
Dr. Lulzim Nika/
Sot, i emocionuar, takova dy nga familjarët, që pesha e historisë sonë tragjike, por e lavdishme, ra mbi familjarët tyre, mikun tim Fadil Muçollin dhe Teuta Elshanin, vajzën e mikut tim të çmuar, poetit dëshmor Ymer Elshani.
Me 17 prill 1999, forcat serbe ushtruan një nga aktet më të tmerrshme duke vrarë e masakruar civilët shqiptarë, në fshatin Poklek të Vjetër dhe Çikatovës së Vjetër të Drenicës.
53 viktimat e kësaj barbarie serbe pasi ishin vrarë, kufomat e tyre ishin djegur, për t’i humbur gjurmët e krimit. As foshnjat gjashtëmuajshe e as pleqtë 75 vjeçarë, nuk u kursyen nga barbaria serbe.
Po bëj këtu një digresion, duke analizuar, në një kontekst më të gjerë historik se prej vitit 1876 e deri në vitin 1999, Serbia me politikën e saj të tokës së djegur dhe më planet e saja shfarosëse, ka arritur që në çdo periudhë kohore të kryejë gjenocid mbi popullin shqiptar, pra cilëndo periudhë ta marrësh në shqyrtim, do të hasësh në vrasje, masakra, gjenocid të kryer nga Serbia, mbi popullin shqiptar të Kosovës.
Së bashku vizituam shtëpinë-muze të masakrës së Poklekut, ku nga Fadili, u njoftuam edhe një herë me ngjarjen që tronditi mbarë njerëzimin me pamjet e tmerrshme të gjenocidit që ushtruan forcat serbe ndaj popullsisë civile në Kosovë, e në veçanti në masakrën e Poklekut.
Ruajtja e faktografive të luftës së fundit e në këtë kuadër edhe shtëpisë së familjes Muçolli, ku ndodhi masakra në Poklek, është obligim shtetëror e njerëzor, kur dihet se vetë liria e Kosovës i ka rrënjët në sakrificën shekullore të popullit shqiptar.
Teuta Elshani kishte ardhur nga SHBA-ja për të qenë prezent në përvjetorin e masakrës së Poklekut si dhe për të qenë pjesë e “Sofrës poetike” që organizohet për të kujtuar poetin e dashur për fëmijë, Ymer Elshani dhe për të respektuar veprimtarinë e tij të bujshme letrare.
Martirizimi i familjes Muçolli, Elshani Caraku e Hoxha, si dhe poetit Ymer Elshani me familje, është dhimbje që vetëm shqiptari i Kosovës mund ta bartë.
Në gjithë rrëfimet që na ngjallën emocione nga Fadili, ai nuk harroi që t’i falënderojë shumë edhe bashkëfshatarët e vet, gjatë atyre ditëve të vështira, duke përmendur shumë edhe me emra, por unë po i veçoj dy miqtë e mi, Nehat Sylejmanin dhe Ismer Mustafën, të cilët, në ato ditë të rënda, kur ende forcat serbe nuk ishin larguar nga vendi i krimit dhe tërë Drenicën e mbanin në rrethim të hekurt, pra edhe në ato kushte, këta dy luftëtarë së bashku me shumë ushtarë të tjerë të UÇK-së, kishin arritur që të siguronin vendngjarjen dhe të gjitha dëshmitë, në mënyrë që botës t’i shpalosej e vërteta për masakrën e Poklekut. Ishte një detyrë sa e rëndë, për nga pesha emocionale, por mjaft e rëndësishme për historinë tonë, duke marrë parasysh që Serbia dhe forcat ushtarake të saj, me çdo kusht përpiqeshin të zhduknin çdo gjurmë të krimit që kishin bërë në Kosovë.
Një kontribut kishte dhënë edhe Mujë Muçolli, që pas luftës, kish vendosur kulmin e shtëpisë-muze të familjes Muçolli të Poklekut.
Lavdi martirëve të Poklekut dhe të gjithë Kosovës!
Nderim për Fadilin,Teutën dhe trashëgiminë e paharrueshme të poetit dhe familjarëve të martirëve të lirisë së Kosovës!