogës dhe nga kriminelët e interesuar për ruajtjen e gjendjes së tanishme të kapjes së shtetit.Vetëm pastrimi i politikës nga krimi dhe lufta efikase kundër drogës dhe krimit përmes një qeverie teknike që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme mund të garantojnë stabilitetin afatgjatë të Shqipërisë”, theksoi zoti Basha.
Basha ka deklaruar më tej se “ky është një detyrim madhor i politikës ndaj qytetarëve shqiptarë por edhe ndaj aleatëve, sepse si anëtare e NATO-s, Shqipëria duhet të garantojë standardet dhe mbrojë vlerat e demokracive perendimore ku më themelorja është mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.
Duke rikonfirmuar gatishmërinë dhe ftesën e opozitës për arritjen e një marrëveshje politike për qeverinë teknike dhe mandatin e saj përmes dialogut politik, kryetari Basha nënvizoi rëndësinë që ka përgatitja me seriozitet dhe përgjegjshmëri e këtij dialogu në funksion të zgjidhjes së krizës politike.
Partia Demokratike, theksoi zoti Basha, do të jetë përherë garante e vlerave të përbashkëta euro-atlantike të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor që përbëjnë aksin e miqësisë dhe aleancës strategjike shqiptaro-amerikane.
Senatori McCain, takim me ministren Kodheli
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ambasadori Donald Lu pritën sot në aeroportin “Nënë Tereza”, senatorin amerikan John McCain. Gjatë qëndrimit të senatorit McCain në Rinas, ministrja e Mbrojtjes, zonja Mimi Kodheli e njohu me progresin e arritur në fushën e mbrojtjes dhe angazhimin e vendit tonë për të vijuar në këtë drejtim, të bindur se jemi në rrugën e duhur.
Senatori McCain u takua edhe me personelin ushtarak shqiptar të trajnuar në programe të ndryshme të qeverisë amerikane. Gjatë bashkëbisedimit të tyre, ministrja e Mbrojtjes risolli në vëmendje edhe njëherë misionet ku Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë përfshirë duke nisur nga misioni në detin Egje, deri tek misionet në Afganistan dhe vijoi më tej me stërvitjet e përbashkëta me aleatët.
Gjithashtu ministrja Kodheli u ndal edhe te kontributi i vendit tonë si pjesë e koalicionit global kundër ISIS, kontribut të cilin ministrja Kodheli e cilësoi të duhur dhe të drejtë. Shqipëria jep kontributin e saj në misionin paqeruajtës Resolute Support në Afganistan dhe ishte ndër vendet e para që iu bashkua koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS, nën lidershipin e SHBA dhe jep një kontribut aktiv në këtë koalicion.