
Veprimtaria për mjeshtrin e muzikës shqiptare, kompozitorin Tish Daija, u zhvillua më 30 janar 2026 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nga Komisioni i Përkohshëm i Arteve në bashkëpunim me Qendrën e Studimit të Arteve, Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Universitetin e Arteve.
Konferencën e hapi akad. Stefan Çapaliku, drejtor i QSA-së. Ai tha se Tish Daija konsiderohet kompozitori i parë i baletit shqiptar me veprën “Halili dhe Hajria”, që u ngjit në skenë në vitin 1963. Është një moment historik, jo vetëm për muzikën, por për gjithë kulturën shqiptare. Akad. Çapaliku e vlerësoi Tish Dainë jo vetëm si kompozitor, por edhe si arkitekt institucional të muzikës shqiptare moderne. Rëndësia e Tish Daisë qëndron në mënyrën sesi i përpunoi motivet popullore shqiptare (sidomos ato të veriut), i shndërroi ato në material simfonik e skenik pa folklorizëm të sipërfaqshëm, duke e ruajtur identitetin pa izolim estetik.
Në këtë veprimtari jubilare përshëndetën: prefektja e Shkodrës z. Holta Duda; Rektori i Universitetit të Arteve prof. dr. Erald Bakalli; dirigjenti Sokol Marsi (Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit) dhe Gusti Daija, i biri i kompozitorit Tish Daija.
Akad. Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave dhe kryetar i Komisionit të përhershëm të arteve (ASHSH) falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit e konferencës dhe foli për rëndësinë që ka veprimtaria për 100-vjetorin e kompozitorit Tish Daija. Ai u shpreh se muzika qytetare dhe ajo skenike u detyrohet tre mjeshtërve të mëdhenj Çesk Zadesë, Kol Jakovës e Tish Daisë dhe Tish Daija renditet mes krijuesve të parë të këtyre gjinive. Ai kompozoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore dhe dha kontribut edhe në muzikën e filmit shqiptar. Më tej akad. Tole e vlerësoi kompozitorin Daija si një ndër përfaqësuesit më origjinalë të këngës shqiptare, ku së bashku me Çesk Zadenë krijuan klasën e kompozicionit dhe dhanë mësim për breza me radhë në Konservatorin Shtetëror të Tiranës.
Pas fjalëve përshëndetëse vijuan punimet e konferencës, të cilat u drejtuan nga dr. Kreshnik Duqi dhe dr. Denis Bizhga.
Seancën plenare e hapi prof. dr. Zana Shuteriqi me kumtesën “Tish Daija dhe tradita muzikore shkodrane”. Ajo përshkroi të gjithë karrierën muzikore të mjeshtrit Daija, duke e nisur nga mësimet e tij të para në qytetin e tij të lindjes. Kori i Kishës Françeskane dhe fryma qytetare shkodrane shënjuan krijimtarinë e tij. Ajo foli më tej për edukimin në Konservatorin e Shkodrës në linjën e kompozitorëve të parë Prenk Jakova e Palok Kurti, ku Shkodra ishte një laborator i gjinisë muzikore skenike. Prof. dr. Shuteriqi vlerësoi veprat muzikore dhe gjurmët e thella që Tish Daija la më muzikën shqiptare.
Prof. asoc. dr. Rreze Kryeziu Breznica (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës) mbajti kumtesën “Opusi krijues i kompozitorit Tish Daija në skenën koncertale dhe performuese në Kosovë (1972–2025)”. Ajo e vlerësoi Tish Dainë për krijimin e një gjuhe muzikore moderne dhe autentike që i kapërcen kufijtë. Ai mbeti pikë referimi jo vetëm i traditës muzikore, por edhe i mjeshtërisë së krijimit muzikor.
Prof. asoc. dr. Mikaela Minga mbajti kumtesën “Portret i një artisti në rini”, ku spikati portretin qytetar të mjeshtrit të muzikës dhe më tej foli për tiparet origjinale të krijimtarisë së tij muzikore.
Dr. Kreshnik Duqi përshkroi krijimtarinë muzikore të Tish Daisë pas viteve ’90, si një prodhimtari artistike që erdhi duke u stilizuar e pasuruar me aftësi komunikuese.
Prof. Pjetër Guralumi zgjeroi tematikën e kontributeve të Tish Daisë duke paraqitur kompozimet që ka bërë për repertorin e violonçelit në periudhën 1990-2000.
Me interes ishte edhe kumtesa e dr. Suzana Turkut, e cila foli për individualitetin krijues të kompozitorit Tish Daija në muzikën vokale, korale”. Ajo tha se figura e kompozitori zë një vend të rëndësishëm në procesin e formësimit dhe konsolidimit të gjuhës muzikore kombëtare. Duke analizuar individualitetin krijues të Tish Daisë, u ndal në ndërthurjen e elementëve muzikorë për të ndërtuar një stil të veçantë, të dallueshëm dhe me vlera të qëndrueshme në historinë e muzikës.
Qamil Gjyrezi foli për semiotikën e baletit dhe veprave instrumentale të kompozitorit Tish Daija, duke u ndalur te “Poema për violinë”.
Seancën e parë e mbylli akad. Vasil S. Tole me kumtesën “Tish Daija dhe kontributi i tij si kompozitor në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare” (rasti i himnit të divizionit garibaldin “Antonio Gramshi”, 1943, i kompozuar prej tij). Ai tha se Tish Daija që në moshë të re ka kontribuar për luftën Nacionalçlirimtare. Më tej akad. Tole vlerësoi disa nga kontributet themelore që ka dhënë Tish Daija në të gjitha gjinitë muzikore, që nga muzika simfonike, e dhomës, baleti, opera, operetta, si dhe muzika e filmit. Tish Daija kontribuoi në modernizimin e këngës shqiptare dhe në lëvrimin e muzikës moderne shqiptare.
Seanca e dytë vijoi me një koncert të pasur me krijimtari të kompozitorit Tish Daija. U interpretua suitë nga baleti “Bijtë e peshkatarit” nga ansambli i harqeve “Harmonica Albania” nën drejtimin e dirigjentit Eno Koço. Më tej koncerti vijoi me një fragment nga muzika e filmit “Tingujt e luftës” për piano solo që u interpretua nga Ardita Bufaj. U interpretuan, gjithashtu, pjesë të krijimtarisë së Çesk Zadesë si “Rapsodi për flaut e piano nga Elvis Rudi e Ardita Bufaj.
Sopranoja e njohur Mariana Leka gjatë koncertit këndoi “Aria e Dritës” nga opera “Pranvera”; “Aria e Vjosës” nga opera “Vjosa”; Kënga e krushqve”; “Këngë nga fletorja e 1945”, “Çikë moj çikë”, “Me lule t’bukra”, që u shoqëruan nga Ansambli i Harqeve. Lorenc Radovani dhe Ansambli i Harqeve interpretuan “Valle për violinë” të Daisë, ndërsa vepra “Kërcimi i kecave për 4 flaute (3. The Shepherd’s Pipe & 4. Dance of the kids) u interpretuan nga Elvis Rudi dhe kuarteti i flauteve.
Në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Tish Daisë në mjediset e Akademisë së Shkencave u hap edhe një ekspozitë me dorëshkrime origjinale muzikore, foto dhe postera të premierave të veprave të tij ndër vite.