Adil Fetahu |
Duke lexuar satirat e At Gjergj Fishtës
Para dy muajve, djali im (Arbeni) ma bëri një dhuratë të vlefshme: më pruni nga Shkodra kompletin veprave të At Gjergj Fishtës, një kolanë prej 7 tome librash: Epika, Lirika, Dramatika, Publicistika, Satira, Letërshkëmbimi dhe Shkrime të ndryshme në shtypin e kohës. Është ky kompleti të cilin e ka botuar Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta”, Shkodër (2020).
Me qenë se epin “Lahuta e Malcisë”dhe satirat “Gomari i Babatasit” dhe “Anzat e Parnasit” i kam lexuar ma heret (kur isha nxënës i Normales së Prishtinës dhe kur ishte ma rrezik me ta gjetë policia “Lahutën e Malcisë” se një armë zjarri), tash për ngadalë e pa frikë lexova: Publicistikën, Letëshkëmbimin, Shkrime të ndryshme në shtypin e kohës, dhe për fund – ambësirën: dy satirat të cilat nuk i kisha lexuar më përpara: “Nikolejda” dhe “Taralloqja e Ballkanit”.
Kam dëgjuar shumëkend që thotë se veprat e Fishtës janë të vështira për t’i lexua dhe më të vështira për t’i kuptua, sepse janë të shkruara me një gegënishte të vjetër e të rëndë. Por unë, si gegë me rrënjë e me degë, nuk kam pasur vështirësi as për t’i lexuar, as për t’i kuptuar veprat e Fishtes, të Koliqit e të Camajt. Shumë fjalë nga e folmja e vjetër e Fishtes, të cilat i përdorë në këtë satirë, deri vonë fliteshin edhe në Malësinë e Gallapit dhe besoj më gjërë në Kosovë (havale; hasha; teste; tarçuk; zari; setra; hallba, etj.). Natyrisht, ka pasur aty-këtu fjalë që s’i kam kuptuar, por nga konteksti i fjalisë kam nxjerrë kuptimin e drejtë të tyre.
Satira “Taralloqja e Ballkanit”
Duke besuar se pak lexues kanë pasur rastin ta lexojnë satirën “Taralloqja e Ballkanit”, hulumtova në internet por nuk gjeta se dikush ka bërë e botuar ndonjë vështrim për këtë, prandaj për lexuesit e shumtë vendosa t’ua prezantoj në vija kryesore satirën e përmendur.
Së pari duhet sqaruar emërtimin, sepse “taralloqja” është një fjalë e rrallë, që nuk gjendet në fjalorët e rendomtë. Në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (Prishtinë,1982), fjala “Tartalisë” jepet me kuptimin – “përpëlitem”. Në Fjalorin e fjalëve dhe shprehjeve popullore (Instituti Albanlogjik, Prishtinë 1982), fjala “tarilaq” jepet me kuptimin “I lazdruar”. Se sa prej këtyre mund t’i përgigjen emërtimit të satirës”Taralloqja …”, nuk mund të jem i sigurt. Autori i
“Hyrjes” (të gjatë 55 faqe) që iu bënë katër satirave të Fishtës, prof. dr.Lisandri Kola, nga Miçigeni, fjalën “taralloqje” e shpjegon si këngë qesharake e fituesve mbi humbësit në lojën e kapuçave. As ky shpjegim nuk ma mbushë mendjen se në rastin konkret “Taralloqja e Ballkanit” ka këtë kuptim, duke pasur parasysh qëllimin shpotitës, me konotacion politik, që Fishta iu bënë mbretërve të Ballkanit të asaj kohe. Por, t’i kthemi përmbajtjes së satirës.
Edhe në satirën “Nikolejda”, edhe në këtë ‘Taralloqja e Ballkanit”, Fishta përqeshë deri në burleskë knjaz Nikollën e Malit të Zi, i cili ka rënë në borxhe për shkak të shpenzimeve të mëdha që ka bërë për pajën e vajzës së tij, Jellena, e cila ishte martua me djalin e mbretit të Italisë.
“Jellena, bija e shkinës,
le e rritë n’koliba t’Cetinës”.
Prandaj, këto dy satira: “Nikolejda” (që i referohet kryesisht knjaz Nikollës), dhe “Taralloqja e Ballkanit”, në të cilën përveç knjaz Nikollës, marrin pjesë edhe mbreti i Serbisë, Petar Karagjorgjeviq (Tuka), ai i Bullgarisë Ferdinandi I, dhe i Athinës, Georgios I (Gjeka). Loja (satira) zhvillohet në këtë mënyrë: me qenë se knjaz Nikolla nuk i kishte kthyer dhe i mohonte borxhet e marruna, ishte organizuar një kuvend i mbretërve të Ballkanit për të vendosur për rastin. Në atë kuvend, përballë katër mbretërve të monarkive të Ballkanit merrnin pjesë edhe katër shqiptarë: Prenkë Bibdoda, Esat Toptani, Haxhi Zeka dhe Frashër Beu (Naimi). Këta
Kjenë mbledhë me da ‘i pleqni
Për do borxhe t’Malit t’Zi
Qi i ki’n mbetë Nikollës havale,
Qyshë se dha çikën n’Itale.
…
Kur erdh fundi e na shkoi vasha,
Xen Nikolla me qitë lasha,
Edhe borxhit na i bjen hasha.
Pasi kryhet Kuvendi dhe merren vesh për larjen e borxheve me çdogjë, sipas Kanunit, duke lënë edhe peng, fillojnë “lojën e kapuçave”.
Struktura e lojës së kapuçave
Në lojën e kapuçave, pjesëmarrësit e lojës, madje edhe të pranishmit e tjerë ndahën në dy grupe, sipas dëshirës së tyre. Loja luhet ashtu që secili grup, sipas radhës, fshehë nën kapuç një send metalik (unazë ose monedhë). Pala (grupi) tjetër e kërkon sendin e fshehur. Para se të ngritë kapuçin, për ta zbuluar sendin e fshehur, duhet të deklarohet ose për “teste”, ose për “bosh”. Teste do të thotë se pretendon që nën atë kapuç është sendi i fshehur. Nëse kërkuesi (i unazës) ka thënë: “teste”, por nën atë kapuç nuk ka qenë unaza, kështu e ka humbur turin e parë të lojës. Pas ngritjës “teste” të kapuçit, nën të cilin nuk ishte unaza, vazhdon fshehja tjetër nga pala e njëjtë. Nën formulën “bosh” mund të ngritën me radhë kapuçat, për të ngushtur rrethin për kapuçin ‘teste”. Por, nëse nën kapuçin “bosh’ del se ishte unaza, edhe në këtë rast humbet turi i lojës. Loja vazhdon deri sa unaza të gjendet sipas rregullave të lojës. Pastaj e merr pala tjetër rolin për të fshehur unazën. Këndej nga Gallapi, kjo lojë luhet me filxhana të kafesë. Filxhanat radhitën rreth e rreth brenda një tepsie, dhe një filxhan vehet në mes të tepsisë. Personi që fshehë, largohet në një skaj të odës, ua kthen shpinën lojtarëve. Ai që kërkon unazën, nëse ka thënë teste, e ngritë filxhanin me një lëvizje të shpejtë, ashtu që nëse unaza është nën te, kërcen e sillet nëpër tepsi (ndodhë që del edhe jashtë tepsie). Filxhanat bosh ngriten më ngadalë. Paraprakisht caktohet se pas sa lojëve të humbura/fituara do të këndojnë këngët humoristike, satirike, plot me shaka dhe epitete, deri në në burleskë. Gjatë këndimit bëjnë edhe gjeste të ndryshme me karakter humori. Loja merr tipare të një shfaqje teatrale. Fituesit e lojës ngritën në këmbë, vejnë duartë mbi supet e shoqi-shoit dhe me lëvizje si në valle iu këndojnë palës humbëse kolektivisht dhe individualisht. Humbësit zakonisht rrijnë me shikim poshtë (përtoke), por shpeshherë edhe i shikojnë “valltarët” dhe qeshin me humorin e tyre.
Me këso strukture të lojës, e me vargje siç dinte t’i thurte, Fishta i përqeshë mbretërit e Ballkanit të asaj kohe:
…
Mbasi kryen njatë pleqni…
E si ngrenne do zogj pulash,
Ranë për rrash me luejtun ksulash.
…
Katër vetë, katër Shqyptarë,
Prenkë Bibdoden vunë të parë,
M’tjetrën anë ndej Gjeka e Tuku,
Knjaz Nikolla, mullë-terçuku,
Edhe krajli i Bullgarisë…
Knjaz Nikolla mshehi i pari,
Por s’i heci kësajë here zari;
Pse Toptani ‘i sy-skyfter,
Ia muar teste t’parën herë.
Loja vazhdon, fshehin e kërkojnë me radhë, por fiton pala shqiptare edhe në të fshehur edhe në të gjetur të unazës, dhe kur arrijnë pikët e caktuara, fituesit ngritën në këmbë e ia fillojnë këngës, duke vallëzuar. Herë iu këndojnë tërë grupit humbës, herë veç e veç individëve nga ai grup.
M’kambë Shqyptarë, at’herë, u çuenë
Edhe kangës kështu i a filluenë:
…More Krajla, more Knjaza,
Me Shqyptarë s’luhet unaza.
Pastaj iu këndojnë individualisht secilit nga humbësit, sipas afiniteteve të tyre, duke filluar nga Knjaz Nikolla:
…Knjaz Nikolla me terçuk
Del nder Krajla me lypë buk.
M’a ke deren derë me trinë,
Shtatqind dreqen t’dal’n e t’hinë.
…Ty t’a prehtë Zotynë nafaken,
Se të fortë po e kish’ rradaken.
Shqiptarët vazhdojnë t’i këndojnë Tukut të Serbisë :
Xhamadanin vija-vija,
T’zezat t’i din shtëpija,
Ke mbytë m’spatë gjinden e shpisë,
Për me u ba Krajl i Serbisë.
… Po të pava në Kosovë,
Do t’a baj ty kryet kotrovë.
Ma ke kryet sa ‘i palare,
T’marroftë Zoti gjithë si je!
Mbretit të Bullgarisë, që kishte paretendime mbi tokat shqiptare, ndër të tjera ia këndojnë këto vargje:
More djalë, kah t’ka hup dhija?
Hajt e lype kah Greqija,
E jo këndej kah Shqyptarija.
Në këngën drejtuar mbretit të Greqisë (Gjekës) ia përmendin humbjet në luftën kundër turqëve, por edhe ia tërheqin vërejtjen kundër pushtimit të Janinës:
M’a ke ksulen pipiruqe,
Edem Pasha t’a la duqe.
…Si s’i meni Gjeka fjalët,
Me një kpurdhë ia thej tëmallët,
N’atë Janinë ai kurr në m’daltë.
Rruga e largët-o bri kalas,
I a marsh t’zezat fukaras!
Mandej grupi fitues nisë ta vajtojë Knjaz Nikollën për gjendjen në të cilën ka rënë, dhe ia përmendin vajzat e martuara për princa e mbretër:
Pse,mos t’kenkshin njato goca
Qi me i xanë për gra do voca,
Njato goca të ngrim n’ari,
Pat me t’mbetë nën bark samari.
Kështu herë e nisë këngën Bibdoda, herë Toptani, i thërasin me emra (nofka) krajlat e Ballkanit, tjetri pyet: “po kush është ai more”?, tjetri përgjigjet me shpoti:”nuk e di si e quajnë emrin, more”!. Pastaj pala fituese, të gjithë së bashku, si në kor fillojnë këngën “Na ka cofë gomari mbrëmë”, dhe neni pyet: se çka t’iu bëjnë lëkurës, bishtit, këmbës, syrit, veshëve të gomarit të cofur, ndërsa tjetri përgjigjet:
(Lëkurën):Knjaz Nikollës për dallamë,
(Bishtin):Krajl Petrit për breshanë,
(Këmbën): Gjekë Orumit për tagan,
(Syrin): Ferdinandit për nishan.
Pasi konsiderojnë se i kënduan mjaft, Toptani pyet: “A thua t’i falim”?, ndërsa Bibdoda thotë se s’do t’i falin, por më në fund pajtohen të gjithë t’i falin, dhe duke ua tërheqë vërejtjen, ua këndojnë fjalët e fundit:
Edhe sande kjoshi falë,
Prej mjesnate marrshi mal’in,
Marr turbin e kundroj detin:
Tgjith si jeni, hangshi vetin!
Sikur edhe në satirat e tjera: Gomari i Babatasit, Anëzat e Parnasit e kudo tjetër, Fishta godit e nuk kursen askend, prej zyrtarëve të rangut më të ulët e deri te mbreti në vendin e tij, kështu vepron edhe ndaj mbretërve të monarkive të Ballkanit. Ai gjen mënyrën dhe mjetet për t’i përqeshur e tallur në pikat më goditëse, duke e lidhur satirën me ngjarjet nga realieti, si bie fjala, “Tukut” të Serbisë për vrasjen e Aleksandër Obranoviqit me të shoqen. Po të njëjtit i sinjalizon edhe në lidhje me Kosovën: “Po të pava në Kosovë/, do ta bëj kryet kotrovë”. Edhe mbretit të Geqisë i sinjalizon lidhur me Janinën, ku nënkupton edhe Çamërinë.
Te Fishta gjithmonë ka çka të lexohet e rilexohet dhe analizohet, e që mbetet aktual githmonë. Dy satirat e përmendura këtu: “Nikolejda” dhe “Taralloqja e Ballkanit” nuk janë analizuar nga kritika letrare-artistike të veprave të tij. Unë, pa pretendim për ndonjë kritikë letrare, kënaqëesinë e leximit të poemthit”Taralloqja e Ballkanit” desha ta ndajë edhe me lexues të tjerë.
Për shkaqe teknike, nuk kam mundur t’i vejë thekset mbi zanoret të cilat i kanë në tekstin origjinal, e që u japin kuptimin fjalëve; psh. te fjala “palare”, që ka kuptimin e një ene të cektë, mbi zanoren e fundit është theksi (aksenti) i gjatë.
Aspekti politik dhe satirik i Fishtës drejtuar liderëve të Ballkanit atëherë, është aktual edhe sot, me ambicjet, takimet dhe marrëveshjet e “knjazëve” e “mbretërve”: Vuçiq–Rama-Zaev, me “taralloqjen” e “Ballkanit të hapur”!
Adil FETAHU