Prof. Thanas Gjika/
Baballarët e atdhetarizmit shqiptar në Amerikë pas përpjekjesh të shumta mundën të krijonin në vitet e para të shekullit të XX Gazetën “Dielli”, Kishën Shqiptare dhe Federatën PanShqiptare Vatra, përmes tyre ata bashkuan emigrantët e varfër të ardhur nga atdheu i robëruar.
Intelektualë të talentuar si Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, Qerim Paraniti etj me artikuj, poezi, fjalime etj arritën t’i ndërgjegjësonin shqiptarët gjysmëanalfabetë e t’i bënin veprimtarë aktivë në lëvizjen kombëtare.
Me punën e mbarë që kryen Fan Noli, Bahri Omari, Kol Tromara me shokë gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, kur Shqipëria e pushtuar prej ushtrive të Austro-Hungarisë, Italiasë e Francës rrezikohej të zhdukej, arritën që Federatën Panshqiptare Vatra ta kthenin në një organizatë politike që kreu funksionet e një qeverie shqiptare në emigracion. Ajo mbajti me ndihmat e emigrantëve (anëtarëve të saj) delegatë në disa qeveri të Europës. Në fund të L1B në Konferencën e Paqes që u mbajt në Versajë të Parisit, delegatët e Vatrës bashkuan vullnetin e delegatëve të kolonive të tjera shqiptare dhe ia arritën të mbronin tërësinë e territoreve të Shqipërisë Londineze. Jo rastësiht kryeministri i Greqisë, Venizellos, kur u kthye nga Konferenca e Paqes në Athinë deklaroi: “Nuk munda ta fitoja Vorio Epirin, më mundi Vatra e Amerikës”.
Gjatë Luftës së Ftohtë, kur qeveria komuniste shqiptare i mallkonte dhe i dënonte si tradhëtarë ballistët, nacionalistët dhe legalistët, Federata Vatra, e drejtuar prej Fan Nolit, ua hapi dyert këtyre emigrantëve politikë. Me këtë veprim Noli u tregoi shqiptarëve të Amerikës se Vatra si organizatë patriotike duhej t’i pranonte në gjirin e vet bijtë e Shqipërisë pavarësisht nga bindjet e tyre politike, mjafton që ata të mos ishin kriminelë lufte. Dhe përderisa këta emigrantë i kishte pranuar qeveria amerikane, kjo tregonte se ata nuk ishin kriminelë lufte si i kishte shpallur qeveria e Tiranës. Qeveria komuniste e Tiranës nuk ia fali Nolit këtëveprim. Ajo zgjeroi veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit midis emigrantëve që kishin familjet e tyre të varfra në Shqipëri dhe filloi përmes tyre luftën kundër Vatrës. Shumë emigrantë ekonomikë u larguan prej Vatrës sepse kishin frikë mos u ndodhte gjë familjarëve të tyre në atdhe. Edhe priftërinjtë ranë nën presionin e kësaj trysnie dhe u larguan nga Vatra. Madje ata nuk nxitën më asnjë emigrant që të bëhej anëtar i kësaj organizate. Peshkop Fan Nolit iu dërgua me anë të punonjësit të Sigurimit Jonuz Mersini më 1958: “Ki kujdes mos e bëj si lopa që pasi ka mbaruar mjelja e derdh kusinë me qumësht duke i rënë me shqelm!” (Rrëfim gojor i J. Mersinit gjatë një takimi në Tiranë më 1973). Noli nuk e ndryshoi qëndrimin ndaj ballistëve, nacionalistëve dhe legalistëve, por thelloi qëndrimin e tij kundër qeverisë së Tiranës dhe diktatorit Enver Hoxha. Më 1961 ai shkroi poemën “Sulltani dhe kabineti”, të cilën e botoi te Dielli 5 korrik 1961. Kjo poemë është krijimi poetik më i gjatë i Nolit. Vetë ai sqaroi se me këtë poezi “shpreha ndjenjën time kundra çdo regjimi diktatorial, që kufizon lirinë e mendimit” ( Nasho Jorgaqi “Jeta e Fan Nolit” Vol 2 OMBRA GVG Tiranë 2005, f.365), pra kuptohet se Noli e përfshinte dhe regjimin diktatorial të Tiranës në kritikën e tij të ashpër.
Federata Vatra dhe gazeta Dielli luftuan vazhdimisht në vitet 1913-1940 kundër shtypjes së popullit shqiptar që ra nën zgjedhën sebe. (Agjentura serbo-greke për ta errësuar rolin e Fan Nolit në luftën kundër zgjedhës serbe sajoi aty nga viti 1988 vargjet: “Në do botës t’i vësh zjarrë / merr me vete tre a katër kosovarë”. Mirëpo këto vargje bien ë kundërshtim me gjithë shkrimet publicistike të Nolit ku ai mburri trimëritë e shqiptarëve të Kosovës dhe kërkoi lirinë e tyre nga zgjedha serbe. Këto vargje nuk u botuan kurrv sa qew gjallë Fan Noli e bashkëpunëtorët e tij të afërt).
Federata Vatra dhe Dielli vijuan luftë për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar në Jugosllavi gjatë viteve 1945-1999. Drejtuesit e Vatrës dhe botuesit e Diellit kanë luajtur rol të rëndësishëm në luftën për njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe për njohjen gjithnjë e më të gjerë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, Serbi e Greqi.
Një veprim që meriton lavdërime prej të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë është pjesëmarrja e delegacionit të Federatës Vatra më 25 tetor 2023 në meshën Papale te Sheshi i Shën Pjetrit dhe takimi me Fortlumtërinë e Tij Papa Franceskun. Në atë takim kryetari i Vatrës, Dr. Elmi Berisha, duke i dhuruar shtatoren miniaturë të Shenjtores Nënë Tereza, bijë e Kosovës, shqiptoi: “ JU LUTEM NJIHNI KOSOVEN!” (Dielli, October 2023, f. 1, 3)
Sot më 23 nëntor 2023 në Ditën e Falenderimeve vlen ta falenderojmë Fedaratën Vatra për gjiçka ka bërë gjatë historisë së saj në luftën për çlirimin e popullit tonë nga zgjedhat e huaja osmane, serbe, greke, për ndërgjegjësimin tonë për të kuptuar thelbin shtypës e kriminal të regjimit komunist, për emancipimin tonë mendor e moral, etj.
Kushdo që sulmon në faqe interneti e gazeta me artikuj sharës e fyes drejtuesit e Federatës Vatra dhe editorët e gazetës Dielli shpie ujë tek mulliri i armiqve të popullit shqiptar. Vatra është një organizatë atdhetare demokratike që kryen rregullisht kuvendet e saj sipas kanunores. Aty duhen shprehur pakënaqësitë dhe mendimet kritike dhe së fundi vullneti duhet shprehur në procesin e votimit kur zgjidhen anëtarët e Kryesisë së Federatës, e Këshillit të Federatës, e Kabinetit të Kryetarit dhe editorët e Diellit.