
Dr. Paulin Marku/
Shqiptarët e vendosur në SHBA filluan të organizonin komunitetin për të ruajtur kulturën, traditën e zhvillimin arsimor si dhe për të ardhur në ndihmë njeri-tjetrit. Ata filluan të krijojnë shoqëritë në mërgim ku mund të përmendët: “Malli i Mëmëdheut” ; shoqëria “Besa-Besë”, “Koha”; “Lidhja”; “Dardhare”, “Shpresa” , “Nderi shqiptar”; “Shoqëria Ndihmtare Bashkimi” etj. Një zë i forte bashkëpunimi midis shqiptareve ishte krijimi i gazetës “Kombi”, e cila publikoi numrin e parë në qershor të vitit 1906 dhe vijoi të botohej për tre vjet rresht.
Një tjetër gazete që shumë shpejt do të fuqizohej në komunitet, është gazeta “Dielli” që filloi punimet më 15 shkurt të vitit 1909, e cila u bë një prej organeve më të rëndësishme, e përqendruar kryesisht në fushën e kulturës, historisë e vlerave kombëtare. Shoqëritë shqiptare ishin të interesuara për të ardhmen e vendit. Ata përkrahën aq sa patën mundësi edhe kryengritjet anti-osmane të viteve 1910, 1911 e 1912. Intelektualët shqiptar organizuan një varg manifestimesh e tubimesh në Amerikë në mënyrë që t’ju bëjnë prezent shqetësimin e tyre, të drejta e kërkesat e kombit shqiptar në mënyrë që institucionet zyrtare dhe opinionit publik amerikan të njihet me shqetësimin e popullit shqiptar. Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Amerikë dukej se po fuqizohej dhe po hidheshin themelet e një bashkëpunimi midis popullit shqiptar. Krahas formimit të shoqërive të ndryshme shqiptare në diasporë, hapja e gazetës dhe me themelimin e kishës ortodokse shqiptare në Amerike komuniteti hodhi themelet e para të organizimit dhe bashkëpunimit midis tyre.
Çështja atdhetare dhe ndjenjat kombëtare shqiptare dukej sikur po merrnin gjithnjë e më tepër formën e një komuniteti të organizuar në grupime të ndryshme por me një qëllim të përbashkët për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe vendlindjen e tyre. Në këtë kushte e rrethana linden edhe idetë e mendimet e ndryshme për bashkëpunim midis grupimeve shqiptare në Amerikë. Persa i përket idesë për bashkimin e shoqërive shqiptare të Amerikës ka disa versione dhe protagonist. Mund të thuhet se nga fundi i vitit 1911, fillim i vitit 1912, intelektual shqiptar u vunë në lëvizje dhe vijuan përpjekjet serioze për bashkëpunim dhe koordinim për bashkimin e shoqërive e klubeve shqiptare. Meqenëse shoqëritë shqiptare po shtoheshin, gazeta ndiqej me interes të madh dhe ishte organ i rendesishem per komunitetin, si dhe kisha ortodokse shqiptare e Bostonit ishte pik takimi per diskutime e mbledhje të vazhdueshme mund të thuhet se ishin pjekur kushtet dhe rrethanat për të forcuar komunitetin dhe për t’i shërbyer çështjes kombëtare shqiptare kur fatet e Shqipërisë ishin të rrezikuara nga coptimi i trojeve shqiptare nga fqinjët tanë. Edhe pse shqiptarët jetonin e vepronin në SHBA, ndjenja dhe interesi për ta ishte e ardhmja e Shqipërisë.
Në takimin e mbajtur më, 24 dhjetor 1911, ne Boston në Rathbone Hall, 724 Washington Street u bisedua për çështjen e bashkimit të shoqërive shqiptare. Ajo që vihet re në dokumentet e kohës është fakti se në fund të vitit 1911, shqiptarët nuk diskutonin nëse duhet të behej bashkimi i tyre por mënyra se si duhet të ndodhte bashkim i shoqërive shqiptare. Pra, ishin të bindur se vetëm nëpërmjet bashkimit mund të realizonin qëllimin e tyre dhe kërkonin të gjenin formën e duhur të bashkimit të shoqërive shqiptare në Amerikë. Pati ide të shumta për mënyrën dhe procesin e këtij organizimi por më i arsyeshmi dhe që mori konsensusin për zbatim ishte ai i Marko Adams, i cili propozoi ngritjen e një komisioni për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit. Kështu, mori pëlqimin e të pranishmëve dhe u ngrit komisioni i përbërë nga intelektual të njohur si: Faik Be Konica, At Fan Noli, Kristo Floqi e Paskal Aleksi.
Mbledhjet e Komisionit të Bashkimit
Ne këto rrethana filloi puna e Komisionit Organizativ për bashkimin e shoqërive shqiptare dhe mbledhja e parë u mbajt me 13 shkurt 1912. Ata zgjodhën sekretar të Komisionit, At Fan Noli, i cili do të ishte përfaqësuesi për komunikim dhe shkëmbim mendimesh midis komisionit dhe shoqërive shqiptare në ShBA, po ashtu kishte për t’iu shpjeguar edhe procesin e bashkimit dhe rregullat që duhet të ndiqte çdo shoqatë. Në letrën e Nolit, dërguar nga Bostoni në shkurt t vitit 1912 thuhet, Citoj “Vendimi i Komisionit është ky: Të katër të nënshkruarit, të zgjedhur si Komision i Bashkimit në një miting që u mbajt në Boston, më 24 shkurt për të gjetur udhën e një bashkimi të shoqërive shqiptare t’Amerikës, u mblothën dhe i dhanë funt”.
Artikull 1.
Të pyeten gjithë shoqëritë e kolonitë e mëdha, në u pëlqen një bashkim;
Në ç’formë e duan, në formë federale apo qendrale;
Me ç’qëllim: politik, edukatoral, letrar apo propagande popullore;
Edhe në u pëlqen Bashkimi, kur do të kenë zgjedhur një delegat, për të ardhur në Boston për të themeluar Bashkimin.
Do të mblidhen për herën e dytë më 3 të marsit që të bisedojnë përgjigjet e shoqërive. Komisioni i Bashkimi: Faik Konitza, Kristo Floqi, Paskal Aleksi, At Fan Noli
Në dokumentet e kohës rezulton se angazhimi i komisionit ishte mjaft intensiv me mbledhje e takime për 3-4 herë në muaj, kryesisht ato mbaheshin në fundjavë. Në letër këmbimet që komisioni pati me shoqëritë dhe klubet shqiptare rezulton se Komisioni e Konsideronte të domosdoshëm bashkimin dhe iu kërkonte mos të humbej kohë por të veprohej sa më parë të jetë e mundur për përmbylljen e procesit të bashkimit të shoqërive shqiptare. Duhet sqaruar se nuk mungonte vullneti dhe veprimtaria patriotike për bashkimin e shqiptarëve. Ndërkohë që Komisioni hartonte platformën e bashkimi në një kohë relativisht të shpejtë mbërritën edhe përgjigjet e shoqërive shqiptare që iu përgjigjen pozitivisht kërkesës për bashkim.
Sipas dokumenteve dhe botimeve periodike të kohës rezulton se 8 shoqëri iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Komisionit Organizativ, dhe propozonin: bashkimi duhet të ndodh në formën e një Federate. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse edhe sot e kësaj dite vijon të quhet Federatë. Prandaj duhet theksuar se që në vitin 1912 u hodhën themelet për një Federate Pan-Shqiptare të Amerikës. Ndërsa lidhur me qëllimin e Federatës pati propozime nga më të ndryshme, si p.sh. : për qëllime politike, propagandë popullore, kulturore, edukative apo të mbetej vetëm në suazën bashkëpunues midis shqiptarësh për komunitetin që jetonte në SHBA. Intelektualët shqiptar i morën të gjitha sugjerimet dhe analizuan me kujdes propozimet e ndryshme.
Mbledhjet e mbajtura më 24 mars 1912 në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, Komisioni i Bashkimit përbëhej nga katër personalitete të shquara: Faik Konica, At Fan Noli, Kristo Floqi dhe Paskal Aleksi.
Citoj: Komisioni i Bashkimit përbëhej nga: Delegatët : Faik Konitza, Elia Tromara, Kristo Floqi, Kristo Kirka, At Fan Noli, Dr. Kost Kotta, Paskal Aleksi, Llambi Çikozi, Kostika Treska. Komisioni vendosi për hartimin e një Kanunoreje Provizore dhe këtë e mori përsipër Faik Konica dhe Kristo Floqi në konsultime me një avokat shumë të njohur në Bostonit. Shoqëria Federale që do të formohet do të ketë nën ombrellën e saj gazetën “Dielli”.
U votua një shumë 25 dollarësh për borxhet e para të Kanunores.
Mbledhja e radhës u mbajt me 31 mars në Kishën Shën Gjergji. Rëndësia e kësaj mbledhje ishte se u njohën me draftin e kanunores dhe u propozuan disa emra për të emëruar Shoqërinë e Re që po themelohej Midis shumë emrave që qenë propozuar për emërtimin e Federatës patriotike e atdhetare që po krijohej, u pëlqye përgjithësisht dhe njëzëri ata thirrën emrin “Vatra”.
Ky emërim u prit me gëzim të madh dhe me thirrje të zjarrta plot optimizëm e shpresë. Shoqëria e Re u quajt: Federata Pan- Shqiptare e Amerikës “Vatra”. U zgjodh pleqësia e hëpërhëshme prej Komisionit të Themelimit dhe prej delegatëve, gjer sa Bashkimi të marrë udhë, duke formuar çdo degë pleqësi të veçantë sipas Kanunores dhe sipas dëshirës së shqiptarëve. Vendimi i 31 marsit 1912: U votua një shumë 70 dollarësh për të njohur shoqërinë nga guverna. Shoqëria u quajt Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”. Pagesa do të jetë 3 $ në mot dhe 1 $ për të hyrë çdo anëtar të ri.
Mbledhja e 9 prillit e mbajtur po në Kishën Shen Gjergji u këndua Kanunorja e Shoqërisë së Re në gjuhën angleze dhe pastaj u përkthye dhe në shqip, e cila mori miratimin me 14 prill nga komisioni dhe delegatët.
Mbledhja e 14 prillit vendosi:
Votuan tërë Kanunoren e Federatës (Shoqërisë Federale “Vatra”).
Porositën çdo delegat që të sjellë në mbledhjen tjetër që vjen një raport të plotë, në të cilin të referohen: numri dhe emrat e anëtarëve të shoqërisë që përfaqëson, kapitali i thatë që ka, plaçkat e (pasuritë) e tjera që ka.
Mbledhja e radhës do të bëhej më 28 të prillit 1912
Bashkimi i shoqërive mori fund
Federata Pan – Shqiptare e Amerikës “Vatra”
Mbledhja e mbajtur, më 28 prill 1912 vendosi: Rekordi IX
Komisioni i Bashkimit dhe delegatët, në mbledhjen që mbajtën të dielën më 28 prill 1912, më 3 p.m., në sallën e Kishës Shën Gjergji pasi panë raportet e shoqërive që bashkohen dhe dolën me vendimin:
Citoj dokumentin:
E quajmë të formuar Federatën Pan-Shqiptare “Vatra” të Amerikës, prej shoqërive “Besa-Besë”, “Flamuri i Krujës”, “Kombëtare” dhe “Dallëndyshja”. Emërohen pleqësi e përkohshme këta zotërinj:
Sekretar – At Fan Noli, arkëtar – Lambi Çikozi, menaxher i “Diellit”- z. Kristo Kirka.
Organizatorë të Degëve të Federatës:
Faik Konitza, Kristo Floqi
Mbikëqyrës të “Diellit”:
Paskal Aleks, Elia Tromara, Kosta Vasil.
Në përfundim mund të thuhet se shqiptarët e mërgatës shprehen gatishmëri për bashkëpunim për krijimin e një Federate dhe kështu mori fund bashkimi i shoqërive shqiptare me mbledhjen historike të datës, 28 prill 1912. Ky ishte një materializim i shkëlqyer, i finalizuar me sukses, ku ideja e intelektualëve të shquar që vepruan në diasporë, me në krye At. Fan Nolin, Faik Konica, Kristo Floqi, Paskal Aleksi, etj…, bëjnë krenar me veprën e tyre patriotike e atdhetare në shërbim të Kombit Shqiptar. Këto ishin hapat që Komisioni i Bashkimit me intelektualët e lartë shqiptar që janë edhe vizionarët e këtij procesi të rëndësishëm për bashkimin e shoqërive shqiptare në Amerike që realizuan me sukses krijimin e Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “Vatra”.
Me plot profesionalizëm, ndjenja të thella atdhetarie dhe me vizion për të ardhmen e brezave trashëguan organizatën më të vjetër shqiptare në diasporë që i ka rezistuar kohës me uljet dhe ngritjet e saj që bën krenar popullin shqiptar për kontributin e çmuar në historinë e popullit shqiptar brenda dhe jashtë kufijve.
Le të urojmë sot, më 28 prill 2025, gëzuar 113-vjetorin e themelimit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra që është një udhëtim i rëndësishëm në historinë tonë Kombëtare Shqiptare.