
Teza # 2.
“Çamët ishin bashkëpunëtorë të nazistëve”
Një nga akuzat më të përhapura dhe më keqdashëse për të justifikuar krimet kundër shqiptarëve të Çamërisë është pretendimi se çamët ishin bashkëpunëtorë të pushtuesve nazistë dhe italianë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kjo tezë synon të zhvendosë fajin nga agresori tek viktima dhe të legjitimojë masakrat, përdhunimet, dëbimin dhe konfiskimin e pronave. Por kjo është një gënjeshtër që vret dy herë: një herë me armë në vitin 1944, dhe një herë me propagandë për dekada.
Por kjo tezë është historikisht e rreme, politikisht manipuluese dhe moralisht kriminale.
1. Bashkëpunimi” u shpik për të justifikuar një politikë të nisur më herët
• Që nga viti 1913, shteti grek ndoqi një strategji për homogjenizimin etnik të Epirit të Jugut, përmes:
• ndalimit të gjuhës shqipe në shkolla,
• ndërrimit të toponimeve,
• shpronësimeve të mbështetura në ligje si Ligji 307/1926 dhe Ligji 136/1937,
• dhe kolonizimit të trojeve shqiptare me popullsi ortodokse greke.
• Lufta u përdor si pretekst për të finalizuar këtë proces.
2. Çamët nuk u dëbuan për shkak të luftës, por për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare.
• Dëbimi ndodhi në fund të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945 kur forcat gjermane ishin tërhequr nga Çamëria dhe nuk kishte më operacione ushtarake.
• Forcat nacionaliste greke të EDES-it, nën komandën e Napoleon Zervës, kryen masakra, djegie, përdhunime dhe dëbime në shkallë të gjerë ndaj shqiptarëve myslimanë.
• Spastrimi nuk kishte lidhje me ndonjë bashkëpunim real, por me përkatësinë etnike dhe fetare të viktimave.
3. Nuk pati gjyqe të drejta. Pati vetëm dëbim dhe një farsë ligjore
• Asnjë gjykatë ndërkombëtare nuk ka shpallur komunitetin çam si bashkëpunëtor.
• Në vitin 1945–1946, në qytetin e Janinës, autoritetet greke organizuan një gjyq në mungesë ndaj rreth 1930 çamëve, duke i akuzuar për bashkëpunim me pushtuesit.
• Të gjithë u shpallën fajtorë, pa mbrojtje ligjore dhe pa prova individuale.
• Ky proces u përdor si pretekst ligjor për të sekuestruar përfundimisht pronat e tyre, duke i shpallur “prona të armikut”.
• Ky nuk ishte një gjyq për drejtësi, por një instrument politik për të vulosur krimin e mëparshëm: dëbimin kolektiv.
4. Burimet ndërkombëtare dhe faktet historike rrëzojnë këtë tezë
Raporti britanik i vitit 1945 (SOE)
I hartuar nga Captain Chris Woodhouse, përshkruan në detaje:
“Shqiptarët myslimanë të Epirit u dëbuan pa dallim, për arsye etnike, jo për arsye politike apo ushtarake.”
Arkiva britanike FO 371/43679
Përmban dëshmi të drejtpërdrejta për mungesën e çdo organizimi çam në bashkëpunim me nazistët, dhe përshkruan dhunën ekstreme të ushtruar nga forcat greke nacionaliste.
Qeveritë greke të kohës ishin vetë fashiste ose kolaboracioniste
• Qeveria e Ioannis Rallis (1943–44), e instaluar nga gjermanët, krijoi Tagmata Asfaleias, forca bashkëpunëtore që luftuan në krah të nazistëve.
• Më herët, regjimi i Metaxás (1936–41) ndaloi liritë civile, shtypi minoritetet dhe ishte ideologjikisht pranë fashizmit italian dhe gjerman.
Zerva u përmend si bashkëpunëtor në Nuremberg
• Emri i Napoleon Zervës, komandantit të EDES-it, u përmend në dosjet e gjyqeve të Nurembergut si person që kishte bërë marrëveshje taktike me nazistët në Epir për përfitime politike kundër EAM-it (komunistëve grekë).
• Ndërsa Zerva u nderua në Greqi, viktimat e tij u etiketuan si bashkëpunëtorë pa prova.
5. Në të vërtetë, çamët luftuan kundër pushtuesve
• Batalioni Çamëria në Konispol tregoi anën që çamët mbajtën në luftë.
• Çamët luftuan në krahë të grekëve për të cliruar vendin nga nazistët, duke krijuar Batalionin IV “Ali Demi” nën regjimentin e 15-të të EAM (Ushtria çlirimtare greke)
• Por për shtetin grek të kohës, mjaftonte të ishe shqiptar dhe mysliman që të ishe armik.
6. Dënimi kolektiv është krim, jo drejtësi
• E drejta ndërkombëtare ndalon shprehimisht dënimin kolektiv të një popullsie për veprime të supozuara të individëve.
• Dëbimi pa gjykim të drejtë, pa hetim individual dhe pa të drejtë mbrojtjeje, përbën krim kundër njerëzimit (Konventa e Gjenevës, Statuti i Romës).
Si përfundim: Çamët nuk ishin bashkëpunëtorë. Ata ishin viktima.
Ata nuk u gjykuan por u dëbuan. Ata nuk u hetuan por u masakruan dhe kur gjithçka kishte mbaruar, u ngrit një gjyq i vonuar në mungesë, për t’u vënë një vulë ligjore një krimi të kryer me zjarr e hekur.
Ndërsa qeveritë greke bashkëpunuan hapur me nazistët, ndërsa Zerva u përmend në Nuremberg si partner taktik i tyre, ishin çamët që u shpallën “fashistë” për të justifikuar zhdukjen e tyre nga harta.Nëse gjenocidi fshin trupin, gënjeshtra historike fshin kujtimin.
Kjo është vrasja e dytë!
Alket VELIU