
Një reflektim mbi dokumentet e dosjes së përndjekjes së Nebil Çikës dhe familjes së tij, si dëshmi e një kohe që s’duhet të harrohet.
Nga Selami Zalli – AIDSSH
1. Për të kuptuar e qënë në gjëndje të analizoj mbi këtë libër, për të cilin jemi bashkuar, kam zgjedhur ta filloj e trajtoj diçka nga dosja e përpunimit, “dobësisë” e të ndjerit mikut e shokut tonë, jo vetëm personal por edhe institucional Nebil Cika, kjo në përkujtim e shprehje të respektit sado minimal.
Konkretisht kemi të bëjmë me një dosje të përbërë nga vetëm 79 faqe, me 44 dokumente të krijuara që nga data 06.02.1976 – 09.04.1992 ditën e arshivimit të saj. Në analizë të thjeshtë nga përmbajtja, përcaktimi i tendencës dhe intensiteti i ndjekjes përbën paradoks, por ne këtë jemi të detyruar ta pranojmë, ani pse nisur edhe nga eksperienca e punës me dosjet, jemi në gjendje të kuptojmë çfarë ka ndodhur, si janë cunguar e reduktuar aktet, e megjithatë aktet flasin dhe ne jemi në gjendje jo vetëm të kuptojmë por kemi edhe çfarë të themi, sjellim e prezantojmë përpara jush, mbi atë çfarë ka ndodhur, për të ecur në rrugën e vetpërmirësimit dhe korrigjimit në mënyrë që ajo e kaluar të mos përsëritet.
Që në fillim konstatohet periudha e gjatë e ndjekjes nga viti 1976 – 1992 (16 vjet) ndërkohë që aktet në dosje datojnë shumë më herët, po kështu sasia e vogël e fletëve. Nga shënimet standarte (formularët) në përbërje të dosjes figurojnë vetëm 3 punëtorë operativ (OS), ndërsa në fakt gjejmë gjurmë të 14 OS.
Tek lista e lidhjeve familjare bie në sy shtrirja e gjerë (Sarandë, Vlorë, Tiranë etj) kjo si tregues vlerash e ndikimi dhe arsye për të qënë target.
2. Nëse do të marrim në një analizë të thjeshtë, vetëm vërtetimin biografik do mjaftonte dhe do ja dilnim të ndërtonim një identikit, bërë prognozën e kuptuar çfarë mund të ketë ndodhur dhe arsyet.
– Vërtetim biografik datë 02.11.1976;
Arsimi i mesëm (luks për kohën),
Ish i dënuar me 20 vjet burgim,
Kooperativist,
Shtresë e pasur (me çifligje që kanë shfrytëzuar punën e të tjerëve …?!
Familje me influencë në regjimet antipopullore “kur hante shaka petulla” quhet kjo periudhë në Shkodër …!
Familje ka ndihmuar Ballin Kombëtar (nacionaliste) pa i hyrë analizës kush ishte dhe çfarë roli ka luajtur BK në këtë zonë…?!
Kanë hezituar të futen në kooperativë bujqësore dhe janë të prekur nga reformat, (trgues vizioni dhe koha u dha të drejtë, ja që paskan qënë në anën e duhur jo vetëm të historisë por edhe të ekonomisë, mirqënies e jetesës normale),
Qëndrim indiferent…?!
Nëse marrim në analizë e komentojmë këto cilësime, duke patur parasysh nga kush dhe për çfarë qëllimi janë bërë, të gjitha sot na rezultojnë vlera të përziera me të pavërteta dhe ajo që duam apo siç duam të jemi e aspirojmë që të shkojmë për të patur e ndërtuar një vend dhe jetë më të mirë e dinjitoze.
Po kështu në dosje evidentohen edhe lidhjet familjare e të krushqisë me sërën e mirë, të përafërt me të tyren.
3. Për të kaluar në aktin tjetër; Vendim për marrjen në kontroll operativ 2B datë 06.12.1976, jo për një fakt konkret apo se se ka bërë diçka, por thjesht si “element me të kaluar të keqe”.
Kjo si tregues i asaj se, kjo kategori konsideroheshin e trajtoheshin si lëndë e parë për burgosje, keqtrajtim e target goditje sa herë kishte nevojë për ashpërsimin e luftës së klasave, dhe do të duhej të zbuloheshin (sajoheshin) armiq, me të vetmin arsyetim biografinë dhe “mund të aktivizohet …”?!. Për këtë qëllim janë administruar në dosje dy ekstrakte, që datojnë që nga viti 1970 – 71, shumë kohë përpara marrjes në përpunim, ndërkohë që sipas akteve është marrë në përpunim 6 vjet më vonë (06.12.1976) çka përbën prove (tregues) se dokumentacioni është keqpërdorur, ndryshuar, mbajtur e zhdukur sipas dëshirës, për tu riaktivizuar, rindërtuar e goditur “armikun” sipas koniukturës dhe planifikimit. Konkretisht nga përmbajtja e këtyre dokumenteve rezulton kontradiktë, asgjë konkrete si dhe gjenden pyetje me shënime dore të cilat gjatë gjithë kohës mbetën pa përgjigje, të cilat “legalizohen” nga akti i dytë pa i dhënë përgjigje shënimit të parë, ribëhet përsëri po e njëjta pyetje edhe në shënimin e dytë “Ku është implikimi …?”, i cili nuk ekziston veç në mendjet diabolike.
Nga ky dokument kuptojmë se i ndjeri Sorkadh, kishte qënë në PP (përpunim paraprak) që nga data 09.09.1971, e shoqëruar me Plan – Masash, agjenturalo – operative të datës 10.09.1971, detyrat e të cilit janë realizuar nëpërmjet aktivizimit të 2 b.p. nga rrethi i afërt (zona) dhe 1 b.p. i sjellë nga Vlora, mbajtur në kontroll sidomos kur kalonin turistë të huaj etj.
Mbasi nuk kishte dalë asgjë në drejtim të tij, është vendosur asgjësimi i dosjes, duke ruajtur vetëm sa më sipër “dokumentin e mundësisë e nëndetseve…”!
Interesant dhe me interes do të ishte ky “Plan i masave”, asgjësimi i të cilit, ka marrë me vehte të vërtetën dhe shkeljet.
4. Nga përmbajtja dhe dhe shënimet që gjënden në “Relacionin…” e datës 29.03.1971 del qartë se është punuar me paragjykime e hamendësime të shprehura në përdorimin e zhargonin si; “… kulak etj, … ka shumë mundësi…”/!
Nga aktet e dosjes rezulton një periudhë e gjatë pa dokumentuar asgjë deri në datën 02.09.1983, kur kalohet nga tendenca për “spiunazh” në tendencën për “Tentativë arratisje”, për vetë natyrën klasore të OSSH nuk mund të lihej “armiku” i pambuluar …?!
Për këtë arsye në datë 07.02.1984 hartohen “Detyra kontrolli…” me b.p., vëzhgim, evidentim lidhjesh, ndjekje etj.
5. Duke kaluar pa asnjë veprim apo dokument të ri pas atij të vitit 1970, të cilit i përpunohet mbi baza fantazie përmbajtja e “Relacionit …” të datës 22.09.1985, që të justifikojnë mbajtjen në ndjekje me arsyetime e argumente fantashkencë, nëpërmjet përdorimit të nëndetseve etj. Relacion, në analizë të të cilit, i jap të drejtën vetes për ta aluduar se, mund të jetë bërë vetëm nën efektet e një darke peshku e nën avujt e alkolit, për më tepër nga një prototip famëkeq që ka alergji nga të diturit e fisnikët, sidomos mësuesit (Sulejman Abazi, zv/drejtor i OSSH) gjurmët e vijësjelljet e tij, gjenden nga Tropoja në Saradë, rasti i mësueses Rukie Rama e materializuar edhe në novelën “Goditja e Burrit” nga N. Tozaj.
Po e njëjta situatë faktike dhe gjëndje e akteve në “Planin e masave” të datës 22.09.1985, ku veç përsëritjes monotone të fabulës nga ana e OS, që ndjek çështjen (përpunimin) në pikën 3 kërkohet përsëri duke u kthyer në pikën fillestare se; “kush e ka implikuar”, pyetje kjo e bërë për herën e tretë dhe që nuk merr përgjigje?, për faktin e thjeshtë se diçka e tillë nuk ekziston por është produkt i mendjeve diabolike që “armikun” e gjenin në biografi.
6. Nga dosja rezultojnë vizita nga miqtë dhe klerikë, si në rastin e djalit të Dervish Nebiut nga Golemi, po kështu identifikohet “Brigadieri” me arsim të lartë si b.p. “Bistrica” etj.
Në leximin e një dosje, jo rrallë ndodh të kemi pështjellim ndjenjash e ndjesish, ku veç trishtimit e keqardhjes të ndodh, të ndjehesh mirë sikur po shlyen (lan) një borxh, përmbush një detyrim, të ndjehesh me fat e krenar për lidhjet e largëta, në konfirmim të asaj që “ngjet pa bëhet”, kështu më ndodhi, duke ndeshur në mbiemrat Xhelili (Adnandin), Ahmati (Sasaj), Noga (Gazin), Hysi (Glorin) etj, disa prej tyre shokë, kolegë e komshinj, ashtu si dhe personazhi kryesor i librit, Sorkadhi figuron të ketë patur shokë nga Tropoja (rasti Enver Hasa) e kështu pra, dhe nuk ka si ndodh e të ndërtohet ndryshe e funksionojë Uniteti Kombëtar që, sado e sido të tentohet, jo vetëm nuk do zhbëhet por përkundrazi do shkojë në trendin rritës. Në këtë kontest e më gjërë njohja me dosjet përbën nxitje e mësim, krijon lidhje e përkujdesje të cilat kur funksionojnë, çimentojnë qëndresën, vendin dhe çështjen tonë kombëtare, ende të pazgjidhur.
Të gjitha lidhjet edhe ato më zakonshmet, tregojnë e prezantojnë kualitet, nëse i referohemi një rasti ordiner (të zakonshëm) mbi një personazh për kohën trendi, i shkathët dhe faktor me ndikim në të rinjtë e asaj kohe në Tiranë, siç ishte Skënder Anxhaku, i cili tek këta burra me karakter e moral të lartë kishte besim dhe kërkonte mbështetje për arsyen e thjeshtë, që të kalojë e ndjehet mirë gjatë pushimeve në det, ndërkohë që nëse dëshironte, merrte pas vetes kryesinë e kooperativës dhe operativin e zonës … çka përbën, mbetet, e ka nevojë për një analizë të veçantë që nuk është vendi në këtë trajtesë.
7. Nga “Relacioni” i datës 02.04.1989, kuptojmë lirinë (hapsirën) në interpretim të rrethanave e fakteve që tejkalojnë çdo kufi e përmasë të të drejtave të autorit, kur arsyetohen e merren si të vërteta implikimet e viteve 70’ – 71’ të DBB Vlorë.?!
Trajektorja e kësaj dosje nga vendi në vend e gërma në gërmë herë në B, e herë në A deri në Prill 1992, dosje ku nuk mund të mungonte e mbetej pa pasyruar emri i Nebilit tonë, qoftë edhe nëpërmjet një certifikate.
E gjitha kjo ndaj një Borshioti, krahinë e njohur si “gjoksi shqiptar, përballë grekut”, ndaj një pinjolli të familjes nacionaliste, me tradita arsimore, me shtëpi e katandi, me miq, shokë e lidhje elite. Të gjitha vlerat që në këtë dokumentacion përbaltës sillen si negativitete nga të paqënët.
8. Edhe nga përmbajtja e procesverbaleve gjyqësore lehtësisht dilet në konkluzionin se kemi të bëjmë me një grup individësh (viktimat) me nivel të lartë, të ndërgjegjes shoqërore, disa me kontribute në atë pushtet, pjesëmarrës në luftë, të organizuar në parti, pjesëmarrës në aksione e nisma të kohës, të cilët ishin bërë të pakënaqur nga sjelljet e vrazhda dhe arroganca e regjimit të sapo vendosur.
Këta individë, familjarë e miq të tyre, kryesisht nga zona e tyre, dikurë, rezultojnë figura të njohura nga familje me taban, kishin pasur kurajon, aftësinë dhe mundësinë të reagonin botërisht në shtypin e opinionin e kohës ndaj pushtetit (Zogut e Fashizmit), kohë, që nga OSSH i konsideron si përkrahës të këtyre regjimeve …?!, të cilësuara nga hartuesit e këtij dokumentacioni si “antipopullore” e “antikombëtare” dhe shembull klasik njihet Nebil Çika (i vjetri), ndaj dhe nuk mund të ishte e të ndodhte ndryshe edhe me të Riun.
Individët në fjalë, në shprehje të indinjatës dhe revoltës së tyre, ishin shprehur pa ndrojtje me njëri tjetrin dhe në ndonjë ambient të gabuar se; “këtu është bërë, për të ikur fare” dhe kaq ka mjaftuar për të ndërtuar grupin armiqësor e vendosjen nën akuzë të tyre. Procesi gjyqësor ekspozon presionin, dhunën e situata të tjera, të cilat i dinin vetëm ata që i kishin hequr në kurriz dhe relativisht familjet e tyre. Kjo situatë “dëshpërimi” e shprehje indinjate që edhe sot ne mund ta bëjmë e shprehim, për pakënaqësinë më të vogël, pa shkaktuar apo sjellë penalizim, çka besoj se të gjithëve mund tu ketë ndodhur e përjetuar. Dikur, dëshpërimi dhe ekspozimi i tij, kishte pasoja, shembulli më klasik i mësuar nga ky proces i hapjes së dosjeve mbetet ai i poetëve të Bërzeshtës (Blloshmi – Leka).
Ndaj gjej rastin të lutemi e përpiqemi, që këto të mos përsëriten kurrë. Për të ndjerin, autorin mund të flas pa fund, por zgjodha të them ato që do i pëlqente atij.