

Adi Memeti
Stamford, 28 shtator 2025/
Një atmosferë e ngrohtë dhe mbresëlënëse mbizotëroi këtë të diel në lokalin Europa në Stamford, ku u promovua libri “The Illyrian Way” i autores shkodrane Dearta Logu Fusaro.
Ngjarja mblodhi një audiencë të larmishme nga vende të ndryshme të Ballkanit, duke i dhënë aktivitetit një frymë shumëkulturore. Ky diversitet u përputh me vetë përmbajtjen e librit, i cili lindi nga një udhëtim tre mujor në Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri. Gjatë këtij rrugëtimi, autorja dhe bashkëshorti i saj mblodhën takime, përvoja dhe kujtime që u shndërruan në një mozaik rrëfimesh, të ilustruara edhe me fotografi të shumta.
Në libër, Fusaro e sheh Ballkanin si një hapësirë me rrënjë të përbashkëta historike e kulturore, duke e përkufizuar si:
“Një zhytje në një mozaik takimesh — udhëtarë botërorë, heronj fshatrash, rrënoja të lashta dhe një kërkim për rrënjët ilire të autores.”
Gjatë promovimit, audienca krijoi një udhëtim imagjinar mbi Ballkanin e sotëm – duke u pyetur: a do të ishte më frytdhënëse të ndaleshim tek gjërat që na bashkojnë sesa tek ato që na ndajnë? Kjo ide u vu në pah fuqishëm gjatë diskutimit, si nga autorja ashtu edhe nga vetë pjesëmarrësit, të cilët sollën reflektime personale mbi identitetin dhe kujtesën rajonale.
Promovimi u pasurua nga zëra të ndryshëm si Silva Christov (Bullgari), Evsen Sinmaz (Turqi), Teddy Lupu (Rumani), Uranela Demaj (Kosovë), Zhuljeta Buja (Shqipëri), Indira Bayer (Bosnjë), Angela Bujaj (Shqipëri), Erin O’Neill Argueta (SHBA), Adi Memeti (Lugina e Preshevës) e të tjerë, të cilët ndanë rrëfime nga përjetimet e tyre shumëngjyrëshe.
Dearta Logu Fusaro, që i përket brezit të parë të emigrantëve shqiptarë në Amerikë, aktualisht punon në menaxhimin e projekteve ndërkombëtare. “The Illyrian Way” është libri i saj i parë, i shkruar në anglisht për një audiencë globale.
I botuar nga shtëpia botuese britanike 27. Press, libri tashmë është i disponueshëm për porosi online dhe, nga muaji nëntor, do të gjendet edhe në librarinë Europa, me adresë: 1100 Hope St, Stamford, CT 06907.