Ne Foto: Tony Prendushi me Motart e Kuvendit “Nene Tereza”, Shkoder -tetor 2012/
Po shkëpusim nga arkivi i Diellit, përcjelljen që i patëm bërë botimit të librit ” Paqe dhe dashuni” të autorit Tony Noj Prendushi, kur ai doli nga botimi:” Nuk është vetëm titulli, as ballina e librit dhe ai pëllumbi i bardhe, që ka hapur krahët në krye të ballinës, që përcjellin paqe, dashuri e shpresë, por në tërësinë e vet, i gjithë libri “Paqe dhe dashuni” i bashkatdhetarit tonë me banim në Santa Rosa, California, Tony Noj Prendushi, mbizoterohet nga këto mesazhe.Edhe kur përshkruan rrugën e ferrit, siç ishte ajo e diktaturës komuniste, ku edhe ai vetë u vu në shënjestër, Tony nuk shpërthen në urrejtje, ai vetëm informon, duke ruajtur masën e rrëfimit. Libri i tij është edhe një dëshmi për kohën absurde të instalimit të diktaturës komuniste. “Paqe dhe dashuni” i përkushtohet “Te lumnuemes Nanë Tereza e Kalkutës dhe Robert H. Frowick, ambasador i paqes”. Autori i librit ka arritur që rrëfimin ta fus ne rezonancë me lexuesin. Duke shfletuar faqet e librit, nga faqja e pare deri tek e fundit, e 199-ta, përfshi dhe korrespodencën dhe fotografitë qe i bëjnë me te prekshme kujtimet e jetës se tij, të imponon natyrshëm emocione te fuqishme. Lexuesi kalon nga një gjendje emocionale në tjetrën. Fillimisht Tony na merr për dore dhe na çon në Shkodrën Loce, ku njihemi me familjen e tij, jo e pasun, por punëtore, ishin katër vëllezër dhe një motër: Pali, Marku, Ndoj, Pjetri dhe Marija ma e vogla.”…
Shpirti i mërguar i intelektualit Tony Noj Prendushi, për dekada të tëra rënkoi nga malli dhe dashuri për qytetin, ku lindi, por kthimi i ishte ndaluar. Pas rrëzimit të diktaturës komuniste ai shkoi dhe u cmall. Jo vetëm kaq, por edhe ndihmoi me të gjitha mundësitë e tij, dërgoi ndihma, veshje dhe pajisje për spitalet. Dikur coi dhe një symbol, që e ruante për më shumë se një gjysëm shekulli, Flamurin kuq e zi që kishte udhëhequr rininë nacionaliste shkodrane në demonstratën e 27 korrikut 1943, në Shkodër. Flamurin ia dhuroi Muzeut historik të Shkodrës. Drejtori, Fatmir Juka, e falenderoi publikisht, duke ia dhënë mirënjohjen me një dëshmi zyrtare.
Ishte pikërisht Shkodra loce ajo që e ftoi sërish atë që të ishte mysafir në shtëpinë e vet, në qytetin e lindjes, në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë për të promovuar librin “Paqe dhe dashuni”.
Sapo mbërriti në qytetin e tij të dashur, z. Prendushi ishte mysafir në disa nga qendrat kryesore të qytetit, përfshirë ato fetare dhe shtetërore. Një takim plot mbresa ishte ai që u zhvillua në zyrën e klerit Muhamedan, ku u takua me Imam Muhamet Sytari. Biseda përcolli mesazhe paqeje dhe dashurie. Më pas shkoi për vizita kortezie dhe biseda me përfaqësues të Arqipeshkëvisë katolike, me Fretnit Fraceskanë, me murgeshat e Misionit të Nënë Terezës etj. Ende i ka të forta emocionet dhe vlerësimet maksimale për punën dhe shërbimin e jashtzakonshëm humanitarë të Murgeshave, të cilat përkujdesen aq shumë për të sëmurët, të pamundërit fizkisht apo mendërisht.
Një takim mes miqësh ishte edhe ai që u zhvillua në zyrat e Këshillit të Qarkut Shkodër, ku z. Prendushi u prit nga Kryetari Maxhit Cungu. Biseda u zhvillua rreth Shkodrës, zhvillimeve të saj, problemeve dhe më pas u kalua tek vizita e autorit dhe promovimit të librit ”Paqë dhe Dashuni”. Z. Cungu sugjeroi që promovimi të bëhej në një qendër të njohur të kulturës së qytetit, sic ishte biblioteka.
Takimi me drejtorin e bibliotekës së qytetit, z. Gjovalin Cuni, i ka lënë mbresa z. Prendushi. Ai u tregua i gatshëm që në mjediset e bibliotekës, të organizohej promovimi i librit dhe një ekspozitë me fotografi nga aktiviteti i z. Prendushi, pasqyruar edhe në libër, si dhe një sallë për organizimin e një koktejli për pjesmarrësit në promovim.
Një grup intelektualësh të qytetit, u treguan të gatshëm për të kontribuar në këtë veprimtari. Ndër ta përmendim Prof. Hasan Leka, Prof. dr. Ahmet Osja, Luk Shestani, si dhe Armando, djali i Marjanës, mbesës të Nojit. U përgatit programi, u dërguan ftesat, ndihmuan Televizionet dhe Radio Marija.
Ndërkohë që Tony Noj Prendushi kreu edhe vizita në Tiranë, takoi e falenderoi miq që po ndihmonin në ekpsozimin dhe përhapjen e librit. Miku i tij, Ridvan Bushati, nipi i Mustafa Bushatit, e shoqëroi me makinën e tij kudo që shkoi. Në Tiranë u takua me Arqipeshkvin e Dioqezit Durrës-Tiranë dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita, me të cilin ka njohje të hershme, që në rini.
Një grup mjekësh, që Tony i pat ftuar për specializim në Santa Rosa, në shenjë falenderimi, shtruan një drekë. Një pjesë e tyre në ditën e promovimit të librit në Shkodër ishin të pranishëm.
Shkodra ishte zbukuruar hijshëm për 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, për festën e madhe të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Tony u cmall me të, edhe pse malli mbetet i përhershëm. Mbresa të jashtzakonshme i la atij edhe Festa e Zojës së Shkodrës, që shkodranët katolikë e festojnë për cdo vit. Pikërisht në atë atmosferë festive u bë edhe promovimi i librit “Paqe dhe dashuni”.
Promovimi u organizua në Bibliotekën e qytetit”Marin Barleti”, me 13 tetor të vitit që shkoi.Pjesmarrësit u pritën nga autori i librit, Tony Noj Prendushi. Takimin promovues e hapi Prof. Hasan Leka dhe më pas folën disa nga pjesmarërsit, si: Kryetari i Këshillit të Qarkut, Maxhid Cungu, Prof. Dr. Ahmet Osja, Përfaqësuesi i Argjipeshkëvisë të Shkodrës, Gjovalin Suka, Tanush Mulleti, ardhur nga Tirana, si dhe meshtari i persekutuar në burgjet komuniste, Dom Gjergj Simoni.
Të gjithë thanë fjalë shumë të mira për librin dhe autorin Tony Noj Prendushi. Prof. Dr. Ahmet Osja, ndër të tjera tha” Cildo që gjendet para librit”Paqë dhe Dashuni”, me autor Tony Noj Prendushi, do të ketë privilegjin të informohet në nivel të lartë për më shumë cfar ka ndodhë për 70 vjet në vendin tonë.Autori me vullnet , kopetencë e vërtetësi të lartë, ofron sot para lexuesit këtë vepër si thirrje për t’u informuar për shumë cfar ka rënduar në ndërgjegjen e shumkujt.Autori i përkushtuar me dhimbje për të gjitha ato që jetoi në moshën e re në vendin e tij, ofron një material të rëndësishëm në veprimtarinë e tij për atdheun, në Europë dhe në Amerikë.Shkruan për shumë miq dhe shokë, gjatë kohës punoi me ta, u ndihmua nga ata për të bërë prezent gjithëcfarë iu bënë padrejtësisht bashkëvëllezërve shqiptarë në 100 vjetorin e pavarësisë, autori i afron lexuesit këtë libër të shkruar me kujdes, vërtetësi dhe dashuri, për vendin dhe njerëzit e mirë, që e duan dhe punojnë për vendin e tyre…”.
Gjatë promovimit pjesmarrësit patën mundësi që të ndiqnin pamje të filmuara , ku delegacioni amerikan me Tony Noj Prendushin , që për tre vite sollën ndihma të ndryshme, pajisje mjeksore për spitale, farna të ndryshme për bujqësinë, ushqime, ndihma për qendrat konviktore etj.
Autori i librit, në fjalën e tij falenderoi pjesmarrësit, folësit dhe organizatorët e këtij promovimi.
Pjesmarrësit në promovim ishin të shumtë. Autori ndjehet ngushtë se nuk mund t’i përmend të gjithë, por i falenderon të gjithë dhe vecon edhe pjesmarrjen e dy murgeshave nga Kuvendi Nana Terezë, po ashtu vecon ardhjen e Filip Guraziut, i cili në vitet 1991-92, ishte kryetar i Bashkisë së Shkodrës dhe i dha një ndihmë të jashtzakonshme Tony Noj Prendushit për shpërndarjen e ndihmave që i kishte sjellë nga larg; kishte aty në promovim shumë prej ish të përndjekurëve politik dhe familjet e tyre, Televizionet e Shkodrës që për dy ditë e trasmetuan ngjarjen për publikun.
Falenderim i vecantë shkon për ata që e ndihmuan pa u kursyer dhe e mirpritën; Imzot Rrok Mirdita, Hasan Leka, Ahmet Osja, Luk Shestani, Maxhid Cungu, Gjovalin Cuni, Rdvan Bushati, Filip Gurazezi dhe shumë të tjerë.
Libri është përgatitë edhe në gjuhën angleze dhe së shpejti do të dërgohet në shtypshkronjë.Autori ka sjelle në shtëpinë e tij në Santa Rosa rreth 500 libra.
Që të mos ju mungojë në bibliotekat tuaja libri mund të porositet tek Tony Noj Prendushi. Telefononi në :707-546-1718
***
Në libër ka shumë ngjarje interesante, Tony rrëfen aventurën e tij me këtë rast se si shkoi deri tek kazermat e batalionit “Skanderbeg”, por qe pa fat, batalioni ishte larguar. Me pas vijnë ngjarjet e fundit te luftës; dorëzimi i nacionalisteve me ligjet e rrejshme te komunisteve dhe burgosja apo pushkatimi i tyre. Po si rrjedh me tej jeta e Tony Prendushit, qe kaloi nga shkolla e fshatit ku jepte mësim, ne Normalen e Elbasanit, fyerjet e te rinjve komuniste: “Ju te veriut jeni reaksionar”, ikja nga shkolla, kalvari i gjate, dashuria me vajzën e zemrës, arratisja bashkë me të, liria ne Perëndim, aktiviteti humanitar ne ndihme te popullit shqiptar, miqësia me ambasadorin amerikan Robert H.Frowik, te gjitha këto do t’i gjeni tek libri i Tony Ndoj Prendushi “Paqe dhe dashuni”. Porositeni librin – Tel- 707- 546-1718.(D alip Greca)-Botoi Dielli-Janar 2013