Dielli/
New York, 18 Dhjetor 2022 – Në selinë qëndrore të “Vatrës” në Bronx, New York, u mbajt një akademi solemne e titulluar “50-vjet gjuhë letrare 1972-2022”. Ky aktivitet u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në bashkëpunim me Federatën Pan-Shqiptare “Vatra”.
Në këtë akademi morën pjesë shkrimtarë, studiues, anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe të “Vatrës”, e jo vetëm, gjithashtu edhe artistë, drejtues tw shkollave shqipe nw diasporw, mwsues dhe dashamirës të gjuhës e kulturës shqiptare si dhe bashkëatdhetarë të komunitetit shqiptar në SHBA.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i SHSHSHA-së dhe njëkohësisht drejtuesi i kësaj akademie, z. Mëhill Velaj. Z. Velaj përshëndeti të pranishmit, falendëroi për pjesëmarrjen dhe foli shkurtimisht mbi rëndësinë që ka pasur arritja e kodifikimit të një standardi gjuhësor për shqipfolësit.
Përpara se të vijonte prezantimi i referuesve, z. Velaj ftoi të pranishmit të ngrihen në këmbë në nderim të dy himneve kombëtare, atij amerikan dhe atij shqiptar.
Më pas iu dha fjala z. Pashko Camaj, n/kryetar i “Vatrës”, i cili në emër të “Vatrës” dhe kryesisë së saj, i uroi mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve dhe përshëndeti aktivitetin në fjalë. Ndër të tjera, z.Camaj u shpreh se “ku ka më bukur se të celebrohet kjo datë historike jubilare në “Vatrën” që i bashkon të gjithë, në “Vatrën” që i ka krahët hapur për çdo organizim që promovon vlera shqiptare”.
Programi i kësaj akademie vazhdoi me referuesin e parë, dr. Bexhet Asani, i cili u prezantua me kumtesën “Nga historiku gjuhës letrare-shqipja gjuhë zonjë në 50-vjetorin e saj”. Z. Asani, përmes një analize të thukët, përmendi peripecitë që i është dashur të kalojë gjuhës së sotme letrare, sidomos jashtë kufinjve gjeografikë të Shqipërisë. Ai kujton se rëndësia historike e Kongresit të Drejtshkrimit për shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë së Veriut apo të Malit të Zi, nuk ka të bëjë ngushtësisht vetëm me gjuhën, por shumë më tepër. Për këtë arsye, z. Asani citon thëniet e akademik Rexhep Qosjes, i cili thoshte “..me këtë gjuhë letrare të njehsuar, varroset përgjithmonë përpjekja e Serbisë për t’i ndarë shqiptarët në dy kombe”; si dhe thënien me peshë kombëtare të profesor Idriz Ajetit: “Gjuha letrare nuk është vetëm thesari i kulturës sonë, por mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë shqiptare.”
Referuesja e radhës ishte znj.Arjeta Ferlushkaj Kotrri, e cila u prezantua me shkrimin “Cili është drejtshkrimi im?” Znj. Ferlushkaj Kotrri i ishte qasur kryesisht problematikave me të cilat haset gjuha shqipe dhe drejtshkrimi i saj gjatë procesit të të mësuarit në shkollat shqipe në diasporë.
Ndërsa, z. Pal Ndrecaj, u prezantua në këtë akademi me kumtesën “Standardi i gjuhës shqipe përballë nevojës për ndryshime dhe plotësime”. Z. Ndrecaj, duke qenë shkrimtar, u ndal tek disa vërejtje që i janë bërë Kongresit të Drejtshkrimit edhe më parë e jo vetëm tani, por që do të ishte mirë, sipas tij, të rishikohen disa vendime. Vëmendje të posaçme, z. Ndrecaj, i kushtoi mungesës së paskajores dhe gjithashtu, përmes disa shembujve të përkthyer nga gjuhë të huaja në shqip, ai evidentoi domosdoshmërinë e përfshirjes së disa trajtave gege në standardin e shqipes.
Në përmbyllje të referuesve që ishin në programin e kësaj akademie, iu dha fjala znj. Valdete Cenalia, e cila u prezantua me kumtesën “Historiku i drejtshkrimit të gjuhës shqipe”. Duke qenë historiane në formim, znj. Cenalia përmendi ngjarjet paraprirëse të Kongresit të Drejtshkrimit dhe rëndësinë që ato patën për të mbërritur pastaj në aktin final siç ishte arritja e njehsimit të një gjuhe standarde në vitin 1972. Në fjalën e saj, znj. Cenalia përmendi edhe gabimet që po bëhen sot në drejtshkrimin e shqipes, si nga media apo edhe nga politikanë, shtresë kjo e cila po përdor gjithnjë e më shumë fjalë të huaja, në vend të gjegjëseve të tyre në shqip.
Si intermezzo e këtij aktiviteti ishin recitimet e dy nxënësve shqiptarë, Fatjon dhe Fatjona Gjoci, të cilët, të veshur me kostume tradicionale shqiptare, i dhuruan të pranishmëve çaste emocionuese.
Në fund, e përshëndetën aktivitetin edhe aktori Shaban Lajci, profesor Shaqir Krasniqi dhe patrioti Qerim Gjocaj.
Aktiviteti vijoi me pyetje e diskutime nga të pranishmit drejtuar referuesve dhe u mbyll me shkrepjen e fotografive, për të gjithë pjesëmarrësit.
Shënim:
Anëtarja më e re e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë: Mukadese Tahiraj
Zonja Mukadese Tahiraj u njoh sot zyrtarisht si anëtarja më e re e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Si pjesë e aktivitetit të sotëm që u zhvillua në “Vatër”, kryetari i SHSHSHA-së z. Mëhill Velaj, i uroi znj. Tahiraj mirëseardhjen në shoqatë duke i uruar suksese të mëtejshme.