Nga Alfons Grishaj/
Asnjëherë nuk kam menduar se në kohët moderne me një përvojë politiko-shoqërore të mjaftueshme të ndodhin budallallëqe diplomatike me përmasa të rrezikshme territoriale, si në Prishtinë. Ministri i Brendshëm, veproi si një diletant në kundërshtim me kompetencat, duke bashkëpunuar nën rrogoz me një shtet tjetër, pa informuar aspak Kryeministrin e tij. Ministri Brendshëm i Prishtinës veproi sikur Kryeministri i tij të ishte në Turqi dhe jo në Prishtinë. Kjo ngjarje ka lënë me gojë hapur shumë qarqe diplomatike europiane e perëndimore. Një akt i tillë do denohej në çdo shtet të botës si tradhëti. Mirëpo në Kosovë, Kryeministri Haradinaj, u mjaftua vetëm me shkarkim nga posti i Ministrit të Brendshëm.
Akti i turpshëm i Ministrit të Brendshëm, u përshëndet nga shtypi i Erdoganit, si një akt i guximshëm dhe jo si një tradhëti. Gazetat e Erdoganit, anatemuan Kryeminstrin Haradinaj, allaturka si në kohën e sulltanëve. Një gazetë e quante dhe pianik. Sikur të ish gjallë Omar Khajam, do u recitonte mjeranëve lap(!)arë, strofat 211-212:
Të madhit Muhamet i çon selam:
Dhe e pyet Imami Omar Khajam!
“O Pejgamer, më thuaj aman,
Pse dhallën bën hallall, verën haram?
Përgjigjet Muhameti me selam:
“S’më more vesh, Imam Omar Khajam!
Dhalla hallall për lolot, mor aman,
Verën për t’ urtët nuk e bëj haram!”
Janë të kuptueshme gazetat e kohës së sotme, të cilat janë nën frenat e Sulltanit të Ri. Çudia e madhe vjen nga ca “faqe shqiptare”, me pezishkë diabolike gazetareske, të cilat, pa pikë turpi na tregojnë se kush janë miqtë dhe armiqtë e popullit shqiptar dhe arrijnë deri aty sa t’ na përmendin kryqat dhe çallmat. Ato anatemojnë tërthorazi Haradinajn si një kryqtar dhe si i tillë, ai duhet të vendosë kryq në qafë për t’u identifikuar, sepse vetëm kështu ithtarët e erdoganizmit, që nuk kanë derdhur asnjë pikë djersë për komb, e kanë të lehtë të shtijnë me shigjetat neotomane, kundër lirisë dhe mbrojtësve të saj! Me gjuhën e renegatëve, minjtë e Erdoganit e quajnë ish-pushtuesin turk, mik! Dhe mjerisht, vendi ynë siç ka nxjerrë shumë heronj, ka prodhuar dhe shumë renegatë dhe këlyshë renegatësh! Dhe sot i shohim puthadorët duke lëpirë dhe puthur këpucët e Sulltanit të Ri të Ankarasë.
Erdogan, i quan të gjithë kundërshtarët e tij, Gylenistë, dhe i paralajmëron të mos fusin duart në punët e qeverisë Turke. Kurse vetë ai, dhe pse fut dorën e hundët në punët e një shteti të pavarur e sovran, duke i kompromentuar Ministrin e Brendshëm, nuk përbën ndonjë problem?!
Edhe pse fuqia perandorake ka perënduar, politikat e vjetra të ish pushtuesve të Shqipërisë, nuk kanë hequr dorë nga synimet shekullore për ta mbajtur vendin tonë si një provincë të tyren. Me fuqinë e ofertave kompromentuese, këto politika ndërhyjnë në zhvillimet tona të brendshme dhe jo rrallë. Shumë devijime politike, ekonomike e diplomatike janë bërë tek ne si rezultat i këtyre ndërhyrjeve nga Ankaraja dhe Beogradi. Stadi i zhvillimit tonë ekonomik është pasojë e këtyre ndërhyrjeve, sepse këto dy vende, në kontekstin e ri gjeopolitik, ngaqë nuk mund mund t’i ëndërrojnë më Shqipërinë dhe Dardaninë, si mundësi për ekspansion territorial, po e përdorin si zonë tregu dhe influence! Si Serbët dhe Turqit, kanë mbetur të njëjtë. Ndërsa, kripto-turqit, apo kripto-serbët që flasin shqip e që jetojnë në vendin tonë, na servirin pjata minjësh për drekë. Njëra palë me gjak, tjetra me tradhëti.
Kështu, ca gazetarucë, nuk gjykojnë shëmtinë e ish Ministrit të Brendshëm, por gjykojnë një hero si Haradinaj, që sakrifikoi si pak kush për tokën e shenjtë të Dardanisë. Ramush Haradinaj është një shqiptar i vërtetë. Atdheu i tij është Shqipëria autoktone. Anatemimi i z. Haradinaj, apo i Ipeshkvit të Dardanisë, nuk i shërben askujt tjetër përveçse armiqve të Kombit. Sulmi ndaj Ipeshkvit të Dardanisë, Dodë Gjergji, se gjoja ai nuk paska të drejtë të flasë për turpin e ndodhur, është një muzikë e vjetër. O Zot! Po ku janë shkolluar këta të mjerë?! Po sikur Ipeshkvi Dodë Gjergji, të mos ishte prift dhe të ishte qytetar i lirë i Dardanisë, a do të kishte të drejtë të denonconte aktin e tradhëtisë që ndodhi në Prishtinë?
Sigurisht, priftërinjë e hoxhallarët shqiptarë, kanë të drejtë të shprehin mendimet e tyre politiko-sociale me gojën plot se janë nështetas dhe qytetarë të Republikës, dhe njëkohësisht kanë një plus që palo-gazetarët dhe palo-politikanët nuk e kanë. Ata ia kanë kushtuar jetën Zotit dhe të vërtetës, dhe jo veseve dhe luksit të rremë. Veçantia në Republikat laike është se, udhëheqsit shpirtërorë duhet të mbajnë fenë të ndarë nga politika dhe të zgjidhen në poste funksione shtetërore.
Çka më vret më tepër në “leksionet gazetareske”… është ligësia e përpunuar në laboratoret e varfërisë intelektuale, apo të huaja. Përmendia numërore në fe, është kompleks inferioriteti në vetëdije, në kulturë, në emancipim dhe logjikë kombëtare. Të gjithë ata që përmendin përqindjet, janë injorantë ose të djallëzuar. Kombet e qytetëruara nuk kanë “shumicë absolute”, por logjikë civile absolute, vetdije dhe identitet etnokulturor. Të vetmet shifra që vlejnë në demokraci, janë ato që i japin legjitimet një qeverisjeje që punon për interesat e shoqërisë që e zgjedh.
Termi “Tolerancë Fetare”, nuk është një term virtuoz, por një huazim me synime anadollake. Ky term, që ka lindur me ediktin e Milanos, nën firmën e Konstandit të Madh, me origjinë ilire, u ripërdor nga Sulltan Sulejmani, por që nuk gjeti zbatim në Shqipëri, u harrua në kohën e Enverit dhe u rishfaq dendur pas viteve 90, prej ardhacakëve nga terri. Tashmë me një kuptim më të rafinuar. Pakica ekziston falë mëshirës së shumicës! Kjo është dhe gënjeshtra më e madhe që e përdorin dhe disa të “mençur”, të cilët, tek filozofia e stërholluar osmane e asimilimit, gjejnë tezat dhe argumentet. Çdo argument tjetër etnologjik dhe historik është fshirë.
Në disa brezni, shqipëtarët gjejnë origjinën e tyre në Zef, Pjetër, Sofokli, Gjon etj. Lejimi që bëri Papati përdorimit të emrave jo të krishterë në publik, nga ana e atyre që praktikonin në fshehtësi ritet e besimit katolik, lindi kripto-katolikët. Një pjesë e tyre u konvertua gradualisht në muslimanizëm, por me një ndryshim të madh, se muslimanët shqipëtarë, nuk e mohuan kurrë origjinën e tyre, dhe ruajtën lidhjet e gjakut me vëllezërit, dhe kushurinjtë që mbeten kristianë. Këtu e ka bazën dashuria dhe respekti reciprok midis besimeve në Shqipëri. Vetëm familjet kolone turke, të vendosura në Shqipëri, kryesisht për arsye administrative (që janë me gishta), mund të krenohen se erdhën muslimanë dhe nuk u konvertuan. Tani ne po shohim se, disa të ardhur nga “Kosova” apo nga “Maqedonia” po na tregojnë dhe “origjinën” dhe “shumicën” etj. Këta na përmendin dhe kryqin dhe flamurin e Islamit pa ditur aspak çfarë janë.
Faktet shkencore, për ata që kanë logjikë, janë të pakontestueshme: Judeistë, Krishterë, Muhamendanë, kanë një baba, Abrahamin (Ibrahimin). Këto tri fe kanë 24 Profetë të përbashkët… Mjafton të lexosh me logjikë dhe zemër të pastër… Biblën, Torahun dhe Kuranin, dhe konkluzioni të vjen natyrshëm. Sigurisht, ritualet, forma dhe mënyra e jetesës janë të ndryshme, por thelbi është i njëjtë, monoteizëm, një zot dhe një trashëgimi!
Përmendja kryqit vend e pavend nuk është asgjë tjetër, vetëm porta e kalbësirës së nënqenies, shpirtit. Krishti (Hazreti Isai), u kryqëzua për mëkatet tona, dhe ky kryq, i shërbeu dhe po i shërben njerëzimit anë e kënd botës qëprej dy mijë vjetësh. Në emër të humanizmit dhe lirisë, ky kryq i shërbeu dhe Dardanisë. Kryqëzata (siç thonë disa udhëheqës serbë) kundër Serbisë naziste, për të çliruar popullin e Kosovës, u udhëhoq nga “Kryqtarët” e NATO-s … dhe mos të harrojmë se, bash midis sheshit të Prishtinës, është vendosur busti i një “Kryqtari”, i cili quhet Bill Klinton, çliruesi i popullit tonë, dhe jo busti i pasuesve të sulltanëve që e robëruan, gjakosën dhe çnderuan popullin shqiptar për afro 500 vjet!
Një porosi lapsarëve-puthadorë: kur të shkruani për ngjarjet në Shqipëri, veçanërisht në Dardani, kujtoni hordhitë turke që dogjën dhe përvëluan popullin shqiptar, eksodet biblike të popullit tonë nga toka e të parëve; kujtoni përdhunimet e motrava dhe nënave shqipëtare nga makina naziste serbe, kujtoni vrasjet barabare të motrave dhe vëllezërve tanë… kujtoni heronjtë e UÇK-së dhe gjakun e derdhur dhe do të kuptoni se armiqtë janë të ngjashëm në vepra dhe në qëllime, pavarësisht racës apo besimit. Pastaj, mos harroni të kujtoni Aleatët “Kryqtarë” që udhëhoqën NATO-n për të çliruar popullin e Dardanisë, liri që sot e gëzon e që përbën bazën për ditë më të mira. Pas kësaj, ju siguroj se, nuk do u ngelet asgjë tjetër për të gjykuar, veç mjerimit që ju ka molepsur që në djep!
Po e mbyll këtë shkrim me vargjet e Naimit nga poezia e famshme
“Trathëtorëtë”:
Shokë, kemi ne mesin tënë
Shum’ armik’ e trathëtorë!
Popo! Mos u qoftë thënë!
Veç që s’kanë gjë në dorë.