Nga Kaltrina HOTI/
Sot bota është gati të kapërcen në një episod të ri të civilizimit nëpërmes të teknologjisë të lartë të artit dhe shkencës. Po, ç’është trimëria? Shpesh thuhet ky apo ai është trim. Ajo atje thonë është trimëreshë. Me se matet trimëria? Me këngë. Unë mendoj se jo. Danezët kanë vetëm një këngë për atdheun e tyre por kanë shtetin më vjetër, të pasur, demokrat e civilizues. Trimëri është të dëshmosh vlerat e larta dhe lashtësinë në mënyrë të civilizuar, humane dhe artistike. Dhe këtë e kemi të dëshmuar si komb, por sikur hezitojmë ta pranojmë dhe herë-herë i mohojmë këto vlera, e më shpesh edhe i shajmë përse ato nuk na janë ulur këmbëkryq në qilimin e xhamive, apo nuk kanë përqafuar simbolet e huaja. Botës i kemi dhënë shumë emra do i numëroj vetëm disa si: Nëna Terezë, Aleksandër Mojsiu, Kljeda Bega, Laura Mersini Houghton, Dionis Senjo (pesë vjeçari shqiptarë që është pranuar në Organizatën botërore të gjenive), Mentor Petrela, Omer Xhemail, Robert De Niro, Inva Mula, Anna Oksa, James Bellushi, Ferid Murad, Eliza Dushku, Angelina Preljocaj … dhe ky varg emrash nuk ka fund. Për shumicën e tyre bëhet luftë për t’i fituar kombet tjerë me të vetmen arsye se njerëzimit i kanë falur civilizim, humanizëm, përparim duke shkrirë mendjen në shërbim të së ardhmes. Trimëria është në mendjen e ndritur, në laps, brushë, veprim… për dritësim të jetës. Armiqtë tanë duke e parë fuqinë tonë si dhe humbjen e rrugës në oborr na sulmojnë në mënyra primitive duke na ndërtuar kisha e xhamia për të ndryshuar shpirtin e një populli të lodhur nga politikat tona të gabuara. Ata në oborrin tonë duan të na thyejnë gjuhën e lashtë, gjuhë me të cilën kuvenduan Zotat, gjuhë me tingullin dhe melodinë e natyrës. E më pas zëvendësimin e kulturës, traditës… Ç’duhet të bëjmë që të jemi ato që jemi? Gjuha, kultura, tradita, letërsia, lashtësia jonë janë një kopsht me lule ku ka aromë të vjelësh për të dehur të gjitha artet me mirësi. Nderi, fjala, besa, mirëpritja, fisnikëria jonë, janë tryeza që të dhuron dashuri njerëzore e humanizëm që e duan të gjithë. Trimëria e këtij shekulli është t’i përqafojmë dhe t’i bartim këto vlera njerëzimit ashtu siç bënë të lartpërmendurit. Sot kur atdheun tonë e ka mbërthyer një ankth, mbase nuk është lehtë të zgjohesh aty se fjala e huaj është futur për të ndotur e përçarë shpirtin tonë fisnik e bujar. Por edhe durimi mes nesh është një vlerë, vlerë derisa ndeshet me kufirin e fundit ku thuhet; “ka dal beg se ka hendek”. Në ne ende jeton “besa”, mos ta shkelim fjalën e njëri tjetrit, t’i përkrahim ata që e gdhendin emrin e popullit në pasqyrën botëror, mos të lodhemi duke u lutur me gjuhën e injorancës së shekullit. Jo shumë larg ne ndiheshim mirë në Kuvendet e faljes që gjakut, gjak që të tjerët na e kishin mbjell në prag. Ne jemi një dhe të fuqishëm. Kemi nga ku të mësojmë. Tryeza jonë ka vetëm një përshëndetje: “Mirëmëngjesi Bashkimi kombëtar”!