








Sokol Paja/
New Jersey, 8 Mars 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra themeloi degën më të re të saj “Vatra Mëmëdheu – New Jersey”. Në një atmosferë të shkëlqyer atdhetare e vëllazërore, patriotët shqiptarë të New Jersey bashkuan komunitetin shqiptar rreth Vatrës, institucionit më të fuqishëm patriotik dhe më të nderuar historik, për të fuqizuar patriotizmën, komunitetin dhe shqiptarizmën në mërgatën e Amerikës. Me pjesëmarrjen e autoriteteve më të larta shtetërore e lokale në New Jersey dhe të organizatave patriotike e shoqatave atdhetare shqiptare, themelimi i degës së re të Vatrës hap një rrugë të fuqishme dhe shumë të rëndësishme në historinë e Vatrës dhe të komunitetit shqiptar në Amerikë. Nën prezantimin mjeshtëror të Nuredin Secit, këndimi i himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë i hapi rrugë leximit solemn të përbërjes së “Vatra Mëmëdheu – New Jersey” kryetar: Edmond Drishti, zv.kryetare: Mimoza Ferraj Kule, sekretar: Kamber Elezi, arkëtar: Florian Malaj, anëtarë kryesie: Nuredin Seci, Halim Malaj, Sadri Kortoçi. Anjeza Shema dhe Ram Dunisha kordinatorë për organizimin e aktiviteteve të degës. Ekipi drejtues i degës përbëhet nga personalitete patriotike veprimtarë, atdhetarë dhe aktivistë me integritet, kontributorë të vazhdueshëm të çështjes kombëtare në Amerikë.
Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha falenderoi e përgëzoi themeluesit dhe organizatorët dhe shprehu mirënjohjen për angazhimin e çdo patrioti për rritjen e komunitetit e Vatrës në lavdinë e saj si në kohën e Nolit e Konicës. “Vatra po ruan energjinë, shpirtin dhe filozofinë e themeluesve të Vatrës. Vatra po punon fort në Uashington për të mirën e shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë”, tha në fjalën e tij Dr. Berisha. “Vatra është Vatikan dhe Mekë e shqiptarëve në diasporë” u shpreh kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha teksa u bëri thirrje që ti bashkohen Vatrës patriotët e të rinjtë shqiptarë në Amerikë për të çuar përpara punën patriotike. Kryetari i Vatra Mëmëdheu në New Jersey z.Edmond Drishti në fjalën e tij falenderoi të pranishmit, shpalosi historinë e Vatrës, rolin e kontributin për çështjen shqiptare dhe punën për bashkimin e shqiptarëve dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare. Në fjalën e tij foli rreth lidhjes familjare me Vatrën, nevojën dhe rëndësinë e lidhjes patriotike nga fëmijët te gjeneratat në vazhdimësi. Z. Drishti falenderoi në mënyrë të veçantë imamin shqiptar në New Jersey Rifat Alili për punën e shkëlqyer për komunitetin shqiptar në New Jersey.
Kryetarja e Bashkisë Fairview në New Jersey znj.Violetta Berisha u shpreh e impresionuar mbi aktivitetin, përgëzoi organizatorët dhe ofroi ndihmë e mbështetjen për Vatrën e komunitetin shqiptar në New Jersey. Këshilltari i qytetit të Garfield në New Jersey Richard Rigoglioso vlerësoi shqiptarët në Garfield duke thënë se në komunitet kanë sjellë kulturë, tradita e vlera familjare të pasura. Imam Rifat Alili uroi nënat dhe gratë shqiptare me rastin e 8 marsit dhe uroi begati për Vatrën dhe shqiptarët në Garfield. “Vatra në New Jersey kompleton mozaikun shqiptar në New Jersey pas Xhamisë shqiptare dhe Parkut Nënë Tereza. Vatra është oxhaku ku ndërtohet dhe ngrohet shpirti i kombit” tha ndër të tjera imam Alili. Nënkryetarja e Vatrës Mëmëdheu në New Jersey Mimoza Ferraj Kule në fjalën e saj theksoi se
Federata Vatra ka qenë aktive në çdo fushë të jetës dhe veprimtarisë në mbarë kombin shqiptar. Në art, diplomaci, qeverisje dhe udhëheqje shtetërore, duke kontribuar në themelimin dhe forcimin e komuniteteve fetare dhe harmonisë, në arsim, letërsi, kulturë, gazetari, muzikë dhe shkencë. Çdo shqiptar i diasporës ndjen përgjegjësinë kombëtare për të qenë i angazhuar në mbështetjen e Vatrës. E tashmja na thërret që edhe një herë, më tepër se kurrë, të vazhdojmë rrugën e veprave të mira për kombin dhe bashkatdhetaret tanë” tha zonja Ferraj Kule. Patrioti Halim Malaj në fjalën e tij shpalosi rolin atdhetar e publicistik të Faik Konicës dhe kontributin e tij për gjuhën shqipe, Federatën Vatra, gazetën Dielli e çështjen kombëtare shqiptare në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj përmendi dhe përgëzoi personalitetet si Edmond Drishti, Virgjil Kule, Mimoza Ferraj e patriotët kontributorë nga New Jersey për themelimin e degës më të re të Vatrës në Amerikë. Gjithashtu përgëzoi udhëheqësit fetarë shqiptarë për kontributin e tyre në çështjen kombëtare. “Nëse s’do kishte besim e fe nuk do kishte as atdhe” deklaroi z.Grishaj. Kryetari i Këshillit të Vatrës z.Kolec Ndoja diskutoi rreth rolit të Vatrës për çështjen shqiptare dhe bashkimin e trojeve shqiptare. “Vatra është shpirti i shqiptarisë” tha ndër të tjera z.Ndoja. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj theksoi se angazhimi i sotëm patriotik është detyrim i nderimit dhe respektit për të kaluarën e lavdishme. Në ceremoninë atdhetare përshëndetën edhe Agim Shehi, Sab Gashi e Lirim Kaba të cilët i ofruan mbështetje degës së re të Vatrës dhe përgëzuan arritjet dhe forcimin e Vatrës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Televizioni i Vatrës “Noli Tv” drejtuar nga producenti Nazim Salihu regjistroi një tjetër aktivitet mbresëlënës që bashkon, forcon e promovon komunitetin shqiptar në mërgatën e Amerikës.