
Nga Keze Kozeta Zylo/
“Në një tokë të huaj, ju bëheni një copëz Atdheu për fëmijët tanë. Dhe për këtë, mirënjohja jonë është e pafund dhe përgjithmonë.” Qemal Zylo
Në mjediset tejet komode në “Nicotra’s Ballroom”, Hilton Hotel në Staten Island, z. Qemal Zylo, themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, një aktivist i shquar për 30 vite në Diasporë, organizoi një festë-spektakël në Ditën e Shenjtë të Mësuesit dhe të Gruas. Rreth 250 pjesëmarrës erdhën plot respekt dhe dashuri për këtë ditë të shenjtë kombëtare të Mësuesit dhe festuam së bashku me krenari.
Shkollat Shqipe “Alba Life”, rrjeti më i madh i shkollave në diasporë, janë në vitin e 19‑të dhe të suksesshme. Ato nderojnë çdo kontribut të mësueseve dhe njëkohësisht përkujtojnë Martirët e Gjuhës Shqipe.
Sa martirë mësues u helmuan, u dogjën, u varën për GJUHËN SHQIPE nga patrikanatet e zeza greke, serbe dhe turke! Mësueset e “Alba Life” mbjellin fara në kopshtin e Gjuhës Shqipe që mund të mos i shohim gjithmonë të rriten, por që lulëzojnë në jetët tona përgjithmonë.
Me dashuri u urua edhe për Ditën e Gruas, pasi çdo grua është një kujtesë e fuqisë, mençurisë dhe bukurisë së shpirtit femëror. Ajo është nënë që rrit me dashuri, motër që mbështet, mësuese që udhëzon, mike që qëndron pranë, punëtore që sfidon çdo ditë vështirësitë me forcë dhe dinjitet. Programin e moderoi me kulturë dhe art sopranoja e shquar botërore nga Dibra, e vetmja shqiptare e punësuar në Teatrin e Shkupit në Maqedoninë e Veriut dhe ish‑udhëheqëse artistike e Shkollave “Alba Life”, Deshira Ahmeti.
Përshëndetje e Z. Qemal Zylo me rastin e Festave të 7–8 Marsit, 2026
Të dashur pjesëmarrës në këtë mbrëmje argëtuese sa spektakolare aq edhe familjare, të organizuar nga TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” – Ambasador i Kombit,
Sot përkulem me respekt dhe mirënjohje të thellë para çdo mësuesi, që me zemër të madhe dhe shpirt të palodhur mban gjallë dritën e dijes në zemrat e fëmijëve tanë.
Po me aq përulje jam për nënat, gratë dhe motrat tona që festojnë Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe ju uroj atyre këtu dhe anembanë botës ta gëzojnë përjetësisht! Një duartrokitje për të gjitha zonjat që na kanë nderuar me ardhjen e tyre këtu në sallë.
Si themelues i Shkollave Shqipe në New York, e ndiej çdo ditë peshën dhe bukurinë e misionit tonë: të ruajmë gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar larg atdheut. Dhe ju, mësuese të dashura, jeni forca që e bëni këtë mision të mundur.
Pas çdo shkronje të mësuar, pas çdo poezie të recituar, pas çdo fjale shqip të thënë me krenari, pas çdo vallëzimi tradicional qëndron përkushtimi, durimi dhe dashuria juaj e pakushtëzuar. Ju nuk jepni vetëm mësim — ju mbillni rrënjë, ndërtoni ura dhe ndizni shpresë.
Ju falënderoj dhe ju shpreh mirënjohjen e pafund mësueseve të vitit akademik 2025–2026 që mësojnë shqip në të gjithë Shtetin e Nju Jorkut dhe online:
Staten Island: Entela Muda, Elona Shkreta, Brooklyn: Fatlinda Bajcinca Gashi, Rozeta Hyseni
Bronx: Helena Ujkaj, Erinda Isufaj, Migena Lelaj, Queens: Nazelie Djaloshi, Genta Cakaj Albany: Ida Mazzitto, Online: Gresila Basha
Tre mësuese të nderuara të “Alba Life” u vlerësuan me mirënjohje nga Asambleisti Charles Fall
Me propozim të Drejtorisë së Shkollave “Alba Life”, sot u nderuan me Mirënjohje të Veçantë tre mësueset e vitit akademik 2025–2026:
Mësuese Elona Shkreta
E ardhur nga Tirana, e licencuar nga shteti amë dhe sot mësuese në shkollën publike amerikane. Ka punuar me profesionalizëm, përkushtim dhe besnikëri prej disa vitesh në Shkollën “Alba Life” në Staten Island, që është edhe fidanishtja e shkollave “Alba Life”. Klasat e saj kanë qenë gjithmonë të pranishme dhe numri i nxënësve ka ardhur në rritje.
Mësuese Fatlinda Gashi Bajçinca Gashi
E ardhur nga Prishtina, me një karrierë të shkëlqyer si Drejtore në Komunitetin Europian dhe mësuese me master në Prishtinë. Klasa e saj e të rriturve në Brooklyn është shtuar në numër falë seriozitetit, përkushtimit, durimit dhe profesionalizmit. Në vitin 2026 u dallua në gjithë Nju Jorkun për numrin e lartë të studentëve. Besnikëria ndaj Gjuhës Shqipe e nderon këtë zonjë.
Mësuese Helena Ujkaj
E ardhur nga Korça, me një karrierë të pasur në mësimdhënie, me master dhe profesionalizëm të lartë. Punon me atdhedashuri, durim dhe përkushtim në Misionin Kombëtar në Bronx. Puna e saj shihet qartë në numrin e lartë të nxënësve, kujdesin për Gjuhën Shqipe, dashurinë e tyre dhe të prindërve. Bashkëpunimi i saj në këtë mision e nderon dhe i shprehim mirënjohjen tonë.
Falënderime të veçanta
Me mirënjohje të thellë i shprehim falënderimet tona Asambleistit z. Charles D. Fall, Zëvendëskryetar i Mazhorancës në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut. Inkurajimi dhe vlerësimi i tij kanë shumë rëndësi për mësuesit tanë, të cilët punojnë pa u lodhur për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe edukimin brenda komunitetit tonë.
Mbështetja e tij forcon misionin tonë. Në emër të komunitetit tonë shkollor, e falënderojmë përzemërsisht!
Falënderim shkon edhe për z. Fitim Shabani, shefi i kabinetit të Assemblyman Charles Fall.
Po ashtu ju transmetoj përshëndetjen e Ambasadores Dr. Suela Janina në Kombet e Bashkuara, e cila më ka dërguar në pamundësi për të ardhur sot në këtë mbrëmje, pasi në të njëjtën kohë zhvillohet edhe një event tjetër në Kombet e Bashkuara ku ajo përfaqëson Republikën e Shqipërisë.
Falënderoj 4 artistët e shquar që do të na argëtojnë sot: si Dëshira Ahmeti, Valbona Peraj, Hajro Ceka, Agim Gerbeshi, grupin muzikor Ceka, DJ Odise Salillari, që është një nga bashkëpunëtorët dhe kontribuesit më të vjetër të “Alba Life”. Falënderoj sopranon e shquar Deshira Ahmeti Kerliu, ish‑drejtuese artistike për disa vite dhe sot moderatore e kësaj mbrëmjeje.
Falënderoj kameramanët Eddie dhe Aaron Suka të studios së shquar dhe medias “Alba Pro”, me pronar Amir Suka, fitues i 5 çmimeve Emmy, njëkohësisht drejtor dhe bashkëpunëtori ynë më i ngushtë prej shumë vitesh i TV “Alba Life”. Falënderoj bashkëpunëtorin e TV “Alba Life” z. Valon Gerbeshi, si dhe zonjushën Klodiana Serraj, që i është bashkuar kohët e fundit TV “Alba Life”.
Nderoj të gjithë mësuesit në sallë që janë pjesëmarrës në këtë aktivitet dhe ju lutem të çohen në këmbë dhe le t’i përshëndesim me një duartrokitje.
Na nderojnë sot me pjesëmarrjen e tyre z. Liman Koxha, pronar i restorantit “Sahara”, dhe znj. Drenusha e Bajram Breshaj, pronarë të nderuar të TV “ALB”, që kanë qenë gjithmonë mbështetës të TV dhe Shkollave “Alba Life” dhe gjithë diasporës. Falënderoj zonjën Beslira Kambe, prind i përkushtuar i Shkollave Shqipe “Alba Life”, që na ndihmoi me dekoracionin dhe rezervimin e një tavoline. Po ashtu falënderoj ata që rezervuan nga një tavolinë si: Mikeljan Agolli, Violeta Likollari, Lumturi Jenisheri, Fatlinda Mashkulli, Tina Lecevic, Suada Saliu Gashi, Besa Lushaj, Albana Sata, Elsa Hoxha e të tjerë.
Në këtë ditë të shenjtë, sipas traditës së mrekullueshme të “Alba Life” për 19 vjet radhazi, ju dhurojmë mësueseve të këtij viti akademik nga një buqetë me lule në shenjë respekti dhe mirënjohjeje.
Ftoj mësueset që janë prezent sot: Entela Muda, Elona Shkreta, Fatlinda Bajcinca Gashi, Rozeta Hyseni, Helena Ujkaj, Erinda Isufaj, Migena Lelaj, Kozeta Zylo dhe Dr. Valbona Zylo Watkins, si dhe Valbona Peraj, Drejtuese Artistike e “Alba Life”, Deshira Ahmeti Kerliu, ish‑Drejtuese Artistike, si dhe dy ish‑mësueset në Shkollën “Alba Life” në Bronx që marrin pjesë në këtë mbrëmje: znj. Mehrije Shala dhe Davida Hasanaj, për t’i nderuar me nga një tufë me lule.
Duke e mbyllur këtë përshëndetje, ju uroj:
Gëzuar Ditën e Shenjtë të Mësuesit dhe Festën e Grave!
Programi vazhdoi me ndarjen e luleve nga z. Zylo për të gjitha mësueset dhe artistet, dhe një foto me të gjitha mësueset!
Nxënësja brilante e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në Bronx, Eliona Shala, interpretoi këngën: “Oj Kosovë, sa fort të dua!”
Nxënësja tjetër e mrekullueshme dhe plot talent në Shkollën Shqipe “Alba Life” në Staten Island, Bora Alikaj, interpretoi poezinë “Çamëria”.
Pjesëmarrësit me plot entuziazëm, dashamirësi u argëtuan me këngëtarët e shquar Dëshira Ahmeti, Hajro Ceka, Valbona Peraj, Agim Gërbeshi, të shoqëruar nga muzikantët Samy Ceka dhe DJ inxh. Salillari.
Aktiviteti, si dhe intervistat e marra nga Klodiana Serraj, do të transmetohen së shpejti në kanalet televizive në paketën digitale TV “ALB”.