

Saimir Pirgu përfaqëson Shqipërinë si “Ambasador” për fëmijët me autizëm “Down Syndrome Albania”. “Zëri im, për zërin tuaj” – thotë ai.
Nga Mimoza Dajçi
Në fund të muajit tetor në Dallas të SHBA u shfaq premiera e operas “Carmen” e kompozitorit francez Georges Bizet. Rikthimi i “Carmen” në Winspear Opera House në Dallas u bë në nderim të origjinës së saj të vitit 1875, ku për herë të parë është luajtur në Teatrin e Operas “Comique” në Paris, Francë, spektakël që në atë kohë tronditi audiencën dhe shumicën e kritikëve.
Rolin e “Carmen” në skenë e luajti mezzo – soprano Maria Viotti, ardhur nga Franca, ndërsa personazhin e Don Jose-së e interpretoi tenori shqiptar Saimir Pirgu. Artisti shqiptar me famë botërore Saimir Pirgu që po shkëlqen në skenat operistike botërore dha një prezantim e paraqitje skenike fenomenale që u mirëprit dhe duartrokit disa herë nga audienca amerikane në Dallas. Interpretimi i tij virtuoz në portretizimin dramatik të përmbajtjes, i dha rëndësinë e duhur këtij diapazoni operistik. Shfaqja u ndoq edhe nga shqiptarët e shumtë që jetojnë në Dallas, të cilët patën rast të takonin e flisnin nga afër me artistin e madh Saimir Pirgu.
Opera “Carmen” është një opera në katër akte e kompozitorit francez Georges Bizet. Libreti u shkrua nga Henri Meilhac dhe Ludovic Halevy, bazuar në novelën me të njëjtin titull nga Prosper Merimee. Opera për herë të parë u shfaq në Paris në mars të vitit 1875 në operan “Comique”, ku thyerja e konventave tronditi dhe skandalizoi audiencën franceze.
Kompozitori Bizet vdiq papritur pas shfaqes së 33-të, i pavetëdijshëm se vepra e tij do të arrinte famë ndërkombëtare brenda dhjetë viteve në vijim. Që atëherë “Carmen” është bërë një nga veprat më të njohura e të interpretuara shpesh në zhanrin klasik.
Me artistin shqiptar Saimir Pirgu, i cili ka dhënë koncerte të suksesshme nëpër Europë dhe botë, jam takuar për herë të parë në vitin 2016 në Hollin e “Kaufman Music Center” në Manhattan, ku zhvilluam edhe një bisedë mediatike së bashku. Saimiri do të performonte koncertin e tij recital. Më bëri përshtypje mënyra e tij e thjeshtë e komunikimit, veshur sportiv, që për pak çaste më bëri të harroj që përballë kisha këngëtarin operistik me famë botërore.
Tenori i muzikës lirike – operistike Saimir Pirgu, fitues i disa Çmimeve si në Shqipëri edhe nëpër botë thotë për median se, “Asgjë nuk arrihet pa sakrifica e përpjekje intensive”. Tenori Pirgu si këngëtar është angazhuar në disa festivale fëmijësh në Shqipëri, por mësimet e para në fushën e muzikes i mori në Liceun Artistik, Tiranë në instrumentin e violinës. Më pas karriera e tij artistike si tentor vazhdoi pranë tenorëve të mëdhenj të muzikës italiane Luciano Pavarotti dhe Claudio Abbado, që për këtë sukses i është mirënjohës pafundësisht…
Saimir Pirgu përfaqëson Shqipërinë si “Ambasador” për fëmijët me autizëm “Down Syndrome Albania”. “Zëri im për zërin tuaj” – thotë ai.