-Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Strategji Përmbyllëse për procesin e privatizimit/likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore/
-Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, sa i përket Trepçës diskutoi lidhur me ecurinë e draftimit të raportit nga kontraktori për studim të fizibilitetit, i cili pritet të finalizohet gjatë muajit vijues dhe do të sqarojë një sërë çështjesh, si dhe do t’i hapë rrugë tranzicionit të kësaj ndërmarrjeje me interes vital dhe strategjik për Kosovën/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 7 Prill 2017/ Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti sot mbledhjen e radhës, ku u diskutuan dhe u morën vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.
PRISHTINË, 7 Prill 2017/ Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti sot mbledhjen e radhës, ku u diskutuan dhe u morën vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.
Sipas rekomandimit të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Bordi në këtë mbledhje miratoi Strategjinë Përmbyllëse për procesin e privatizimit/likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.
Gjatë kësaj mbledhje, Bordi i Drejtorëve miratoi shpalljen e Shitjes së Aseteve përmes Likuidimit 32. Veç kësaj, Bordi miratoi edhe transaksionet e Shitjes së Aseteve përmes Likuidimit 30, ku hapja e ofertave ishte mbajtur më datë 22 mars 2017.
Sa i përket Trepçës, Bordi diskutoi lidhur me ecurinë e draftimit të raportit nga kontraktori për studim të fizibilitetit, i cili pritet të finalizohet gjatë muajit vijues dhe do të sqarojë një sërë çështjesh, si dhe do t’i hapë rrugë tranzicionit të kësaj ndërmarrjeje me interes vital dhe strategjik për Kosovën.
Bordi po ashtu miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitet 2018-2020, si dhe Udhëzuesin dhe pagesat për tatimin në pronë të Ndërmarrjeve në likuidim.
Bordi miratoi edhe vendosjen nën masë të administrimit direkt për Ndërmarrjes Shoqërore Iliria në Pejë, si dhe shqyrtoi raportin përfundimtar për Kombinatit Bujqësor “Agrokultura” me seli në Ferizaj, i cili do t’i dorëzohet Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për vendim mbi mbylljen e likuidimit të kësaj ndërmarrje.
Pikë të rendit të ditës përbënte edhe vlerësimi i komisionit për çmimet e disa qiradhënieve direkte, të cilin Bordi e miratoi. Për më tepër Bordi miratoi rezultatet e ofertimit nga qiradhënia e disa aseteve përmes shpalljes publike të datës 03.02.2017.
Në vazhdën e përmirësimit të administrimit të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, Bordi shqyrtoi planimetrinë e re të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, pra strukturën e re të lokaleve, e cila pas shqyrtimit nga ana e Bordit të Drejtorëve u miratua dhe rrjedhimisht me të edhe u bënë ndryshime të rëndësishme në qiradhëniet në Pallat. Si rrjedhojë e kësaj, u mundësua edhe sjellja e brendit botërorë KFC (Kentacky Fried Chicken) si qiramarrës në Pallat, dhe amadamentimi i qiradhënies aktuale me American School of Kosova.
Bordi poashtu miratoi raportin e Komisionit të banesave të ndërmarrjeve shoqërore, i cili përbëhej nga gjithsejtë 16 kërkesa të shqyrtuara.
Në këtë mbledhje poashtu u miratua propozimi për përmbushje të vendimit administrativ për bartje të pronës nga Kombinatit Bujqësor “Kooperimi” te Kisha Ortodokse Serbe Gorazhdec.
Ndër të tjera, Bordi diskutoi disa çështje të tjera që lidhen me veprimtarinë e përditshme të Agjencisë, siç është fillimi i procedurave të vlerësimit të performancës së Menaxhmentit për vitin 2016, ku edhe formoi një komision nga anëtarët e Bordit siç parashihet me ligj dhe rregulloret relevante në fuqi.
Agjencia Kosovare e Privatizimit në një konferencë shtypi në prag të vitit 2017 deklaronte se për këtë vit ka përcaktuar 14 objektiva kryesore, ndërkohë që ende nuk i ka shitur 1.764 asete të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa që nga qershori 2002 kur është themeluar, atëherë si Agjenci Kosovare e Mirëbesimit, ka nënshkruar 1.286 kontrata të shitjes së ndërmarrjeve të reja dhe të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim.
Bordi i Drejtorëve kryesuar nga Petrit Gashi dhe Menaxhmenti i drejtuar nga Ekrem Hajdari bënë prezantimin e punës dhe aktiviteteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit gjatë vitit 2016, ku theksuan edhe se çështjet e ngritura në objektivat e vitit 2017 janë përcaktuar që të jenë në përputhje me interesin e përgjithshëm të Kosovës për të përfunduar procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore pa vonesa të mëtejme.