NGA ARBEN XHIXHO/VOA/Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet këto ditë në Nju Jork, ku po zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.Mbrëmë Presidenti Thaçi u takua me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç në prani të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federika Mogherini.Sipas zyrtares së lartë të BE-së, takimi ishte vazhdim i dialogut mes të dy vendeve me ndërmjetësinë e BE-së për normalizimin tërësor të marrëdhënieve mes tyre.Zonja Mohgherini tha se përparimi i të dy vendeve drejt integrimit evropian është i lidhur ngushtë me përparimin në dialogun mes tyre.Zëri i Amerikës intervistoi drejtëpërdrejt nga Nju Jorku në emisionin “Ditari” Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Zëri i Amerikës: Zoti President mirë se vini në programin e Zërit të Amerikës.
Presidenti Thaçi: Mirë se ju gjeta, faleminderit shumë për mundësinë tuaj.
Zëri i Amerikës: Zoti President, kohët e fundit janë intensifikuar komentet si nga Beogradi edhe Prishtina për fazën e re të dialogut. Presidenti i Serbisë është shprehur se “nuk mund t’i fshihemi më realitetit” ndërsa ju para disa ditësh u shprehët për Zërin e Amerikës, se “dua të besoj që do të hapet një faqe e re e dialogut që nënkupton perspektivën e sigurt të Kosovës për t’u integruar në organizatën e OKB-së”. Ministri i jashtëm i Serbisë iu përgjigj komenteve tuaja duke thënë se “Presidenti Thaçi ushqen iluzione, Serbia kurrë nuk do të njohë Kosovën”. Ku e mbështesni ju optimizmin për anëtarësimin e Kosovës në BE-, a ka ndonjë përparim në këtë drejtim dhe kur parashikoni që kjo të ndodhë?
Presidenti Thaçi: Është jetike normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë për ecjen përpara të të dy vendeve në perspektivën evropiane por edhe në perspektivën euro-atlantike për Kosovën, sepse Kosova është e përcaktuar që të jetë pjesë e NATO-s, e Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ne, ka një kohë që të dy vendet jemi në një gjendje status quo-je, prandaj kemi menduar që është jetike në këtë moment ,nën udhëheqjen e zonjës Mogrehini dhe mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të fillojë një fazë e re e dialogut. Një dialog që mund të them që do të sjellë marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e plotë dhe pajtim mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe kjo do të krijonte një mundësi që me të vërtetë Serbia ta njohë realitetin në Kosovë, siç ka deklaruar edhe vet presidenti Vuçiç, por edhe Kosova të vazhdojë në perspektivën e saj të anëtarësimit sa më të shpejtë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Prandaj, një marrëveshje mes dy vendeve tona me udhëheqjen e Bashkimit Evropian, mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është më tepër paqe, stabilitet dhe fqinjësi e mirë jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Prandaj edhe mbrëmë në takimin që zhvilluam në zyrat e BE-së këtu në New York, nën udhëheqjen e zonjës Mogrehini, u konfirmua se ne duhet të lëvizim më shpejt në një proces më dinamik dhe me shpresë se ky proces do të përmbyllet me një marrëveshje finale, që do të nënkuptonte njohje të realiteteve të ndërsjella dhe perspektivë të sigurt të të dy vendeve për perspektivën evropiane. Por, e ritheksoj edhe për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ky është edhe synimi ynë.
Zëri i Amerikës: A ekziston mundësia e anëtarësimit të Kosovës në OKB edhe pa u njohur nga Serbia?
Presidenti Thaçi: Realisht ne duhet të punojmë maksimalisht me të gjithë partnerët tonë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të punojmë edhe me vendet hezituese në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por në momentin që arrihet një normalizim i plotë raporteve Kosovë-Serbi, atëherë askush nuk ka asnjë të drejtë as morale e as politike, as ndërkombëtare që të vejë veto për Kosovën në Këshillin e Sigurimit.
Zëri i Amerikës: Çfarë nënkuptoni me normalizim të plotë të marrëdhënieve?
Presidenti Thaçi: Normalizimi i plotë i marrëdhënieve nënkupton njohjen e realiteteve të ndërsjella, ne jemi vende sovrane, kemi perspektivë të sigurt Evropiane. Ndërtimin e raporteve të fqinjësisë së mirë sipas kritereve dhe standardeve evropiane të një bashkëpunimi të ndërsjellë institucional, duke mos e penguar, por lehtësuar njëra tjetrës rrugën për perspektivën evropiane.
Zëri i Amerikës: Por jo domosdoshmërisht nënkupton edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës, apo jo?
Presidenti Thaçi: Njohja e Kosovës nga Serbia nuk mund të pritet menjëherë por ajo është një proces i pandalshëm dhe do të ndodhë herët a vonë, mirëpo është herët të spekulojmë apo prejudikojmë se si do të përmbyllet marrëveshja përfundimtare, por ne do të punojmë që diçka e tillë të ndodhë në përmbyllje të këtij procesi.
Zëri i Amerikës: Zoti president, ju keni deklaruar se marrëveshjen përfundimtare me Serbinë do ta hidhni në referendum. A mund të ndani me ne përse e shihni të nevojshëm referendumin?
Presidenti Thaçi: Mendoj se marrëveshja përfundimtare në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë është një marrëveshje historike. Ne kemi pasur për më tepër se një shekull probleme, armiqësi dhe luftëra me njëra tjetrën. Serbia ka kryer edhe gjenocid në Kosovë. Në momentin që arrihet një marrëveshje e tillë historike e normalizimit dhe pajtimit, mendoj se nuk është vetëm aspekt procedural por është aspekt edhe jetik i vullnetit të qytetarëve dhe këtë marrëveshje unë mendoj që të dy vendet dhe popujt tanë duhet ta vulosin me vet vullnetin e tyre përtej procedurave dhe pengesave të politikave ditore, qoftë të qeverive tona, qoftë të parlamenteve tona. Pra, vet qytetarët e vendit të Kosovës të vulosin këtë marrëveshje, a janë në favor apo nuk janë, por jam i sigurt se qytetarët e Kosovës duan të jenë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara sepse edhe e meritojnë, dhe duan që të lëvizim sa më shpejt për anëtarësim edhe në NATO dhe perspektivë evropiane dhe e theksoj; e ardhmja evropiane e Kosovës dhe e ardhmja evropiane e vet Serbisë varen nga normalizimi i raporteve tona të ndërsjella, sepse me këto raporte të ndera nuk do të mund të lëvizim shpejt, mirë dhe në mënyrë produktive. Përkundrazi, mund të kalojmë në një fazë të një status quo-je të re që do ta paguajnë me çmim jo të lehtë të dyja vendet dhe popujt tanë.
Zëri i Amerikës: Keni paralajmëruar krijimin e një ekipi të unitetit për bisedimet me Serbinë. Një ide që është kritikuar nga një pjesë e analistëve. Përse ka nevojë për ekip uniteti dhe a keni mbështetjen e dy partive më të mëdha të opozitës të Vetëvendosjes dhe LDK-së?
Presidenti Thaçi: Javën e kaluar unë kam zhvilluar takim me shoqërinë civile dhe kam diskutuar shumë hapur për mundësinë e krijimit të ekipit të unitetit. Mendoj se kjo është marrëveshja finale dhe historike në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe këtu duhet të marrin pjesë të gjithë, jo vetëm të kritikohet apo akuzohet dikush. Mendoj që bartësit e institucioneve, partnerët e koalicionit, partitë opozitare, personalitetet publike me ndikim, shoqëria civile dhe media, duhet të jemi të gjithë së bashku që këtë proces ta shtyjmë përpara, sepse në këtë proces ose do të fitojmë të gjithë, apo do të lëndohemi të gjithë në kuptimin e asaj që të mos vonohemi. Unë mendoj se çdo ditë që shtyhet mos anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara, jemi humbës të gjithë, çdo ditë që vonojmë anëtarësimin e Kosovës në NATO gjithashtu dështimin e paguajmë të gjithë, prandaj këto vonesa u kushtojnë të gjithë njerëzve të Kosovës pa dallime politike dhe etnike. Për këtë arsye mendoj që formula e krijimit të një ekipi të unitetit që do të ndërtonte një platformë shumë të qartë, të qëndrueshme dhe profesionale të standardeve dhe vlerave euro-atlantike do të jetë ajo e cila do të shtyjë përpara këtë proces të ri në këto rrethana të reja dhe në një bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Në fund e theksoj se është në interes që marrëveshja përfundimtare të vihet në diskutim publik dhe të kemi një deklarim të vullnetit të qytetarëve, për herë të parë në historinë e Kosovës, përmes referendumit. Në rregull pajtohem, dikush mund të thotë që Kosova s’e ka të drejtën kushtetuese apo ligjore për referendum, por mund të them që është gjetur hapësira ligjore dhe do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese dhe me pyetjen që të krijohet hapësira legale, që me një ligj të veçantë për çështje të caktuara, qytetarëve të Kosovës t’u lejohet që të deklarohen vet për këtë çështje që do të përmbyllet në një të ardhme jo të largët.
Zëri i Amerikës: Zoti President, Kosova është i vetmi vend në Ballkan që ka nevojë për viza udhëtimi në vendet e BE-së. Një nga kushtet për liberalizimin e vizave është kufiri me malin e Zi që Kosova nuk ka arritur ta ratifikojë dhe madje qeveria e re kërkon rinegociimin e saj. A është çështja e vizave një kapitull i mbyllur që nuk mund të realizohet për sa kohë çështja e kufirit ka mbetur pezull?
Presidenti Thaçi: Kosova prej 95 kritereve që është dashur t’i zbatojë për liberalizim të vizave, 94 prej tyre i ka zbatuar dhe ka zbatuar më shumë kritere dhe standarde se sa çdo vend tjetër në rajonin tonë. Çështja e kufirit me Malin e Zi është jetike dhe duhet të kaloj në parlamentin e Kosovës, sepse edhe në takimin që zhvillova me Presidentin (Donald) Tusk edhe gjithashtu me zonjën Mogherini, qëndrimi i Bashkimit Evropian është qëndrim unik dhe i qartë; pa ratifikim të marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Prandaj e ftoj gjithë spektrin politik për një urtësi, për një kohezion dhe të shikojmë rreth ndërtimit të një qëndrimi të përbashkët dhe qytetarët e vendit për shkak të politikave ditore apo elektorale, të mos mbesin peng të mos lëvizjes së lirë në të gjitha vendet e BE-së. Pra, pa ratifikim nuk ndodh liberalizimi i vizave. Për fat të keq ky është qëndrimi i qartë dhe i prerë i Bashkimit Evropian. Sot ministri ynë i jashtëm, Behgjet Pacolli, është takuar me ministrin e jashtëm të Malit të Zi, por tani më kjo nuk është çështje ndërshtetërore, është kryekëput vendim i institucioneve të Kosovës, Kështu që përgjegjësia është e Kosovës. Dialog dhe biseda mund të ketë, por gjithmonë duhet pasur parasysh se ne ndërtuam institucione për të marrë vendime, me ndodh liberalizimi i vizave, për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës dhe me lëvizë më shpejt drejt perspektivës evropiane dhe asaj euro-atlantike. Nuk kemi kohë për të humbur dhe ritheksoj edhe në këto momente kërkohet që të bashkohemi të gjithë dhe të kaloj ky proces dhe t’i japim fund izolimit të padrejtë që po u ndodh qytetarëve të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Gjatë kohës që jeni në Shtetet e Bashkuara pritet edhe një takim i vendeve të Ballkanit perëndimor më shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Mogherini. Një nga idetë që janë hedhur është edhe krijimi i një tregut të përbashkët rajonal. Cili është qëndrimi juaj ndaj kësaj ideje?
Presidenti Thaçi: Qëndrimi i Kosovës është që të kemi marrëdhënie bilaterale me secilin shtet veç e veç. Unë kam theksuar edhe më herët; nuk jam adhurues i ndonjë unioni të modelit të ish-Jugosllavisë apo të kohës së Titos. Perspektiva e çdo vendi të Ballkanit Perëndimor është në familjen evropiane, në Bruksel dhe jo ne unione rajonale. Kur të përmbyllet procesi i integrimeve në Bashkim Evropian atëherë është çështje tjetër. Nuk duhet të jetë kjo parafazë apo mund të themi edhe humbje kohe apo zhagitje e procesit apo arsyetim i disa zyrtarëve të Bashkimit Evropian për krijimin e një unioni regjional për t’u vonuar në integrim në Bashkim Evropian. Pra synimi ynë është Brukseli dhe jo kryeqytetet rajonale. Pastaj ne mund të jemi pjesë e këtyre iniciativave së diskutuari, por natyrisht si të barabartë. Ne jemi të vetëdijshëm që Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën dhe këtu duhet të futemi në çfarëdo iniciative vetëm si vende të pavarura e të njohura reciprokisht.