








Sokol Paja/
New York, 5 prill 2025 – Shoqata Malësia e Madhe – New York bashkoi shqiptarë nga e gjithë Amerika për të nderuar 114 vjetorin e kryengritjes së Malësisë dhe 30 vjetorin e themelimit të shoqatës Malësia e Madhe – New York. Një mbrëmje festive dhe nderimi për historinë kombëtare dhe kontributorët që ruajnë e trashëgojnë vlerat kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shoqata Malësia e Madhe në New York është një ndër organizatat patriotike më serioze dhe dinjitoze në diasporën shqiptare të Amerikës, model atdhedashurie e shqiptarie për tri dekada me radhë.
Me prezantimin e shkëlqyer të Veronika Junçaj e Sakib Beqaj, mbrëmja festive filloi me himnet kombëtare të Republikës së Shqipërisë kënduar nga Gjystina Bojaj dhe himni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kënduar nga Jozef Junçaj e një valle kombëtare nga grupi artistik “Barbana”.
Historiani Dr.Paulin Marku në fjalën e tij theksoi se kryengritja e Malësisë së Madhe është një ngjarje e rëndësishme historike me ndjenja të thella atdhetarie. Viti 1911 shënon arritje për malësorët dhe për drejtuesit politik dhe krerët e Malësisë. Ngritja e flamurit shqiptar më 6 prill 1911 në Deçiq ishte një ngjarje që frymëzonte shqiptarët dhe rriste ndjenjat e atdhetarisë. Lufta e malësorëve për disa muaj, mbështetur edhe nga shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, ishte një përpjekje për të fituar të drejtat e popullit shqiptar. Betejat e përgjakshme, kryesuar nga Ded Gjo Luli dhe krerët e zonave të ndryshme, bashkuan shqiptarët dhe ftuan intelektualët e kohës, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Nikoll Ivanaj e intelektualë të tjerë shqiptarë. Suksesi i patriotëve shqiptarë në bashkëpunim me krerët organizativë përgatiten Memorandumin e Greçës më 23 qershor 1911, i përbërë prej 12 pikash dhe e shpërndanë nëpër Kancelaritë Diplomatike dhe një kopje iu dërgua autoriteteve në Stamboll. Pasi Porta e Lartë u njoh me kërkesat e shqiptarëve, pranonte pjesërisht dhe premtonte zbatimin e tyre. Me ndërmjetësimin edhe të Malit të Zi, u arrit marrëveshja e gushtit 1911. Kryengritja e 1911 ishte ngjarje e rëndësishme historike dhe me karakter gjithëpërfshirës për interesa të shqiptarëve, tha ndër të tjera studiuesi Dr. Paulin Marku.
Kryetari i shoqatës “Malësia e Madhe” z.Senad Lulanaj në fjalën e tij theksoi se kryengritja e Malësisë së Madhe ishte historike, kombëtare e patriotike dhe jo ngjarje krahinore. Ajo i dha Malësisë e Shqipërisë histori të veçantë që kulmoi me pavarësinë e Shqipërisë. Festa e 30 vjetorit të shoqatës Malësia e Madhe është festë për dashurinë dhe përkushtimin patriotëve malësorë ndaj vendlindjes dhe komunitetit shqiptar në Amerikë. “Për 30 vite, shoqata Malësia e Madhe ka dhënë për studentët malësorë mbi 1 mijë bursa, afro 2 milion dollarë falë bujarisë e fisnikërisë së malësorëve në Amerikë” tha z.Lulanaj.
Me motivacion: “Për përkushtim në shërbim të Zotit dhe popullit shqiptar, për forcimin e lidhjeve tona me besimin dhe ruajtjen e vlerave tona kombëtare” u nderuan me “Mirënjohje” Dom Pjeter Popaj dhe
Imam Edin Gjoni. Në fjalën e tij Dom Pjetër Popaj u shpreh se kjo festë është nderim për historinë kombëtare dhe popullin tonë të vuajtur. Imam Edin Gjoni bekoi mbrëmjen festive dhe theksoi se sonte nderojmë një histori të lavdishme dhe një frymë brenda nesh, një akt patriotik i historik nga shqiptarët për shqiptarët. Gjaku i derdhur në Deçiq ushqen rrënjët e ndërgjegjes sonë kombëtare, tha ndër të tjera Imam Gjoni.
Me rastin e 114 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë dhe 30 vjetorit të shoqatës Malësia e Madhe – New York u nderuan me “Mirënjohje” z.Gjek Gjonlekaj, z.Lek Gjolaj, z. Gjon Dedvukaj dhe Anton Dedvukaj me motivacion: “Për kontributin dhe përkushtimin e tyre të çmuar në shërbim të vendlindjes dhe Shoqatës Malësia e Madhe”. Me motivacion: “Për kontributin e çmuar në shërbim të vendlindjes dhe forcimit të lidhjeve me diasporën Malësore dhe Shoqatës Malësia e Madhe” u nderua me “Mirënjohje” kryetari i komunës së Tuzit z. Lindon Gjelaj i cili në fjalën e tij vlerësoi dhe falenderoi patriotët e Malësisë në Amerikë për sakrificat e punën e shkëlqyer në dobi të malësorëve e Malësisë.
Me motivacion: “Për bashkëpunim në realizimin e veprës historike të vendosjes së përmendores së Gjergj Kastriotit Skenderbeut në Tuz” u nderuan me “Mirënjohje” kryetari i shoqatës Malësia e Madhe Michigan z. Nrek Gjolaj, kryetari i shoqatës Malësia e Madhe në Kaliforni z. Sherif Krniq dhe kryetari i shoqatës Jehona e Malësisë z. Agron Dedivanaj.
Shoqata Malësia e Madhe – New York dha një leksion të pastër atdhetarie e patriotizmi duke dëshmuar përkushtimin e dashurinë për vendlindjen e komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Festa vazhdoi deri në orët e vona nën argëtimin brilant të Lek Dedvukaj dhe Gjystina Bojaj.
Mbrëmja festive u asistua mediatikisht nga producenti televiziv Nazim Salihu “Noli Tv” dhe fotografi Nik Morina.