![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/480103245_1047800764055112_5217397494743222937_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/480062565_1047800807388441_7571232454023164431_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/480140375_1047800847388437_8101861692550649836_n.jpg)
Tamara Mark Lelçaj
Berlin, Janar 2025/
…Ajo thirrje nuk ishte si të tjerat, ajo thirrje ishte ndryshe. Thirrje e cila shkaktonte një ndjesi mistike, epiqendra e së cilës ishte në brendësine time, e kërkonte ngulshëm të shkundte themelet e vetëdijes sime. Thirrje e cila lindi porsi nje vatër drite, e rrezet e saj shtriheshin pambarimisht, e ledhatueshëm tentonin të preknin ngrohtësisht thellësinë e shpirtit tim…
…Ajo thirrje nuk ishte si të tjerat, ajo ishte ndryshe. Ishte një thirrje kokëfortë, kryeneçe, e palodhur. Me ngulmim kërkonte të dëgjohej, me ngulmim kërkonte përgjigje. Nje thirrje shpërthyese si vullkani, llava e të cilit furishëm nuk kursehej të depërtonte në çdo qelizë të qënies sime. Dikur lindi thjeshtë si një psherëtimë zemre, derisa u kthye në jehonë. Jehonë që porsi dallgët, përplasej pareshtur në muret e shpirtit tim, e kërkonte të depërtonte për ta zgjuar atë…
…Ajo thirrje nuk ishte si të tjerat. Ajo ishte një dëshirë. Një dëshirë, e cila kishte kohë që vërtitej në mendje, e etshëm kërkonte të bëhej realitet. Origjina e saj ishte atje, në tokën e të parëve, atje ku zanafilla e identitetit tim buron. Të paktën një herë në jetë, të isha atje, mes alpeve, mbështjellë nën petkun e malësores, e të përqafoja identitetin tim, koduar në ADN time, i cili prej shumë kohësh priste të aktivizohej në Kelmend…
Ishte fundjavë gushti, kur unë jetova „Përrallë në Kelmend“, e shoqëruar nga më të dashurit e mi, e unë isha protagonistja kryesore. Një udhëtim magjik, emocionues, deri diku surreal. Zgjimi në mëngjes, shkuarja në një shtëpi malësorësh, ku mua do të më vishej xhubleta solli një uragan ndjesish të papërjetuara më parë.
Atë të dielë gushti unë vishja xhubletën e punuar dikur nga stërgjyshja ime, për gjyshen time. Në sytë e mi ajo xhubletë ishte shumë më shumë, se sa thjeshtë një veshje folklorike e punuar bukur, ajo ishte një kryevepër, gati gati hyjnore. Çdo detaj kompleks i saj ndërlidhej aq natyrshëm. Çdo fibër, çdo ngjyrë, çdo element, çdo simbol i saj i përngjate një notë, e cila krijonte simfoninë më të bukur, e që tingellonte aq ëmbël në veshët e zemrës e shpirtit tim.
Në sytë e mi ajo ishte një kryevepër e cila fliste me madhështinë e saj. Një kryevepër, e cila në heshtje, por plot vetëbesim klithte hijeshi, elegance, finesë, feminitet. Madhështia e saj, më shëmbëllente me madhështinë e alpeve, të cilat puthin retë, prekin qiellin, përqafohen nga rrezet e diellit, e mbulohen me pelerinën e dëborës. Mos ndoshta ato që e veshin xhubletën, pasqyrojnë pikërisht madhështinë e atyre alpeve?
Në disa gojëdhëna thuhet se ishin zanat e maleve, ato të cilat i dhanë grave të malësisë dijebërjen e xhubletës. Mos ndoshta të jetë kjo arsyeja, pse xhubleta përcjell atë energji me veti hipnotizuese? Mos vallë është magjia e misteri i zanave të maleve? E tek notoja në këto mendime, ndjeja se si çdo atom i xhubletës, vibronte nën lëkurën time e depërtonte deri në skajet më të thella të shpirtit, derisa ne u lidhëm, e u bëmë nji.
Xhubleta si një portal magjik mes dy dimensionesh, më lidhi me të parët e mi, në veçanti me linjën e grave të familjes sime. E unë në ato momente isha e vetëdijshme se, çdo fije e asaj xhublete të cilën une mbaja veshur, e cila kishte kaluar në gishtrinjtë e asaj që e punoi, mbart një moment, një ndjesi, një kujtim, një situatë, një përjetim, një emocion… Ajo xhubletë është dëshmitare e përditshmërisë dhe e mundit të tyre. Në sytë e mi xhubleta ishte shumë më shumë se sa thjeshtë një veshje folklorike, ajo ishte një ditar, ditari i asaj që e krijoi dhe asaj që e veshi. Ditari i stërgjyshes dhe gjyshes sime.
Ndërsa mbaja atë xhubletë veshur, nuk ndihesha vetëm, ishim ne, e jo vetëm ne të treja por shumë të tjerë e të tjera para nesh. Unë mbaja në trup një enciklopedi, mbaja në trup histori, ndihesha hyjnore e zemra ime ishte plot, pasi ekzistenca ime mori një tjetër kuptim. Unë dhe xhubleta dëshmonim ekzistencën e atyre prej të cilëve unë pasoja. Ishte pikërisht ky momenti, kur unë, një malsore me xhubletë në Kelmend, ndjeva se thirrjet morën përgjigje.
Kurrë nuk do ta harroj atë të dielë gushti, kur unë për herë të parë vesha xhubletën e nuk doja më ta hiqja nga trupi. Kishin kaluar mbi 14 orë, por për mua koha nuk ekzistonte, isha përhumbur nën efektin e asaj ndjesie prej së cilës nuk ngopesha. Për mua ishte një takim me të parët, një takim i cili nuk doja të mbaronte.
Xhubleta sfidonte frikshëm ligjet e fizikës, e dimensioni kohor mori tjetër kuptim. Me xhubletën veshur jetoja në të kaluarën dhe në të tashmen. Në të kaluarën e tyre dhe në të tashmen time. Ajo e kaluar, dikur e tashmja e të parëve, mori jetë në të tashmen time. Me kryeveprën e malësisë veshur, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e tyre, u bënë një, pasi ato jetonin në të tashmen time. Atë të dielë gushti unë kuptova se xhubleta është shumë më shumë se sa fibra, materie apo atome. Ajo mbart copëza jete, copëza shpirti, jo vetëm të atyre që e punuan, por edhe atyre që e kanë veshur, parë apo admiruar.
Unë mendoj se ekziston një pakt i heshtur, mes secilës vajzë apo grua që e vesh xhubletën. Ato i japin një copë shpirti, e në këmbim marrin shumë fuqi, gati gati të mbinatyrshme. Hijeshi, fisnikëri, pushtet, fuqi, siguri, gjallëri, respekt, dritë, madhështi, magji… çdo grua e cila e vesh xhubletën, e vulos duke i dhënë autografin e saj, e një ndër to pata fatin të isha edhe unë.
Pas disa dekadash në gjumë letargjik, diku në një qoshe palosur, e mbledhur me kujdes, dashuri e nostalgji nga gjyshja ime, une e zgjova atë, i dhashë një copëz nga shpirti, e ajo më dha shumë më shumë mua. E kur momenti erdhi, që unë të ndërrohesha e të vishja rrobat e përditshmërise, ndihesha dikush tjeter, ndihesha ndryshe. Me rroba veshur, lakuriqsia pasuar nga rrënqethja dhe trishtimi më mbërthyen para pasqyres. Vetja më gjeti të papërgatitur përpara atyre ndjesive. E zënë ngushtë, u dorëzova para tyre, e në atë moment…u ndjeva bosh. A mos valle isha unë hirushja malesore? …
E paharrueshme mbetet eksperienca në Kelmend, gdhendur vetëdijshëm, e ruajtur plot dashuri e gjallëri, në sirtarin e ndër më të bukurave kujtime të mia. I paharrueshëm shkëlqimi që mori ekzistenca ime. Ndihesha e pamposhtshme. Ndihesha fisnike. Ndihesha madhështore mbështjellë në atë kapsulë magjike. Isha unë, por edhe nuk isha unë. Isha unë, por nuk isha vetëm. Me mua ndjeja praninë e tyre, linjën e grave të familjes sime. Ndjeja mençurinë e tyre, eksperienën jetësore, sfidat, fuqinë, forcën, guximin, trimërinë e tyre. Përjetoja ndjesi elektrizuese, të cilat furishëm vibronin fuqishëm. Isha unë, por edhe nuk isha unë… Isha unë, por nuk isha vetëm…në Kelmend ishim ne…ishim ne dhe ajo…ajo që na bashkonte…Kryevepra e Malësisë…XHUBLETA…