












Sokol Paja/
Michigan, 1 nëntor 2025 – Në “Imperial House” Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës festoi çerek shekull veprimtari mediatike, edukative, kulturore dhe atdhetare në shërbim të komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “ALBTVUSA” përfaqëson modelin e arrirë mediatik, shembullin e shkëlqyer, frymën përbashkuese, nivelin e lartë profesional dhe trashëgiminë e shkëlqyer mediatiko-kulturore e atdhetare në Shtetet e Bashkuara. Administrimi vizionar i drejtorit Gani Vila, ndërthurur me profesionalizmin e spikatur e formimin e nivelin lartë gazetaresk të kryeredaktorit Rafael Floqi, energjinë e pasionin e të gjithë stafit e bashkëpunëtorëve, e ka shëndërruar Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës në një institucion serioz e dinjitoz, mediatik, edukativ, komunitar e atdhetar. Nën prezantimin e shkëlqyer të moderatoreve Brikena Hoxhalli, Armela Gjoka e organizatorit Fran Gjoka, mbrëmja festive me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara kombëtare në Amerikë, shoqatave e organizatave patriotike, autoriteteve fetare në Michigan e personaliteteve politike, u kurorëzua një sukses i arrirë mediatik e komunitar me emrin dinjitoz “ALBTVUSA”.
E veçantë në mbrëmjen festive ishte pjesëmarrja e Vatrës: kryetari Dr. Elmi Berisha, nënkryetari z.Alfons Grishaj, sekretari Dr. Pashko Camaj, kryetari i Këshillit z.Kolec Ndoja, drejtori i degëve z.Mondi Rakaj, Editori i Diellit, kryetari i degës së Vatrës në Michigan z.Julian Çefa, kryetarja e degës së Vatrës në Worcester znj.Efi Qeleshi e vatranët Bardh Tomaj, Pal Rakaj, Ben Pllumaj e shumë vatranë të tjerë që nderuan një vlerë komunitare e mediatike me emrin e dashur “ALBTVUSA”. E veçantë ishte edhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve fetare shqiptare në Michigan: Kisha e Shën Palit-Dom Fred Kalaj, Xhamia Shqiptare – Imam Shuaip Gërguri, Teqeja Bektashiane – Baba Eliton Pashaj, Kisha Orthodokse – At Eugene Shkurti të cilët kanë dhënë një kontribut të shkëlqyer në zhvillimin e komunitetit, bashkëjetesën fetare e komunitare shqiptare në Michigan e më gjerë. Pjesëmarrës në këtë festë të rëndësishme ishin drejtuesit nga shoqata si: Bijtë e Shqipes, Qendra Ballkanike në Michigan, shoqata Malësia e Madhe, shoqata humanitare Rapsha, Koja, Jehona e Malësisë, Kosova, etj.
Dokumentari prej 13 minutash emocionoi të gjithë të pranishmit me historinë e suksesshme të lindjes e zhvillimit, sfidave e arritjeve të Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës teksa drejtori i “ALBTVUSA” z.Gani Vila me përulësi dhe mirënjohje falenderoi mbështetësit dhe pjesëmarrësit në festën e rrugëtimit 25 vjeçar.
Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha theksoi se në këto 25 vite, ky medium ka dokumentuar ngjarje të rëndësishme të komunitetit tonë në SHBA nga aktivitetet e “Vatrës”, shoqërive dhe institucioneve fetare shqiptare, vizitave dhe personaliteteve të larta nga Tirana, Prishtina e Shkupi. Bashkëpunimi midis “Vatrës” dhe ALBTVUSA është një bashkëpunim i natyrshëm, ky istitucion përbën mision historik në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe mbrojtjen e vlerave shqiptare në Amerikë. Ashtu si “Vatra” më shumë se një shekull më parë ngriti “Diellin” si simbol të dritës kombëtare, sot ALBTVUSA ka një ndikim shqiptar mbi fuqinë e imazhit dhe fjalës së lirë, theksoi ndër të tjera Dr. Elmi Berisha.
Dom Fred Kalaj në fjalën e tij vlerësoi vlerat shqiptare të kultivuara prej Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës, ndërsa Imam Shuaip Gërguri uroi misionin e televizionit si një dritare shqiptare, teksa Baba Eliton Pashaj vlerësoi punën e televizionit për bashkimin e shqiptarëve kurse At Eugene Shkurti vlerësoi punën e bekuar në dobi të komunitetit shqiptar në Michigan.
Filantropi dhe biznesmeni i suksesshëm z.Agim Lumani në fjalën e tij vlerësoi historinë dhe punën e Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës dhe bëri thirrje shqiptarëve në Michigan për të votuar Robert Lulgjurajn si përfaqësues i shqiptarëve në Kongresin Amerikan. Kryetari i Bashkisë Lezhë z.Pjerin Ndreu vlerësoi historinë e Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës, kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë dhe bëri thirrje që shqiptarët e mërguar të mos e harrojnë kurrë Shqipërinë.
Besa Tafilaj vlerësoi veprimtarinë e televizionit, rolin e medias në shoqëri dhe ekspozoi punën e saj në Shtëpinë e Bardhë. Botuesi i gazetës “Illyria” z.Vehbi Bajrami vlerësoi punën kombëtare të “ALBTVUSA”. Z. Fran Gjoka e cilësoi “Televizionin” si dritare që lidh kombin e mërguar me trojet etnike.
Editori i gazetës “Dielli” Sokol Paja theksoi se Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës me programet kulturore, komunitare dhe kombëtare, ka pasur një ndikim të fuqishëm në mërgatën shqiptare të Amerikës për të ruajtur dhe promovuar interesin kombëtar, interesin komunitar, gjuhën shqipe, kulturën kombëtare, historinë, traditat dhe identitetin kombëtar shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me mijëra emisione televizive, intervista, kronika, profile, reportazhe, portrete, speciale, dokumentare, lidhje direkte, editoriale, komente, opinione, analiza dhe mbulime mediatike për Federatën “Vatra” e Gazetën “Dielli”. Këto vlera dëshmojnë për shërbimin e çmuar dhe mirënjohjen që ky television meriton nga secili prej nesh.
“ALBTVUSA” nderoi me certifikatë mirënjohje “Thank You” për mbështetjen, besimin dhe kontributin e dhënë në përparimin e misionit të “ALBTVUSA” në 25 vjet, si një zë i fuqishëm mediatik e unik i shqiptarëve të Amerikës të cilët janë: Edward Turfe, Agim Lumani, Fran Gjoka, Anila Niklos Coniku, Alfons Grishaj, Pjetër Stanaj, Peti Camaj, Mynyr Nazifi dhe filantropin e humanistin e shquar z.Ekrem Bardha.
Nënkryetari i Federatës “Vatra” z.Alfons Grishaj “Pishtar i Demokracisë” çmoi rrugëtimin 25 vjeçar të Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës, vlerësoi punën e shkëlqyer të komuniteteve fetare në Michigan dhe apeloi për më shumë reflektim, bashkëpunim e shqiptari prej shqiptarëve në mërgatë e sidomos klasës politike në Shqipëri e Kosovë në dobi të interesit kombëtar.
Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës vlerësoi me “Certifikatë Mirënjohje” për bashkëpunimin dhe kontributin profesional, frytdhënës dhe ndihmën e dhënë ndaj “ALBTVUSA” në 25 vite, për promovimin e kulturës dhe të vlerave kombëtare në diasporë: Elidon Haxhia, Gjok Gojçaj, Ben Pllumaj, Pashko Gojçaj, Besa Tafilaj, Nikollë Hysa, Pal Shkreli, Gjon Gjolaj, Marash Nucullaj, Adriatik Sheko dhe Lulash Palushaj.
Në këtë mbrëmje gala, Dhoma e Përqafësuesve të Shtetit të Michigan përmes përfaqësuesit Philip Peters e nderoi Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës me “Proklamatë” për kontributin e shkëlqyer mediatik në 25 vite histori. Ceremonia festive kulmoi me shfaqjen e trajlerit të filmit kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit që do të realizohet së shpejti në Hollywood.
Kandidati për Kogresin Amerikan Z.Robert Lulgjuraj vlerësoi punën e televizionit “ALBTVUSA” dhe theksoi nevojën e zërit shqiptar që të dëgjohet në Kongresin Amerikan. Ai kërkoi mbështetjen dhe ftoi shqiptarët që përmes votës të bëjnë histori në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z.Renis Nushaj kandidat për Senatin e Shtetit në Michigan vlerësoi vlerat shqiptare të promovuara prej Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës. Botuesi Ramiz Tafilaj në emër të “Gazetës së Alpeve” vlerësoi punën e tyre dhe nderoi me mirënjohje Gani Vilën e Fran Gjokën për veprimtarinë atdhetare, kulturore e mediatike. Ceremonia festive vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes nën argëtimin e këngëtarëve: Aleksander Gjelaj, Dorina Tiko, Nazife Bonjaku, Perparim Mefaja, Anjeza Ndoj, Albina Ndreaj, Bukurie Domi, Kim Vojkollari, Gerona Hyska, Sali Malaj, Misi Gojcaj dhe Alberije Hadergjonaj.