



Sokol Paja/
Waterbury, Connecticut, 15 mars 2026 – Festa e Natës së Kadrit bashkoi mbi 400 shqiptarë të të gjitha besimeve fetare në Iftarin e organizuar nga Komunitetin Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury. Një festë që tejkalon një besim dhe kthehet në një ngjarje përbashkuese për mbarë shqiptarët që jetojnë e punojnë në Connecticut. Një festë fetare e mbi të gjitha një traditë komunitare e trashëguar që prej themelimit të këtij Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan që ka qenë një kontributor i madh fetar e atdhetar për shqiptarët e mërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Iftarin e Natës së Kadrit në Komunitetin Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury e hapi muezin Andon Barhani, lutjen e mbrëmjes e drejtoi Imam Endrit Himaj, ndërsa Imami nga Egjipti Rida Al Khuderi këndoi Ajete Kuranore për të gjithë të pranishmit. Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra përshëndeti z.Ilir Cubi i cili vlerësoi Komunitetin për frymën patriotike, veprimtarinë atdhetare dhe ndihmën ndaj të gjithë shqiptarëve. Nata e Kadrit, më e rëndësishme se 1 mijë e 1 netë, është një nga netët më të shenjta e me të vlefshme në besimin Islam. Ajo bie gjatë 10 netëve të fundit të muajit të Ramazanit dhe sipas traditës islame konsiderohet nata kur filloi shpallja e Kuranit profetit Muhamed. Imami Endrit Himaj bëri thirrje për mbështetjen e projekteve të Komunitetit dhe mbajti një fjalim mbi rëndësinë e Natës së Kadrit në besimin islam dhe rëndësinë e lutjes në jetën e çdo besimtari. Të njëjtën thirrje bëri dhe Presidentja e Komunitetit Albana Lame që kërkoi mbështetje të pakursyer ndaj projekteve që zhvillojnë Komunitetin Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury. Zoti ia bekoftë dhe ndriçoftë zemrën e shpirtin çdo besimtari e çdo shqiptari.