Me 29 tetor 2017, TV Albanian Culture, me rastin e 20 vjetorit të themelimit,do të organizojë një mbrëmje Gala në Symphony Space në Manhattan.Ju, së bashku me familjet tuaja, me miqtë amerikanë e shqiptarë,mund të bëheni pjese e ketij eventi duke telefonuar në Tel: 212- 864-5400.Cmimi i biletes $40.00.Për rrugëtimin 20 vjeçar të këtij televizioni, që është bërë aq i dashur jo vetëm për shqiptarët e Amerikës, por edhe në Kanada e Europë, editori i Diellit intervistoi producentin Adem Belliu.Ndiqeni:
Gazeta “Dielli”- TV Kultura Shqiptare po mbush 20 vjet mes shqiptarëve të Amerikes. Si ndjehet producenti, krijuesi, pronari Adem Belliu?
Adem BELLIU:- Më duket si ëndërr që Albanian CultureTV është në vigjilje të festimit të 20 vjetorit. Shpeshherë më drejtohen me tituj të ndryshëm kur flasin për të. Njerëzit që më njohin më drejtohen si producent, director, pronar i këtij TV. Këto janë disa tituj që më vishen mua si person në lidhje me këtë TV, dhe me modesti mendoj se i kam fituar me punën time në këto 20 vjet në studjot e TV Albanian Culture. Jam i vetedijshëm që kam bërë një punë kolosale në këto 20 vjet, dhe se kamerat e TV Albanian Culture TV kanë regjistruar të plotë historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.Por shpeshherë më mundon fakti për emrin që unë i kam vënë këtij televizioni para 20 vjetëve. Dhe gjithmonë i bëj pyetjen vetes “Në këto 20 vjet a e kam justifikuar punën për emrin që ky TV mbart?”
Pasi “Albanian Culture” është një emër që përmban një përgjegjësi të madhe mbarëkombëtare për ne si diasporë.
Dielli:- Si lindi ideja e hapjes së kësaj dritareje bashkuese për Shqiptarët e Amerikës? Mund të sillni detaje, nga projekti deri tek realizimi?
Përgjigje:- Familja ime emigroi në NY në Janar të 1994. Si për të gjithë emigrantët, edhe për ne fillimet ishin të vështira, jo vetëm ana ekonomike por edhe shoqërore e kulturore. Në atë periudhë çdo të djelë transmetohej 1 orë program në gjuhën shqipe i përgatitur nga studjoja “Viktoria” me pronarë vëllezërit Osmani. Me mbylljen e studjos Viktorja u krijua një boshllëk për emigrantët shqiptarë. Në këto kushte, unë mendova të vazhdoja shkollën për produksion televiziv me qëllim që të mundësoja prodhimin e një emisioni televiziv në gjuhën shqipe. Kisha dëshirë të vazhdoja traditën që bashkatdhetarët të vazhdonin të shikonin emision në gjuhën shqipe çdo të djelë pasdite.
Dielli-Trasmetimin e parë, si e kujtoni?
Përgjigje:- Deshiroja që transmetimi I parë ti përkushtohej 85 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Pasi e diskutuam në rrethin familjar, menduam që në transmetimin e parë të shfaqnim filmat Skënderbeu & Nëntori I Dytë në 28 Nëntor të 1997. Atë ditë nuk kam për ta harruar. Na dukej si ëndërr që shikonim një film shqip në stacionet televizive të Nju Jorkut.
Dielli- I kujtoni mbështetësit e parë?
Përgjigje – Gjithmonë. Për mua mbështetësit kryesorë që kanë qenë prezent në çdo kohë, kanë qenë shikuesit. Reagimin për emisionin javor unë e merrja nga të gjithë bashkatdhetarët që e ndiqnin këtë televizion në mënyrë të rregullt çdo të djelë e të mërkurë. Ata ishin pasqyra ime. I ruaj me fanatizëm mesazhet që më kanë lënë shikuesit e TV Albanian Culture në makinën e mesazheve të telefonit.
Dielli- Si kanë qenë marrëdhëniet me Komunitetin, me shoqatat, sa e kanë gjetë veten në ekran ato, dhe sa e kanë mbështetë atë?
Përgjigje:- Komuniteti ynë shquhet për një larmishmëri në drejtim të ekzistencës së shoqatave e organizatave të cilat mbështeten në pikëpamje politike apo në rrethana krahinore. Siç e thashë edhe më parë emri Albanian Culture TV ka një peshë të madhe jo vetëm për mua si producent I tij por për të gjithë ata që unë jam munduar tu shërbej. Flasim këtu për një ndjenjë mbarëkombëtare. Si busull kam thënjen e të madhit Pashko Vasa “Feja e Shqiptarit është shqiptaria”. Pra, Jam munduar të mbajë një ekuilibër në komunitet, të paraqes në ekranin e TV Albanian Culture veprimtarinë e mjaft organizatave e shoqatave shqiptaro-amerikane pa dallim krahine apo pikëpamje politike. E kam parë si një detyrim që më duhet ti shërbej komunitetit tim jo vetëm për ruajtjen e kulturës kombëtare por edhe ta ndihmoj atë sadopak në integrimin në jetën e përditshme në vendin ku jetojmë.
Dielli- Keni menduar ndonjëherë se mund të tërhiqeshit, pra e keni ndjerë lodhjen?
Përgjigje:- Po, kam pasur momente që në familje kam thënë “Nuk do vazhdoj më me televizionin”, por mendoj se kanë qenë të çastit. Si çdo njeri edhe unë I bëj analizën vetëvetes, dhe mendoj se kam arritur në konkluzionin se TV Albanian Culture është një pjesë e shpirtit tim. Bashkëshortja, Mimoza, shpesh më thotë që kamera e televizionit më ka zëvendësuar trompën, dhe se TV më mban gjallë shpirtin e artit.
Nuk mund ta pranoj që televizioni më jep lodhje pasi ndjej që marr jetë dhe energji kur dal dhe filmoj një aktivitet apo intervistoj dikë në studjo apo në terren.Çdo intervistë më jep një frymëzim dhe diçka të re në jetën time të përditshme.Mosha bën të vetën jo në plakje por në rritje të eksperiencës.Këto vitet e fundit e kam organizuar punën në mënyrë të tillë që punët janë ndarë në mes të dy studjove të TV Albanian Culture në NY & Tiranë. Konkretisht editimet dhe programimi bëhen nga studjoja e TV Albanian Culture në Tiranë që më ka lehtësuar mjaft ngarkesën e punës.
Dielli- Sa e përfshirë është Familja Belliu në këtë TV?
Përgjigje:- Pa familjen time nuk mendoj se mund ta bëja. Nuk flas vetëm për anën financiare. Për mua më e rëndësishme ka qenë suporti emocional e puna konkrete e bashëshortes Mimozës, djalit Gertoldit dhe vajzës Vera, të cilët kanë punuar vullnetarisht në përgatitjen e emisioneve të TV Albanian Culture.
Po të analizojmë ecurinë e këtij televizioni, do shikoni që ka rritje nga emisioni në emision. Dhe kjo është falë syrit kritik të familjes në radhë të parë. Në çdo ambjent shtëpiak të familjes sime, gjithmonë është menduar që duhet të kishim mobilim që do t’i përshtatej setit për filmim të emisionit. Ky ishte proritet dhe vihej si kusht nga ana ime kur kemi lëvizur në apartamente të ndryshme. Dhe së fundi kur blemë shtëpinë, u vendos që do ndërtonim studjon televizive të përhershme për TV Albanian Culture, që tashmë ka marrë formë të plotë në Nju Jork. Por s’mund të lë pa përmendur faktin se ata me mbështetën plotësisht edhe për studjon e TV Albanian Culture në Tiranë.
Dielli- Kur i shihni, tani pas 20 vitesh kronikat, programet, çfarë ndjenje provoni?
Përgjigje:– Krenari. Mendoj se kam një pasuri mjaft të madhe. Kam një pjesë të historisë së komunitetit shqiptaro-amerikan të viteve 1997-2017. Do të desha të bëja një analogji jo modeste, ta krahasoja arkivin shumë të pasur të TV Albanian Culture për 20 vjet jetë të komunitetit shqiptar të Amerikës me arkivin e 105 vjeçar të Vatres, veçanërisht për shqiptarët e Amerikës në periudhën e para Luftës së Dytë Botërore.
Kush viziton Vatren do të mësojë historinë e shqiptarëve të Amerikës dhe konsolidimin e komunitetit shqiptaro-amerikan,kush do ketë durim të shikojë arkivin e TV Albanian Culture do të mësojë se komuniteti shqiptaro-amerikan në periudhën 1997-2017 ka pasur një jetë me aktivitet të larmishëm në ruajtje të identitetit kombëtar dhe integrimit në vendin e ri.
Dielli- TV Kultura Shqiptare ka regjistruar thuajse të gjitha veprimtaritë kryesore të Komunitetit,veçanërisht të atij që jeton Trishtetshin, NY, NJ, CT, cilat do të veçonit?
Përgjigje:- Siç e thashë edhe pak më parë, unë jam munduar të mbaj një ekuilibër në punën time 20 vjeçare. Jam munduar të trajtoj çdo aktivitet me të njëjtën rëndësi. Pasi në fund të fundit çdo aktivitet është pjesë e jetës sonë të përditshme. Megjithatë po ta konsideroj TV Albanian Culture si një individ që shkon përditë në punë, por të djelën do të shkojë në dasëm dhe do të veshi rrobat më të mira, atëherë mund të them që edhe TV Albanian Culture ka patur mjaft aktivitete të cilat kanë qenë speciale në vartësi nga koha dhe tema që kanë mbuluar. Do desha të përmendja mbresat që më kanë lënë intervistat që kam marrë në Royal Regency Hotel në 1999 ushtarëve të batalionit Atllantik që do të niseshin të merrnin pjesë në luftën e Kosovës. Po ashtu do desha të përmendja, aktivitetet e organizuara nga NAAC, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerkane për nivelin e lartë të organizimit,festën dyditore të 100 Vjetorit të Vatrësetj… Lista e shoqatave është e gjatë, dhe unë nuk dua të zbuloj para kohe libretin e mbrëmjes Gala Albanian Culture Award që do të organizohet në 29 Tetor në Symphony Space në Manhattan. Shpresoj shumë që t’i shoh vatranët dhe lexuesit e Diellit në këtë mbrëmje, ku do të mësojnë në detaje përgjigjen e plotë të pyetjes suaj.
Dielli- Diçka për arkivin, që është një pasuri me vlerë, si ruhet ai dhe sa shfrytëzohet?
Përgjigje:- Arkivi është historia 20 vjeçare e komunitetit shqiptaro-amerikan për vitet 1997-2017,që përfshin valën e tretë të emigrimit të shqiptarëve në Amerikë. Për mua është thesar, “Flori kaluar floririt o Tunxh” po të përdorim shprehjen e Dhaskal Todhrit(Interpretuar prej aktorit të madh të Kinematografisë Shqiptare, Sandër Prosi) te filmi “Udha e Shkronjave”.Arkivi është i pasur,i pazëvendësueshëm, dhe ruhet mjaft mirë në disa sisteme teknologjike.Momentalisht,me që jemi në vigjilje të festimit të 20 vjetorit kemi filluar të shfaqim pjesë nga arkivi në mënyrë të rregult në TV Albanian Culture.
Dielli- TV KULTURA SHQIPTARE-Emër domethënës, sa e pranishme është Kultura shqiptare në ekran?
Përgjigje:- Eshtë një pyetje që ia bëj vetes shpesh. Kur u vendos për emrin e këtij televizioni 20 vjet më parë, ne menduam thjesht si shqiptarë të dalloheshim nga komunitetet e tjera. 20 vjet më parë me “Albanian Culture” unë nënkuptoja simbolet dhe integritetin kombëtar.
Por kohët ndryshojnë. Me kalimin e viteve ndryshojnë edhe qëllimet e pozicionet që merr në jetë. Kështu që momentalisht fjala “Culture” apo “Kultura” ka një kuptim më të gjerë dhe të thellë. Kultura është ruajtja e identitetit. Në Kohën e sotme kjo është mjaft e rëndësishme jo për brezin tonë, por për gjeneratën e fëmijëve tanë që në një mënyre apo tjetër po integrohen në këtë vend me hapa shumë më të shpejta se ne. Është detyra jonë si prindër, por mbi të gjitha si shqiptarë që të transmetojmë tek ata identitetin kombëtar shqiptar.
Dielli- Përveç Nju Jork-ut, ju keni edhe studion tuaj në Tiranë, ndërkohë që keni një bashkëpunim të ngushët me TV Pasqyra në Toronte. Sa ndihmojnë këto dhe si janë pritur nga teleshikuesit?
Përgjigje:- TV Albanian Culture filloi si entitet i familjes Belliu por që do ishte në shërbim të komunitetit. Asnjëherë nuk e kam menduar se do të isha i suksesshëm po të punoja I vetëm. Qëllimi im për këtë TV ka qenë që të paraqisja në ekran jetën e shqiptarëve të Amerikës dhe Diasporës shqiptare në botë. TV Pasqyra në Toronto me producent Ilir Lena pasqyron jetën e shqiptarëve të Kanadasë, të cilët janë pjesë e diasporës. Studjoja e TV Albanian Culture në Tiranë përgatit emisione për aktivitete që kanë rëndësi për komunitetin shqiptar të Amerikës si dhe është përgjegjës për programimin e transmetimit të emisioneve.
Dielli- 20 Vjetori, nuk është vetëm festa e televizionit, por gjithëpërfshirëse për Komunitetin, si keni menduar për t’i bërë pjesë të festës Shqiptarët e Amerikës, organizatat, artistët, amerikanët?
Përgjigje:- TV Albanian Culture ka 20 vjet veprimtari jo vetëm në Nju Jork por në tërësi në komunitetin shqiptar të Amerikës. Ky televizion mbanë historinë 20 vjeçare të jetës shqiptaro-amerikane për periudhën 1997-2017.Kështu që ky përvjetor është festa e komunitetit për periudhën 1997-2017.Në këto 20 vjet, ne kemi kaluar mjaft gëzime e hidhërime së bashku, dhe këto të gjitha janë regjistruar nga lentja televizive e TV Albanian Culture. Si grup organizues kemi menduar të ftojmë të gjitha organizatat e komunitetit që kanë lënë një vend të shënuar në historinë e këtyre 20 vjetëve në komunitetin shqiptaro-amerikan.Ky eveniment është konceptuar si një mbrëmje Gala,që ne e kemi quajtur Albanian Culture Award, që do të mbahet me 29 Tetor në sallën e teatrit Symphony Space në Broadway Manhattan.
Dielli- A mund të përcjellim detaje për lexuesit e Diellit, se si do të jetë spektakli fetsiv i 29 Tetorit, ku të kulmojë festa, programi, artistët pjesmarrës, ekipi që po punon për këtë qëllim?
Përgjigje:- Grupi i punës,i përbërë nga Vera Belliu,Andis Gjoni,Valentin Veizi, Marjana Bulku,Flora Nikolla, Pranvera Çobo & Adem Belliu mblidhet në mënyrë të rregult. Eshtë menduar që do jetë një mbrëmje me një koncert artistik, ku do të marrin pjesë artistët shqiptaro-amerikanë me banim në Amerikë, që janë pjesë e kësaj historie 20 vjeçare,do të ketë ndarje çmimesh dhe jo fjalime.
Dielli: – Atëherë, mesazhi në pragfestë?
Përgjigje: Bashkatdhetarë, kjo nuk është festë vetëm për TV Kultura Shqiptare, as vetëm për ekipin televiziv, as vetëm e Familjes Belliu, kjo është festa Juaj.Ejani, bëhuni pjesë e spektaklit.
-Dielli: Faleminderit për Intervistën!
Përgjigje: Ishte kënaqësi intervista me gazetën më të vjetër të botës Shqiptare, Diellin e Vatrës. Faleminderit Juve!
Intervistoi:Dalip Greca