
-Nga tradita bandistike te formacioni simfonik-
Më 6 prill 1924, në Korçë, u krijua orkestra e parë simfonike në Shqipëri. Ideatori dhe dirigjenti i saj ishte Thoma Nasi. Themelimi i saj përbën një moment kyç në historinë e zhvillimit të muzikës së kultivuar shqiptare dhe të proceseve të modernizimit kulturor të vendit. Ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt me veprimtarinë e dirigjentit dhe kompozitorit Thoma Nasi (1892–1964), i cili e konceptoi krijimin e një formacioni simfonik si një instrument të rëndësishëm për orientimin kulturor perëndimor të shoqërisë shqiptare. Nisma e tij u konkretizua në kuadër të shoqërisë “Arteve të Bukura”.
Ardhja e Thoma Nasit në Shqipëri, në prill të vitit 1920, së bashku me trupën muzikore të Bandës Kombëtare “VATRA” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqëson një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme të diasporës shqiptare në zhvillimin e kulturës kombëtare në periudhën e pas Pavarësisë.
Deri në fillim të shekullit XX, praktikat muzikore në Shqipëri dominoheshin nga muzika popullore qytetare dhe nga formacionet e bandave frymore. Në këtë kontekst, muzika simfonike, si një formë e avancuar e organizimit të mendimit muzikor, mbetej kryesisht jashtë përvojës estetike të publikut të gjerë, si në aspektin e receptimit, ashtu edhe në atë të njohjes së repertorit dhe autorëve përfaqësues të saj.
Në planin ndërkombëtar, zhvillimi i orkestrave simfonike si institucione të pavarura është rezultat i një procesi të gjatë historik. Deri në mesin e shekullit XIX, orkestrat funksiononin kryesisht si pjesë përbërëse e teatrove të operës. Themelimi i Orkestrës Filarmonike të Vjenës në vitin 1842 shënon një moment të rëndësishëm në autonomizimin institucional të orkestrave simfonike dhe në konsolidimin e tyre si struktura të pavarura artistike.
Paralelisht, shfaqja dhe përhapja e konceptit të “filarmonisë” në fillim të shekullit XIX reflekton një transformim të rëndësishëm në organizimin e jetës muzikore në Evropë. Termi, me origjinë nga greqishtja e vjetër (philos dhe harmonia), nënkupton një bashkësi individësh të bashkuar nga dashuria për harmoninë dhe muzikën. Themelimi i Shoqatës Filarmonike Mbretërore në Londër në vitin 1813 përbën një ndër shembujt më të hershëm të këtij modeli organizativ, i cili u përhap më pas gjerësisht në vendet evropiane.
Para institucionalizimit të orkestrave simfonike, kompozitorët përballeshin me vështirësi të shumta në realizimin e veprave të tyre. Burimet historike dëshmojnë se figura të shquara si Wolfgang Amadeus Mozart, Joseph Haydn dhe Ludwig van Beethoven janë detyruar të mbështeten në orkestrat ekzistuese të teatrove për të organizuar premierat e veprave të tyre. Kjo praktikë nxori në pah nevojën për krijimin e formacioneve të qëndrueshme dhe të specializuara, çka çoi gradualisht në lindjen e orkestrave simfonike si institucione të mirëfillta.
Përpjekja e Thoma Nasit për themelimin e një orkestre simfonike në Shqipëri vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt institucionalizimit të muzikës së kultivuar dhe integrimit të kulturës shqiptare në rrjedhat evropiane të zhvillimit artistik.

See insights and ads
All reactions:
22