Nga Keze Kozeta Zylo/
Ditë historike në Albany, në kryqytetin e Nju Jorkut.
Edhe në Albany jeton një komunitet i madh Shqiptaro Amerikan që deri tani duket sikur ka qenë i “pazbuluar” për publikun si në Diasporë dhe në Mëmëdhe. Dhe ja erdhi dita e dielltë që ky zbulim dhe lidhje vëllazërore të bëhet në kuptimin figurativ nga Alba Life e konkretisht nëpërmjet Gjuhës Shqipe që është dhe identiteti ynë kombëtar. Duke qenë kaq pranë tyre fizikisht dhe me abetare në dorë në mendje më vinte thënia e një prej autorëve të Abetares së parë shqipe sipas alfabetit të Manastirit dhe e himnit të tij, e para femër shqiptare autore e një projekti arsimor, Mësueses së Popullit, Parashqevi Qiriazi.
Ajo ka thënë dhe po e sjellë në ligjëratë të drejtë si: “Arësimi e mpron Lirinë më mirë se sa një ushtëri”.
Per herë të parë në historinë e Diasporës Shqiptaro Amerikane në Albany hapet një shkollë e parë shqipe nga Alba Life Ambasador i Kombit, rrjeti më i madh i shkollave Shqipe në Diasporë.
Ishte krenari e ligjshme të shikoje prindërit, gjyshërit, mësuesit dhe nxënësit të mbushnin korridorin dhe të drejtoheshin në auditorium aty ku do të zhvillohej ceremonia e hapjes së Shkollës së Parë Shqipe në Albany. Ja një prej gjysheve të nxënësve të shumtë pasi më puthi duart më thotë: “Mësuese, kije kujdes nipin tim, dua të mësoj të flas shqip, unë kam një muaj që kam ardhur këtu, por vetëm me shenja komunikojmë më së shumti. E dua pafund nipin tim, por dua t’ja shpreh në shqip këtë dashuri, vazhdoi gjyshja me lot në sy”.
Unë bisedova me shumë prindër të tjerë dhe pjesëmarrës, ku me emocion më takoi dhe mësuese Elvira e cila e ka ushtruar profesionin e saj në Atdhe dhe na uroi me zemër për ta vazhduar përgjithmonë këtë Mision Kombëtar.
Kryeqyteti I Nju Jorkut na ka dhënë një ndjesi mikpritjeje të jashtëzakonshme, kemi qenë disa herë deri të ftuar në Parlament dhe në Senatin e shtetit të Nju Jorkut. Para se të fillonte ceremonia z. Qemal Zylo u mirëprit duke i uruar mirëseardhjen nga Drejtori i Shkollës Amerikane Sand Creek Middle School, Dr. Michael Marohn in Albany NY, ku do te zhvillojë mesimin Shqip Alba Life. E lum kush lë këtë gjurmë të shndritshme mirëseardhjeje me fjalë dhe me vepra si në rastin në fjalë.
Ceremonia e hapjes së dites së parë, 17 Janar, 2025
Në auditoriumin e Shkollës publike amerikane Sand Creek Middle School u mbajt ceremonia zyrtare e hapjes së Shkollës së parë Shqipe.
Para hyrjes dy tavolina kuq e zi ndriconin mjedisin ku mësueset, koordinatore Era Shkembi Çorbaxhi, mësuese Edvina Belishta dhe asistentet Lusiana Bardhi, Breana Bardhollari mirëprisnin prindërit dhe nxënësit të cilëve iu vendosnin nga një kapele në kokë me fjalët shqip Një tavolinë tjetër mbante mbi 40 çanta kuq e zi me ushqime bio shqiptare dhuratë për mësueset dhe nxënësit e regjistruar nga sipërmarrësi i suksesshëm Adrian Golemi i cili kishte udhëtuar që nga Bronxi per ta përshëndetur këtë nismë tejet atdhetare-patriotike duke dhuruar me gjenerozitet në shenjë simbolike dhe respekti Shkollën Shqipe.
Ceremonia u moderua nga Kozeta Zylo dhe Laura Leka, nxenese brilante e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island e cila së bashku me nënën e vet Denisa Leka një suportuese e madhe e Alba Life udhëtuan nga Nju Jorku për të ardhur në Albany.
Ceremonia u hap me urimin e madh: Ju faleminderit të dashur bashkatdhetarë, prindër dhe ju nxënës të Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit që do të uleni për herë të parë në bangat e shkollës në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut, një ndër metropolitanet më të mëdha në botë. Kur e filluam këtë nismë këtu në Albany rruga nuk ka qenë e shtruar në dafina, por me përpjekje të mëdha, durim, vullnet, inteligjencë, sacrificë arritëm që të vinim deri këtu në këtë ditë historike për Diasporën Shqiptaro Amerikane pasi për herë të parë hapet një shkollë e re shqipe në Albany. Kjo ka qenë një endërr e kahershme e Themeluesit të TV Dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” vizionarit Qemal Zylo, i cili duke sjellë përvojën e madhe midis dy kontinenteve si Shef Katedre dhe professor I lëndëve inxhinierike në Akademinë Ushtarake “Skenderbej” në Tiranë si dhe pedagog i lëndëve kompjuterike në kolegj në Manhattan e solli përvojën në mënyrë ekselente. Më duhet të falënderojmë publikisht dy bashkëpunëtorët e parë dhe fort të ngushtë që në fillimet e nismës si Era Shkembi Corbaxhi sëbashku me bashkëshortin e saj patriot Gerti Çorbaxhi dhe vazhduan të punojmë me korrektësi. Duke mos i takuar fizikisht vetëm në Google Meet në fillim që në takimin e parë ne lidhëm besa besëqë të mos i iknim programit duke iu referuar porosisisë së Kryeheroit, Skënderbeut që aq shumë jua mësojmë nxnësësve në shkolla. Natyrisht këtë besë ja kemi kërkuar përjetësisht dhe do të jetë përherë, sepse ne kemi model Motrat Qiriazi, kemi model shkollën e parë shqipe në Korçë, Korcën tuaj dhe Korçën tonë dhe Korçën e Kombit. Ne do te punojme siç thote Gjerasim Qiriazi:
“Do punoj për mëmëdhenë ,
Gjithë jetën sa të rronj,
Do të zgjonj dhe ata që flenë,
Kështu jetën do mbaronj”.
Një çift tjetër që dua të falënderoj nga thellësia e shpirtit është mësuese Edvina Belishta së bashku me bashkëshortin e saj atdhetar Bedion Belishta të cilët iu bashkuan Misionit tonë Kombëtar. Ata qëndruan pranë nesh me hallet, punët, përpjekjet ku të dyja me koordinatore Erën bashkëpunuan fort për të arritur në këtë ditë të madhe.
Moderatorja ftoi të gjithë pjesëmarrësit të çoheshin në kembë për të interpretuar Himnet Kombëtare të Amerikës dhe të Shqipërisë.
Nga fjala e Themeluesit dhe Drejtorit të Shkollave Shqipe z. Qemal Zylo
Z. Qemal Zylo themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online, i cili mban titullin e lartë Kombëtar “Kalorës I Urdhrit të Flamurit” dhënë nga Presidenca e Shqipërisë përshëndeti të gjithë të pranishmit. Ai tha:
Në emër të Bordit të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit më lejoni t’ju falënderoj për pjesëmarrjen sot në këtë Ceremoni të hapjes së Shkollës së parë Shqipe këtu në kryeqytetin e Shtetit të NY-ut, që është një Degë e Re e rrjetit të Shkollave Shqipe ‘Alba Life” që funksionojne prej 18 vitesh në të gjithë NY-un dhe në Online po ashtu.
Le të mirëpresim në fillim anëtarin e Asnamblesë z. Phil Steck që përfaqëson Distriktin Shkollor të Kolonisë Jugore këtu në Albany.
Dua të falënderoj Drejtorin Legjislativ Z. Justin Devendorf që përfaqëson anëtarin e Asamblesë John Zaccaro Jr.
Dua të falënderoj znj. Samantha Moore të Distriktit Shkollor të Kolonisë Jugore që na ndihmuan shumë për miratimin e lejeve në shkollë. Falënderoj biznesmenin e suksesshëm e mikun e TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” z. Adrian Golemi, që ka ardhur të marrë pjesë në këtë ceremony e t’ju dhurojë të gjithë fëmijëve dhe mësuesëve nga një pako në shenjë urimi e falënderimi për hapjen e Shkollës Shqipe “Alba Life” këtu në Albany.
Falënderoj koordinatoren dhe mësuesen znj. Era Çorbaxhi dhe bashkëshortin e saj z. Algert Çorbaxhi për përkushtimin e koordinimin e punëve të shumta për hapjen e kësaj shkolle.
Falënderoj mësuesen Edvina Belishta për gadishmerine për t’ju bashkuar stafit në misionin tone dhe punën përgatitore që ka bërë po ashtu.
Falënderoj kameramanin e AlbaPro z. Shug Dule që na ka ndihmuar kohët e fundit për eventet e Shkollave Shqipe “Alba Life”.
Falënderoj po ashtu znj. Kela Papa që erdhi në takimin e parë që patëm me stafin e disa prindër në muajin Dhjetor dhe u tregua e gatshme të bashkëpunojë ku shpresoj të na sjelli nxënës të rinj.
Falënderoj të gjithë prindërit një për një që janë këtu në sallë dhe që na kanë përkrahur e mbështetur duke regjistruar fëmijët e tyre dhe që do të fillojnë sot mësimin.
Pa dashur të zgjatem në historinë 18 vjeçare të rrjetit të shkollave shqipe “Alba Life” desha të theksoj se para 18 vitesh ne filluam me 6 nxënës në Fidanishten e Shkollave në Staten Island dhe vazhdoi duke u shtrirë në të gjithë NY-n. Vlen të theksoj se në Shkollat “Alba Life” kanë mësuar gjuhën shqipe me mijëra nxënës. Disa prej tyre kanë mbaruar studimet e larta apo i vazhdojnë ato dhe kurrë nuk e kanë harruar shkollën “Alba Life” që u ka mësuar për herë të parë ABC-në e gjuhës sonë të bukur shqipe.
Shkolla “Alba Life” ka funksionuar çdo fundjavë pa ndërprerje si program pas-shkollor, ndersa në kohën e pandemisë të Covid 19, Shkolla “Alba life” ishte e para shkollë në Diasporë, që filloi mësimet në Online dhe përgatiti e trainoi Këshillin e Arsimtarëve të Diasporës dhe mjaft mësues të tjerë për mësimin e gjuhës shqipe në Online. Në kohën e pandemisë numri i nxënësve u rrit në mënyrë të konsiderueshme dhe shkollës tone iu bashkuan mjaftenxënës nga Amerika e Europa ku shkollat e tyre u mbyllën në kohën e pandemisë. Na kërkuan dhe mbuluam nevojat e shkollave shqipe në Halifax të Kanadasë e të Shkollës në Chikago, pasi edhe u mbyllën gjatë kohës së pandemisë.
Shkollat Shqipe “Alba Life” udhëhiqen nga Rilindasit e mëdhenj se ashtu siç ka thënë Sami Frashëri: viktimat e gjuhës janë më të shumte se viktimat e shpatës.
Shkolla Shqipe “Alba Life” është laureuar me Titullin e lartë Ambasador i Kombit nga Shteti Shqiptar dhe me dy rezoluta të veçanta nga Shteti I NY-ut po ashtu, që janë vlerësim shumë i lartë jo vetëm për ne, por gjithë Kombin Shqiptar sepse Gjuha Shqipe është identiteti i Kombit Shqiptar.
Nuk dua të zgjatem në prezantimin e punës së stafit të Shkollave “Alba life” gjatë këtyre 18 viteve, pasi flasin vetë vlerësimet e prindërve dhe rezultatet e mijëra studentëve që ka nxjerrë ky rrjet me i madh i shkollave tona shqipe, por dua të theksoj se hapja e Degës së Shkollës Shqipe “Alba Life” në Albany me gati 40 nxënës do të jetë një qendër tjetër e re institucionale e mësimit të Gjuhës Shqipe dhe kulturës shqiptare, por edhe një institucion që do të ndihmojë në organizimin e bashkimin e komunitetit shqiptar.
Duke përfunduar i uroj fillim të mbarë Shkollës Shqipe “Alba life” në Albany dhe suksese të gjithë nxënësve dhe mësueseve Eranda Çorbaxhi e Edvina Belishta që iu bashkuan këtij Misioni Kombëtar!
Me shumë respekt dhe duartrokitje u mirëprit anëtari i Ansamblesë në Parlamentin e Nju Jorkut z.Phil Steck që përfaqëson Distriktin Shkollor të Kolonisë Jugore këtu në Albany. Z. Phil Steck uroi themeluesit, mësueset dhe nxënesit për një fillim të mbarë të punës. Ai frymëzoi me fjalët e tij që ta vazhdojmë këtë Mision sepse rrënjet tuaja nuk duhet t’i harroni kurrë.
Të nderuar ishim te kishim midis nesh superitendtin e gjithë shkollave të South Colony School District Dr. David Perry. Me një dashamirësi të madhe dhe krenari uroi të gjithë pjesëmarrësit për këtë nismë të mrekullueshme dhe për hapjen e shkollës së parë shqipe. Duke qenë këtu pranë jush dhe duke dëgjuar për hapjen e kësaj Shkolle Shqip, une do të mësoj më shumë për kulturën shqiptare, historinë, traditat që ju do t’i mbani gjallë dhe këtu në Albany.
Në këtë ceremony të ditës së parë nderonte me pjesëmarrjen e tij Z. Justin Devenddorf i cili është drejtor legjislativ në kabinetin e ansambleistit John Zaccaro Jr. dhe që përfaqëson rrethin tonë në Bronx NY, i cili punoi shumë që Rezoluta Legjislative për Shkollën Shqipe “Alba Life” të diskutohet dhe të miratohet nga Ansambleja dhe Senati i NYS. Z. Devenddorf nje politikan me plot kulturë, dashamirësi duke i njohur mirë shkollat Shqipe “Alba Life” përfaqësuesit, mësuesit dhe nxënësit të cilët i ka takuar në Parlament dhe në Senat foli me fjalë miradie për këtë punë kolosale që ka bërë Alba Life dhe afroi mbështetjen e plotë për t’i çuar akoma më përpara.
Nxenesija Laura Leka intepretoi poezinë “Mësuesi” shkruar nga shkrimtarja K.Z. si:
Si zogj mblidhemi rreth shkollës shqipe/ Luajmë dhe qeshim të gjithë bashkë/ Shqip ne flasim në çdo orë mësimi/ Bëhemi kurorë e një miqësie të artë. Unë jam Laura nga Nju Jorku/ Oh sa e dua GJUHEN SHQIPE/ Dhe Shkollën e famshme “Alba Life”/ Që janë foleza të zemrës sime.
Sytë e tyre shkrepin zjarr/ Kur ABC-në ne mësojmë/ Në Amerikë ndizet një far/ Si Hënë e plotë ne ndriçojmë.
Koordinatorja dhe mësuesja e Shkollës Era Shkembi Çorbaxhi përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe premtoi se do të punojë fort që kjo shkollë te eci mbarë dhe të vazhdojë rregullisht mësimin. Mësuese Era falënderoi themeluesit e kësaj shkolle z. Zylo dhe ndihej krenare që i ishte bashkuar Misionit Kombëtar.
Mësuese Edvina Belishta me një përvojë të pasur nga Mëmëdheu ynë foli me emocion që do ta rivazhdonte këtë profesion dhe në Albany. Ajo tha se është një ditë e bukur për mua dhe ndihej e privilegjuar dhe e nderuar që ishte pranuar nga çifti Zylo gjatë intervistës që ajo kishte dhënë enkas për këtë Mision.
Sipermarrësi i suksesshëm z.Adrian Golemi Themelues dhe Drejtor Menaxhues në Alb-Usa Enterprises Inc. falënderoi të gjithë nxënësit, prindërit, mësuesit, themeluesit të cilët hapën këtë shkollë kaq të munguar për këtë komunitet të madh në Albany.
Ai u përshëndet me duartrokitje dhe ishte frymëzues për fjalën e tij.
Mësuese Kozeta Zylo duke mbyllur ceremoninë ftoi me tringëllimen e ziles në dorë të gjithë nxënësit dhe mesuesit të shkonin nëpër klasa dhe të fillonin mësimin Shqip.
Klasat komode dhe të mbushura plot me gati 40 nxënës të regjistruar ndrinin nga kjo ditë e bukur, e bekuar dhe ndriçuese. Mësueset iu uruan mirëseardhjen nxënësve dhe ata të gëzuar vazhdonin udhëzimet sipas mësuese Erës dhe Edvinës. Ja më thotë mësuese Era të lutem dua një foto me këtë nxënësen që më ka sjellë buqetën me lule, se unë në këtë profesion e marr për herë të parë dhe nuk do ta harroj kurrë. Mësuese Era ka mbaruar Filologjikun për gazetari dhe histori, por si e re që ishte emigroi në Albany dhe nuk arriti ta ushtronte atje, por ndihej e privilegjuar që u pranua nga Bordi i Alba Life dhe u vlerësua siç e meritonte.
Disa amerikanë që kujdeseshin për shkollën, na përshëndetën me fjalë miradie dhe ngelën të befasuar dhe të mrekulluar që po dëgjonin për herë të parë shqip në këtë shkollë.
Një prind shembullor si Arjana Delia pas ditës së parë më shkruajti si: “Kur e pyeta djalin e madh se çfarë kishte mësuar në Shkollën Shqipe ditën e parë? Ai ishte përgjigjur: Mami gjëja e veçantë që më ndodhi ishte se unë kam shkruajtur për herë të parë shqip”! Kjo më lumturoi pamasë shkruan mami Arjana se djali ishte tejet krenar për hapjen e kësaj shkolle. Ajo ua kishte dërguar gjyshërve çfarë kishte shkruajtur djali dhe ata ishin gëzuar e lumturuar.
Nxënësit dhe prindërit u shpërndanë të gëzuar dhe të lumtur dhe natyrisht mezi e presin të premten tjetër për të ardhur nëpër klasa dhe për të mësuar Shqip. Ishte një ditë e bukur, ndriçuese, e paharrueshme, historike, pasi për herë të parë u hap Shkolla e parë Shqipe “Alba Life” në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut.
Punë të mbarë Shkolla e parë Shqipe “Alba Life” në Albany!
Bashkohuni me ne në këtë Mision Kombëtar!
Mos e harroni Gjuhen Shqipe! Ajo është identiteti ynë kombëtar kudo që të jemi!
Mos ta harrojme kurre historinë shqiptare, pasi dhe rrënjët e një peme nuk shihen, por ato rrenje e mbajnë fort në tokë.
Autorja e shkrimit është shkrimtare, autore e tetë librave, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në gjithë New York-un dhe në Albany si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
17 JANAR 2025
Albany, New York