
Behar Gjoka/
Të shembet a të mos shembet Teatri Kombëtar! Kjo është çështja ekzistenciale, që ka mbushur gazetat dhe revistat televizive këtyre javëve, ndonëse e shpikur me një mijë marifete, si tokë djerrë, si tokë e xanun nga politika. Më mirë ai truall që vlen, për hir të kullave të projektuar, sa frëngu pulën, gjithnjë simbas ndërtuesëve, të ishte tokë e djegur, se sa tokë djerrë, sepse toka e djegur ka për zot zjarrëvënësit…Po sikur? Mos ia shti në mend dreqninë se nuk ka nevojë, e din mirë e bukur vetë. Epo toka djerrë, është sikur jetimi, e prandaj pa humbur kohë, duhet një dalëzotës. Me teatër, pa teatër, tash së mbarmi, dëgjohet në sheshin para ndërtesave të teatrit. Me teatër, pa teatër, ulurasin arstistët, ata që jo pak na kanë lumturuar dhe gëzuar, ata që na kanë bërë të qajmë e qeshim, ata që të dehur në ekstazën e katarsës që përmend Aristoteli, na kanë bërë të harrojmë mjerimin, skëterrën shpirtërore, ku ishim dje e ku sërish po mbijetojmë sot. Ulurasin artistët, ama disa vetëm sa mëmërisin me vete, e të tjerë nuk guxojnë as ta mendojnë ndryshe nga projekti, që fle në duart e përfituesve të truallit. Të shembet, thotë Qeveriu, me heshtjen hyjnore të titullarës së kulturës, me zërin e hollë të kryebashkiakut, me tonin bariton të kryeministrit Rama. Të mos shembet, ia kthen opozita, me ca zëra laramanë dhe të lodhur, ku nuk merret vesh se kush foli i pari e kush i fundit. Do të shemben themelet e vjetra e mbi to do të ngrihet bota e re, teatri klas, ku do harbiten artistët, e sidomos të huajt, sepse do futen në Kullën-teatër, ku i ke të gjitha, e nuk ke nevojë të dalësh në shi e diell, ia kthejnë me një zë rilindasit e kullave dhe të gjelbërimit të atdheut me hashash, natyrisht me i mirë se sa i demokratëve të Lazaratit. Ma ngatërrove fillin e bisedës, po flisja vetëm për teatrin, nuk hyn hashashi këtu. Gabim, si u bëkanë kullat pa hashashin, pa rënien pikiatë të euros! Ore, nuk kanë asnjë lidhje, po të them. Me teatër, thërrasin artistët, në kulmin e dëshpërimit, të lodhur nga vapa dhe protesta e tejzgjatur, pa mbërritur askund. Askush nuk dëgjon! Madje, nuk dëgjojnë as muret që thuhet se kanë veshë. Pa teatër, se do kemi të riun, madhështor dhe më të bukurin prej krejtëve, dëgjohet mjaullima e zyrtarëve të kulturës, nuk e di se nga cila linjë telefoni, më erdhi në veshët e djersitur. Pa teatër të vjetër, me teatër klasi, lutet dhe përjarget kryevbashkiaku i pemëve të mbjella në televizion dhe në arat e Tiranës së betonizuar. Pa teatër, uluret nga kolltuku kryministri, si të ishte zot i detit, i tokës dhe qiellit… Harabelat e mbetura rastësisht mbi pemë, pranë Piramidës së degraduar sa nuk e di si mbahet në këmbë, fluturuan të trembur. Me teatër, lëshjonë zërin deri në kupë të qiellit, artistët e lodhur nga protesta që bie në veshë të shurdhër, nga aktorët që kanë luajtur për mbrekulli të gjitha rolet. Kanë luajtur, në atë skenë të teatrit, rolin e ballistëve, të partizanëve, të spiunëve, të heronjëve dhe antiheronjëve, të dramave të Shekspirit, Shilerit, Ipsenit, Çehovit… Me të dëgjuar e kam! Mbase nuk është e saktë. Ka gjasa që ta kem parë në ëndërr, ose dikush ma ka rrëfyer gabimisht. Megjithatë, në syrin tim, detaj vlen, në një kuptim të përmbysur… Dikur, Piro Mani, regjisori mjeshtër i teatrit, për të shmangur syrin e rreptë të komisionit miratues, pajisur me mësimet e partisë dhe të m-l, pra një komision ideologjik, fuste në skenë rrotën e qerres. Ata, të vëmendshëm së jashtmi, menjëherë kërkonin shpjegim dhe ajo hiqej, pa një e dy, se nuk kishte ndonjë funksion në shfaqjen e radhës. Dhe, rrengu funksiononte, shfaqja jepej e plotë, si tekst dhe lojë e aktorëve. E tash, duket sikur po luhet akti i fundit, ku në skenë është vetëm qerrja me rrotën, e nuk ka fare skenar, nuk ka tekst, madje aktorët janë vetëm figurantë, që dalin në rrugë, dalin në protestë, për të mbrojtur teatrin… Në këtë tollovi, ku teatri ka mbërritur në parlament, në dëgjesat shurdhememece të qeverisë, ku çdo ditë luhet tragjikomedia e jetës së lumtur, pa lumturi, më në fund kanë folur arkitektët…Edhe me teatër, edhe pa teatër, më tepër kishin folur me vete, arkitektët, ata që dikur bënin gjëmën për pllakat e gurit në bulevard. Ata që kishin shpallur qendrën historike, bashkë me stadiumin dhe teatrin, madje me firmën e Ramës si ministër kulture. Titullarja e kulturës, shfuqizon zonën e mbrojtur, qendrën historike, që e ka për detyrë t’i mbrojë. Të shembet, a të mos shembet?! Ngado lëshohet me një ritëm monoton, klithma absurde, që as mizat e Sheshit Skendërbej, nuk e dëgjuan. Një skenë absurde, e teatrit absurd, ku aktorët nuk janë në gjendje të luajnë rolin e vetë, e ku qeveria ka ndarë rolet me kryebashkiakun, me përfituesit, me opozitën që do të vijojë denoncimin në konferenca shtypi, ku duket sikur, këtu fillon dhe mbaron opozitarizmi për të mbrojtur kujtesën dhe vlerat kulturore dhe shpirtërore… Artistëve u mbetet fama e dikurshme, të cilën është e sigurtë që do të fiksohet në stendat e muzeve, kurse pushtetarët, me anë të televizioneve të pavarura nga vetja, po lujanë çdo ditë dramën, tragjedinë dhe komedinë, e fatit tonë të hidhur, por krenar, sidomos për idealet e rilindasve të vonuar. Teatri, është hapësirë lirie, është pasqyra ku gdhendet shëmtimi dhe gëzimi i secilës kohë. Teatri, është tempull lirie, është altar qytetërimi. Kujtoni teatrin antik grek, ku me veprat e Eskilit, Sofokliut, Euripidit dhe Aristofanit, argëtoheshin dhe formoheshin si qytetar të lirë. Kujtoni mençurinë e sofizmave të Sokratit. Kujtoni teatrin anglez, me Shekspirin, teatrin francez me Molierin etj. , Aty ku ka teatër ka qytëtërim, ka demokraci, ka liri. Teatri, është rrezja e diellit në fund të tunelit, që shemb muret dhe trarët ndarës, të pushtetit me qytetarët. Pa teatër, jemi pa gojë, pa sy, pa tru dhe, mbi të gjitha pa zemër, për të kundërshtuar të keqen e secilës kohë, për të përqafuar të mirën e vlerave njerëzore.