
Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ata u pritën nga vatrani legjendar me 45 vite kontribute në Vatër e komunitet z.Marjan Cubi, këshilltari për art e kulturë në Vatër z.Nazim Salihu dhe anëtari i kryesisë z.Ilir Cubi. Zyrtarët e Vatrës falënderuan artistët e shkëlqyer të Baletit të Kosovës për vizitën dhe performancat e shkëlqyera duke përfaqësuar denjësisht shtetin e kombin tonë. Ata u shpjeguan miqve historinë e jashtëzakonshme të Federatës Vatra, gazetës Dielli dhe kënaqësinë për mbështetje e bashkëpunim në të ardhmen në shërbim të mbështetjes së artit e kulturës kombëtare.
Sinan Kajtazi, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës shprehu vlerësime për vizitën në Vatër, tregoi sukseset dhe përformancat e shkëlqyera të artistëve dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunime të përbashkëta në të ardhmen.
Në vitin 2023, Baleti Kombëtar i Kosovës lidhi një marrëveshje bashkëpunimi me koreografen italo-amerikane Chiara Ajkun, drejtoreshë e kompanisë prestigjioze Ajkun Ballet Theatre me seli në New York. Kjo kompani gëzon reputacion të lartë jo vetëm në SHBA, por edhe në skenën ndërkombëtare të baletit.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi, në maj të vitit 2024, Baleti Kombëtar i Kosovës shënoi një moment historik në rrugëtimin e tij ndërkombëtar, duke performuar për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në historinë e tij 53-vjeçare. Premiera ndërkombëtare u realizua me shfaqjen “Tango Nights”, e cila u dha më 31 maj 2024 në teatrin St. Jean në Manhattan, New York. Për tri netë radhazi, publiku njujorkez pati mundësinë të ndjekë nga afër mjeshtërinë e trupës së BKK-së dhe fluturimin e balerinëve kosovarë në një nga skenat më të njohura të qytetit.
Shfaqja “Tango Nights” u prezantua gjithashtu edhe në Prishtinë, në shtator të po atij viti, ku u prit me interes të jashtëzakonshëm nga publiku vendor.
Rikthimi i balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës në New York me të njëjtën shfaqje vjen si vazhdimësi e këtij bashkëpunimi me Ajkun Ballet Theatre, duke krijuar një urë të qëndrueshme kulturore ndërmjet dy institucioneve dhe duke i dhënë një mundësi të re publikut amerikan që nuk pati rastin ta ndjekë shfaqjen vitin e kaluar.
Baleti Kombëtar i Kosovës, i themeluar në vitin 1972, është institucioni kryesor i vallëzimit profesional në vend. I krijuar brenda kuadrit të Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, ai lindi me vizionin për të zhvilluar një traditë kombëtare baleti që pasqyron standardet ndërkombëtare dhe identitetin e pasur kulturor të Kosovës.
Gjatë viteve të para, kompania u zhvillua me mbështetjen e artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Megjithatë, sfidat politike dhe institucionale—veçanërisht gjatë viteve 1990—nuk e ndalën këtë trupë të jetë simbol i rezistencës artistike dhe vazhdimësisë kulturore. Në vitin 2001, pas luftës në Kosovë, Baleti u riorganizua si institucion i pavarur nën përkujdesjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
Që atëherë, Baleti Kombëtar i Kosovës është shndërruar në një ansambël dinamik dhe inovativ, me një repertor të larmishëm që përfshin vepra klasike dhe bashkëkohore. Ai është kthyer në një platformë të rëndësishme për koreografë, valltarë dhe kompozitorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke nxitur shkëmbimin krijues dhe zhvillimin artistik.
Gjatë dy dekadave të fundit, Baleti ka përfaqësuar denjësisht Kosovën në skena ndërkombëtare të rëndësishme, duke performuar në:
Evropë: Cyrih (Zvicër), Paris (Francë), Berlin (Gjermani), Helsinki (Finlandë), Lisbonë (Portugali), Graz (Austri), Ankara (Turqi), Kalabri (Itali), si dhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.
Azi: Cheonan (Koreja e Jugut), Osaka (Japoni).
Amerikë e Veriut: New York (SHBA).
Këto prezantime jo vetëm që kanë shfaqur cilësinë artistike të trupës, por gjithashtu kanë luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e diplomacisë kulturore të Kosovës në botë.
Me një trupë të talentuar valltarësh profesionistë, një repertor gjithnjë në zhvillim, dhe një vizion të orientuar drejt ekselencës, bashkëpunimit dhe inovacionit, Baleti Kombëtar i Kosovës vazhdon ta pasurojë jetën kulturore të vendit—duke nderuar trashëgiminë, dhe njëkohësisht duke hedhur hapa të sigurt drejt së ardhmes.
Kjo paraqitje shënon një kapitull të ri në historinë e Baletit Kombëtar të Kosovës — një histori që është ndërtuar mbi mundin dhe përkushtimin e brezave të tërë balerinësh, të cilët, me përkushtim dhe pasion, e kanë ngritur këtë institucion në nivelin që gëzon sot: të respektuar në Kosovë, në rajon, në Evropë dhe tashmë edhe përtej kontinentit, në SHBA dhe në Azinë e largët.
Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës mbi supet e tyre nuk mbajnë vetëm peshën e rolit artistik – ata bartin edhe peshën e historisë së vendit prej nga vijnë, të Kosovës. Çdo hap i tyre në skenë, çdo frymëmarrje, në çdo cep të botës ku ata performojnë, përçon artin që është ngushtësisht i lidhur me historinë, identitetin dhe shpirtin e vendit tonë.