
DY GËZIME NË NJË DITË: TE MUZEU HISTORIK DHE TE FAMILJA QELESHI/
NGA THANAS L. GJIKA/
Ishte e shtunë pasdite, 9 tetor 2019, Mikail Shollës dhe mua na u desh të merrnim pjesë në dy gëzime. Te familja Qeleshi për të uruar për ditën e emrit të z. Mihallaq dhe te Muzeu Historik i qytetit Worcester MA. Shkuam së pari te muzeu ku ishin mbledhur shumë shqiptaro-amerikanë, punonjës të muzeut, zyrtarë të Town Hall, etj. Takimin e kishin kërkuar zotërinjtë Greg Stefo dhe Frank Shkreli për të parashtruar planin për hartimin e historikut të komunitetit shqiptaro-amerikan të Worcester-it dhe fshatrave përreth. Komuniteti ynë në kvtë qytet ka një histori mbi 100 vjeçare dhe sot numëron mbi 20.000 anëtarë, por deri më sot nuk ishte marrë një nismë e tillë. Kurse komuniteti armen ai polak, grek, etj kanë libra me historikë dhe albume të ndryshme. Jemi prapa, por si thotë populli: më mirë vonë sesa kurrë.

Në ekranin e sallës shfaqeshin foto të vjetra nga komuniteti ynë. Në një anë ishin tryezat me ëmbëlsira, pije freskuese, ujë, etj. Së pari u luajtën disa valle prej grupit “Vallet tona”, i cili ka 12 vjet që funksionon nën drejtimin e korreografit Dhimitër Demiri. Më tej iu dhuruan muzeut $ 1,000.00 ndihmë prej buxhetit që u krijua prej Festivalit Shqiptar në qershor. Më tej u shtrua ideja se si mund të krijohet një grup pune për të mbledhur materialet dhe historikët e familjeve të komunitetit. Pas zotërinjve Stefo dhe Zdruli foli drejtori i muzeut, z. Bill Wolace, i cili falenderoi për dhuratën dhe premtoi se ndihma e muzeut do të jetë e vijueshme derisa të perfundojë kjo nismë me vlerë. Më tej folën dhe disa pjesëmarrës të tjerë si z-nja Konstantina Lukas, Donna Colorio, etj…
* * *
Pasi u larguam prej muzeut, Mikaili me makinën e tij na shpuri te shtëpia e z. Mihallaq Qeleshi, i cili sipas zakonit të besimtarëve ortodokë e feston çdo vit ditën e emrit, dmth ditën e Shenjtit Mikail. Korçarët ortodoksë edhe këtu në Amerikë e festojnë ditën e tyre të emrit. Shën Mikailin e festojnë të gjithë ata që kanë emrin e tij në format Mihal, Mihallaq, Mikail, Miha, Milo, Michael. Familja Qeleshi e mban derën hapur disa ditë për urim, por të shtunën e parë ajo e feston me gosti. Atë mbrëmje kjo familje fton edhe priftin, i cili e fillon festën me falenderimin e Zotit dhe me bekimin e ushqimeve. Miqtë e shokët venë sipas dëshirës, pa iu bërë ndonjë ftesë.
Mihallaq Qeleshi dhe bashkëshortja e tij Efi janë një çift për t’u marrë shembull për jetën familjare dhe shoqërore. Ata dallohen midis nesh për biznesin e suksesshëm Coffee Mug, 286 Southbridge Street, Auburn MA, për anëtarësi të rregullt në kishën “Fjetja e Shën Mërisë”, për pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme shoqërore, për ndihmën e pakursyer që japin rregullisht gjatë ditëve të Festivalit Shqiptar që organizon komuniteti ynë pranë kishës, për prodhimin e rakisë që e konsumon me shokë e miq, etj. Familja e tyre është një familje e bekuar me dy vajza të martuara. Secila prej tyre ka nga dy vajza njëra më e bukur e më e zgjuar se tjetra. Si thotë populli, kjo familje është si bletë e plotë. Midis pjesëtarëve të saj vlon puna, studimi, dëfrimi, respekti njerëzor. Shtëpia e Qeleshëve në Auburn MA është e madhe me dy hyrje, në njërën jeton Mihallaqi dhe Efi në tjetrën vajza e madhe Mariola me dhëndrin amerikan dhe dy vajzat e tyre. Vajza e vogël Adelaida e martuar me shqiptar dhe jeton në shtëpi më vete.
Te shtëpia e Qeleshëve arritëm pak kohë pasi darka kishte filluar. Te hyrja na dhanë mirëseardhjen zonja Efi me vajzat. Bëmë urimet e rastit: “Gëzuar ditën e Shën Mikailit” dhe pasi mbushëm pjatat me ushqime të gatuara prej të zotëve të shtëpisë dhe dekoruar prej vajzave, shkuam te tavolina e madhe ku ishin ulur miqtë me bashkëshortet: Guri dhe Mariana Galloshi, Milo dhe Irma Treko, Mark dhe Sendy Dionis, Ben dhe Viola Çika, Gjergji dhe Raimonda Kote. Kurse dhëndurët (njëri quhet Mike) me shokët e tyre, meqenëse nuk dijnë të këndojnë këngët korcare ishin shtruar te livingroomi i Mariolës. Mihallaqi na ofroi pijet dhe na i mbushi gotat sipas dëshirave tona. Një moment interesant kishte ndodhur para se të vinim ne. Meqenëse Atë Mark Doku nuk kishte pasur mundësi të vinte për ta hapur e bekuar gostinë, këtë ceremoni e kishte kryer vetë Mihallaqi me mbesën e madhe Briele. Ata kishin falenderuar Zotin dhe kishin bekuar bukën dhe ujin e darkës, në kohën që gramafoni jepte liturgjinë Ati Ynë.
Kur u ulëm te tavolina, doktor Guri Galloshi po tregonte ca historira nga koha kur kishte punuar tetë vjet në fshatrat e Kuksit. “Ato vjet më janë dukur si internim, sepse fshatarët ishin shumë të varfër e të prapambetur dhe unë bashkë me ta bëja një jetë plot mungesa.” – tha ai dhe vijoi: “Fshatrat që mbuloja unë ishin në një luginë ku gjatë dimrit kishte vetëm 5-6 orë diell. Respekti i fshatarëve më prekte, më vinin gjithnjë në krye të tavolinës, bashkë me shokët e pushtetit dhe drejtorin e shkollës. Malësorët sipas zakonit, nuk ankoheshin për dhimbjet e vogla dhe vinin te mjeku kur sëmundja kishte përpoaruar, kjo ma vështirësonte punën, po ata nuk e merrnin parasysh.”
“Ajo jetë të bëri mirë të kaliti, prandaj këtu në Amerikë po punon nga dy punë dhe
nuk do të dalësh në pension, po vijon të punosh me qejf” – i tha Milo Trekua.
“A more Milo, ia preu Guri, unë po punoj nga dy punë sepse fëmijët i kam studentë dhe duhen ndihmuar për shpenzimet e shkollës. Më duket se nuk më ka lezet jeta po të mos sakrifikoj për shkollimin e tyre” – e mbylli doktori fjalën e tij…
Miltua filloi të tregonte nga vuajtjet e tij si kryetar kooperative në disa fshatra malore të rrethit Librazhd, ku populli, po ashtu jetonte në varfëri ekstreme. “Në ato fshatra banorët ishin jo vetëm të varfër e injorantë, por dhe dembela. Eh ç’ hiqnim për t’i nxjerrë në punë!”
“Fukarallëku, injoranca dhe dembellëku shkojnë bashkë.” – tha Mihallaqi dhe u ngrit e shkoi te një tavolinë e vogël ku kishte një gramafon. Vuri një pllakë me këngë korçare të vjetra. Në sallë u bë qetësi. Zëri i korrit kumbonte…
“E gjeni dot cili korr i ka kënduar këto këngë? – pyeti ai dhe kur pa se ne mblodhëm supet, sqaroi: “Ky ka qenë korri i burrave të Usterit (Worcesterit). E ruaj këtë pllakë si gjë të rallë… Kur erdha këtu e arrita gjallë Rafail Xhorxh-in (George), një drenovar që këndonte për merak. Zëri i Rafaelit zotëronte mbi të gjithë. Vajza e tij, Linda, është martuar me dibranin e kulturuar, Bashkim Paçuku, këngëtar shumë i talentuar.”
“Po po e njohim Bashkimin, thashë unë, por na vjen keq që komuniteti ynë nuk e mban afër. Ta kishte komuniteti grek ose ai Hebre, do ta kishte shfrytëzuar këtë këngëtar dhe do ta kishte popullarizuar si meriton. Ne e kemi lënë, si i lemë shpesh herë njerëzit e shquar e të talentuar. Bashkimi ka në shtije disa DVD me këngët e tij, po asnjë nga ne nuk ia ka blerë dhe gjatë ditëve të festivalit nuk i vemë në shitje. Ju u qatë për fshatarët e Kukësit e të Librazhdit, se ishin pa kulturë por në çdo drejtim ne shqiptarët, si në atdhe dhe në diasporë nuk shquhemi për kulturë e për vlerësimin që duhet t’u bëjmë njerëzve që shquhen realisht. Ne shkojmë pas miqësive dhe njohjeve. Edhe drogimi komunist nuk na ka dalë ende. Shikoni Fjalorin Enciklopedik Sqiptar, aty gjen plot zëra për njerëz që i shërbyen regjimit diktatorial që dështoi me turp dhe nuk gjen intelektualë e veprimtarë të shquar të diasporës.”
“Ej, ç’ po bëni ju, ndërhyri e zonja e shtëpisë, vetëm muhabet, ngrehuni e mbushni pjatat se i keni boshatisur. Po ti Mihallaq humbe pas muzikës, mbushjau gotat, se dhe ato janë bosh.”
U ngritëm të gjithë dhe pasi i mbushëm pjatat për së dyti, kur u kthyem i gjetëm gotat plot. Mihallaqi na i kishte mbushur, dikujt me verë dikujt me raki, sipas llojit të gotave që kishim. Filluam të hanim, por i zoti i shtëpisë nuk e zgjati muhabetin, ia mori këngës “Një ditë shkova nga Drenova”, dhe ne të tjerët e ndoqëm. Vijuam me këngë të tjera karakteristike korçare.
Nostalgjia për vendlindjen na mbushi me mall. Na dukej vetja se ishim atje…
Ben Çika kur mbaruam këngët u ngrit e tha: “Mos na lini pa e fiksuar këtë gosti të bukur në foto.” Dhe mbesa e madhe erdhi me vrap. Pasi hipi mbi një karrike, na porositi të zinim vendet dhe e shkrepi aparatin.
Të gjithë i kishin bashkëshortet, vetëm unë me Mikail Shollën jo. Kur shkuam në shtëpitë tona u kërkuam grave të falur dhe premtuam se vitin tjetër nuk do të shkonim të festonim te Qeleshët Shën Mikailin pa ato….